2020
Plani i Madh
maj 2020


Plani i Madh

Ne që e dimë planin e Perëndisë dhe që kemi bërë besëlidhje për të marrë pjesë, kemi një përgjegjësi të qartë për t’i dhënë mësim këto të vërteta.

Edhe në mes të sprovave dhe sfidave të pashoqe, ne jemi vërtet të bekuar! Kjo konferencë e përgjithshme na ka dhënë një shtrirje të bollëkut dhe gëzimit të Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit. Jemi gëzuar me vegimin e Atit dhe të Birit që e filloi Rivendosjen. Na kanë sjellje në mendje daljen në dritë në mënyrë të mrekullueshme të Librit të Mormonit, qëllimi qendror i të cilit është të dëshmojë për Jezu Krishtin dhe doktrinën e Tij. Ne jemi përtërirë me realitetin e gëzueshëm të zbulesës – të dhënë profetëve dhe neve personalisht. Kemi dëgjuar dëshmi të çmuara për Shlyerjen e pafundme të Jezu Krishtit dhe Ringjalljen e Tij të mirëfilltë. Dhe na janë mësuar të vërteta të tjera për plotësinë e ungjillit të Tij, të zbuluara Jozef Smithit pasi Perëndia, Ati, i shpalli atij profeti të sapothirrur: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith – Historia 1:17).

Ne jemi forcuar në njohurinë tonë për rivendosjen e priftërisë dhe të çelësave të saj. Ne jemi ripërtërirë në vendosmërinë tonë që ta bëjmë të njohur Kishën e rivendosur të Zotit me emrin e saj të duhur, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Dhe jemi ftuar të bashkohemi në agjërim e lutje për t’i zvogëluar efektet e tanishme dhe të ardhshme të një pandemie shkatërruese mbarëbotërore. Sot në mëngjes ne u frymëzuam nga profeti i gjallë i Zotit që paraqiti një proklamatë historike të Rivendosjes. Ne e pohojmë deklaratën e tij se “ata që me lutje e studiojnë mesazhin e Rivendosjes dhe veprojnë me besim, do të bekohen të fitojnë vetë dëshminë e tyre për hyjninë e saj dhe qëllimin e saj për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të premtuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit”1.

Plani

Kjo e gjitha është pjesë e një plani hyjnor, qëllimi i të cilit është t’i aftësojë fëmijët e Perëndisë që të ekzaltohen dhe të bëhen si Ai. I përmendur në shkrimet e shenjta si “plani [i] madh [i] lumturisë”, “plani [i] shëlbimit” dhe “plani … i shpëtimit” (Alma 42:8, 11, 5), ai plan – i zbuluar në Rivendosje – filloi me një Këshill në Qiell. Si shpirtra, ne dëshironim të arrinim jetën e përjetshme që e gëzonin prindërit tanë qiellorë. Deri në atë pikë ne kishim përparuar aq sa mundeshim pa një përvojë në vdekshmëri, brenda një trupi fizik. Për ta siguruar atë përvojë, Perëndia, Ati, planifikoi të krijonte këtë tokë. Në jetën e planifikuar në vdekshmëri, ne do të ndoteshim nga mëkati kur të përballeshim me kundërshtimin e domosdoshëm për rritjen tonë shpirtërore. Ne gjithashtu do të bëheshim të prekshëm nga vdekja fizike. Që të na shpëtonte nga vdekja e mëkati, plani i Atit tonë Qiellor do të siguronte një Shpëtimtar. Ringjallja e Tij do t’i shëlbonte të gjithë njerëzit nga vdekja dhe flijimi i Tij shlyes do të paguante çmimin e nevojshëm që të gjithë të pastrohen nga mëkati me kushtet e përshkruara për të nxitur rritjen tonë. Kjo Shlyerje e Jezu Krishtit është në qendër të planit të Atit.

Në Këshillin në Qiell, të gjithë fëmijëve shpirtërorë të Perëndisë iu paraqit plani i Atit, përfshirë pasojat dhe sprovat e tij në vdekshmëri, ndihmat e tij qiellore dhe fatin e tij të lavdishëm. Ne e kuptuam mbarimin që nga fillimi. E gjithë moria e njerëzve të vdekshëm që kanë lindur në këtë tokë, e zgjodhën planin e Atit dhe luftuan për të në ndeshjen qiellore që pasoi. Shumë veta bënë gjithashtu besëlidhje me Atin për sa i përket asaj që do të bënin në vdekshmëri. Në mënyra që nuk janë zbuluar, veprimet tona në botën e shpirtrave kanë ndikuar te rrethanat tona në vdekshmëri.

Vdekshmëria dhe Bota e Shpirtrave

Tani do të përmbledh disa prej elementeve kryesore të planit të Atit, ngaqë ndikojnë te ne gjatë udhëtimeve tona në vdekshmëri dhe në botën e shpirtrave që pason.

Qëllimi i jetës në vdekshmëri dhe i rritjes në jetën pas vdekshmërisë që mund ta pasojë atë, është që pasardhësit e Perëndisë të bëhen siç është Ai. Kjo është dëshira e Atit Qiellor për të gjithë fëmijët e Tij. Për ta arritur këtë fat të gëzueshëm, ligjet e përjetshme kërkojnë që ne duhet të bëhemi qenie të pastruara nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, kështu që ne të mund të banojmë në praninë e Atit dhe Birit dhe të gëzojmë bekimet e ekzaltimit. Siç na mëson Libri i Mormonit, Ai i fton “të gjithë të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai, të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; dhe ai nuk harron idhujtarët; dhe të gjithë janë njësoj para Perëndisë” (2 Nefi 26:33; shih edhe Alma 5:49).

Plani hyjnor që ne të bëhemi ata që kemi fatin të bëhemi, kërkon nga ne që të bëjmë zgjedhje për ta mohuar kundërshtimin e lig që i tundon njerëzit për të vepruar në të kundërt të urdhërimeve të Perëndisë dhe planit të Tij. Gjithashtu kërkon që ne t’i nënshtrohemi një kundërshtimi tjetër në vdekshmëri, të tillë si mëkatet e të tjerëve ose disa defekte me të cilat lindim. Nganjëherë rritja jonë e nevojshme arrihet më mirë nëpërmjet vuajtjes dhe kundërshtimit sesa nëpërmjet rehatisë dhe qetësisë. Dhe asnjëri prej këtyre kundërshtimeve në vdekshmëri nuk mund të arrijë qëllimin e tij të përjetshëm, në qoftë se ndërhyrja hyjnore do të na lehtësonte nga gjithë pasojat e dëmshme në vdekshmëri.

Plani zbulon fatin tonë në përjetësi, qëllimin dhe kushtet e udhëtimit tonë në vdekshmëri, si dhe ndihmat qiellore që do të marrim. Urdhërimet e Perëndisë na paralajmërojnë kundër endjes nëpër rrethana të rrezikshme. Mësimet e udhëheqësve të frymëzuar e udhërrëfejnë shtegun tonë dhe na japin siguritë që e nxitin udhëtimin tonë të përjetshëm.

Plani i Perëndisë na jep katër siguri të mëdha për ta ndihmuar udhëtimin tonë nëpër vdekshmëri. Të gjitha këto na jepen nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, pjesës qendrore të planit. E para na siguron që nëpërmjet vuajtjes së Tij për mëkatet për të cilat pendohemi, ne mund të pastrohemi prej atyre mëkateve. Më pas gjykatësi i mëshirshëm përfundimtar “nuk i kujto[n] më ato” (Doktrina e Besëlidhje 58:42).

E dyta, si pjesë e Shlyerjes së Shpëtimtarit tonë, Ai mori mbi veten e Tij të gjitha dobësitë e tjera njerëzore. Kjo na lejon të marrim ndihmë hyjnore dhe na forcon për të mbajtur barrët e pashmangshme të vdekshmërisë, qoftë vetjake dhe të përgjithshme, të tilla si lufta dhe epidemia. Libri i Mormonit na jep përshkrimin më të qartë në shkrimet e shenjta për këtë fuqi thelbësore të Shlyerjes. Shpëtimtari mori mbi veten e Tij “dhembjet dhe sëmundjet [dhe dobësitë] e popullit të tij. … Ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:11–12).

E treta, Shpëtimtari, nëpërmjet Shlyerjes së Tij të pafundme, e heq kushtin që vdekja është përfundimtare, dhe na jep sigurinë e gëzueshme se ne të gjithë do të ringjallemi. Libri i Mormonit na mëson: “Ky ribashkim do të vijë te të gjithë, si pleq dhe të rinj, si robër dhe të lirë, si meshkuj dhe femra, si për të këqijtë ashtu dhe për të drejtët; dhe madje nuk do të ketë humbur asnjë flok i kokave të tyre; por çdo gjë do të ribashkohet në vendin e vet të përkryer” (Alma 11:44).

Ne kremtojmë realitetin e Ringjalljes në këtë periudhë Pashke. Kjo na jep perspektivën dhe forcën për t’i duruar sfidat e vdekshmërisë, me të cilat përballen secili prej nesh dhe njerëzit që i duam, gjëra të tilla si mangësitë fizike, mendore ose emocionale që i marrim në lindje ose që i përjetojmë gjatë jetës sonë në vdekshmëri. Për shkak të Ringjalljes, ne e dimë se këto mangësi të vdekshmërisë janë vetëm të përkohshme!

Ungjilli i rivendosur na siguron se Ringjallja mund të përfshijë mundësinë që të jemi me pjesëtarët e familjes sonë – bashkëshortin, bashkëshorten, fëmijët dhe prindërit. Kjo është një nxitje e fuqishme që ne t’i përmbushim përgjegjësitë tona familjare në vdekshmëri. Na ndihmon të jetojmë së bashku në dashuri në këtë jetë, në pritje për bashkimet dhe shoqërimet e gëzueshme në jetën që vjen.

E katërta dhe më së fundi, zbulesa moderne na mëson se përparimi ynë nuk nevojitet të përfundojë me mbarimin e vdekshmërisë. Pak është zbuluar rreth kësaj sigurie të rëndësishme. Na është thënë se kjo jetë është koha që të përgatitemi për t’u takuar me Perëndinë dhe që nuk duhet ta shtyjmë pendimin tonë (shih Alma 34:32–33). Prapë, na mësohet se në botën e shpirtrave ungjilli u predikohet edhe “të ligjve dhe të pabindurve që e kishin mohuar të vërtetën” (Doktrina e Besëlidhje 138:29) dhe ata që marrin mësim atje, janë të aftë të pendohen përpara Gjykimit Përfundimtar (shih vargjet 31–34, 57–59).

Ja disa gjëra të tjera themelore të planit të Atit tonë Qiellor:

Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit na jep një perspektivë të pashoqe mbi çështjet e dëlirësisë, martesës dhe lindjes së fëmijëve. Na mëson se sipas planit të Perëndisë martesa është e domosdoshme për të përmbushur qëllimin e planit të Perëndisë, për të siguruar mjedisin e caktuar në mënyrë hyjnore të lindjes në vdekshmëri dhe për t’i përgatitur pjesëtarët e familjes për jetën e përjetshme. “Martesa shugurohet nga Perëndia për njeriun”, tha Zoti, “… që toka të mund të përmbushë qëllimin e krijimit të saj” (Doktrina e Besëlidhje 49:15–16). Në këtë, sigurisht, plani i Tij bie në kundërshtim me disa nga forcat e fuqishme botërore të ligjit e traditës.

Fuqia për të krijuar jetë në vdekshmëri është fuqia më e lartë që Perëndia u ka dhënë fëmijëve të Tij. Përdorimi i saj u kërkua në urdhërimin e parë të dhënë Adamit dhe Evës, por një urdhërim tjetër i rëndësishëm u dha për ta ndaluar keqpërdorimin e saj. Jashtë lidhjeve të martesës, të gjitha përdorimet e fuqisë krijuese janë në një shkallë apo në një tjetër një zvetënim dhe shtrembërim mëkatar i tiparit më hyjnor të burrave dhe grave. Theksi që ungjilli i rivendosur e vendos mbi këtë ligj të dëlirësisë, është për shkak të qëllimit të fuqive tona të krijimit të jetës në përmbushjen e planit të Perëndisë.

Po Çfarë më Tej?

Gjatë këtij përvjetori të 200‑të të Vegimit të Parë që e filloi Rivendosjen, ne e dimë planin e Zotit dhe marrim kurajë nga dy shekuj të bekimeve të tij nëpërmjet Kishës së Tij të rivendosur. Në këtë vit të 2020‑ës, ne kemi një pamje tërësisht të qartë (gjë që njihet gjerësisht si shikimi 20/20) për ngjarjet e së kaluarës.

Teksa shohim drejt së ardhmes, gjithsesi, pamja jonë është shumë më pak e sigurt. Ne e dimë se dy shekuj pas Rivendosjes, bota e shpirtrave tani përfshin shumë punonjës me përvojë nga vdekshmëria për ta përmbushur predikimin që ndodh atje. Ne gjithashtu e dimë se tani kemi shumë më tepër tempuj për tʼi kryer ordinancat e përjetësisë për ata që pendohen dhe e përqafojnë ungjillin e Zotit në secilën anë të velit të vdekjes. Kjo e gjitha e çon më tej planin e Atit tonë Qiellor. Dashuria e Perëndisë është kaq e madhe sa, përveç disave që me dëshirë bëhen bij të humbjes, Ai ka siguruar një fat lavdie për të gjithë fëmijët e Tij (shih Doktrina e Besëlidhje 76:43).

Ne e dimë se Shpëtimtari do të kthehet dhe se do të ketë një mijëvjeçar të mbretërimit paqësor për ta përmbyllur pjesën e vdekshmërisë të planit të Perëndisë. Gjithashtu e dimë se do të ketë ringjallje të ndryshme, të të drejtëve dhe të padrejtëve, me gjykimin përfundimtar të secilit person gjithmonë pas ringjalljes së tij ose së saj.

Ne do të gjykohemi sipas veprimeve tona, dëshirave të zemrave tona dhe llojit të njeriut që jemi bërë. Ky gjykim do të shkaktojë që të gjithë fëmijët e Perëndisë të vazhdojnë drejt një mbretërie të lavdisë për të cilën i ka kualifikuar bindja e tyre dhe ku ata do të gjejnë ngushëllim. Gjykatësi i gjithë kësaj është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti (shih Gjoni 5:22; 2 Nefi 9:41). Gjithëdijenija e Tij i jep Atij njohuri të përsosur për të gjitha veprimet dhe dëshirat tona, si për ato për të cilat nuk pendohemi ose nuk i ndryshojmë, ashtu edhe ato për të cilat pendohemi ose të cilat janë të drejta. Si rrjedhim, pas gjykimit të Tij ne të gjithë do të rrëfejmë “se gjykimet e tij janë të drejta” (Mosia 16:1).

Në përfundim, unë ju shpreh bindjen që më ka ardhur prej shumë letrave dhe nëpërmjet shqyrtimit të shumë kërkesave për t’u kthyer në Kishë pas heqjes së emrit ose braktisjes. Shumë prej anëtarëve tanë nuk e kuptojnë tërësisht këtë plan të shpëtimit, i cili u jep përgjigje shumicës së pyetjeve rreth doktrinës dhe rregulloreve të frymëzuara të Kishës së rivendosur. Ne që e dimë planin e Perëndisë dhe që kemi bërë besëlidhje për të marrë pjesë, kemi një përgjegjësi të qartë për t’i dhënë mësim këto të vërteta dhe për të bërë gjithçka mundemi për t’i çuar ato më tej për të tjerët dhe në vetë rrethanat tona në vdekshmëri. Unë dëshmoj për Jezu Krishtin, Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë, që e bën gjithçka të mundur, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënim

  1. “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, në Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 91.