2010–2019
Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë

Bëjeni përqendrimin tuaj te pendimi i përditshëm një pjesë aq përbërëse të jetës suaj, saqë të mund ta ushtroni priftërinë me fuqi më të madhe se kurrë më parë.

Vëllezërit e mi të dashur, është frymëzuese ta hedhësh vështrimin mbi këtë bashkësi të madhe të batalionit të Zotit të mbajtësve të priftërisë. Ç’forcë e madhe për mirë jeni ju! Ne ju duam. Lutemi për ju. Dhe jemi shumë mirënjohës për ju.

Kohët e fundit më ka tërhequr udhëzimi i Zotit i dhënë nëpërmjet Profetit Jozef Smith: “Mos i thuaj asgjë veçse pendim këtij brezi”1. Kjo deklaratë përsëritet shpesh gjatë gjithë shkrimit të shenjtë.2 Ajo nxit që të bëhet një pyetje e qartë: “A ka nevojë çdo njeri që të pendohet?” Përgjigjja është: “Po”.

Shumë njerëz e konsiderojnë pendimin si ndëshkim – diçka që duhet shmangur përveçse në rrethanat më të rënda. Por kjo ndjenjë e të qenit i ndëshkuar shkaktohet nga Satani. Ai përpiqet të na e pengojë vështrimin drejt Jezu Krishtit3, i cili qëndron krahëhapur4, duke shpresuar dhe i gatshëm të na shërojë, falë, pastrojë, forcojë, të na bëjë të kulluar dhe të na shenjtërojë.

Fjala për pendimin në Dhiatën e Re në greqisht është metanoeo. Parashtesa meta‑ do të thotë “ndryshim”. Prapashtesa ‑noeo lidhet me fjalë të tjera greke që do të thonë “mendje”, “dije”, “frymë” dhe “hukatje [frymëmarrje]”5.

Prandaj, kur Jezusi na kërkon juve dhe mua të “pendohe[m]i”6, Ai po na fton të ndryshojmë mendjen tonë, dijen tonë, frymën [shpirtin] tonë – madje mënyrën se si marrim frymë. Ai po na kërkon të ndryshojmë mënyrën se si duam, mendojmë, shërbejmë, shpenzojmë kohën tonë, i trajtojmë bashkëshortet tona, i mësojmë fëmijët tanë dhe madje se si kujdesemi për trupat tanë.

Asgjë nuk është më çliruese, më fisnikëruese ose më e rëndësishme për përparimin tonë individual sesa një përqendrim i rregullt, i përditshëm te pendimi. Pendimi nuk është një ngjarje; është një proces. Është kyçi drejt lumturisë dhe paqes së mendjes. Kur ndërthuret me besimin, pendimi na jep të drejtën për të përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit.7

Qoftë nëse po lëvizni me zell përgjatë shtegut të besëlidhjeve, keni rrëshqitur apo keni dalë nga shtegu i besëlidhjeve, ose as nuk mund ta shihni shtegun nga vendi ku jeni tani, unë ju përgjërohem të pendoheni. Përjetojeni fuqinë forcuese të pendimit të përditshëm – të bërjes dhe të të qenit pak më i mirë çdo ditë.

Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të ndryshojmë! Ne e lejojmë Shpëtimtarin që të na shndërrojë në variantin më të mirë të vetes sonë. Ne zgjedhim të rritemi shpirtërisht dhe të marrim gëzim – gëzimin e shëlbimit tek Ai.8 Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të bëhemi më shumë si Jezu Krishti!9

Vëllezër, na nevojitet të bëjmë më mirë dhe të jemi më të mirë, sepse jemi në një betejë. Beteja me mëkatin është e vërtetë. Kundërshtari po i katërfishon përpjekjet e tij për t’i shkatërruar dëshmitë dhe për ta vonuar punën e Zotit. Ai po i armatos ithtarët e vet me armë të fuqishme që të na pengojnë për të marrë nga gëzimi dhe dashuria e Zotit.10

Pendimi është kyçi për ta shmangur mjerimin e shkaktuar nga kurthet e kundërshtarit. Zoti nuk pret përsosuri prej nesh në këtë pikë të përparimit tonë të përjetshëm. Por Ai vërtet pret që ne të bëhemi gjithnjë e më të pastër. Pendimi i përditshëm është shtegu drejt pastërtisë dhe pastërtia sjell fuqi. Pastërtia vetjake mund të na bëjë mjete të fuqishme në duart e Perëndisë. Pendimi ynë – pastërtia jonë – do të na forcojnë që të ndihmojmë për mbledhjen e Izraelit.

Zoti i mësoi Profetit Jozef Smith “që të drejtat e priftërisë lidhen në mënyrë të pandashme me fuqitë e qiellit dhe se fuqitë e qiellit nuk mund të kontrollohen, as përdoren, vetëm mbi bazën e parimeve të drejtësisë”11.

Ne e dimë se çfarë do të na japë të drejtë më të madhe që t’i përdorim fuqitë e qiellit. Ne gjithashtu e dimë se çfarë do ta pengojë përparimin tonë – çfarë na nevojitet të mos e bëjmë më, për ta rritur të drejtën tonë që t’i përdorim fuqitë e qiellit. Vëllezër, me lutje kërkoni të kuptoni se çfarë qëndron si pengesë në udhën e pendimit tuaj. Përcaktojeni atë gjë që ju ndalon të pendoheni. Dhe më pas, ndryshoni! Pendohuni! Ne të gjithë mund të bëjmë më mirë dhe të jemi më të mirë se kurrë më parë.12

Ka mënyra të veçanta sipas të cilave ka gjasa që mund të përmirësohemi. Njëra është mënyra se si i trajtojmë trupat tanë. Habitem nga mrekullia e trupit njerëzor. Ai është një krijim i madhërishëm, thelbësor për përparimin tonë gradual drejt potencialit tonë përfundimtar hyjnor. Ne nuk mund të përparojmë pa të. Duke na dhënë dhuratën e një trupi, Perëndia na ka lejuar të ndërmarrim një hap jetik drejt bërjes më shumë si Ai.

Satani e kupton këtë gjë. Ai acarohet nga fakti që braktisja e vet para vdekshmërisë e ka përjashtuar atë përfundimisht nga ky privilegj, duke e lënë në një gjendje të vazhdueshme smire dhe mërie. Kështu që shumë, në mos shumica, prej tundimeve që ai i vendos në shtegun tonë, na bëjnë të abuzojmë me trupat tanë ose trupat e të tjerëve. Ngaqë Satani është i mjeruar pa një trup, ai dëshiron që ne të jemi të mjeruar për shkak të trupit tonë.13

Trupi juaj është tempulli juaj vetjak, i krijuar që të mbajë shpirtin tuaj të përjetshëm.14 Kujdesi juaj për atë tempull është i rëndësishëm. Tani, unë ju pyes vëllezër, a jeni më të interesuar për veshjen dhe përkujdesjen për trupin tuaj që t’i bëni qejfin botës në vend që të kënaqni Perëndinë? Përgjigjja juaj ndaj kësaj pyetjeje i dërgon një mesazh të drejtpërdrejtë Atij rreth ndjenjave që keni në lidhje me dhuratën e Tij të jashtëzakonshme për ju. Në këtë nderim për trupat tanë, vëllezër, unë mendoj se mund të bëjmë më mirë dhe të jemi më të mirë.

Një mënyrë tjetër se si mund të bëjmë më mirë dhe të jemi më të mirë gjithashtu, është mënyra se si i nderojmë gratë në jetën tonë, duke filluar me bashkëshortet e bijat tona, me nënat e motrat tona.15

Muaj më parë, mora nga një motër e dashur një letër që të këpuste shpirtin. Ajo shkruante: “[Unë dhe bijat e mia] ndiejmë se jemi në konkurrim të rreptë për vëmendjen e pashkëputur të bashkëshortëve dhe bijve tanë, me përditësimet sportive 24 orë në ditë 7 ditë në javë, lojërat kompjuterike, përditësimet e tregut të stoqeve [dhe] analizat e pafundme dhe shikimin e lojërave të çdo sporti [të përfytyrueshëm]. Duket sikur po i humbasim vendet në radhën e parë për bashkëshortët e bijtë tanë për shkak të vendeve të tyre të përhershme në radhën e parë për [sportet dhe lojërat].”16

Vëllezër, detyra juaj e parë dhe më e rëndësishmja si një mbajtës i priftërisë është ta doni dhe të kujdeseni për bashkëshorten tuaj. Bëhuni një me të. Bëhuni partneri i saj. Bëjani të lehtë asaj që të dëshirojë të jetë partnerja juaj. Asnjë interes tjetër në jetë nuk duhet të ketë përparësi më të madhe se ndërtimi i një marrëdhënieje të përjetshme me të. Asgjë në televizor, në celular apo kompjuter nuk është më e rëndësishme sesa mirëqenia e saj. Bëni një inventar të mënyrës se si e shpenzoni kohën tuaj dhe cilave gjëra ua përkushtoni energjinë tuaj. Ajo do t’ju tregojë se ku është zemra juaj. Lutuni që zemra juaj të jetë në harmoni me zemrën e bashkëshortes suaj. Përpiquni t’i sillni asaj gëzim. Kërkojeni këshillën e saj dhe vërjani veshin. Idetë e saj do t’i përmirësojnë rezultatet tuaja.

Nëse keni nevojë të pendoheni për shkak të mënyrës se si i keni trajtuar gratë më të afërta për ju, filloni tani. Dhe mbajeni mend se është përgjegjësia juaj që t’i ndihmoni gratë në jetën tuaj për të marrë bekimet që rrjedhin nga të jetuarit e ligjit të Zotit për dëlirësinë. Kurrë mos jini ju arsyeja pse një grua nuk është në gjendje të marrë bekimet e saj të tempullit.

Vëllezër, ne të gjithë kemi nevojë të pendohemi. Kemi nevojë të ngrihemi nga divani, ta heqim nga dora telekomandën dhe të zgjohemi nga dremitja jonë shpirtërore. Është koha të veshim armatimin e plotë të Perëndisë që të mund të përfshihemi në punën më të rëndësishme mbi tokë. Është koha që ta “shtyj[më] drapërin t[onë] dhe [të] korr[im] me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën t[onë]”17. Forcat e së ligës nuk janë tërbuar kurrë më me furi sesa po shpërndahen sot. Si shërbëtorë të Zotit, ne nuk mund të flemë ndërkohë që kjo betejë zien.

Familja juaj ka nevojë për udhëheqjen dhe dashurinë tuaj. Kuorumi i juaj dhe njerëzit në lagjen apo degën tuaj kanë nevojë për forcën tuaj. Dhe të gjithë njerëzit që ju takojnë, kanë nevojë të dinë se si duket në pamje dhe se si vepron një dishepull i vërtetë i Zotit.

Të dashur vëllezërit e mi, ju u zgjodhët nga Ati ynë që të vinit në tokë në këtë kohë vendimtare për shkak të trimërisë suaj shpirtërore paratokësore. Ju jeni mes burrave më të mirë, më të guximshëm që kanë ardhur ndonjëherë në tokë. Satani e di se cilët jeni dhe cilët ishit para se të vinit në tokë dhe ai e kupton veprën që duhet bërë përpara se Shpëtimtari të kthehet. Dhe pas mijëvjeçarëve të ushtrimit të arteve të tij dinake, kundërshtari është i regjur dhe i pandreqshëm.

Fatmirësisht, priftëria që mbajmë është shumë më e fortë sesa dinakëritë e kundërshtarit. Unë ju përgjërohem që të jeni burrat dhe të rinjtë që Zoti ka nevojë që ju të jeni. Bëjeni përqendrimin tuaj te pendimi i përditshëm një pjesë aq përbërëse të jetës suaj, saqë të mund ta ushtroni priftërinë me fuqi më të madhe se kurrë më parë. Kjo është e vetmja mënyrë se si do ta mbani veten tuaj dhe familjen tuaj të sigurt shpirtërisht në ditët plot sfida që shtrihen përpara.

Zoti ka nevojë për burra vetëmohues të cilët e vendosin mirëqenien e të tjerëve përpara mirëqenies së tyre. Ai ka nevojë për burra të cilët veprojnë me qëllim për ta dëgjuar zërin e Shpirtit me qartësi. Ai ka nevojë për burra të besëlidhjes të cilët i mbajnë besëlidhjet e tyre me integritet moral. Ai ka nevojë për burra të cilët janë të vendosur që ta mbajnë veten e tyre të pastër seksualisht – burra të denjë të cilët mund të thirren në çdo çast që të japin bekime me zemra të pastra, mendje të kulluara dhe duar të gatshme. Zoti ka nevojë për burra të etur për t’u penduar – burra me zell për të shërbyer dhe për të qenë pjesë e batalionit të Zotit të mbajtësve të denjë të priftërisë.

Ju bekoj që të bëheni ata burra. Ju bekoj me guximin që të pendoheni çdo ditë dhe të mësoni se si ta ushtroni fuqinë e plotë të priftërisë. Ju bekoj që t’ia shprehni dashurinë e Shpëtimtarit bashkëshortes dhe fëmijëve tuaj, si dhe të gjithë njerëzve që njihni. Ju bekoj që të bëni më mirë dhe të jeni më të mirë. Dhe ju bekoj që, teksa i bëni këto përpjekje, ju do të përjetoni mrekulli në jetën tuaj.

Ne jemi të përfshirë në punën e Perëndisë së Plotfuqishëm. Jezusi është Krishti. Ne jemi shërbëtorët e Tyre. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.