2020
Të Bashkuar në Përmbushjen e Punës së Perëndisë
maj 2020


Të Bashkuar në Përmbushjen e Punës së Perëndisë

Mënyra më e efektshme për ta përmbushur potencialin tonë hyjnor është që të punojmë së bashku, të bekuar nga fuqia dhe autoriteti i priftërisë.

Të dashura motra dhe vëllezër të mrekullueshëm, është kënaqësi që të jem me ju. Kudo që po na dëgjoni, unë ju jap një përqafim motrave të mia dhe një shtrëngim duarsh të përzemërt vëllezërve të mi. Ne jemi të bashkuar në veprën e Zotit.

Kur mendojmë për Adamin dhe Evën, shpesh mendimi ynë i parë është për jetën e tyre idilike në Kopshtin e Edenit. Përfytyroj sikur moti ishte gjithmonë i përsosur – as shumë i nxehtë dhe as shumë i ftohtë – dhe ato fruta e perime me bollëk e të shijshme rriteshin mjaft pranë tyre, saqë ata mund të hanin sa herë që dëshironin. Duke qenë se kjo ishte një botë e re për ta, kishte shumë gjëra për të zbuluar, kështu që çdo ditë ishte interesante teksa ndërvepronin me jetën shtazore dhe eksploronin mjediset e tyre të bukura rrethuese. Atyre gjithashtu iu dhanë urdhërime të cilave duhej t’u bindeshin dhe ata kishin mënyra të ndryshme për t’iu qasur atyre udhëzimeve, gjë që fillimisht shkaktoi njëfarë ankthi e pështjellimi.1 Por ndërsa morën vendime që e ndryshuan jetën e tyre përgjithmonë, ata mësuan të punojnë së bashku dhe u bashkuan në përmbushjen e qëllimeve që Perëndia kishte për ta – dhe për të gjithë fëmijët e Tij.

Tani përfytyrojeni po të njëjtin çift në vdekshmëri. Ata duhej të punonin për ushqimin e tyre, disa nga kafshët i konsideronin ata si ushqim dhe kishte sfida të vështira që mund të kapërceheshin vetëm kur këshilloheshin dhe luteshin së bashku. Përfytyroj që të paktën disa herë ata kishin mendime të ndryshme rreth mënyrës se si t’iu qaseshin atyre sfidave. Sidoqoftë, nëpërmjet Rënies, ata kishin mësuar se ishte thelbësore që të vepronin në unitet dhe dashuri. Në mësimet që morën nga burime hyjnore, atyre iu mësuan plani i shpëtimit dhe parimet e ungjillit të Jezu Krishtit të cilat e bëjnë planin veprues. Ngaqë e kuptuan se qëllimi tokësor dhe synimi i tyre i përjetshëm ishin të njëjtë, ata gjetën kënaqësi dhe patën sukses kur mësuan të punonin në dashuri e drejtësi së bashku.

Pamja
Adami dhe Eva duke mësuar fëmijët e tyre

Kur lindën fëmijë, Adami dhe Eva i mësuan familjes së tyre atë që kishin mësuar nga lajmëtarë qiellorë. Ata ishin të përqendruar për t’i ndihmuar fëmijët e tyre që gjithashtu t’i kuptonin dhe përqafonin ato parime të cilat do t’i bënin të lumtur në këtë jetë, si dhe të ishin të përgatitur për t’u kthyer te prindërit e tyre qiellorë pasi t’i kishin shtuar aftësitë e tyre dhe të provonin bindjen e tyre ndaj Perëndisë. Gjatë procesit, Adami dhe Eva mësuan t’i vlerësonin pikat e tyre të forta e të ndryshme dhe e përkrahën njëri‑tjetrin në punën e tyre me domethënie të përjetshme.2

Ndërkohë që shekuj, e më pas mijëvjeçarë, shkuan e vanë, qartësia e kontributeve të frymëzuara dhe të ndërvarura të burrave e grave u mjegullua nga keqinformimi dhe keqkuptimet. Gjatë kohës midis atij fillimi të mrekullueshëm në Kopshtin e Edenit dhe deri tani, kundërshtari ka qenë mjaft i suksesshëm në synimin e vet për t’i përçarë burrat e gratë, në orvatjet e tij për t’i mposhtur shpirtrat tanë. Luciferi e di që, po qe se mund ta dëmtojë unitetin që ndiejnë burrat e gratë, po qe se ai mund të na pështjellojë rreth vlerës sonë hyjnore dhe përgjegjësive të besëlidhjeve tona, ai do të arrijë t’i shkatërrojë familjet, të cilat janë njësitë themelore të përjetësisë.

Satani e stimulon përdorimin e krahasimit si një mjet për të krijuar ndjenja të të qenit më lartë ose më poshtë, duke e fshehur të vërtetën e përjetshme se dallimet që nga lindja të burrave dhe grave janë dhënë nga Perëndia dhe vlerësohen njëlloj nga Ai. Ai është orvatur t’i zhvlerësojë kontributet e grave si në familje ashtu edhe në shoqërinë civile, duke zvogëluar në këtë mënyrë ndikimin e tyre lartësues për mirë. Synimi i tij ka qenë të inkurajojë një luftë për pushtet në vend që të kremtohet për kontributet e pashoqe të burrave dhe grave që e plotësojnë njëri‑tjetrin dhe kontribuojnë në unitet.

Pra, me kalimin e viteve dhe në mbarë globin, u zhduk në masë të madhe një kuptim i plotë i kontributeve dhe përgjegjësive të ndërvarura në mënyrë hyjnore dhe prapëseprapë të ndryshme të grave e burrave. Femrat në shumë shoqëri u bënë të nënshtruara ndaj meshkujve në vend që të ishin partnere krah për krah, ku veprimtaritë e tyre u kufizuan në një fushë të ngushtë veprimi. Përparimi shpirtëror u ngadalësua shumë gjatë atyre kohëve të errëta; me të vërtetë, pak dritë shpirtërore mund të depërtonte në mendjet dhe zemrat e rrënjosura në traditat e sundimit mbi tjetrin.

Dhe më pas drita e ungjillit të rivendosur u bë “më e shkëlqyeshme se dielli”3, kur Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën djalit Jozef Smith në fillim të pranverës së vitit 1820, në atë zonë pyjore të shenjtë në pjesën veriore të shtetit të Nju-Jorkut. Kjo ngjarje filloi një derdhje të zbulesës bashkëkohore nga qielli. Një nga elementët e parë të Kishës fillestare të Krishtit që u rivendos, ishte autoriteti i priftërisë së Perëndisë. Ndërsa Rivendosja vazhdoi të shpalosej, burrat dhe gratë filluan të kuptojnë përsëri rëndësinë dhe potencialin e të punuarit si partnerë, të autorizuar e të drejtuar në këtë punë të shenjtë nga Ai.

Pamja
Organizimi i Shoqatës së Ndihmës

Në vitin 1842, kur gratë e Kishës, e cila sapo ishte formuar, donin të krijonin një grup zyrtar për të ndihmuar në këtë punë, Presidenti Jozef Smith u ndie i frymëzuar që t’i organizonte ato “nën priftërinë dhe sipas modelit të priftërisë”4. Ai tha: “Tani, jua jap juve çelësin në emrin e Perëndisë … – ky është fillimi i ditëve më të mira”5. Dhe që kur u dha ky çelës, mundësitë arsimore, politike dhe ekonomike për gratë kanë filluar të zgjerohen gradualisht kudo në botë.6

Kjo organizatë e re e Kishës për gratë, e quajtur Shoqata e Ndihmës, ishte ndryshe nga shoqëritë e tjera të grave të asaj kohe, sepse ajo u themelua nga një profet, i cili veproi me autoritetin e priftërisë për t’iu dhënë grave autoritet, përgjegjësi të shenjta dhe pozicione drejtuese brenda strukturës së Kishës, jo të veçuara prej saj.7

Që nga koha e Profetit Jozef Smith deri në kohën tonë, rivendosja e vazhdueshme e të gjitha gjërave ka sjellë qartësim mbi domosdoshmërinë e autoritetit dhe fuqisë së priftërisë, duke i ndihmuar burrat e gratë të përmbushin përgjegjësitë e tyre të caktuara në mënyrë hyjnore. Kohët e fundit na është mësuar se gratë që veçohen nën drejtimin e dikujt i cili mban çelësat e priftërisë, veprojnë me autoritetin e priftërisë në thirrjet e tyre.8

Në tetor të vitit 2019, Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se gratë që kanë marrë dhurimin [indaumentin] në tempull, kanë fuqinë e priftërisë në jetën e tyre dhe në shtëpitë e tyre, kur i mbajnë ato besëlidhje të shenjta që bënë me Perëndinë9. Ai shpjegoi se “qiejt janë thjesht po aq të hapur për gratë që e kanë marrë dhurimin me fuqinë e Perëndisë që rrjedh prej besëlidhjeve të tyre të priftërisë, sa janë të hapur për burrat që mbajnë priftërinë”. Dhe ai e nxiti çdo motër: “Mbështet[u]ni lirisht te fuqia e Shpëtimtarit për ta ndihmuar familjen tuaj dhe njerëzit e tjerë që i doni”10.

Pra, çfarë do të thotë kjo për ju dhe mua? Si e ndryshon jetën tonë të kuptuarit e autoritetit dhe fuqisë së priftërisë? Njëri nga çelësat është të kuptojmë se kur gratë dhe burrat punojnë së bashku, ne përmbushim shumë më tepër gjëra sesa kur punojmë veçmas.11 Rolet tona janë plotësuese dhe jo konkurruese. Edhe pse gratë nuk shugurohen në një detyrë të priftërisë, siç u përmend më parë, gratë bekohen me fuqinë e priftërisë kur i mbajnë besëlidhjet e tyre, dhe veprojnë me autoritetin e priftërisë kur veçohen në një thirrje.

Një ditë të bukur gushti, pata privilegjin të ulesha me Presidentin Rasëll M. Nelson në shtëpinë e rikonstruktuar të Jozef dhe Ema Smithit në Harmoni të Pensilvanisë, pranë vendit ku u rivendos Priftëria Aarone në këto ditë të mëvonshme. Në bashkëbisedimin tonë, Presidenti Nelson foli për rolin e rëndësishëm që luajtën gratë në Rivendosje.

Presidenti Nelson: “Një nga aspektet më të rëndësishme që më vjen në mendje kur vij te ky vend i rivendosjes së priftërisë, është roli i rëndësishëm që luajtën gratë në Rivendosje.

Kur Jozefi filloi të përkthente fillimisht Librin e Mormonit, kush ishte personi që shkroi për të? Epo, ai bëri pak, por jo shumë. Ema iu fut punës.

Dhe pastaj mendoj se si Jozefi hyri në pyll për t’u lutur, pranë shtëpisë së tyre në Palmira të Nju-Jorkut. Ku shkoi ai? Ai shkoi te Korija e Shenjtë. Përse shkoi atje? Sepse ky ishte vendi ku shkonte nëna [e tij] kur donte të lutej.

Këto janë vetëm dy nga gratë që patën role kyç në rivendosjen e priftërisë dhe në Rivendosjen e Kishës. Pa dyshim, ne mund të themi se bashkëshortet tona janë po aq të rëndësishme sot saç ishin atëherë. Sigurisht që ato janë.”

Ashtu si Ema, Lusi e Jozefi, ne jemi më të efektshëm kur jemi të gatshëm të mësojmë nga njëri‑tjetri dhe jemi të bashkuar në synimin tonë për t’u bërë dishepuj të Jezu Krishtit e për t’i ndihmuar të tjerët përgjatë atij shtegu.

Na është mësuar se “priftëria e bekon jetën e fëmijëve të Perëndisë në mënyra të panumërta. … Në thirrjet [në Kishë], ordinancat e tempullit, marrëdhëniet familjare dhe shërbesën e qetë dhe individuale, gratë dhe burrat shenjtorë të ditëve të mëvonshme, veprojnë me fuqinë dhe autoritetin e priftërisë. Kjo varësi e ndërsjellë e burrave dhe grave për përmbushjen e punës së Perëndisë nëpërmjet fuqisë së Tij, është qendrore në ungjillin e Jezu Krishtit, të rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith”12.

Uniteti është thelbësor për punën hyjnore që ne jemi të privilegjuar dhe të thirrur ta bëjmë, por ai nuk ndodh vetvetiu. Kërkon përpjekje dhe kohë për t’u këshilluar me të vërtetë së bashku – për ta dëgjuar njëri‑tjetrin, për t’i kuptuar pikëpamjet e të tjerëve dhe për të shkëmbyer përvoja – por procesi rezulton në vendime më të frymëzuara. Qoftë në shtëpi apo në përgjegjësitë tona në Kishë, mënyra më e efektshme për ta përmbushur potencialin tonë hyjnor është që të punojmë së bashku, të bekuar nga fuqia dhe autoriteti i priftërisë në rolet tona të ndryshme, por plotësuese.

Ç’pamje ka ai partneritet në jetën e grave të besëlidhjes sot? Më lejoni të tregoj një shembull.

Pamja
Një çift në një biçikletë dyshe

Alisoni dhe Xhoni kishin një partneritet që ishte i pashoq. Ata ngisnin një biçikletë dyshe në gara të shkurtra e të gjata. Për të konkurruar me sukses në atë mjet lëvizës, të dy çiklistët duhet të jenë në harmoni. Ata duhet të anohen në të njëjtin drejtim, në kohën e duhur. Askush nuk mund të sundojë mbi tjetrin, por ata duhet të komunikojnë qartë dhe secili të bëjë pjesën e tij ose të saj. Kapiteni, përpara, ka kontrollin se kur duhet të frenojë dhe kur duhet të qëndrojë. Nxitësi, në pjesën e prapme, duhet t’i kushtojë vëmendje asaj që po ndodh dhe të jetë gati për të dhënë fuqi shtesë nëse ata mbeten paksa mbrapa ose për të ngadalësuar nëse afrohen shumë me çiklistët e tjerë. Ata duhet ta përkrahin njëri‑tjetrin për të përparuar dhe për ta arritur synimin e tyre.

Alisoni shpjegoi: “Në fillimet e veta, personi në pozicionin e kapitenit do të thoshte ‘Qëndrim’ kur duhej të qëndronim dhe ‘Frenim’ kur duhej të ndalonim pedalimin. Pas njëfarë kohe, personi që ishte nxitësi mësoi ta dallonte kohën kur kapiteni ishte gati të qëndronte ose të frenonte, dhe nuk kishte nevojë të thoshte asnjë fjalë. Mësuam të jemi në harmoni me mënyrën se si po vepronte secili prej nesh dhe mund ta dallonim kur njëri po haste vështirësi, dhe [atëherë] tjetri përpiqej të vepronte për të dy. Në fakt e gjitha ka të bëjë me mirëbesimin dhe të punuarit së bashku.”13

Xhoni dhe Alisoni ishin të bashkuar jo vetëm teksa ngisnin biçikletën, por ata ishin të bashkuar edhe në martesën e tyre. Secili dëshironte lumturinë e tjetrit më shumë sesa të vetën; secili kërkonte të mirën tek njëri‑tjetri dhe punonte për t’i mposhtur dobësitë e veta. Ata udhëhiqnin me radhë dhe e bënin me radhë të jepnin më shumë kur një partner po haste vështirësi. Secili i vlerësonte kontributet e tjetrit dhe gjetën përgjigje më të mira për sfidat e tyre kur i ndërthurën talentet dhe burimet e tyre. Ata janë vërtet të lidhur me njëri‑tjetrin nëpërmjet dashurisë si të Krishtit.

Të vihesh më në harmoni me modelin hyjnor të të punuarit së bashku në unitet, është kritike në këtë kohë të mesazheve “unë më parë”, të cilat na rrethojnë. Gratë zotërojnë dhunti të veçanta, hyjnore14 dhe u janë dhënë përgjegjësi të pashoqe, por ato nuk janë më shumë – ose më pak – të rëndësishme se dhuntitë dhe përgjegjësitë e burrave. Të gjitha janë krijuar dhe janë të nevojshme që të realizohet plani hyjnor i Atit Qiellor për t’i dhënë secilit prej fëmijëve të Tij mundësinë më të mirë që të përmbushë potencialin e tij ose të saj hyjnor.

Sot, “na duhen gra të cilat kanë guximin dhe largpamësinë e Nënës [sonë] Evë”15, që të bashkohen me vëllezërit e tyre për të sjellë shpirtra te Krishti.16 Burrat kanë nevojë të bëhen partnerë të vërtetë në vend që të hamendësojnë se ata janë përgjegjësit e vetëm ose në vend që të veprojnë si partnerë “të shtirur” ndërkohë që gratë kryejnë pjesën më të madhe të punës. Gratë kanë nevojë të jenë të gatshme të “bëjnë një hap përpara [dhe të] zë[në] vendin [e tyre] të ligjshëm dhe të nevojshëm”17 si partnere, në vend që të mendojnë se kanë nevojë ta bëjnë gjithçka vetë apo të presin që t’u thuhet ajo çfarë duhet të bëjnë.18

T’i shohësh gratë si pjesëmarrëse jetike nuk ka të bëjë me krijimin e barazisë, por me të kuptuarit e të vërtetës doktrinore. Në vend që të krijojmë një program për ta realizuar atë, ne mund të punojmë në mënyrë aktive për t’i vlerësuar gratë ashtu siç i vlerëson Perëndia: si partnere thelbësore në punën e shpëtimit dhe të ekzaltimit.

A jemi gati? A do të përpiqemi fort që t’i kapërcejmë paragjykimet kulturore dhe në vend të kësaj të përqafojmë modele dhe praktika hyjnore, të bazuara në doktrinën themelore? Presidenti Rasëll M. Nelson na fton të “ecim krah për krah në këtë punë të shenjtë … [që] të ndihmojmë [për] ta përgatit[ur] botën për Ardhjen e Dytë të Zotit”19. Kur e bëjmë këtë, ne do të mësojmë t’i vlerësojmë kontributet e secilit individ dhe ta rritim efektshmërinë me të cilën i përmbushim rolet tona hyjnore. Do të ndiejmë gëzim më të madh nga sa kemi përjetuar ndonjëherë.

Zgjedhtë secili prej nesh që të bashkohet në udhën e frymëzuar të Zotit për ta ndihmuar punën e Tij të shkojë përpara. Në emrin e Shpëtimtarit tonë të dashur, Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Zanafilla 3:1–18; Moisiu 4:1–19.

  2. Shih Moisiu 5:1–12. Këto vargje na mësojnë për partneritetin e vërtetë të Adamit dhe Evës: ata kishin fëmijë së bashku (vargu 2); ata punuan së bashku për të siguruar për veten dhe familjen e tyre (vargu 1); ata u lutën së bashku (vargu 4); ata iu bindën urdhërimeve të Perëndisë dhe ofruan flijime së bashku (vargu 5); ata e mësuan vetë (vargjet 4, 6–11) dhe ua dhanë mësim ungjillin e Jezu Krishtit fëmijëve të tyre së bashku (vargu 12).

  3. Joseph Smith – Historia 1:16.

  4. Joseph Smith, në Sarah M. Kimball, “Auto-Biography”, Woman’s Exponent, 1 shtator 1883, f. 51; shih edhe Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 481.

  5. Joseph Smith, në “Nauvoo Relief Society Minute Book”, f. 40, josephsmithpapers.org.

  6. Shih George Albert Smith, “Address to the Members of the Relief Society”, Relief Society Magazine, dhjetor 1945, f. 717.

  7. Shih John Taylor, in Nauvoo Relief Society Minutes, 17 mars 1842, në dispozicion te churchhistorianspress.org. Sipas Eliza R. Snout, Jozef Smithi dha gjithashtu mësim se gratë ishin organizuar zyrtarisht në periudha të mëparshme ungjillore (shih Eliza R. Snow, “Female Relief Society”, Deseret News, 22 prill 1868, f. 1; dhe Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [2011], f. 1–7).

  8. Shih Dallin H. Ouks, “Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Liahona, maj 2014, f. 49–52.

  9. Shih Rasëll M. Nelson, “Thesaret Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2019, f. 78, 79.

  10. Rasëll M. Nelson, “Thesaret Shpirtërore”, f. 77.

  11. “Por ungjilli i rivendosur na mëson idenë e përjetshme se burrat dhe gratë janë të ndërvarur nga njëri‑tjetri. Ata janë të barabartë. Ata janë partnerë” (Bruce R. Hafen dhe Marie K. Hafen, “Crossing Thresholds and Becoming Equal Partners”, Liahona, gusht 2007, f. 28).

  12. Ese mbi Temat e Ungjillit, “Mësimet e Dhëna nga Jozef Smithi rreth Priftërisë, Tempullit dhe Grave”, topics.ChurchofJesusChrist.org.

  13. Letërkëmbim vetjak.

  14. Shih Rasëll M. Nelson, “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, Liahona, nëntor 2015, f. 95–97.

  15. Rasëll M. Nelson, “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, f. 97.

  16. Shih General Handbook: Serving in The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints [Manual i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme], 1.4, ChurchofJesusChrist.org.

  17. Rasëll M. Nelson, “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, f. 97.

  18. “Motrat e mia të dashura, cilado qoftë thirrja juaj, cilatdo qofshin rrethanat tuaja, ne kemi nevojë për mbresat tuaja, pikëpamjet tuaja dhe frymëzimin tuaj. Ne kemi nevojë që ju të flisni me guxim dhe haptazi në këshillat e lagjeve dhe të kunjeve. Ne kemi nevojë që çdo motër e martuar të flasë si ‘një bashkëpjesëmarrëse frytdhënëse dhe e plotë’ teksa bashkoheni me bashkëshortin tuaj në qeverisjen e familjes suaj. Të martuara ose të pamartuara, ju motra zotëroni aftësi të dallueshme dhe intuitë të veçantë që i keni marrë si dhunti nga Perëndia. Ne, vëllezërit, nuk mund ta kopjojmë ndikimin tuaj të pashoq. …

    … Na duhet forca juaj!” (Rasëll M. Nelson, “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, f. 97).

  19. Rasëll M. Nelson, “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, f. 97.