2020
Lutje me Besim
maj 2020


Lutje me Besim

Ndërsa lutemi me besim, ne bëhemi një pjesë jetike në punën e Zotit ndërsa Ai e përgatit botën për Ardhjen e Tij të Dytë.

Lutja e Plakut Meinis në fillim të këtij sesioni të konferencës së përgjithshme po merr përgjigje. Frymëzimi na ka ardhur nëpërmjet mesazheve të mrekullueshme dhe muzikës së bukur. Premtimi i Presidentit Rasëll M. Nelson se kjo konferencë do të jetë e paharrueshme, tashmë ka filluar të përmbushet.

Presidenti Nelson e ka përcaktuar këtë vit si “një periudhë dyqindvjeçare për përkujtimin e 200 viteve që nga koha kur Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, iu shfaqën Jozef Smithit në një vegim”. Presidenti Nelson na ftoi që të bëjmë një plan vetjak për ta përgatitur veten tonë për këtë konferencë historike, përkujtimi i së cilës tha ai do të ishte “një pikë përcaktuese në historinë e Kishës dhe pjesa juaj është jetike”1.

Ashtu si dhe unë, ndoshta ju e dëgjuat këtë mesazh dhe e pyetët veten: “Në ç’mënyrë është jetike pjesa ime?” Ndoshta ju lexuat dhe u lutët rreth ngjarjeve të Rivendosjes. Ndoshta, më shumë se kurrë më parë, ju i lexuat rrëfimet e atyre pak rasteve kur Perëndia, Ati, paraqiti Birin e Tij të Dashur. Ndoshta ju lexuat për rastet kur Shpëtimtari u foli fëmijëve të Atit tonë Qiellor. E di se unë vetë i bëra të gjitha ato gjëra, madje dhe më shumë.

Gjeta referenca në leximin tim rreth priftërisë së Perëndisë dhe hapjen e periudhave ungjillore. U përula kur kuptova se përgatitja ime për këtë konferencë ishte një pikë përcaktuese në historinë time vetjake. Ndjeva ndryshime në zemrën time. Ndjeva mirënjohje sërish. U ndjeva i mbushur me gëzim nga perspektiva se isha i ftuar të merrja pjesë në këtë kremtim të Rivendosjes së vazhdueshme.

I përfytyroj të tjerët që po ndihen, për shkak të përgatitjes së kujdesshme, më të gëzuar, më optimistë dhe më të vendosur për të shërbyer në çfarëdo pozicioni që i nevojitet Zotit.

Ngjarjet e jashtëzakonshme që nderojmë ishin fillimi i periudhës së fundit ungjillore të profetizuar, në të cilën Zoti po i përgatit Kishën e Tij dhe popullin e Tij, ata që e mbajnë emrin e Tij, për ta pranuar Atë. Si pjesë e përgatitjes sonë për ardhjen e Tij, Ai do ta lartësojë secilin prej nesh, që të mund të ngrihemi në nivelin e sfidave dhe mundësive shpirtërore siç nuk është parë asnjëherë në historinë e kësaj bote.

Në shtator 1840, Profeti Jozef Smith dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë deklaruan sa vijon: “Puna e Zotit në këto ditët e fundit është e një madhësie të gjerë dhe thuajse përtej kuptueshmërisë së të vdekshmëve. Lavditë e saj janë përtej përshkrimit dhe madhështia e saj e pakapërcyeshme. Është motivi që ka gjallëruar kraharorin e profetëve dhe njerëzve të drejtë që nga krijimi i botës përmes çdo brezi pasues deri në kohën e tanishme; dhe është vërtet periudha e plotësisë së kohëve, kur të gjitha gjërat që janë në Krishtin Jezus, qoftë në qiell apo në tokë, do të mblidhen së bashku tek Ai dhe kur të gjitha gjërat do të rivendosen, siç është folur nga gjithë profetët e shenjtë që nga fillimi i botës; sepse në të do të ndodhë përmbushja e lavdishme e premtimeve të bëra etërve, ndërsa shfaqjet e fuqisë së Më Të Lartit do të jenë të shkëlqyera, të lavdishme dhe sublime.”

Ata vazhduan duke thënë: “Ne ndihemi të prirur të ecim përpara e të bashkojmë energjitë tona për ndërtimin e Mbretërisë dhe vendosjen e Priftërisë në plotësinë dhe lavdinë e tyre. Puna që duhet të përmbushet në ditët e fundit është e një rëndësie të madhe dhe do të thërrasë në veprim energjinë, aftësinë, talentin dhe zotësinë e shenjtorëve, që të mund të shpaloset me atë lavdi e madhështi të përshkruar nga profeti [Daniel] [shih Danieli 2:34–35, 44–45]; dhe si rrjedhim do të kërkojë përqendrimin e shenjtorëve, për të përmbushur punë të një madhësie dhe madhështie të tillë”2.

Shumë prej hollësive të gjërave që do të bëjmë dhe kohës kur do t’i bëjmë në Rivendosjen që po shpaloset nuk janë zbuluar ende. Sidoqoftë, Presidenca e Parë edhe në ato ditë të hershme dinte diçka për gjerësinë dhe thellësinë e punës që Zoti ka vendosur përpara nesh. Këtu janë disa shembuj të gjërave që ne e dimë se do të ndodhin:

Nëpërmjet shenjtorëve të Tij, Zoti do t’ia ofrojë dhuratën e ungjillit të Tij “çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli”3. Teknologjia dhe mrekullitë do të vazhdojnë të luajnë një rol – ashtu si edhe “peshkatarët [individualë të] njerëz[ve]”4, të cilët japin shërbesë me fuqi e besim të shtuar.

Ne si popull do të bëhemi më të bashkuar mes konfliktit që po shtohet. Ne do të mblidhemi me forcën shpirtërore të grupeve dhe familjeve të mbushura me dritën e ungjillit.

Edhe një botë mosbesuese do ta pranojë Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe do ta kuptojë fuqinë e Perëndisë mbi të. Dishepuj besnikë dhe të guximshëm do të marrin mbi vete pa frikë, me përulësi dhe hapur emrin e Krishtit në jetën e tyre të përditshme.

Atëherë, si mund të marrë pjesë secili prej nesh në këtë punë të një madhësie dhe madhështie të tillë? Presidenti Nelson na ka mësuar se si të rritemi në fuqi shpirtërore. Kur e konsiderojmë pendimin si një mundësi të gëzueshme për shkak të besimit tonë që po rritet se Jezusi është Krishti, kur e kuptojmë dhe besojmë se Ati Qiellor e dëgjon çdo lutje tonën, kur përpiqemi fort t’u bindemi urdhërimeve dhe t’i jetojmë ato, ne rritemi në fuqinë tonë për të marrë zbulesë të vazhdueshme. Fryma e Shenjtë mund të jetë shoqëruesi ynë i përhershëm. Një ndjesi drite do të qëndrojë me ne madje edhe kur bota përreth nesh bëhet më e errët.

Jozef Smithi është shembull i mënyrës se si të rritemi në një fuqi të tillë shpirtërore. Ai na tregoi se lutja me besim është kyç për zbulesë nga Perëndia. Ai u lut me besim, duke besuar se Perëndia, Ati, do t’i përgjigjej lutjes së tij. Ai u lut me besim, duke besuar se vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit ai mund të lirohej nga faji që ndiente për mëkatet e veta. Dhe ai u lut me besim, duke besuar se kishte nevojë të gjente Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit për ta marrë atë falje.

Gjatë gjithë shërbesës së tij profetike, Jozef Smithi përdori lutjet me besim për të marrë zbulesë të vazhdueshme. Ndërsa përballemi me sfidat e sotme dhe ato që nuk kanë ardhur ende, edhe neve do të na duhet të ushtrojmë të njëjtin model. Presidenti Brigam Jang tha: “Nuk di asnjë mënyrë tjetër për shenjtorët e ditëve të mëvonshme veçse që çdo frymëmarrje të jetë praktikisht një lutje, në mënyrë që Perëndia t’i udhëzojë dhe drejtojë njerëzit e tij.”5

Këto fjalë nga lutja e sakramentit duhet të përshkruajnë atëherë jetën tonë të përditshme: “Gjithmonë ta kujtojnë atë”. “Atë” i referohet Jezu Krishtit. Fjalët vijuese “e të zbatojnë urdhërimet [e tij]”, sugjerojnë se çfarë do të thotë ta kujtojmë Atë.6 Ndërsa e kujtojmë gjithmonë Jezu Krishtin, ne mund të pyetim në lutje të heshtur: “Çfarë do Ai që unë të bëj?”

Një lutje e tillë, e bërë me besim te Jezu Krishti, e hapi këtë periudhë të fundit ungjillore. Dhe ajo do të jetë në thelb të pjesës që secili prej nesh do të luajë në shpalosjen e saj të vazhdueshme. Kam zbuluar, sikurse ju, shembuj të mrekullueshëm të një lutjeje të tillë.

Së pari, Jozef Smithi. Ai pyeti me një besim si të një fëmije se çfarë donte Zoti që të bënte ai. Përgjigjja që mori e ndryshoi historinë e botës.

Për mua, një mësim i rëndësishëm vjen nga reagimi i Jozefit ndaj sulmit të Satanit ndërkohë që Jozefi u gjunjëzua të lutej.

E di nga përvoja se Satani dhe shërbëtorët e tij përpiqen të na bëjnë të ndiejmë sikur nuk duhet të lutemi. Kur Jozef Smithi përdori gjithë fuqinë e tij për t’i bërë thirrje Perëndisë që ta çlironte nga fuqia që u përpoq ta lidhte atë, lutja e tij për lehtësim mori përgjigje dhe Ati Qiellor e Jezu Krishti iu shfaqën.

Përpjekja e Satanit për të penguar fillimin e Rivendosjes ishte shumë e ashpër sepse lutja e Jozefit ishte shumë e rëndësishme. Ju dhe unë do të kemi pjesë më të vogla për të luajtur në Rivendosjen e vazhdueshme. Prapëseprapë, armiku i Rivendosjes do të përpiqet të na ndalojë që të lutemi. Shembulli i besimit të Jozefit dhe vendosmëria e tij mund të na forcojnë në vendimin tonë. Kjo është një nga arsyet e shumta përse lutjet e mia përfshijnë falënderime ndaj Atit Qiellor për Profetin Jozef.

Enosi në Librin e Mormonit është një model tjetër për lutjen time të besimit ndërsa përpiqem të bëj pjesën time në Rivendosjen e vazhdueshme. Cilado që do të jetë pjesa juaj, ju mund ta konsideroni atë si këshilltar vetjak.

Ashtu si Jozefi, Enosi u lut me besim. Ai e përshkroi përvojën e tij në këtë mënyrë:

“Dhe shpirti im ishte i uritur; dhe unë u gjunjëzova para Krijuesit tim dhe iu përgjërova atij në lutje të fuqishme dhe kërkesë të sinqertë për shpirtin tim; dhe gjithë ditën unë iu përgjërova atij; po, dhe kur ra nata, unë e ngrita akoma zërin tim lart, saqë ai arriti qiejt.

Dhe erdhi një zë tek unë duke thënë: Enos, mëkatet e tua të janë falur dhe ti do të jesh i bekuar.

Dhe unë, Enosi, e dija se Perëndia nuk mund të gënjente, prandaj fajësia ime u fshi.

Dhe unë thashë: Zot, si u bë ajo?

Dhe ai më tha: Për shkak të besimit tënd në Krishtin, të cilin ti kurrë më parë as e ke dëgjuar, as e ke parë. Dhe shumë vjet kalojnë para se ai të shfaqë veten e tij në mish; prandaj shko, besimi yt të ka bërë ty të shëruar.”7

Mësimi që më ka bekuar gjendet në këto fjalë: “Për shkak të besimit tënd në Krishtin, të cilin ti kurrë më parë as e ke dëgjuar, as e ke parë.”

Jozefi kishte besim te Krishti aq sa të shkonte në korije dhe gjithashtu të lutej për çlirim nga fuqitë e Satanit. Ai nuk i kishte parë ende Atin dhe Birin, por u lut me besim me gjithë energjinë e zemrës së vet.

Përvoja e Enosit më ka mësuar të njëjtin mësim të çmuar. Kur lutem me besim, unë e kam Shpëtimtarin si avokatin tim para Atit dhe mund ta ndiej se lutjet e mia arrijnë qiellin. Vijnë përgjigje. Merren bekime. Ka paqe e gëzim edhe në kohë të vështira.

Më kujtohet kur, si anëtari më i ri i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u gjunjëzova në lutje me Plakun Dejvid B. Heit. Ai ishte në moshën që jam unë tani, me sfida që tani i përjetoj vetë. Më kujtohet zëri i tij teksa lutej. Nuk i hapa sytë për të parë, por m’u duk sikur po buzëqeshte. Ai foli me Atin Qiellor me gëzim në zërin e tij.

Mund të dëgjoj në mendjen time lumturinë e tij kur tha: “Në emër të Jezu Krishtit”. M’u duk sikur Plaku Heit e ndjeu se Shpëtimtari po e miratonte në atë çast mesazhin për të cilin i ishte lutur Atit. Dhe isha i sigurt se do të pranohej me një buzëqeshje.

Aftësia jonë për të dhënë ndihmesën tonë jetike për Rivendosjen e mrekullueshme të vazhdueshme do të shtohet ndërsa rritemi në besimin tonë te Jezu Krishti si Shpëtimtari ynë dhe tek Ati ynë Qiellor si Ati ynë i dashur. Ndërsa lutemi me besim, ne bëhemi një pjesë jetike në punën e Zotit ndërsa Ai e përgatit botën për Ardhjen e Tij të Dytë. Lutem që të gjithë ne të mund të gjejmë gëzim për të bërë punën që Ai e fton secilin prej nesh të kryejë.

Dëshmoj se Jezu Krishti jeton. Kjo është Kisha dhe mbretëria e Tij në tokë. Jozef Smithi është profeti i Rivendosjes. Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Zotit në tokë sot. Ai mban të gjithë çelësat e priftërisë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.