2020
Shtëpitë më të Mira
maj 2020


Shtëpitë më të Mira

Shpëtimtari është inxhinieri, ndërtuesi dhe mobiluesi i brendshëm i përsosur. Projekti i Tij është përsosja dhe gëzimi i përjetshëm i shpirtrave tanë.

Kohët e fundit një tabelë reklamash në Solt-Lejk-Siti më tërhoqi vëmendjen. Ajo reklamonte një kompani mobiliesh dhe projektimi ambientesh të brendshme. Ajo shpallte thjesht: “U Shërbejmë Shtëpive më të Mira në Solt‑Lejk‑Siti”.

Mesazhi të mbetej në mendje – çfarë është një “shtëpi më e mirë”? E gjeta veten duke u menduar rreth asaj pyetjeje, veçanërisht në lidhje me fëmijët që bashkëshortja ime, Kethi, dhe unë rritëm dhe rreth fëmijëve që ata po rrisin sot. Ashtu si prindërit kudo, ne shqetësoheshim dhe luteshim për familjen tonë. Ne ende vazhdojmë ta bëjmë këtë. Me zell dëshirojmë pikërisht më të mirën për ta. Si mund të jetojnë ata dhe fëmijët e tyre në shtëpitë më të mira? Kam menduar thellë për shtëpitë e anëtarëve të Kishës që Kethi dhe unë kemi pasur privilegjin të vizitojmë. Na kanë ftuar në shtëpi në Kore dhe Kenia, në Filipine dhe Peru, në Laos dhe në Letoni. Më lejoni të tregoj katër gjëra që vëzhgohen rreth shtëpive më të mira.

Së pari, nga këndvështrimi i Zotit, ngritja e shtëpive më të mira ka të bëjë shumë me cilësitë vetjake të njerëzve që jetojnë aty. Këto shtëpi nuk bëhen të mira në ndonjë mënyrë të rëndësishme apo afatgjatë nëpërmjet mobilieve, apo nëpërmjet pasurisë monetare, apo pozitës shoqërore të njerëzve që i zotërojnë ato. Karakteristika më e mirë e çfarëdo shtëpie është imazhi i Krishtit i pasqyruar në banorët e shtëpisë. Ajo që ka rëndësi, është mobilimi i brendshëm i shpirtrave të banorëve dhe jo vetë struktura.

Tiparet e Krishtit fitohen me “kalimin e kohës”1 me anë të përparimit të qëllimshëm përgjatë shtegut të besëlidhjeve. Tiparet si të Krishtit e zbukurojnë jetën e atyre që përpiqen fort të jetojnë me mirësi. Ato i mbushin shtëpitë me dritën e ungjillit, pavarësisht nëse dyshemeja është prej balte apo mermeri. Edhe nëse jeni i vetmi në vatrën tuaj familjare që ndjek urdhëresën për t’i “kërk[uar] këto gjëra”2, ju mund të kontribuoni për mobilimin shpirtëror të shtëpisë së familjes tuaj.

Ne e ndjekim këshillën e Zotit për ta “organiz[uar] veten t[onë]; përgatit[ur] çdo gjë të nevojshme; dhe ngri[tur] një shtëpi” duke organizuar, përgatitur dhe ngritur jetën tonë shpirtërore, jo pronën tonë të patundshme. Teksa e ndjekim me durim shtegun e besëlidhjeve të Shpëtimtarit, shtëpia jonë bëhet “një shtëpi lavdie, një shtëpi rregulli [dhe] një shtëpi [e] Perëndisë”3.

Së dyti, banorët e shtëpive më të mira gjejnë kohë çdo ditë për t’i studiuar shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë. Presidenti Rasëll M. Nelson na ka ftuar që t’i “shndërr[ojmë]” dhe “rimodelojmë” shtëpitë tona nëpërmjet studimit të ungjillit.4 Ftesa e Tij vëren se në shtëpitë më të mira banon puna e dhembshur, jetike e rritjes vetjake dhe e rimodelimit të dobësive tona. Pendimi i përditshëm është një mjet shndërrues që na mundëson të bëhemi pak më të mirë, më të dashur dhe më të kuptueshëm. Studimi i shkrimeve të shenjta na afron me Shpëtimtarin, dashuria dhe hiri bujar i të cilit na ndihmojnë për rritjen tonë.

Bibla, Libri i Mormonit dhe Perla me Vlerë të Madhe tregojnë historitë e familjeve, prandaj nuk është e habitshme që ato vëllime hyjnore janë manuale të pakrahasueshme për të ndërtuar shtëpitë më të mira. Ato japin një kronikë të shqetësimeve të prindërve, rreziqeve të tundimit, triumfit të drejtësisë, sprovave të zisë së bukës e bollëkut, si dhe të tmerreve të luftës dhe shpërblimeve të paqes. Herë pas here shkrimet e shenjta na tregojnë se si familjet ia dalin me sukses nëpërmjet të jetuarit të drejtë dhe se si dështojnë duke ndjekur shtigje të tjera.

Së treti, shtëpitë më të mira ndjekin projektin e krijuar nga Zoti për shtëpinë e Tij më të mirë, tempullin. Ndërtimi i një tempulli fillon me hapat bazë – pastrimin e shkurreve dhe sheshimin e tokës. Ato përpjekje fillestare për të përgatitur tokën mund të krahasohen me zbatimin e urdhërimeve bazë. Urdhërimet janë themeli mbi të cilin ndërtohet dishepullimi. Dishepullimi i vazhdueshëm na çon drejt bërjes të vendosur, të qëndrueshëm dhe të patundur5, njësoj si skeleti i çeliktë për një tempull. Ky skelet i qëndrueshëm e lejon Zotin që të dërgojë Shpirtin e Tij për të ndryshuar zemrën tonë.6 Përjetimi i një ndryshimi të madh të zemrës është si shtimi i veçorive të bukura brendësisë së një tempulli.

Ndërsa vazhdojmë me besim, Zoti na ndryshon gradualisht. Ne marrim shëmbëlltyrën e Tij në pamjen tonë dhe fillojmë të pasqyrojmë dashurinë dhe bukurinë e karakterit të Tij.7 Teksa bëhemi më shumë si Ai, ne do të ndihemi rehat në shtëpinë e Tij dhe Ai do të ndihet rehat në shtëpinë tonë.

Ne mund ta mbajmë lidhjen e ngushtë midis shtëpisë sonë dhe shtëpisë së Tij duke u kualifikuar për një rekomandim tempulli dhe duke e përdorur atë aq shpesh sa e lejojnë rrethanat. Ndërsa e bëjmë këtë, shenjtëria e Zotit do të qëndrojë edhe në shtëpinë tonë.

Tempulli madhështor i Solt‑Lejkut qëndron këtu pranë. I ndërtuar nga pionierët me mjete të thjeshta pune, materiale vendore dhe punë të palodhur e të pafundme, tempulli u ndërtua nga viti 1853 deri në vitin 1893. Më e mira që mund të jepnin anëtarët e hershëm të Kishës në inxhinieri, arkitekturë dhe mobilim të brendshëm krijoi një kryevepër që njihet nga miliona njerëz.

Gati 130 vjet kanë kaluar që kur tempulli u përkushtua. Ashtu si vërejti dje Plaku Geri E. Stivenson, parimet inxhinierike që u përdorën për të projektuar tempullin, janë zëvendësuar nga standarde më të reja dhe më të sigurta. Dështimi për të përmirësuar ndërtesën e tempullit dhe për të riparuar dobësitë strukturore do të tradhtonte mirëbesimin e pionierëve, të cilët bënë gjithçka mundën dhe më pas ua lanë përkujdesjen për tempullin brezave pasues.

Kisha ka filluar një projekt restaurimi katërvjeçar për të përmirësuar forcën strukturore dhe sizmike të tempullit.8 Themelet, dyshemetë dhe muret do të përforcohen. Njohuria më e mirë inxhinierike në dispozicion sot do ta sjellë tempullin në standarde bashkëkohore. Ne nuk do të jemi në gjendje tʼi shohim ndryshimet strukturore, por efektet e tyre do të jenë të vërteta dhe të rëndësishme. Në gjithë këtë punë, veçoritë e bukura të mobilimit të brendshëm të tempullit do të ruhen.

Ne duhet të ndjekim shembullin që po na jepet nga rinovimi i Tempullit të Solt‑Lejkut, dhe të gjejmë kohë për të vlerësuar ndërtimin tonë sizmik shpirtëror për t’u siguruar që është i përditësuar. Vetëvlerësimi i herëpashershëm, së bashku me pyetjen drejtuar Zotit: “Çfarë më mungon tjetër?”9 mund ta ndihmojnë secilin prej nesh që të japim ndihmesë në ndërtimin e një shtëpie më të mirë.

Së katërti, shtëpitë më të mira janë streha ndaj stuhive të jetës. Zoti ka premtuar se ata që i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë, “përparo[jnë] në tokë”10. Begatia e Perëndisë është fuqia për të shkuar përpara pavarësisht nga problemet e jetës.

Në vitin 2002 unë mësova një mësim të rëndësishëm rreth problemeve. Gjatë kohës që isha në Asunsion të Paraguait, u takova me presidentët e kunjeve të qytetit. Në atë kohë, Paraguai po përballej me një krizë të tmerrshme financiare dhe shumë anëtarë të Kishës po vuanin dhe nuk ishin në gjendje të plotësonin nevojat e tyre. Nuk kisha qenë në Amerikën e Jugut që nga misioni im dhe nuk kisha qenë kurrë në Paraguai. Po shërbeja në atë Presidencë të Zonës vetëm prej disa javësh. I druajtur nga paaftësia ime për të dhënë udhërrëfim për ata presidentë të kunjeve, u kërkova atyre që të më tregonin vetëm atë që po shkonte mirë në kunjet e tyre. Presidenti i parë i kunjit më tregoi rreth gjërave që po shkonin mirë. Tjetri përmendi gjëra që po shkonin mirë dhe pak probleme. Në kohën kur arritëm te presidenti i fundit i kunjit, ai përmendi vetëm një seri sfidash të ndërlikuara. Teksa presidentët e kunjeve shpjeguan rëndësinë e situatës, u shqetësova gjithnjë e më shumë, gati u dëshpërova rreth asaj se çfarë do të thoja.

Pikërisht teksa presidenti i fundit i kunjit po mbaronte komentet e tij, një mendim erdhi në mendjen time: “Plaku Klejton, bëju atyre këtë pyetje: ‘Presidentë, nga anëtarët në kunjet tuaja të cilët paguajnë një të dhjetë të plotë, paguajnë një ofertë bujare të agjërimit, i lartësojnë thirrjet e tyre në Kishë, me të vërtetë i vizitojnë familjet e tyre si mësues shtëpie apo mësuese vizitore11 çdo muaj, mbajnë mbrëmje familjare, i studiojnë shkrimet e shenjta dhe bëjnë lutje familjare çdo ditë, sa prej tyre kanë probleme të cilat nuk mund t’i përballojnë dot vetë pa pasur nevojë që Kisha të ndërhyjë dhe t’i zgjidhë problemet e tyre për ta?’”

Reagues ndaj nxitjes që kisha marrë, u bëra presidentëve të kunjeve atë pyetje.

Ata vështruan tek unë me një heshtje habitëse dhe më pas thanë: “Pues, ninguno” që do të thotë: “Epo, asnjë”. Pastaj më thanë se të gjithë anëtarët që i bënin të gjitha këto gjëra, nuk kishin probleme që nuk ishin të aftë t’i zgjidhnin vetë. Përse? Sepse ata jetonin në shtëpitë më të mira. Jetesa e tyre besnike u siguroi atyre forcën, vegimin dhe ndihmën qiellore që u nevojiteshin në trazirën ekonomike që i rrethonte.

Kjo nuk do të thotë që të drejtët nuk do të sëmuren, nuk do të pësojnë aksidente, nuk do të përballen me zhvlerësime të biznesit apo nuk do të përballen me shumë vështirësi të tjera në jetë. Vdekshmëria gjithmonë sjell sfida, por herë pas here kam parë se ata që përpiqen fort t’u binden urdhërimeve, bekohen që të gjejnë një mënyrë për të ecur përpara me paqe dhe shpresë. Ato bekime janë në dispozicion për të gjithë.12

Davidi shpalli: “Në qoftë se Zoti nuk e ndërton shtëpinë, më kot lodhen ndërtuesit”13. Kudo që jetoni, sido që të duket shtëpia juaj dhe cilado që të jetë përbërja e familjes suaj, ju mund të ndihmoni për të ndërtuar shtëpinë më të mirë për familjen tuaj. Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit siguron planet për atë shtëpi. Shpëtimtari është inxhinieri, ndërtuesi dhe mobiluesi i brendshëm i përsosur. Projekti i Tij është përsosja dhe gëzimi i përjetshëm i shpirtrave tanë. Me ndihmën e Tij të dashur; shpirti juaj mund të jetë gjithçka që Ai do që ai të jetë dhe ju mund të jeni varianti më i mirë i vetes suaj, të përgatitur për ta themeluar dhe për të jetuar në një shtëpi më të mirë.

Unë me mirënjohje dëshmoj se Perëndia dhe Ati i ne të gjithëve jeton. Biri i Tij, Zoti Jezu Krisht, është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i të gjithë njerëzimit. Ata na duan përsosurisht. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Zotit në tokë. Profetë dhe apostuj të gjallë e udhërrëfejnë atë sot. Libri i Mormonit është i vërtetë. Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit është projekti i përsosur për ngritjen e shtëpive më të mira. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.