2020
Hosana dhe Aleluja – Jezu Krishti i Gjallë: Zemra e Rivendosjes dhe e Pashkës
maj 2020


Hosana dhe Aleluja – Jezu Krishti i Gjallë: Zemra e Rivendosjes dhe e Pashkës

Në këtë periudhë me hosana dhe aleluja, këndoni aleluja – sepse Ai do të mbretërojë përherë e përgjithmonë!

Të dashur vëllezër dhe motra: Me hosana dhe aleluja e kremtojmë Jezu Krishtin e gjallë në këtë periudhë Rivendosjeje të vazhdueshme dhe Pashke. Me dashuri të përsosur, Shpëtimtari ynë na siguron: “[Mund] ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!”1

Disa vjet më parë, ndërsa Motra Gong dhe unë takuam një familje të dashur, vajza e tyre e vogël, Ivi, me druajtje e nxori violinën e saj nga çanta. Ajo nxori harkun e violinës, e tendosi dhe e leu me rrëshirë. Pastaj e vendosi harkun sërish në çantë, u përkul me nderim dhe u ul. Fare fillestare, ajo sapo na kishte treguar gjithçka që dinte rreth violinës. Tani, vite më vonë, Ivi luan në violinë shumë bukur.

Pamja
Ivi dhe violina e saj

Në këtë periudhë në vdekshmëri, të gjithë ne jemi nga pak si Ivi dhe violina e saj. Ne e nisim nga fillimi. Me ushtrim dhe këmbëngulje, rritemi dhe përmirësohemi. Me kalimin e kohës, liria morale e zgjedhjes dhe përvojat në vdekshmëri na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë, teksa punojmë me Të në vreshtin e Tij2 dhe e ndjekim shtegun e Tij të besëlidhjes.

Përvjetorët, përfshirë këtë dyqindvjetor, i theksojnë modelet e rivendosjes3. Gjatë kremtimit të Rivendosjes në vazhdim e sipër të ungjillit të Jezu Krishtit, ne përgatitemi edhe për Pashkën. Tek të dyja, ne gëzojmë për kthimin e Jezu Krishtit. Ai jeton – jo vetëm atëherë, por tani; jo vetëm për disa, por për të gjithë. Ai erdhi dhe vjen për të shëruar zemërthyerit, për të çliruar robërit, për t’u kthyer shikimin të verbërve dhe për të çliruar të shtypurit4. Kështu është edhe për ne. Premtimet e Tij shëlbuese gjejnë zbatim, pavarësisht nga e kaluara jonë, e tashmja jonë, ose nga shqetësimet për të ardhmen tonë.

Pamja
Hyrja ngadhënjimtare në Jerusalem

Nesër është e Diela e Palmave. Sipas traditës, palmat janë një simbol i shenjtë për të shprehur gëzimin në Zotin tonë, ashtu si në Hyrjen Ngadhënjimtare të Krishtit në Jerusalem ku “një turmë e madhe … mori degë palmash dhe i doli para”5. (Mund t’ju interesojë të dini se piktura origjinale nga Herri Andersoni, rri varur në zyrën e Presidentit Rasëll M. Nelson, pikërisht prapa tavolinës së tij të punës.) Te Libri i Zbulesës, ata që i japin lavdërime Perëndisë dhe Qengjit, e bëjnë këtë “të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre”6. Bashkë me “rrobën e drejtësisë” dhe “kurora[t e] lavdi[së]” palmat përfshihen në lutjen e përkushtimit të Tempullit të Kirtlandit7.

Sigurisht, domethënia e të Dielës së Palmave shkon përtej turmave që e përshëndetin Jezusin me palma. Të Dielën e Palmave, Jezusi hyri në Jerusalem në mënyra që besimtarët i shihnin si përmbushje të profecisë. Ashtu siç parashikuan në mënyrë profetike Zakaria8 dhe Psalmisti, Zoti ynë hyri në Jerusalem hipur mbi një kërriç, ndërsa turmat me dijeni të plotë brohoritnin: “Hosana në vendet shumë të larta!”9 Hosana do të thotë “të lutemi na shpëto [tani]”10. Në atë kohë, si dhe tani, ne ngazëllehemi: “I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit”11.

Një javë pas të Dielës së Palmave është e Diela e Pashkës. Presidenti Rasëll M. Nelson na mëson se Jezu Krishti “erdhi të shlyente një borxh që s’e kishte, për shkak se ne kishim një borxh që nuk mund ta shlyenim”12. Në të vërtetë, nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, të gjithë fëmijët e Perëndisë “mund të shpëtohe[n], me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”13. Për Pashkë, ne këndojmë aleluja. Aleluja do të thotë “lavdi thuri Zotit Jehova”14. “Hallelujah Chorus” [“Refreni Aleluja”] në pjesën muzikore Messiah [Mesia] i Handelit, është një deklaratë Pashke shumë e dashur se Ai është “Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve”15.

Ngjarjet e shenjta ndërmjet të Dielës së Palmave dhe të Dielës së Pashkës janë histori me hosana dhe aleluja. Hosana është përgjërimi ynë që Perëndia të na shpëtojë. Aleluja shpreh lavdërimin tonë ndaj Zotit për shpresën e shpëtimit dhe ekzaltimit. Me hosana dhe aleluja ne e pranojmë Jezu Krishtin e gjallë si zemrën e Pashkës dhe të rivendosjes në ditët e mëvonshme.

Rivendosja në ditët e mëvonshme fillon me teofani – shfaqjen e njëmendtë të Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, ndaj profetit të ri në moshë, Jozef Smithit. Profeti Jozef tha: “Nëse do të mund t’ia ngulnit sytë qiellit pesë minuta, do të dinit më shumë nga sa do të dinit duke lexuar gjithçka që është shkruar ndonjëherë mbi këtë temë”16. Për shkak se qiejt janë hapur sërish, ne e dimë dhe “besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë”17 – Kreun‑Perëndi hyjnor.

Të Dielën e Pashkës, më 3 prill 1836, në ditët e hershme të Rivendosjes, Jezu Krishti i gjallë u shfaq pasi u përkushtua Tempulli i Kirtlandit. Ata që e panë Atë atje, dëshmuan për Të në kontraste plotësuese si zjarri dhe uji: “Sytë e tij ishin si flakë zjarri; dhe flokët e kokës së tij ishin të bardhë si dëborë e pastër; fytyra e tij shkëlqente më shumë se ndriçimi i diellit; dhe zëri i tij ishte si tingulli i rrjedhjes së shumë ujërave, madje zëri i Jehovës”18.

Në atë rast, Shpëtimtari ynë shpalli: “Unë jam i pari dhe i fundit; unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra; unë jam avokati juaj me Atin”19. Përsëri, kontraste plotësuese – i pari dhe i fundit, jeton dhe u vra. Ai është Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi20, autori dhe plotësonjësi i besimit tonë21.

Pas shfaqjes së Jezu Krishtit, erdhën edhe Moisiu, Eliasi dhe Elija. Me anë të drejtimit hyjnor, këta profetë të mëdhenj të lashtësisë i rivendosën çelësat dhe autoritetin e priftërisë. Në këtë mënyrë, “çelësat e kësaj periudhe të kujdestarisë j[anë dhënë]”22 brenda Kishës së Tij të rivendosur për t’i bekuar të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Ardhja e Elijas në Tempullin e Kirtlandit përmbushi gjithashtu profecinë e Malakias në Dhiatën e Vjetër që Elija do të kthehej “para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit”23. Duke e bërë këtë, shfaqja e Elijas përkoi, ndonëse jo rastësisht, me periudhën e Pashkës judease, ku sipas traditës pritet me nderim kthimi i Elijas.

Shumë familje të përkushtuara judease bëjnë një vend për Elijan në tryezën e tyre gjatë Pashkës judease. Shumë njerëz mbushin një gotë plot për ta ftuar dhe mirëpritur atë. Dhe disa njerëz, gjatë gostisë rituale tradicionale Seder të Pashkës judease, çojnë një fëmijë te dera, që ndonjëherë lihet pak hapur, për të parë nëse Elija është jashtë duke pritur që ta ftojnë brenda24.

Në përmbushje të profecisë dhe si pjesë të rivendosjes së premtuar të të gjitha gjërave25, Elija erdhi vërtet siç qe premtuar, në Pashkë dhe në vigjilje të Pashkës judease. Ai solli autoritetin vulosës për t’i lidhur familjet në tokë dhe në qiell. Siç i mësoi Moroni Profetit Jozef, Elija “do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve dhe zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre. Në qoftë se nuk do të ishte kështu”, vijoi Moroni, “e tërë toka do të shkatërrohej plotësisht në ardhjen e [Zotit]”26. Shpirti i Elijas, një shpërfaqje e Frymës së Shenjtë, na afron me brezat tanë – të kaluar, të tanishëm dhe të ardhshëm – me anë të gjenealogjive, historive dhe shërbimit tonë në tempull.

Le të kujtojmë shkurtimisht atë që shpreh Pashka judease. Pashka judease përkujton çlirimin e fëmijëve të Izraelit nga 400 vjet skllavëri. Libri i Eksodit tregon se si erdhi ky çlirim pas plagëve të bretkosave, mushkonjave, mizave, ngordhjes së bagëtisë, ulcerës, puçrrave, breshrit dhe zjarrit, karkalecave dhe errësirës së madhe. Plaga e fundit kanosi vdekjen e të parëlindurve në vend, por jo në shtëpinë e Izraelit – në qoftë se ato vatra shtëpiake e vendosnin gjakun e qengjit motak pa të meta, tek arkitrau dhe shtalkat e dyerve27.

Engjëlli i vdekjes kaloi pranë shtëpive të shenjuara me gjakun simbolik të qengjit28. Ai kalim pranë, ose kalimi tutje [si fjala Pashkë judease në anglisht], përfaqëson Jezu Krishtin që e mposht vdekjen përfundimisht. Në të vërtetë, gjaku shlyes i Qengjit të Perëndisë i jep fuqi Bariut tonë të Mirë që ta mbledhë popullin e Tij në të gjitha vendet dhe rrethanat, në vendin e sigurt të vathës së Tij, nga të dyja anët e velit.

Në mënyrë kuptimplote, Libri i Mormonit përshkruan “fuqin[në] dhe ringjallje[n e] Krishtit”29 – thelbin e Pashkës – në kuadër të dy rivendosjeve.

Fillimisht, ringjallja përfshin rivendosjen fizike të “formë[s sonë] të përshtatshme dhe të përkryer”; të “çdo gjymtyr[e] dhe nyj[e]”, “madje asnjë fije floku i kokës nuk do të humbasë”30. Ky premtim u jep shpresë atyre të cilët kanë humbur gjymtyrë, atyre të cilëve e kanë humbur aftësinë për të parë, dëgjuar, ose ecur, apo atyre që konsiderohen si të shkatërruar nga sëmundjet e ashpra, sëmundjet mendore apo dobësimet e tjera të zotësive. Ai na gjen. Ai na shëron plotësisht.

Një premtim i dytë i Pashkës dhe i Shlyerjes së Zotit tonë është se, shpirtërisht “të gjitha gjërat do të rivendosen në vendin e tyre të përshtatshëm”31. Kjo rivendosje shpirtërore pasqyron veprat dhe dëshirat tona. Ashtu si buka mbi ujin32, ajo rivendos “atë që është e mirë”, “e drejtë”, “që ka drejtësi” dhe [është] e “mëshirsh[me]”33. Nuk është çudi që profeti Alma përdor fjalën rivendos 22 herë34 teksa na shtyn të “vepro[jmë] me drejtësi, gjyko[jmë] drejt dhe [të] bëj[më] të mira vazhdimisht”35.

Për shkak se “Perëndia vetë shlyen për mëkatet e botës”36, Shlyerja e Zotit mund të shërojë plotësisht jo vetëm atë që ishte, por edhe atë që mund të jetë. Për shkak se Ai na i njeh dhembjet, hidhërimet, sëmundjet, “tundime[t tona] të çdo lloji”37, Ai mundet që, me mëshirë, të na ndihmojë sipas dobësive tona38. Për shkak se Perëndia është “i përsosur, i drejtë dhe gjithashtu një Perëndi i mëshirshëm”, plani i mëshirës mund të “plotës[ojë] kërkesat e drejtësisë”39. Ne pendohemi dhe bëjmë gjithçka mundemi. Ai na rrethon përjetësisht “në krahët e dashurisë së tij”40.

Sot ne kremtojmë rivendosjen dhe ringjalljen. Bashkë me ju, gëzohem për Rivendosjen në vazhdim e sipër të plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit. Sikurse filloi 200 vjet më parë nga kjo pranverë, drita dhe zbulesa vazhdojnë të vijnë nëpërmjet profetit të gjallë të Zotit dhe Kishës së Tij, që mban emrin e Tij – Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – dhe nëpërmjet zbulesës dhe frymëzimit vetjak me anë të dhuratës hyjnore të Frymës së Shenjtë.

Bashkë me ju, në këtë periudhë Pashke, unë dëshmoj për Perëndinë, Atin tonë të Amshuar, dhe Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin e gjallë. Njerëz të vdekshëm u kryqëzuan mizorisht dhe më vonë u ringjallën. Por vetëm Jezu Krishti i gjallë në formën e Tij të përsosur, të ringjallur, i mbart ende vurratat e kryqëzimit në duart, këmbët dhe ijën e Tij. Vetëm Ai mund të thotë: “Unë të kam gdhendur në pëllëmbët e duarve të mia”41. Vetëm Ai mund të thotë: “Unë jam ai që u ngrit lart. Unë jam Jezusi që u kryqëzua. Unë jam Biri i Perëndisë.”42

Ashtu si e vogla Ivi dhe violina e saj, ne, në disa mënyra jemi ende në fillim. Vërtet, “syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, … ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”43. Në këto kohë, ne mund të mësojmë shumë për mirësinë e Perëndisë dhe potencialin tonë hyjnor që dashuria e Perëndisë të rritet brenda nesh ndërsa e kërkojmë Atë dhe i vijmë në ndihmë njëri‑tjetrit. Në mënyra të reja dhe vende të reja ne mund të veprojmë dhe të bëhemi [bekim], rregull pas rregulli, dashamirësi pas dashamirësie, individualisht dhe së bashku.

Të dashur vëllezër dhe motra kudo ku jeni, teksa takohemi dhe mësojmë së bashku, besimi dhe mirësia juaj më mbush me një ndjenjë emocioni dhe mirënjohjeje për aventurën në ungjill. Dëshmia dhe rrugëtimi juaj në ungjill e pasurojnë dëshminë dhe rrugëtimin tim në ungjill. Shqetësimet dhe gëzimet tuaja, dashuria juaj për shtëpinë e Perëndisë dhe komunitetin e shenjtorëve, si dhe kuptueshmëria e marrë gjatë jetës për të vërtetën dhe dritën e rivendosur, e rritin kuptueshmërinë time për ungjillin e rivendosur, me Jezu Krishtin e gjallë në zemër të tij. Së bashku ne mirëbesojmë: “N’qoft’ shi a diell, Zot, me mua rri!”44 Të bashkuar e dimë se, mes barrëve dhe shqetësimeve, ne mund t’i numërojmë bekimet tona të shumta45. Në gjërat e hollësishme, të vogla dhe të thjeshta të jetës së përditshme, ne mund të shohim se gjëra të mëdha do të ndodhin në jetën tonë46.

“Dhe do të ndodhë që të drejtët do të mblidhen prej gjithë kombeve dhe do të vijnë në Sion, duke kënduar këngë gëzimi të përhershëm.”47 Në këtë periudhë me hosana dhe aleluja, këndoni aleluja – sepse Ai do të mbretërojë përherë e përgjithmonë! Me brohori, hosana Perëndisë dhe Qengjit! Në emrin e shenjtëruar dhe të shenjtë të Jezu Krishtit, amen.