2020
Një Themel të Mirë për të Ardhmen
maj 2020


Një Themel të Mirë për të Ardhmen

Gjatë viteve të ardhshme, i lejofshim përmirësimet e bëra Tempullit të Solt‑Lejkut që të na nxitin e frymëzojnë shpirtërisht.

Historia e Tempullit të Solt‑Lejkut

Le të kthehemi pas te një pasdite e nxehtë e 24 korrikut 1847, rreth orës 14:00. Pas një udhëtimi të lodhshëm 111‑ditor me 148 anëtarë të Kishës, të cilët përbënin grupin e parë që u nis drejt perëndimit, Brigam Jangu, në atë kohë President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i sëmurë dhe i pafuqishëm nga ethet malore, hyri në luginën e Solt‑Lejkut.

Dy ditë më vonë, ndërkohë që po shërohej nga sëmundja, Brigam Jangu i udhëhoqi disa anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe të tjerë në një ekspeditë eksploruese. Uilliam Klejtoni shënoi: “Rreth 1,2 kilometra në veri të kampit, ne mbërritëm në një pllajë të bukur, të niveluar dhe që zbriste këndshëm drejt perëndimit”1.

Pamja
Brigam Jangu te vendndodhja e tempullit
Pamja
Brigam Jangu duke shenjuar vendin e tempullit
Pamja
Shenjimi i vendit për tempullin

Ndërkohë që po e këqyrte vendin me grupin, Brigam Jangu papritur ndaloi dhe goditi tokën me bastunin e tij, duke thirrur: “Këtu do të qëndrojë Tempulli i Perëndisë tonë”. Njëri prej shoqëruesve të tij ishte Plaku Uillford Udraf, i cili tha se kjo thënie “e përshkoi [atë] si vetëtimë” dhe ai vendosi një shkop në tokë që të shënonte shenjën e bërë nga bastuni i Presidentit Jang. Gjashtëmbëdhjetë hektarë u përzgjodhën për tempullin dhe u vendos që qyteti duhej të shtrihej “përsosurisht në formë katrore drejt veriut e jugut, lindjes e perëndimit” ku tempulli do të ishte pika qendrore.2

Në konferencën e përgjithshme në prill 1851, anëtarët e Kishës votuan njëzëri për të mbështetur një propozim për të ndërtuar një tempull “në emër të Zotit”3. Dy vjet më vonë, më 14 shkurt 1853, vendi u përkushtua nga Hibër C. Kimballi në një ceremoni publike ku morën pjesë disa mijëra shenjtorë dhe ku filluan punimet për themelin e Tempullit të Solt‑Lejkut. Pak muaj më vonë, më 6 prill, gurët masivë të qosheve të tempullit u vendosën dhe u përkushtuan me ceremoni të përgatitura mirë, që përfshinë një truprojë flamurtarësh, grupe muzikore dhe një vargan të drejtuar nga udhëheqës të Kishës të cilët shkuan prej tabernakullit të vjetër drejt vendit të tempullit, ku u mbajtën fjalime dhe u bënë lutje te secili prej katër gurëve të qosheve.4

Pamja
Themeli i Tempullit të Solt‑Lejkut
Pamja
Brigam Jangu

Në ceremoninë e fillimit të punimeve, Presidenti Jang kujtoi se ai kishte parë një vegim kur fillimisht vuri këmbë në atë tokë, teksa ata këqyrnin shtratin e luginës, duke thënë: “E dija [atëherë], po aq mirë sa e di tani, se kjo ishte toka në të cilën do të ndërtohej një tempull – ishte përpara meje”5.

Dhjetë vjet më vonë, Brigam Jangu dha idenë profetike që vijon, në konferencën e përgjithshme në tetor 1863: “Dëshiroj ta shoh tempullin të ndërtuar në një mënyrë që ai do të durojë përmes mijëvjeçarit. Ky nuk është i vetmi tempull që do të ndërtojmë; do të ketë qindra prej tyre të ndërtuar e të përkushtuar për Zotin. Ky tempull do të njihet si tempulli i parë i ndërtuar në malet nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme. … Dëshiroj që ai tempull … të qëndrojë si një monument krenar i besimit, këmbënguljes dhe punës së zellshme të shenjtorëve të Perëndisë në këto male.”6

Pamja
Tempulli i Solt-Lejkut në ndërtim e sipër
Pamja
Tempulli i Solt-Lejkut në ndërtim e sipër

Kur e shqyrtoj këtë histori të shkurtër, mahnitem për rolin e Brigam Jangut si shikues – së pari, sigurinë e tij se, për aq sa ishte e mundur dhe, duke përdorur metoda ndërtimi që ishin në dispozicion në atë kohë dhe vend, Tempulli i Solt‑Lejkut u ndërtua në një mënyrë që të duronte përmes Mijëvjeçarit dhe, së dyti, profetizimin e tij për rritjen e tempujve të ardhshëm anembanë botës, madje që të numërohen me qindra.

Restaurimi i Tempullit të Solt‑Lejkut

Sikurse Brigam Jangu, profeti ynë i sotëm tregon kujdes të madh për Tempullin e Solt‑Lejkut dhe gjithë tempujt e tjerë. Përgjatë viteve, Presidenca e Parë, herë pas here, e ka këshilluar Peshkopatën Kryesuese për t’u siguruar që themeli i Tempullit të Solt‑Lejkut të jetë i fortë. Kur shërbeva si Peshkopi Kryesues, me kërkesën e Presidencës së Parë, ne bëmë një rishikim të plotë të godinës së Tempullit të Solt‑Lejkut, përfshirë një vlerësim të përparimeve më të fundit në teknikat e projektimit dhe ndërtimit sizmik.

Ja disa pjesë të rishikimit të dhënë për Presidencën e Parë në atë kohë: “Në projektimin dhe ndërtimin e Tempullit të Solt‑Lejkut u përdorën inxhinieria, krahu i aftë për punë, materialet ndërtuese, mobiliet dhe burime të tjera më të mirat të asaj periudhe që ishin në dispozicion. Që nga përkushtimi i tij në vitin 1893, tempulli ka qëndruar i palëkundur dhe ka shërbyer si një fener besimi [e] shprese dhe si një dritë për njerëzit. Kujdes i madh është treguar për ta pasur në funksionim, për ta pastruar e mirëmbajtur tempullin në gjendje të mirë. Struktura e jashtme prej graniti, lidhjet që mbajnë dyshemetë e brendshme dhe trarët mbështetës janë në gjendje të mirë. Studimet e kohëve të fundit vërtetojnë se vendi i zgjedhur nga Brigam Jangu për tempullin ka tokë shumë të mirë dhe cilësi të shkëlqyera ngjeshjeje.”7

Rishikimi arriti në përfundimin se riparime dhe përmirësime të zakonshme nevojiteshin për ta restauruar dhe përditësuar tempullin, përfshirë sheshin e jashtëm dhe hapësirat përreth tempullit, sistemet e vjetruara hidraulike dhe elektrike, si dhe mjediset e pagëzimores. Megjithatë, u rekomandua edhe marrja parasysh e një përmirësimi të veçantë e më tërësor sizmik duke filluar nga themeli i tempullit deri në majë të ndërtesës.

Themeli i Tempullit

Siç mund ta mbani mend, vetë Presidenti Brigam Jang u përfshi shumë në ndërtimin e themelit fillestar të tempullit, themel që i ka shërbyer mirë tempullit që nga përfundimi i tij 127 vjet më parë. Plani i sapopropozuar i përmirësimit sizmik për tempullin do të përdorë teknologjinë e veçimit të themelit nga godina, e cila as që mund të përfytyrohej në kohën e ndërtimit të tij. Kjo konsiderohet si inxhinieria më e fundit, më e përparuar për mbrojtjen nga tërmeti.

Pamja
Plani i restaurimit të Tempullit
Pamja
Plani i restaurimit të Tempullit

Kjo teknologji, e zhvilluar kohët e fundit, fillon pikërisht tek themeli i tempullit, duke siguruar një mbrojtje të fuqishme kundër dëmtimit nga një tërmet. Në thelb, ajo e forcon tempullin nga ana strukturore që të qëndrojë i palëkundur, madje ndërkohë që toka dhe mjedisi përreth tij i nënshtrohen një ngjarjeje sizmike tronditëse.

Restaurimi i tempullit që do ta përfshinte këtë teknologji, u njoftua nga Presidenca e Parë vitin e kaluar. Nën drejtimin e Peshkopatës Kryesuese, ndërtimi filloi disa muaj më parë, në janar 2020. Ai është vlerësuar se do të përfundohet përafërsisht brenda katër vjetësh.

Sigurimi i Themelit Tuaj Vetjak

Kur mendoj për katër vitet e ardhshme të jetës së këtij Tempulli të bukur, fisnik, të nderuar dhe mahnitës të Solt‑Lejkut, unë e përfytyroj atë më shumë si një kohë ripërtëritjeje sesa një kohë mbylljeje! Në mënyrë të ngjashme, ne mund të pyesim veten: “Si mund të na frymëzojë kjo ripërtëritje gjithëpërfshirëse e Tempullit të Solt‑Lejkut që t’i nënshtrohemi vetë ripërtëritjes, rindërtimit, rilindjes, rigjallërimit ose rivendosjes sonë shpirtërore?”

Një vështrim reflektues mund të zbulojë se ne dhe familjet tona mund të përfitojmë nga bërja e njëfarë pune të nevojshme mirëmbajtjeje dhe restaurimi, madje një përmirësim sizmik! Ne mund ta fillojmë një proces të tillë duke bërë pyetjen:

“Në ç’gjendje është themeli im?”

“Cilat gjëra përbëjnë gurët e mëdhenj, të qëndrueshëm, të fortë të qosheve, që janë pjesë e themelit tim vetjak mbi të cilin mbështetet dëshmia ime?”

“Cilët janë elementet themelore të karakterit tim shpirtëror dhe emocional, që do të më lejonin mua dhe familjen time që të mbetemi të palëkundur dhe të qëndrueshëm, madje që t’u bëjmë ballë ngjarjeve tronditëse dhe të trazuara sizmike, të cilat sigurisht do të ndodhin në jetën tonë?”

Këto ngjarje, të ngjashme me një tërmet, shpesh janë të vështira për t’u parashikuar dhe vijnë në nivele të ndryshme intensiteti – ndeshja me pyetjet apo dyshimin, përballja me vuajtjet apo fatkeqësitë, zgjidhja me sukses e fyerjeve personale që lidhen me udhëheqësit, anëtarët, doktrinën ose rregulloren e Kishës. Mbrojtja më e mirë ndaj këtyre situatave gjendet brenda themelit tonë shpirtëror.

Cilët mund të jenë gurët shpirtërorë të qosheve për jetën tonë vetjake dhe familjare? Ata mund të jenë parimet e thjeshta, të qarta dhe të çmuara të të jetuarit të ungjillit – lutja familjare; studimi i shkrimeve të shenjta, përfshirë Librin e Mormonit; frekuentimi i tempullit; dhe të mësuarit e ungjillit nëpërmjet programit Eja, Më Ndiq dhe mbrëmjes së shtëpisë. Burime të tjera të dobishme për ta forcuar themelin tuaj shpirtëror mund të përfshijnë Nenet e Besimit, proklamatën për familjen dhe dokumentin “Krishti i Gjallë”.

Për mua, parimet e përfshira në pyetjet që diskutohen si pjesë e marrjes së një rekomandimi tempulli shërbejnë si një bazë e fortë për një themel shpirtëror – veçanërisht katër pyetjet e para. I konsideroj ato si gurë shpirtërorë të qosheve.

Sigurisht, ne i dimë këto pyetje, pasi Presidenti Rasëll M. Nelson na i lexoi një e nga një në konferencën e përgjithshme më të fundit.

  1. A keni besim dhe një dëshmi për Perëndinë, Atin e Përjetshëm; Birin e Tij, Jezu Krishtin; dhe Frymën e Shenjtë?

    Pamja
    Kreu‑Perëndi
  2. A keni një dëshmi për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe për rolin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi juaj?

    Pamja
    Shlyerja e Jezu Krishtit
  3. A keni një dëshmi për Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit?

    Pamja
    Rivendosja
  4. A e mbështetni Presidentin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme si profet, shikues dhe zbulues dhe si të vetmin njeri në tokë të autorizuar që t’i ushtrojë të gjithë çelësat e priftërisë?8

    Pamja
    Profetët

A e kuptoni se si mund t’i konsideroni këto pyetje si elemente me vlerë në themelin tuaj vetjak për t’ju ndihmuar që ta ndërtoni e përforconi atë? Pali u mësoi efesianëve rreth një kishe që ishte “ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes, mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin”9.

Pamja
Tempulli me një themel të fortë

Njëri nga gëzimet më të mëdha në jetën time është që të njihem me anëtarë të Kishës anembanë botës dhe të frymëzohem prej tyre, të cilët janë shembuj të gjallë të besimit te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij. Ata kanë themele të forta vetjake, të cilat i lejojnë që t’u bëjnë ballë ngjarjeve sizmike me një të kuptuar të qëndrueshëm, pavarësisht nga vuajtja dhe dhembja e tyre.

Për t’ua paraqitur këtë në një nivel më personal, kohët e fundit unë fola në shërbesën mortore të një bashkëshorteje dhe nëne të bukur, energjike dhe të re (gjithashtu një mikeshë e familjes sonë). Ajo ishte një lojtare energjike futbolli në kategorinë e parë të skuadrave universitare, kur u takua dhe u martua me bashkëshortin e saj që studionte për dentist. Ata u bekuan me një bijë të bukur, tepër të zhvilluar për moshën e saj. Ajo u ndesh plot guxim me forma të ndryshme të kancerit për gjashtë vite sfiduese. Pavarësisht nga ankthi gjithmonë i pranishëm emocional e fizik që përjetoi, ajo i mirëbesoi Atit të saj të dashur Qiellor dhe shpesh përmendej gjerësisht nga njerëzit që e ndiqnin në mjetet shoqërore të komunikimit për thënien e saj të famshme: “Perëndia është në çdo detaj të jetës”.

Në një nga publikimet e saj në mjetet shoqërore të komunikimit ajo shkroi se dikush e kishte pyetur: “Si ke akoma besim me gjithë dhembjen që të rrethon?” Ajo u përgjigj vendosmërisht me këto fjalë: “Sepse është besimi që më bën të kaloj përmes këtyre kohëve të zymta. Të kesh besim nuk do të thotë që asgjë e keqe nuk do të ndodhë. Pasja e besimit më lejon të besoj se do të ketë dritë përsëri. Dhe ajo dritë do të jetë edhe më e shkëlqyeshme ngaqë kam ecur përmes errësirës. Sado errësirë që kam dëshmuar përgjatë viteve, unë kam dëshmuar shumë më tepër dritë. Kam parë mrekulli. Kam ndier engjëj. E kam ditur që Ati im Qiellor po më mbështeste. Asnjë prej këtyre gjërave nuk do të ishte përjetuar, në qoftë se jeta do të ishte e lehtë. E ardhmja e kësaj jete mund të jetë e panjohur, por besimi im nuk është. Nëse zgjedh të mos kem besim, atëherë zgjedh vetëm të ec në errësirë. Sepse pa besim, gjithçka që mbetet është errësira.”10

Dëshmia e saj e patundur për besimin te Zoti Jezu Krisht – e shprehur në fjalët e saj dhe në veprimet e saj – ishte frymëzim për të tjerët. Dhe pse trupi i saj ishte i dobët, ajo i lartësoi të tjerët që të ishin më të fortë.

Po ashtu mendoj për anëtarë të tjerë të panumërt të Kishës, trima si kjo motër, të cilët ecin çdo ditë me besim, duke u përpjekur fort që të jenë dishepuj të vërtetë dhe të patrembur të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Ata mësojnë për Krishtin. Ata predikojnë për Krishtin. Ata përpiqen fort që të bëhen si Ai. Qoftë nëse ditët e jetës së tyre ndeshen me një tokë të qëndrueshme apo të paqëndrueshme, themeli i tyre shpirtëror është i fortë dhe i patundshëm.

Këta janë shpirtrat e përkushtuar që e kuptojnë domethënien e thellë të vargut “që te Shpëtimtari kanë gjetur strehim”11. Jam mirënjohës jashtë mase që të eci mes atyre që kanë përgatitur një themel shpirtëror, të denjë për emrin e shenjtorëve dhe të cilët janë të fortë e të sigurt aq sa t’u bëjnë ballë trazirave të shumta të jetës.

Nuk mendoj se mund ta theksojmë më shumë se ç’duhet rëndësinë e një themeli të tillë të fortë në jetën tonë vetjake. Madje që në moshë të vogël, fëmijëve tanë të Fillores u mësohet të këndojnë pikërisht për këtë të vërtetë:

Burri i urt’ ngriti shtëpi mbi shkëmb,

Dhe shirat zbritën gjith’ zhurm’. …

Shirat zbritën dhe u përmbyt kudo,

Dhe shtëpia mbi shkëmb s’u tund.12

Shkrimi i shenjtë e përforcon këtë doktrinë themelore. Shpëtimtari i dha mësim popullit në kontinentin amerikan:

“Dhe në qoftë se do t’i bëni gjithnjë këto gjëra, të bekuar jeni ju, pasi ju jeni ndërtuar mbi shkëmbin tim.

Por, të gjithë ata që do të bëjnë më pak ose më shumë se këto, nuk janë ndërtuar mbi shkëmbin tim, por janë ndërtuar mbi një themel prej rëre; dhe kur shiu të bjerë dhe përmbytjet të vijnë, dhe erërat të fryjnë dhe të përplasen mbi ta, ata do të bien.”13

Është shpresa e sinqertë e udhëheqësve të Kishës që restaurimet e rëndësishme të Tempullit të Solt‑Lejkut do të kontribuojnë në përmbushjen e dëshirës së Brigam Jangut që ta shihte “tempullin të ndërtuar në një mënyrë që ai do të durojë përmes mijëvjeçarit”. Gjatë viteve të ardhshme, i lejofshim këto përmirësime të bëra Tempullit të Solt‑Lejkut që të na nxitin e frymëzojnë shpirtërisht, si individë e si familje, kështu që edhe ne – në mënyrë metaforike – do të “ndërt[ohemi] në një mënyrë që [do] të durojë përmes mijëvjeçarit”.

Ne do ta bëjmë këtë gjë kur përmbushim porosinë e Apostullit Pal që të “mbledh[im] si thesar [për veten tonë] një themel të mirë për të ardhmen, për të arritur jetën e përjetshme”14. Është lutja ime e zjarrtë që themeli ynë shpirtëror do të jetë i sigurt dhe i qëndrueshëm, që dëshmia jonë për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe rolin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë do të bëhet për ne guri ynë kryesor i qoshes, për të cilin unë dëshmoj në emrin e Tij, madje Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Ditar i Uilliam Klejtonit, 26 korrik 1847, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt‑Lejk‑Siti.

  2. Shih “At the Tabernacle, Presidents Woodruff and Smith Address the Saints Yesterday Afternoon”, Deseret Evening News, 30 gusht 1897, f. 5; “Pioneers’ Day”, Deseret Evening News, 26 korrik 1880, f. 2; ditar i Uillford Udrafit, 28 korrik 1847, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt‑Lejk‑Siti.

  3. “Minutes of the General Conference of the Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, held at Great Salt Lake City, State of Deseret, April 6, 1851”, Deseret News, 19 gusht 1851, f. 241.

  4. Shih “The Temple”, Deseret News, 19 shkurt 1853, f. 130; “Minutes of the General Conference”, Deseret News, 16 prill 1853, f. 146; “Minutes of the General Conference”, Deseret News, 30 prill 1853, f. 150.

  5. “Address by President Brigham Young”, Millennial Star, 22 prill 1854, f. 241.

  6. “Remarks by President Brigham Young”, Deseret News, 14 tetor 1863, f. 97.

  7. Paraqitje nga Peshkopata Kryesuese mbi Tempullin e Solt‑Lejkut për Presidencën e Parë, tetor 2015.

  8. Shih Rasëll M. Nelson, “Fjalët e Hapjes”, Liahona, nëntor 2019, f. 121.

  9. Efesianëve 2:20–21.

  10. Publikim në mjetet e komunikimit shoqëror nga Kim Olsen Uajti.

  11. “Sa i Fort’ një Themel”, Himne, nr. 41.

  12. “Burri i Urt’ dhe Burri Pa Mend”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 132; theksimet në origjinal u hoqën nga ky varg.

  13. 3 Nefi 18:12–13; theksimi i shtuar.

  14. 1 Timoteut 6:19; theksimi i shtuar.