2020
Të Gjejmë Strehë nga Stuhitë e Jetës
maj 2020


Të Gjejmë Strehë nga Stuhitë e Jetës

Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij janë streha që na nevojitet të gjithëve, pavarësisht nga stuhitë që po e godasin jetën tonë.

Dikur në mes të viteve 90, gjatë viteve të mia të kolegjit, isha pjesë e Kompanisë së Katërt të Sektorit të Zjarrfikësve të Santiagos në Kili. Ndërkohë që shërbeja atje, jetoja në repartin e zjarrfikësve si pjesë e rojave të natës. Nga fundi i vitit, më thanë se duhej të isha në repartin e zjarrfikësve në vigjilje të Vitit të Ri sepse atë ditë kishte pothuajse gjithnjë ndonjë urgjencë. I befasuar, u përgjigja: “Vërtet?”

Epo, më kujtohet tek prisja me kolegët e mi kur, në mesnatë, filluan të shpërthenin fishekzjarrët në qendër të Santiagos. Filluam ta përqafonim njëri-tjetrin me urime të mira për vitin e ri. Papritmas filluan të tringëllinin zilet në repartin e zjarrfikësve, që tregonin se kishte një urgjencë. Morëm pajimet tona dhe u hodhëm brenda makinës së zjarrfikëses. Rrugës për tek urgjenca, teksa kalonim turma njerëzish që po festonin vitin e ri, vura re se ata ishin tejet të pashqetësuar e të shkujdesur. Ata ishin të qetë dhe po e shijonin atë natë të ngrohtë vere. Prapëseprapë diku aty afër, njerëzit të cilët po nxitonim t’i ndihmonim ishin në telash të madh.

Kjo përvojë më ndihmoi të kuptoja se, ndonëse jeta jonë ndonjëherë mund të jetë relativisht e patrazuar, do të vijë koha për secilin prej nesh kur do të përballemi me sfida të papritura dhe stuhi që do ta çojnë në limit aftësinë tonë për të duruar. Sfida fizike, mendore, familjare dhe punësimi; fatkeqësi natyrore dhe çështje të tjera për jetë a vdekje janë vetëm disa nga shembujt e stuhive me të cilat do të përballemi në këtë jetë.

Kur përballemi me këto stuhi, ne shpesh përjetojmë ndjenja dëshpërimi ose frike. Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Besimi është kundërhelmi për frikën” besimi në Zotin tonë Jezu Krisht (“Lëreni Besimin Tuaj të Dalë në Pah,” Liahona, maj 2014, f. 29). Teksa i kam parë stuhitë që prekin jetën e njerëzve, kam arritur në përfundimin se pavarësisht nga lloji i stuhisë që po na godet – pa marrë parasysh a ka një zgjidhje për të ose a mund ta shohim fundin e saj – ka vetëm një strehë dhe ajo është e njëjta për të gjitha llojet e stuhive. Kjo strehë e vetme e siguruar nga Ati ynë Qiellor është Zoti ynë, Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij.

Asnjëri prej nesh nuk përjashtohet nga përballja me këto stuhi. Helamani, një profet i Librit të Mormonit, na mësoi atë që vijon: “Mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien” (Helamani 5:12).

Plaku Robert D. Hejls, i cili pati përvoja të vetat me durimin e stuhive, tha: “Vuajtja është universale; mënyra se si ne reagojmë ndaj vuajtjes është individuale. Vuajtjen mund ta marrim në një nga këto dy mënyra. Ajo mund të jetë një përvojë fuqizuese dhe pastruese e ndërthurur me besim, ose mund të jetë një forcë shkatërruese në jetën tonë nëse nuk kemi besim te sakrifica shlyese e Zotit” (“Your Sorrow Shall Be Turned to Joy”, Ensign, nëntor 1983, f. 66).

Në mënyrë që ta gëzojmë strehën që ofron Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, duhet të kemi besim tek Ai – një besim që do të na lejojë të ngrihemi mbi të gjitha dhembjet e një perspektive të kufizuar e tokësore. Ai ka premtuar se do të na i bëjë barrët të lehta nëse i drejtohemi Atij për çdo gjë që bëjmë.

“Ejani tek unë”,tha Ai, “o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë” (Mateu 11:28–30; shih edhe Mosia 24:14–15).

Thuhet se “për dikë që ka besim, nuk është e nevojshme të ketë asnjë shpjegim. Për dikë pa besim, asnjë shpjegim nuk është i mundur.” (Kjo thënie thuhet se është e Tomas Akuinasit, por ka më tepër gjasë të jetë një parafrazim jo i fjalëpërfjalshëm i gjërave që ai dha mësim.) Megjithatë, ne kemi kuptueshmëri të kufizuar për gjërat që ndodhin këtu në tokë dhe shpesh nuk kemi përgjigje për pyetjen pse. Pse po ndodh kjo? Pse po më ndodh mua kjo? Çfarë supozohet të mësoj? Kur përgjigjet na përvidhen, ai është çasti kur gjejnë zbatim të plotë fjalët e shprehura nga Shpëtimtari ynë drejtuar Profetit Jozef Smith në burgun e Libertisë:

“Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër;

Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart” (Doktrina e Besëlidhje 121:7–8).

Ndonëse shumë njerëz njëmend besojnë Jezu Krisht, pyetja kyç është a i besojmë ne Atij dhe a u besojmë gjërave që Ai na mëson e na kërkon të bëjmë. Ndoshta dikush mund të mendojë: “Çfarë di Jezu Krishti rreth asaj që po më ndodh? Nga e di Ai se çfarë më nevojitet për të qenë i/e lumtur? Në të vërtetë, profeti Isaia po i referohej Shëlbuesit dhe Ndërmjetësit kur tha:

“I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes. …

Megjithatë, ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona. …

Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar” (Isaia 53:3–5).

Apostulli Pjetër dha gjithashtu mësim rreth Shpëtimtarit, duke thënë: “Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat” (1 Pjetër 2:24).

Ndonëse po afrohej koha e martirizimit të vetë Pjetrit, fjalët e tij nuk janë të mbushura me frikë ose pesimizëm, në vend të kësaj, ai u mësoi shenjtorëve të “gëzoh[eshin]”, ndonëse ishin “të trisht[uar] nga prova të ndryshme”. Pjetri na këshilloi ta mbanim mend se “prova e besimit [tonë] … edhe pse provohet me zjarr”, do të çonte në “lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit” dhe në “shpëtimin e shpirtrave [tanë]” (1 Pjetër 1:6–7, 9).

Pjetri vazhdoi:

“Shumë të dashur, mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar, se si ju ndodhi diçka e jashtëzakonshme.

Por gëzohuni, duke qenë pjestarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni” (1 Pjetër 4:12–13).

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se “shenjtorët mund të jenë të lumtur në çdo rrethanë”. Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij. Ai është burimi i të gjithë gëzimit” (“Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 82).

Patjetër, është më e lehtë t’i themi këto gjëra kur nuk jemi në mes të një stuhie sesa t’i jetojmë e t’i zbatojmë gjatë stuhisë. Por si vëllai juaj, shpresoj që ju të mund ta ndieni se dua sinqerisht t’ju tregoj se sa gjë e çmuar është ta dimë se Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij janë streha që na nevojitet të gjithëve, pavarësisht nga stuhitë që po e godasin jetën tonë.

E di se ne jemi të gjithë fëmijët e Perëndisë, se Ai na do dhe se nuk jemi vetëm. Ju ftoj të gjithëve të vini e ta shihni se Ai mund t’jua lehtësojë barrët dhe të jetë streha që po kërkoni. Ejani dhe ndihmoni të tjerë të gjejnë strehën për të cilën janë të dëshiruar. Ejani dhe qëndroni me ne në këtë strehë, e cila do t’ju ndihmojë t’u bëni qëndresë stuhive të jetës. Nuk ka asnjë dyshim në zemrën time se po të vini, do të shihni, do të ndihmoni e do të qëndroni.

Profeti Alma i dëshmoi për sa vijon birit të tij Helamanit: “Unë e di se kushdo që vë besimin e tij në Perëndi, do të përkrahet në sprovat e tij dhe në vështirësitë e tij dhe në mjerimet e tij dhe do të ngrihet në ditën e fundit” (Alma 36:3).

Shpëtimtari Vetë tha:

“Zemrat tuaja duhet të ngushëllohen … sepse gjithë mishi është në duart e mia; rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi. …

Si rrjedhim, mos kini frikë madje deri në vdekje; sepse në këtë botë gëzimi juaj nuk është i plotë, por në mua gëzimi juaj është i plotë” (Doktrina e Besëlidhje 101:16, 36).

Himni “Rri Qet’ o Shpirt”, që ma ka prekur zemrën në raste të shumta, ka një mesazh ngushëllimi për shpirtrat tanë. Në tekstin e tij lexojmë sa vijon:

Rri qet’ o shpirt: Koha po afron shpejt,

Kur përgjithmon’ do jemi me Zotin,

Kur zhgënjim, hidh’rim dhe frik’ më t’mos ket’,

Pik’llim më s’ka, veç t’dashuris’ gëzim.

Rri qet’ o shpirt: Kur lotët lihen pas,

T’sigurt, t’bekuar do mblidhemi prap. (Himne, nr. 64)

Ndërsa përballemi me stuhitë e jetës, e di se po të bëjmë përpjekjen tonë më të mirë e të mbështetemi te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij si streha jonë, do të bekohemi me lehtësimin, ngushëllimin, forcën, përmbajtjen dhe paqen që po kërkojmë, me siguri në zemër se në mbarim të kohës sonë në tokë, do të dëgjojmë fjalët e Mësuesit: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik … hyr në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:21). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.