2020
Mënyra se si Priftëria e Bekon Rininë
maj 2020


Mënyra se si Priftëria e Bekon Rininë

Na jepet mundësia të japim shërbesë si të engjëjve, ta predikojmë ungjillin në të gjitha kontinentet e tokës dhe t’i ndihmojmë shpirtrat që të vijnë te Krishti.

Vëllezër dhe motra, jam vërtet mirënjohës që ju flas në këtë mbrëmje historike rreth dhuratës së shenjtë të priftërisë dhe fuqisë së mrekullueshme që ajo ka, për ta bekuar rininë në këtë periudhë ungjillore. Lutem që, pavarësisht nga papërsosuritë e mia, Shpirti të më vijë në ndihmë për ta dhënë mësim të vërtetën.

Presidenca e Parë u ka kujtuar mbajtësve të Priftërisë Aarone: “Ju jetoni në një kohë të mundësive dhe sfidave të mëdha – një kohë në të cilën priftëria është rivendosur. Ju keni autoritetin për të administruar ordinancat e Priftërisë Aarone. Kur e ushtroni me lutje e me denjësi atë autoritet, do të bekoni së tepërmi jetën e atyre që janë përreth jush.”1 Si të rinjtë e Kishës, edhe ne na kujtojnë që jemi “bi[j të] dashur [të] Perëndisë dhe Ai ka një punë për [ne] që ta bëj[më]”2 dhe i vijmë në ndihmë për veprën e Tij që “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).

Priftëria është autoriteti për t’ua administruar ordinancat dhe besëlidhjet e ungjillit të Shpëtimtarit atyre që janë të denjë për t’i marrë ato. Nëpërmjet këtyre ordinancave dhe besëlidhjeve të shenjta të priftërisë vijnë bekimet e plota të Shlyerjes së Shpëtimtarit, e cila na ndihmon ta arrijmë fatin tonë hyjnor.

Jozef Smithi ishte një i ri që u thirr nga Perëndia për ta rivendosur ungjillin e Jezu Krishtit dhe, për atë qëllim, iu dha priftëria, të cilën ai e përdori për të bekuar gjithë njerëzimin. Doktrina e Besëlidhje 135 citon shumë prej bekimeve që Jozefi i ka dhënë rinisë së kësaj periudhe ungjillore. Lexojmë: “Joseph Smith-i … ka bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër që jetoi ndonjëherë në të. … Ai ka sjellë Librin e Mormonit … u ka dërguar plotësinë e ungjillit të përjetshëm … katër anëve të dheut; ka sjellë zbulesat dhe urdhërimet që përbëjnë … “Doktrina e Besëlidhje[t]” … , mblodhi me mijëra Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme, … dhe la një famë e një emër që nuk mund të vritet”(Doktrina e Besëlidhje 135:3).

Për të shërbyer me efektshmëri sikurse Jozefi, ne duhet të kualifikohemi denjësisht për ta përdorur fuqinë e priftërisë së Zotit. Ndërkohë që përkthenin Librin e Mormonit, Jozefi dhe Oliver Kaudëri dëshironin të pagëzoheshin, por iu mungonte autoriteti i duhur. Më 15 maj 1829, ata u gjunjëzuan në lutje dhe u vizituan nga Gjon Pagëzori, i cili u dha atyre çelësat dhe autoritetin e Priftërisë Aarone, duke thënë: “Mbi ju, bashkëshërbëtorët e mi, në emër të Mesias, unë jap Priftërinë e Aaronit, e cila mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit me zhytje për heqjen e mëkateve” (Doktrina e Besëlidhje 13:1).

Na jepet mundësia të japim shërbesë si të engjëjve, ta predikojmë ungjillin në të gjitha kontinentet e tokës dhe t’i ndihmojmë shpirtrat që të vijnë te Krishti. Ky shërbim na vë në bashkëpunim me Gjon Pagëzorin, Moronin, Jozef Smithin, Presidentin Rasëll M Nelson dhe shërbëtorë të tjerë të zellshëm të Perëndisë.

Shërbimi ynë në dhe me priftërinë e Tij i bën bashkë ata që i përkushtohen ndjekjes dhe të jetuarit të mësimeve të Zotit me përpikëri, të cilat e di vetë se mund të jenë të vështira teksa përballemi me sfidat e rinisë. Por bashkimi me këta bashkëshërbëtorë të Zotit për përmbushjen e veprës së Tij do të ndihmojë për të na forcuar kundër tundimeve dhe mashtrimeve të kundërshtarit. Ju mund të jeni një fener drite për të gjithë ata që janë të pasigurt për veten. Drita brenda jush do të ndriçojë aq fort sa gjithkush me të cilin do të ndërveproni, do të bekohet thjesht ngaqë do të jetë në shoqërinë tuaj. Mund të jetë e vështirë nganjëherë ta dallojmë praninë e shoqëruesve tanë shpirtërorë, por jam mirënjohës që e di se jam anëtar i një kuorumi besnik të priftërisë, me të cilin mund të punoj për t’u afruar më shumë me Krishtin.

Së bashku me miqtë dhe familjen tonë, Fryma e Shenjtë është një nga shoqëruesit tanë më të besës e më të besuar. Por në mënyrë që ta ftojmë shoqërimin e Tij të vazhdueshëm, duhet ta vëmë veten në situata dhe vende ku Ai do të dëshirojë të jetë i pranishëm. Kjo mund të fillojë nga vetë shtëpitë tona, teksa punojmë për t’i bërë ato vende të shenjta duke marrë pjesë në studim të përditshëm të shkrimeve të shenjta e lutje si familje dhe, më e rëndësishmja, teksa ne i studiojmë vetë shkrimet e shenjta dhe lutemi më vete.

Pamja
Enco dhe motra e tij
Pamja
Enco dhe familja e tij

Më herët gjatë këtij viti, m’u dha një mundësi emocionuese por prapëseprapë përulëse që të ndihmoja motrën time të vogël, Oshëninë, të përparonte në shtegun e besëlidhjes duke e pranuar ftesën për t’u pagëzuar e për të përmbushur një nga kërkesat e rekomanduara për të hyrë në mbretërinë çelestiale. Ajo e shtyu pagëzimin e saj një muaj, derisa unë u shugurova prift, për të më dhënë privilegjin që ta kryeja ordinancën ndërkohë që motrat e tjera tonat patën gjithashtu privilegjin për të punuar sipas caktimit nga priftëria dhe të qëndronin si dëshmitare. Teksa qëndronim në dy anë të kundërta të pagëzores dhe përgatiteshim për të hyrë në ujë, unë e vura re emocionin e saj tek përputhej me timin. Dhe u ndjeva i bashkuar me të tek shihja se ajo po merrte vendimin e duhur. Kjo mundësi për ta ushtruar priftërinë, kërkonte nga unë që të isha më i kujdesshëm dhe më pak i shkujdesur në të jetuarit e ungjillit. Në mënyrë që të përgatitesha, shkova në tempull çdo ditë atë javë, i përkrahur nga mamaja, gjyshja dhe motra ime për të kryer pagëzime për të vdekurit.

Kjo përvojë më mësoi shumë rreth priftërisë dhe mënyrës se si mund ta ushtroja atë me denjësi. E di se të gjithë mbajtësit e priftërisë mund t’i ndiejnë të njëjtat gjëra që ndjeva unë nëse e ndjekin shembullin e Nefit duke “shk[uar e duke] bë[rë]”(shih 1 Nefi 3:7). Ne nuk mund të rrimë ulur me përtaci dhe të presim që Zoti të na përdorë në veprën e Tij të madhërishme. Ne nuk duhet të presim që të na kërkojnë ata të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë; është detyra jonë si mbajtës të priftërisë që të japim shembull e të qëndrojmë si dëshmitarë të Perëndisë. Nëse jemi duke marrë vendime që na e pengojnë përparimin tonë të përjetshëm, duhet të ndryshojmë tani. Satani do të përpiqet me gjithë forcën për të na mbajtur në një gjendje të mishit duke kërkuar kënaqësi të thjeshta. Por unë e di se, po ta bëjmë përpjekjen, t’i gjejmë ata që do të na përkrahin dhe të pendohemi çdo ditë, bekimet që do të rrjedhin nga këto do të jenë të jashtëzakonshme dhe jeta jonë do të ndryshojë përgjithmonë teksa çajmë përpara në shtegun e besëlidhjes.

E di se kjo është Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit, i cili është Shpëtimtari ynë dhe ua ka deleguar çelësat e priftërisë Apostujve të Tij, të cilët i përdorin ata për të na udhërrëfyer, veçanërisht në këto ditë sfiduese dhe për ta përgatitur botën për kthimin e Tij.

Unë e di se Jozef Smithi ishte profeti i Rivendosjes dhe se Presidenti Nelson është profeti ynë i gjallë sot. Unë e ftoj secilin prej nesh që ta studiojë jetën e këtyre mbajtësve të mëdhenj të priftërisë dhe të kërkojë ta përmirësojë veten çdo ditë që të mund të jetë gati për t’u takuar me Krijuesin e vet. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.