2020
Bekimi i Zbulesës së Vazhdueshme të Dhënë Profetëve dhe i Zbulesës Vetjake për ta Udhërrëfyer Jetën Tonë
maj 2020


Bekimi i Zbulesës së Vazhdueshme të Dhënë Profetëve dhe i Zbulesës Vetjake për ta Udhërrëfyer Jetën Tonë

Zbulesa e vazhdueshme është marrë dhe po merret nëpërmjet kanaleve që Zoti ka vendosur.

Sot do të flas mbi zbulesën e vazhdueshme të dhënë profetëve dhe mbi zbulesën vetjake për ta udhërrëfyer jetën tonë.

Nganjëherë ne marrim zbulesë edhe kur nuk i njohim qëllimet e Zotit. Pak kohë përpara se Plaku Xhefri R. Holland të thirrej që të ishte Apostull në qershorin e vitit 1994, unë pata një përvojë të bukur zbulese që ai do të thirrej. Isha përfaqësues krahinor dhe nuk mund të shihja arsye pse do të më jepej ajo njohuri. Por ne ishim shokë kur ishim misionarë të rinj në moshë në Angli në fillim të viteve 1960 dhe unë kisha dashuri të madhe për të. E konsiderova përvojën si një mëshirë të dhembshur ndaj meje. Në vitet e fundit, kam vrarë mendjen nëse Zoti po më përgatiste të isha më i ri në detyrë tek Të Dymbëdhjetët ndaj një shoku të hatashëm misionar që ishte shoku im më i ri në detyrë kur ishim misionarë të rinj në moshë.1 Nganjëherë i paralajmëroj misionarët e rinj në moshë që të jenë të sjellshëm me shokët e tyre më të rinj në detyrë, sepse nuk i dihet kurrë se kur ata mund të jenë shoku i tyre më i vjetër në detyrë.

Unë kam një dëshmi të palëkundur se kjo Kishë e rivendosur udhëhiqet nga Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Ai e di se cilët të thërrasë si Apostujt e Tij dhe sipas cilës radhë t’i thërrasë ata. Ai gjithashtu e di se si ta përgatitë Apostullin e Tij më të vjetër në detyrë që të jetë profeti dhe Presidenti i Kishës.

U bekuam këtë mëngjes kur e dëgjuam profetin tonë të dashur, Presidentin Rasëll M. Nelson, të jepte një proklamatë të thellë në dyqindvjetor drejtuar botës në lidhje me Rivendosjen e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit.2 Kjo deklaratë thelbësore nga Presidenti Nelson e ka bërë të qartë se Kisha e Jezu Krishtit ia detyron zanafillën, ekzistencën dhe drejtimin e saj për të ardhmen parimit të zbulesës së vazhdueshme. Proklamata e re përfaqëson komunikimin e një Ati të dashur ndaj fëmijëve të Tij.

Në një kohë më të hershme, Presidenti Spenser W. Kimball shprehu ndjenjat që unë kam sot. Ai shpalli: “Nga të gjitha gjërat për të cilat … duhet të jemi më mirënjohës, është që qiejt vërtet janë hapur dhe që Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit është themeluar mbi shkëmbin e zbulesës. Zbulesa e vazhdueshme është vërtet vetë elementi jetësor i ungjillit të Zotit dhe Shpëtimtarit të gjallë, Jezu Krishtit.”3

Profeti Enok i parashikoi ditët në të cilat ne jetojmë. Zoti ia tregoi Enokut ligësinë e madhe që do të mbizotëronte, dhe profetizoi për “mundime të mëdha” që do të ndodhnin. Megjithatë, Zoti premtoi: “Por popullin tim unë do ta ruaj”4. “Dhe drejtësi do të dërgoj nga qiejt; dhe të vërtetë do të dërgoj nga toka, për të dhënë dëshmi për të Vetëmlindurin tim.”5

Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim me fuqi të madhe që Libri i Mormonit, guri kyç i besimit tonë, doli nga toka në përmbushje të deklarimit që Zoti ia bëri Enokut. Ati e Biri dhe engjëjt e profetët që iu shfaqën Profetit Jozef Smith, u “drejtuan nga qielli për të rivendosur fuqitë e domosdoshme të mbretërisë”6.

Profeti Jozef Smith mori zbulesë pas zbulese. Disa prej tyre janë përmendur gjatë kësaj konference. Shumë zbulesa të marra nga Profeti Jozef janë ruajtur për ne te Doktrina e Besëlidhje. Të gjitha veprat standarde të Kishës përmbajnë mendjen dhe vullnetin e Zotit për ne në këtë periudhë të fundit ungjillore.7

Përveç këtyre shkrimeve të shenjta të shkëlqyera e themelore, ne bekohemi me zbulesë të vazhdueshme, të dhënë profetëve të gjallë. Profetët janë “agjentë të porositur të Zotit, të autorizuar që të flasin për Të”8.

Disa zbulesa kanë rëndësi monumentale dhe të tjera e rritin kuptueshmërinë tonë për të vërteta hyjnore, thelbësore dhe japin udhërrëfim për kohën tonë.9

Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për zbulesën e dhënë Presidentit Spenser W. Kimball që ua mundësoi priftërinë dhe bekimet e tempullit të gjithë anëtarëve të denjë meshkuj të Kishës në qershor 1978.10

Unë kam shërbyer me shumë prej Të Dymbëdhjetëve që ishin të pranishëm dhe morën pjesë kur u mor ajo zbulesë e çmuar. Secili prej tyre, në bashkëbisedime vetjake, pohoi udhërrëfimin shpirtëror, të fuqishëm e bashkues që Presidenti Kimball dhe ata kishin përjetuar. Shumë prej tyre thanë se ishte zbulesa më e fuqishme që ata kishin marrë përpara ose pas asaj kohe.11

Ata prej nesh që po shërbejnë tani në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, janë bekuar në kohën tonë teksa zbulesa thelbësore kanë ardhur nëpërmjet profetëve të sotëm.12 Presidenti Rasëll M. Nelson ka qenë një agjent i porositur nga Zoti veçanërisht në lidhje me zbulesat për t’i ndihmuar familjet që të ndërtojnë shenjtërore besimi në shtëpitë e tyre, ta mbledhin Izraelin e shpërndarë në të dyja anët e velit dhe t’i bekojnë anëtarët që e kanë marrë dhurimin [indaumentin], në çështjet e ordinancave të shenjta të tempullit.

Kur ndryshime të rëndësishme për t’i bekuar shtëpitë tona u shpallën në konferencën e përgjithshme të tetorit 2018, unë dëshmova “se në diskutimet e Këshillit të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në tempull … pasi profeti ynë i dashur i bëri kërkesë Zotit për zbulesë …, u mor një pohim i fuqishëm nga të gjithë”13.

Në atë kohë, zbulesa të tjera lidhur me ordinancat e shenjta të tempullit ishin marrë, por nuk ishin shpallur apo vënë në zbatim.14 Ky udhërrëfim filloi me zbulesën vetjake, profetike, të dhënë Presidentit Rasëll M. Nelson dhe pohimin e dhembshur e të fuqishëm të dhënë atyre që merrnin pjesë në atë proces. Presidenti Nelson posaçërisht i përfshiu motrat që kryesojnë mbi organizatat e Shoqatës së Ndihmës, Të Rejave dhe Fillores. Udhërrëfimi përfundimtar, në tempull, që iu dha Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ishte thellësisht shpirtëror dhe i fuqishëm. Ne secili e dinim që kishim marrë mendjen, vullnetin dhe zërin e Zotit.15

Unë deklaroj gjithë solemnitet se zbulesa e vazhdueshme është marrë dhe po merret nëpërmjet kanaleve që Zoti ka vendosur. Unë dëshmoj se proklamata e re që Presidenti Nelson dha këtë mëngjes, është një zbulesë për të bekuar të gjithë njerëzit.

Ne u Bëjmë të Gjithëve një Ftesë që të Ushqehen me Bollëk në Tryezën e Zotit

Ne gjithashtu shpallim dëshirën tonë të përzemërt që të bashkohemi sërish me ata që kanë qenë në vështirësi me dëshmitë e tyre, kanë qenë më pak aktivë ose u janë hequr emrat nga dokumentet e Kishës. Ne dëshirojmë që të ushqehemi me bollëk bashkë me ju “me fjalët e Krishtit”, në tryezën e Zotit, për të mësuar gjërat që ne të gjithë duhet të bëjmë.16 Ne kemi nevojë për ju! Kisha ka nevojë për ju! Zoti ka nevojë për ju! Lutja jonë e përzemërt është që ju do të bashkoheni me ne në adhurimin e Shpëtimtarit të botës. E dimë se disa prej jush mund të kenë përjetuar fyerje, mungesë dashamirësie ose sjellje tjetër që nuk është si e Krishtit. E dimë gjithashtu se disa kanë pasur sfida lidhur me besimin e tyre që nuk mund të vlerësohen, kuptohen apo zgjidhen plotësisht.

Disa prej anëtarëve tanë më të paepur dhe besnikë, kanë vuajtur një sfidë lidhur me besimin të tyre për një periudhë. Më pëlqen shumë tregimi i vërtetë për W. W. Felpsin, që e pati braktisur Kishën dhe pati dëshmuar kundër Profetit Jozef Smith në një gjykatë të Misurit. Pasi u pendua, ai i shkroi Jozefit: “E njoh gjendjen time, ju e dini atë dhe Perëndia e di atë, dhe unë dëshiroj të shpëtohem nëse miqtë e mi do të më ndihmojnë”17. Jozefi vërtet e fali atë, e vuri sërish në punë dhe shkroi me dashuri: “Miqtë e fillimit janë miq përsëri më së fundi”18.

Vëllezër dhe motra, pavarësisht nga gjendja juaj, ju lutem ta dini se Kisha dhe anëtarët e saj do t’ju mirëpresin kur të ktheheni!

Zbulesa Vetjake për ta Udhërrëfyer Jetën Tonë

Zbulesa vetjake është në dispozicion për të gjithë ata që me përulësi kërkojnë udhërrëfim nga Zoti. Është po aq e rëndësishme sa zbulesa profetike. Zbulesa vetjake, shpirtërore, nga Fryma e Shenjtë ka sjellë si rezultat që miliona veta të marrin dëshminë e nevojshme që të pagëzohen dhe konfirmohen si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Zbulesa vetjake është bekimi i thellë, i marrë pas pagëzimit kur ne “shenjtërohe[m]i nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë”19. Mund të kujtoj një zbulesë shpirtërore të veçantë kur isha 15 vjeç. Vëllai im i shtrenjtë po kërkonte udhërrëfim nga Zoti mbi mënyrën se si t’i përgjigjej atit tonë të dashur që nuk dëshironte që vëllai im të shërbente në një mision. Edhe unë u luta me qëllim të sinqertë dhe mora zbulesë vetjake për vërtetësinë e ungjillit.

Roli i Frymës së Shenjtë

Zbulesa vetjake bazohet mbi të vërtetat shpirtërore të marra nga Fryma e Shenjtë.20 Fryma e Shenjtë është ai që zbulon dhe dëshmon për gjithë të vërtetën, veçanërisht atë për Shpëtimtarin. Pa Frymën e Shenjtë, ne nuk mund ta dimë vërtet se Jezusi është Krishti. Roli i tij thelbësor është që të japë dëshmi për Atin dhe Birin, për titujt e Tyre dhe lavdinë e Tyre.

Fryma e Shenjtë mund të ndikojë te çdo njeri në një mënyrë të fuqishme.21 Ky ndikim nuk do të jetë i vazhdueshëm në qoftë se personi nuk pagëzohet dhe nuk e merr dhuratën e Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë shërben gjithashtu si një agjent pastrues në procesin e pendimit dhe faljes.

Shpirti komunikon në mënyra të mrekullueshme. Zoti përdori këtë përshkrim të bukur:

“Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde.

Tani, vër re, ky është shpirti i zbulesës.”22

Edhe pse efekti i tij mund të jetë jashtëzakonisht i fuqishëm, shumicën e rasteve ai vjen si një zë i qetë, i vogël.23 Shkrimet e shenjta përmbajnë shumë shembuj të mënyrës se si Shpirti ndikon në mendjen tonë, përfshirë duke i folur paqe mendjes sonë24, duke e pushtuar mendjen tonë25, duke e ndriçuar mendjen tonë26 dhe madje duke na përçuar një zë në mendjen tonë.27

Disa parime që na përgatitin për të marrë zbulesë, përfshijnë:

  • Lutjen për udhërrëfim shpirtëror. Me nderim dhe përulësi neve na nevojitet të kërkojmë dhe të pyesim28, si dhe të jemi të duruar e të nënshtruar.29

  • Përgatitjen për frymëzim. Kjo kërkon që të jemi në harmoni me mësimet e Zotit dhe në pajtim me urdhërimet e Tij.

  • Marrjen e sakramentit me denjësi. Kur e bëjmë këtë, ne i dëshmojmë Perëndisë dhe besëlidhim me Të se e marrim mbi vete emrin e Birit të Tij të shenjtë, se e kujtojmë Atë dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij.

Këto parime na përgatitin t’i marrim, t’i dallojmë dhe t’i ndjekim nxitjen dhe udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë. Kjo përfshin “gjërat paqësore … që sjellin gëzim [dhe] … jetë të përjetshme”30.

Përgatitja jonë shpirtërore shtohet shumë kur ne i studiojmë rregullisht shkrimet e shenjta dhe të vërtetat e ungjillit si dhe përsiatim në mendjen tonë udhërrëfimin që kërkojmë. Por mbani mend të jeni të duruar dhe të mirëbesoni në kohën e Zotit. Udhërrëfimi jepet nga një Zot i gjithëdijshëm kur Ai “e zgjedh qëllimisht të na udhëzojë”31.

Zbulesa në Thirrjet dhe Caktimet Tona

Fryma e Shenjtë gjithashtu do të sigurojë zbulesë në thirrjet dhe caktimet tona. Nga përvoja ime, udhërrëfimi thelbësor shpirtëror vjen më së shpeshti kur po përpiqemi t’i bekojmë të tjerët në përmbushje të përgjegjësive tona.

Më kujtohet që kur isha peshkop i ri në moshë, mora një thirrje telefonike të dëshpëruar nga një çift i martuar, pak kohë përpara orës së planifikuar që të nisja një udhëtim me aeroplan për një angazhim pune. Iu përgjërova Zotit përpara mbërritjes së tyre që ta dija se si mund t’i bekoja ata. M’u zbulua natyra e problemit dhe përgjigjja që duhej të jepja. Ai udhërrëfim zbulese më lejoi t’i përmbushja përgjegjësitë e shenjta të thirrjes sime si peshkop pavarësisht nga koha shumë e kufizuar në dispozicion. Peshkopët në mbarë botën gjithashtu kanë të njëjtat lloje përvojash si unë. Si president kunji, jo vetëm që mora zbulesë të rëndësishme, por mora gjithashtu edhe korrigjim vetjak që ishte i nevojshëm për të përmbushur qëllimet e Zotit.

Ju siguroj se udhërrëfim zbulese mund të merret nga secili prej nesh teksa punojmë me përulësi në vreshtin e Zotit. Shumica e udhërrëfimit tonë vjen nga Fryma e Shenjtë. Nganjëherë dhe për disa qëllime, ajo vjen drejtpërsëdrejti nga Zoti. Unë dëshmoj personalisht se kjo është e vërtetë. Udhërrëfimi për Kishën, si një e tërë, i vjen Presidentit dhe profetit të Kishës.

Ne, si Apostuj modernë, kemi pasur privilegjin të punojmë dhe të udhëtojmë me profetin tonë të tanishëm, Presidentin Nelson. Po e parafrazoj atë që Uillford Udrafi tha për Profetin Jozef Smith; është po aq e vërtetë për Presidentin Nelson. Unë kam parë “veprat e Shpirtit të Perëndisë me të, dhe zbulesat e Jezu Krishtit drejtuar atij, dhe plotësimin e atyre zbulesave”32.

Përgjërimi im i përulur sot është që secili prej nesh do të kërkojë zbulesë të vazhdueshme për ta udhërrëfyer jetën tonë dhe për ta ndjekur Shpirtin teksa e adhurojmë Perëndinë, Atin, në emrin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, për të cilin unë jap dëshmi, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Në vitin 1960 kur mosha për shërbimin misionar për të rinjtë u ul nga 20 në 19 vjeç, unë isha një nga të fundit e 20‑vjeçarëve; Plaku Xhefri R. Holland ishte një nga të parët e 19‑vjeçarëve.

  2. Shih “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, te Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 91. Kjo proklamatë bashkohet me pesë të tjera që janë dhënë në këtë periudhë ungjillore nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve.

  3. Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), f. 243; shih edhe Mateu 16:13–19.

  4. Moisiu 7:61.

  5. Moisiu 7:62. Zoti vazhdoi: “Dhe drejtësi dhe të vërtetë do të bëj të derdhet mbi tokë si në një përmbytje, për të mbledhur të zgjedhurit e mi nga të katër skajet e tokës” (Moisiu 7:62; shih edhe Psalmeve 85:11).

  6. Ezra Taft Benson, “The Gift of Modern Revelation”, Ensign, nëntor 1986, f. 80.

  7. Shih Ezra Taft Benson, “The Gift of Modern Revelation”, f. 80.

  8. Hugh B. Brown, “Joseph Smith among the Prophets” (Sixteenth Annual Joseph Smith Memorial Sermon, Logan Institute of Religion, 7 dhjetor 1958), f. 7.

  9. Shih Hugh B. Brown, “Joseph Smith among the Prophets”, f. 7. Në të gjitha rastet, zbulesat janë në harmoni me fjalën e Perëndisë të dhënë profetëve të mëparshëm.

  10. Shih Deklarata Zyrtare 2; shih edhe 2 Nefi 26:33. Zbulesa vuri në zbatim doktrinën e paraqitur në Librin e Mormonit që “të gjithë janë njësoj para Perëndisë”, përfshirë “të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra” (2 Nefi 26:33). Kjo zbulesë e mrekullueshme u mor dhe u pohua në dhomën e shenjtë, të sipërme të Tempullit të Solt-Lejkut nga Këshilli i Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

  11. Shumë prej Apostujve treguan se zbulesa ishte kaq e fuqishme dhe kaq e shenjtë saqë çfarëdo fjalësh të përdorura për ta përshkruar atë do të ishin të pamjaftueshme dhe, në disa mënyra, do ta pakësonin natyrën e thellë dhe të fuqishme të zbulesës.

  12. Shih “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, maj 2017, f. 145. Kjo proklamatë u shpall nga Presidenti Gordon B. Hinkli në mbledhjen e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës të mbajtur më 23 shtator 1995, në Solt‑Lejk‑Siti në Jutë. Shih edhe Tomas S. Monson, “Mirësevini në Konferencë”, Liahona, nëntor 2012, f. 4–5. Presidenti Monson njoftoi një kërkesë për moshë më të ulët për shërbimin misionar.

  13. Kuentin L. Kuk, “Kthim i Thellë dhe Afatgjatë në Besimin tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht”, Liahona, nëntor 2018, f. 11.

  14. Zbulesat lidhur me ordinancat e shenjta të tempullit u vunë në zbatim në të gjithë tempujt duke filluar nga data 1 janar 2019. Është e rëndësishme të kuptohet se hollësi të veçanta mbi ordinancat e tempullit diskutohen vetëm në tempull. Megjithatë, parimet jepen mësim. Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim shumë bukur për rëndësinë e besëlidhjeve dhe ordinancave të tempullit dhe se si nëpërmjet tyre “fuqia e perëndishmërisë mund të vërshojë në jetën tonë” (“Kjo Shtëpi Duhet të Ndërtohet për Emrin Tim”, Liahona, maj 2020, f. 86).

  15. Ky proces dhe mbledhjet e mbajtura ndodhën në Tempullin e Solt-Lejkut në janar, shkurt, mars dhe prill 2018. Zbulesa e fundit e dhënë Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve ndodhi më 26 prill 2018.

  16. Shih 2 Nefi 32:3.

  17. Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days [Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme], vëll. 1, The Standard of Truth [Standardi i së Vërtetës], 1815–1846 (2018), f. 418.

  18. Saints,1:418.

  19. 3 Nefi 27:20.

  20. Fryma e Shenjtë është një anëtar i Kreut‑Perëndi (shih 1 Gjon 5:7; Doktrina e Besëlidhje 20:28). Ai ka një trup prej shpirti në formën dhe ngjashmërinë e njeriut (shih Doktrina e Besëlidhje 130:22). Ndikimi i tij mund të jetë kudo. Ai është i bashkuar në qëllim me Atin tonë Qiellor dhe Jezu Krishtin, Shpëtimtarin tonë.

  21. Për një kuptueshmëri gjithëpërfshirëse të Dritës së Krishtit dhe të dallimit midis Dritës së Krishtit dhe Frymës së Shenjtë, shih 2 Nefi 32; Doktrina e Besëlidhje 88:7, 11–13; “Dritë e Krishtit”, Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Shih edhe Boyd K. Packer, “The Light of Christ”, Liahona, prill 2005, f. 8–14.

  22. Doktrina e Besëlidhje 8:2–3.

  23. Shih Helamani 5:30; Doktrina e Besëlidhje 85:6.

  24. Shih Doktrina e Besëlidhje 6:23.

  25. Shih Doktrina e Besëlidhje 128:1.

  26. Shih Doktrina e Besëlidhje 11:13.

  27. Shih Enosi 1:10.

  28. Shih Mateu 7:7–8.

  29. Shih Mosia 3:19.

  30. Doktrina e Besëlidhje 42:61.

  31. Neal A. Maxwell, All These Things Shall Give Thee Experience (2007), f. 31.

  32. Uillford Udraf, në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 301.