2020
Shpërndarja e Mesazhit të Rivendosjes dhe Ringjalljes
maj 2020


Shpërndarja e Mesazhit të Rivendosjes dhe Ringjalljes

Rivendosja i përket botës dhe mesazhi i saj është veçanërisht i ngutshëm sot.

Gjatë gjithë kësaj konference të përgjithshme ne kemi folur dhe kënduar me gëzim rreth përmbushjes së “ripërtëritjes së të gjitha gjërave”1, të profetizuar shumë kohë më parë, rreth sjelljes në “një krye të vetëm, në Krishtin, të [të] gjitha gjëra[ve]”2, rreth kthimit të plotësisë së ungjillit, të priftërisë dhe Kishës së Jezu Krishtit në tokë, të cilat të gjitha i përfshijmë në titullin “Rivendosja”.

Por Rivendosja nuk është vetëm për ata prej nesh që gjejnë gëzim në të sot. Zbulesat e Vegimit të Parë nuk ishin vetëm për Jozef Smithin, por i ofrohen si dritë dhe e vërtetë kujtdo që i “mungon urtia”3. Libri i Mormonit është në zotërim të njerëzimit. Ordinancat e priftërisë për shpëtimin dhe ekzaltimin u përgatitën për çdo individ, përfshirë ata që nuk banojnë më në vdekshmëri. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe bekimet e saj synohen për të gjithë ata që i dëshirojnë ato. Dhurata e Frymës së Shenjtë është caktuar që të jetë për çdo njeri. Rivendosja i përket botës dhe mesazhi i saj është veçanërisht i ngutshëm sot.

“Kështu që, sa e madhe rëndësia që këto gjëra t’u bëhen të njohura banorëve të tokës, që ata të mund të dinë se nuk ka mish që mund të banojë në prani të Perëndisë, veçse nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë, i cili jep jetën e tij sipas mishit dhe e merr rishtas nëpërmjet fuqisë së Shpirtit, që ai të mund të shkaktojë ringjalljen e të vdekurve.”4

Që nga dita kur vëllai i Profetit, Samuel Smithi, e mbushi trastën e tij me kopje të saposhtypura të Librit të Mormonit dhe u nis në këmbë për të shpërndarë shkrimin e ri të shenjtë, shenjtorët kanë punuar pa reshtur “që këto gjëra t’u[a] bë[jnë] të njohura banorëve të tokës”.

Në vitin 1920, Plaku Dejvid O. Mek-Kei, në atë kohë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, filloi një turne njëvjeçar në misionet e Kishës. Në maj të vitit 1921, ai po qëndronte në një varrezë të vogël në Fagali të Samoas, përpara varreve të mbajtura mirë të tre fëmijëve të vegjël, bijës dhe dy djemve të Tomas dhe Sara Hiltonit. Këta vogëlushë – më i madhi ishte dy vjeç – vdiqën gjatë kohës kur Tomasi dhe Sara shërbyen si një çift i ri misionarësh në fund të viteve 1800.

Përpara se të largohej nga Juta, Plaku Mek‑Kej i premtoi Sarës, që tani është e ve, se ai do t’i vizitonte varret e fëmijëve të saj në Samoa, pasi ajo kurrë nuk kishte mundur të kthehej atje. Plaku Mek‑Kej i shkroi në kthim asaj: “Tre vogëlushët tuaj, Motra Hilton, me ndikim të madh edhe në heshtjen e tyre … vazhdojnë punën tuaj fisnike misionare që filloi gati tridhjetë vjet më parë”. Pastaj ai shtoi një strofë që e kishte shkruar vetë:

Nga duar të dashura, sytë e tyre të vdekur u mbyllën,

Nga duar të dashura, gjymtyrët e tyre të vogla u rregulluan,

Nga duar të huaja, varret e tyre të thjeshta u zbukuruan,

Nga të panjohurit u nderuan dhe nga të panjohurit u vajtuan.5

Kjo histori është vetëm njëra nga mijëra, qindra mijërat, që flasin për kohën, thesarin dhe jetët që u sakrifikuan gjatë 200 viteve të fundit për të shpërndarë mesazhin e Rivendosjes. Aspirata jonë për të arritur te çdo komb, fis, gjuhë dhe popull nuk është zvogëluar sot, ashtu siç dëshmohet nga dhjetëra mijëra të rinj, të reja dhe çifte të cilët aktualisht shërbejnë në thirrje misioni me kohë të plotë; nga anëtarë të Kishës përgjithësisht, të cilët i bëjnë jehonë ftesës së Filipit për të ardhur dhe për të parë6; dhe nga miliona dollarë që shpenzohen çdo vit për ta mbështetur këtë përpjekje anembanë botës.

Ndërkohë që ftesat tona janë jodetyruese, ne shpresojmë se ato do t’u duken bindëse njerëzve. Që kjo të ndodhë, besoj se kërkohen të paktën tri gjëra: së pari, dashuria juaj; së dyti, shembulli juaj; dhe së treti, përdorimi nga ana juaj e Librit të Mormonit.

Ftesat tona nuk mund të jenë një çështje e interesit vetjak; përkundrazi, ato duhet të jenë shprehje e një dashurie vetëmohuese.7 Kjo dashuri, e njohur si dashuri hyjnore, dashuria e pastër e Krishtit, është e jona për ta kërkuar. Neve na ftojnë, madje na urdhërojnë, që t’i “lut[emi] Atit me gjithë fuqinë e zemrës s[onë], që të mbushe[m]i me këtë dashuri”8.

Si shembull, po jap një përvojë që tregohet nga Motra Lanet Ho Çing, që aktualisht shërben me bashkëshortin e saj, Presidentin Frensis Ho Çing, i cili kryeson në Misionin e Samoas, Apia. Motra Ho Çing tregon:

“Vite më parë, familja jonë e re u shpërngul në një shtëpi të vockël në Laie të Havait. Streha e vendparkimit të makinës në shtëpinë tonë ishte shndërruar në një apartament me vetëm një dhomë kryesore, ku jetonte një burrë me emrin Xhonatan. Xhonatani kishte qenë fqinji ynë në një vend tjetër. Duke menduar se nuk ishte rastësi fakti që Zoti na kishte bashkuar, vendosëm që të ishim më të hapur rreth veprimtarive dhe anëtarësisë sonë në Kishë. Xhonatani kënaqej nga miqësia jonë dhe i pëlqente shumë të kalonte kohë me familjen tonë. Atij i pëlqente që të mësonte për ungjillin, por nuk ishte i interesuar që t’i përkushtohej Kishës.

Me kalimin e kohës, fëmijët filluan ta thërrisnin Xhonatanin me nofkën ‘xhaxhi Xhonatani’. Teksa familja jonë vazhdoi të rritej, kështu u rrit edhe interesi i Xhonatanit për ndodhitë tona. Ftesat tona për festa gjatë ditëve të pushimit, ditëlindje, ngjarje shkollore dhe veprimtari të Kishës u zgjeruan në ftesa për mbrëmje familjare dhe pagëzimet e fëmijëve.

Një ditë, mora një telefonatë nga Xhonatani. Kishte nevojë për ndihmë. Ai vuante nga diabeti dhe kjo i kishte krijuar një infeksion të rëndë në këmbë, që kërkonte prerjen e saj. Familja jonë dhe anëtarët e lagjes në Kishë që i kishim fqinjë, qëndruan krah tij gjatë gjithë kohës së sprovës. Ne shkonim me radhë në spital dhe atij iu dhanë bekime priftërie. Ndërkohë që Xhonatani po rehabilitohej, me ndihmën e motrave të Shoqatës së Ndihmës, ne pastruam apartamentin e tij. Vëllezërit e priftërisë ndërtuan një platformë të tatëpjetë te pragu i derës dhe doreza që të mbahej në banjë. Kur Xhonatani u kthye në shtëpi, u mbush me emocion.

Xhonatani filloi t’i merrte sërish mësimet nga misionarët. Javën përpara Vitit të Ri, ai më telefonoi dhe më pyeti: ‘Çfarë do të bëni për Vit të Ri?’ I kujtova festën tonë të përvitshme. Por në vend të kësaj, ai u përgjigj: ‘Dua që të vini në pagëzimin tim! Dua ta filloj në mënyrën e duhur këtë vit të ri.’ Pas 20 vjetësh të ftesave ‘eja e shiko’, ‘eja e ndihmo’ dhe ‘eja e qëndro’, ky shpirt i çmuar ishte gati të pagëzohej.

Në vitin 2018, kur u thirrëm të ishim president i misionit dhe shoqëruesja e tij, shëndeti i Xhonatanit po përkeqësohej. Iu përgjëruam që të qëndronte i fortë në pritje të kthimit tonë. Ai vazhdoi për gati një vit, por Zoti po e përgatiste që të kthehej në shtëpi. Ai ndërroi jetë paqësisht në prill 2019. Bijat e mia morën pjesë në varrimin e ‘xhaxhi Xhonatanit’ të tyre dhe kënduan të njëjtën këngë që kënduam në pagëzimin e tij.”

E paraqes kërkesën e dytë për shpërndarjen me sukses të mesazhit të Rivendosjes me këtë pyetje: Çfarë është ajo gjë që do ta bëjë ftesën tuaj tërheqëse për dikë? A nuk është vetja juaj, shembulli i jetës suaj? Shumë njerëz që e kanë dëgjuar dhe pranuar mesazhin e Rivendosjes fillimisht u tërhoqën nga perceptimet e tyre rreth një anëtari ose anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit. Mund të ketë qenë mënyra se si ata i trajtonin të tjerët, gjërat që thanë ose nuk i thanë, qëndrueshmëria që shfaqën në situata të vështira, apo thjesht shprehja e fytyrës së tyre.9

Cilado qoftë, ne nuk mund t’i shpëtojmë faktit se kemi nevojë t’i kuptojmë dhe t’i jetojmë parimet e ungjillit të rivendosur sa më mirë që mundemi, në mënyrë që ftesat tona të jenë tërheqëse. Është diçka që sot përmendet shpesh si vërtetësi. Nëse dashuria e Krishtit banon brenda nesh, të tjerët do ta dinë se dashuria jonë për ta është e çiltër. Nëse drita e Shpirtit të Shenjtë digjet brenda nesh, ajo do të rindezë Dritën e Krishtit brenda tyre.10 Ajo që ju jeni, do t’i japë vërtetësi ftesës suaj që të vijnë për të përjetuar gëzimin e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit.

Kërkesa e tretë është përdorimi i shpeshtë i mjetit të kthimit në besim, të cilin Perëndia e caktoi për këtë periudhë të fundit ungjillore, Librin e Mormonit. Ajo është një provë konkrete e thirrjes profetike të Jozef Smithit dhe provë bindëse e natyrës hyjnore dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit. Shpjegimi në libër i planit të Atit tonë Qiellor për shëlbimin është i pashoq. Kur e shpërndani Librin e Mormonit, ju shpërndani Rivendosjen.

Kur Xheison Olseni ishte adoleshent, ai u paralajmërua vazhdimisht nga pjesëtarët e familjes dhe të tjerët që të mos bëhej i krishterë. Sidoqoftë, ai kishte dy miq të mirë, të cilët ishin anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, dhe ata shpesh diskutonin për fenë. Miqtë e tij, Shea dhe Dejvi, i kundërshtuan me respekt argumentet që të tjerët i kishin dhënë Xheisonit kundër besimit te Jezu Krishti. Më në fund, ata i dhanë një kopje të Librit të Mormonit, duke thënë: “Ky libër do t’u japë përgjigje pyetjeve të tua. Të lutemi, lexoje atë.” Ai e pranoi me ngurrim librin dhe e futi në çantën e shpinës, ku qëndroi atje për disa muaj. Ai nuk donte ta linte në shtëpi ku familja e tij mund ta shihte dhe nuk donte t’i zhgënjente Shean dhe Dejvin duke ua kthyer atë. Më në fund, ai arriti në zgjidhjen që ta digjte librin.

Një natë, me një çakmak në njërën dorë dhe Librin e Mormonit në dorën tjetër, ai qe gati t’i vinte flakën librit kur dëgjoi një zë në mendjen e tij që i tha: “Mos e digj librin tim”. I trembur, ndaloi. Më pas, duke menduar se e kishte përfytyruar zërin, ai u përpoq sërish që të ndizte çakmakun. Sërish, në mendjen e tij erdhi zëri: “Shko në dhomën tënde dhe lexoje librin tim”. Xheisoni e largoi çakmakun, u kthye në dhomën e tij të gjumit, e hapi Librin e Mormonit dhe filloi ta lexonte. Vazhdoi ditë pas dite, shpesh deri në orët e para të mëngjesit. Kur Xheisoni arriti në fund të librit dhe u lut, ai shënoi: “U mbusha me Shpirtin nga maja e kokës deri në fund të këmbëve. … U ndjeva plot dritë. … Ishte përvoja më e gëzueshme që kisha pasur ndonjëherë në jetën time”. Ai kërkoi të pagëzohej dhe më vonë u bë vetë misionar.

Ndoshta nuk kam nevojë ta them se pavarësisht nga dashuria dhe sinqeriteti i vërtetë, shumë, në mos shumica e ftesave tona për të shpërndarë mesazhin e Rivendosjes, do të refuzohen. Por mbajeni mend këtë: çdo njeri është i denjë për një ftesë të tillë – “të gjithë janë njësoj para Perëndisë”11; Zoti është i kënaqur me çdo përpjekje që bëjmë, pavarësisht nga rezultati; një ftesë e refuzuar nuk është arsye që shoqëria jonë të marrë fund; dhe mungesa e interesit sot shumë mirë mund të kthehet në interes nesër. Pavarësisht nga kjo, dashuria jonë mbetet e pandryshueshme.

Le të mos harrojmë se Rivendosja ka dalë nga prova dhe sakrifica të mëdha. Kjo është një temë për një ditë tjetër. Sot ne gëzohemi në frytet e Rivendosjes, ku njëra nga më të shquarat është fuqia që të lidhemi edhe një herë në tokë e në qiell.12 Siç u shpreh vite më parë nga Presidenti Gordon B. Hinkli: “Nëse asgjë tjetër nuk do të dilte nga gjithë pikëllimi, puna e rëndë dhe dhembja e rivendosjes përveçse fuqia vulosëse e priftërisë së shenjtë për t’i lidhur së bashku familjet përgjithmonë, do t’ia vlente e gjithë çfarë ajo ka kushtuar”13.

Premtimi përfundimtar i Rivendosjes është shëlbimi nëpërmjet Jezu Krishtit. Ringjallja e Jezu Krishtit është prova se Ai, në fakt, zotëron fuqi për t’i shëlbuar të gjithë ata që do të vijnë tek Ai – për t’i shëlbuar ata nga pikëllimi, padrejtësia, keqardhja, mëkati, madje dhe vdekja. Sot është e diela e Palmave; si sot një javë është Pashkë. Ne kujtojmë, gjithmonë e kujtojmë, vuajtjen dhe vdekjen e Krishtit që të shlyente për mëkatet tona, dhe ne kremtojmë të dielën më të mrekullueshme, ditën e Zotit, në të cilën Ai u ngrit së vdekuri. Për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, ka kuptim Rivendosja, ka kuptim jeta jonë e vdekshme dhe përfundimisht ka kuptim vetë ekzistenca jonë.

Jozef Smithi, profeti i madh i Rivendosjes, ofron dëshminë më të rëndësishme të kohës sonë për Krishtin e ringjallur: “Se ai jeton! Sepse ne e pamë atë, madje në të djathtën e Perëndisë.”14 I shtoj përulësisht dëshminë time asaj të Jozefit dhe të apostujve dhe profetëve para tij dhe të apostujve dhe profetëve që e kanë pasuar atë, se Jezusi i Nazaretit është Mesia i premtuar, Biri i Vetëmlindur i Perëndisë dhe Shëlbuesi i ringjallur i gjithë njerëzimit.

“Ne dëshmojmë se ata që me lutje e studiojnë mesazhin e Rivendosjes dhe veprojnë me besim, do të bekohen të fitojnë vetë dëshminë e tyre për hyjninë e saj dhe qëllimin e saj për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të premtuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.”15 Ringjallja e Krishtit i bën të sigurta premtimet e Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.