Shkrimet e Shenjta
Mosia 16


Kapitulli 16

Perëndia shëlben njerëzit nga gjendja e tyre e humbur dhe e rënë—Ata që janë prej mishi mbesin sikur të mos kishte shëlbim—Krishti bën që të ndodhë një ringjallje për në jetën e pafund ose për në mallkimin e pafund. Rreth 148 para K.

1 Dhe tani, ndodhi që pasi Abinadi pati thënë këto fjalë, ai shtriu dorën dhe tha: Do të vijë koha kur të gjithë do ta shohin shpëtimin e Zotit; kur çdo komb, fis, gjuhë dhe popull do të shikojë sy për sy dhe do të pohojë para Perëndisë se gjykimet e tij janë të drejta.

2 Dhe atëherë të ligjtë do të dëbohen dhe ata do të kenë shkak të ulërijnë, dhe të qajnë, të vajtojnë dhe të kërcëllojnë dhëmbët e tyre; dhe këtë sepse ata nuk deshën të dëgjojnë zërin e Zotit; prandaj Zoti nuk i shëlben ata.

3 Pasi ata janë prej mishi dhe të djallëzuar dhe se djalli ka fuqi mbi ta; po, madje ai gjarpri i vjetër që mashtroi prindërit tanë të parë, që qe shkaku i rënies së tyre; që qe shkaku që i gjithë njerëzimi u bë prej mishi, epshor, i djallëzuar, duke njohur të keqen nga e mira, duke ia nënshtruar veten e tyre djallit.

4 Kështu i gjithë njerëzimi humbi dhe vini re, do të kishin qenë të humbur pafundësisht, po të mos ishte që Perëndia e shëlbeu popullin e tij nga gjendja e tyre e humbur dhe e rënë.

5 Por, kujtoni se ai që qëndron në natyrën e tij prej mishi dhe që vazhdon në udhët e mëkatit dhe të rebelimit kundër Perëndisë, mbetet në gjendjen e tij të rënë dhe djalli ka të gjithë fuqinë mbi të. Prandaj, ai është sikurse të mos ishte bërë shëlbimi, duke qenë një armik ndaj Perëndisë; dhe gjithashtu djalli është një armik ndaj Perëndisë.

6 Dhe tani, në qoftë se nuk do të kishte ardhur Krishti në botë, duke folur për gjëra që do të ndodhin sikur të kishin ndodhur, nuk do të mund të kishte pasur ndonjë shëlbim.

7 Dhe në qoftë se Krishti nuk do të ishte ngritur nga vdekja, ose të mos kishte këputur rripat e vdekjes, që varri të mos kishte fitore dhe që vdekja të mos kishte thumbim, nuk do të kishte pasur ringjallje.

8 Por, ka një ringjallje prandaj varri nuk ka fitore dhe thumbi i vdekjes është gëlltitur në Krishtin.

9 Ai është drita dhe jeta e botës; po, një dritë që është pa mbarim që nuk mund të errësohet kurrë; po, dhe gjithashtu një jetë që është pa mbarim, që nuk mund të ketë më vdekje.

10 Madje kjo vdekshmëri do të veshë pavdekshmëri dhe ky korrupsion do të veshë pakorrupsion dhe do të sillen të qëndrojnë para shufrës së Perëndisë, që të gjykohen prej tij sipas veprave të tyre, qofshin ato të mira ose të liga—

11 Në qoftë se kanë qenë të mira, në ringjalljen e jetës së pafund dhe lumturisë; dhe në qoftë se kanë qenë të liga, në ringjalljen e mallkimit të pafund, duke iu dorëzuar djallit që i ka nënshtruar ata, që është mallkimi—

12 Meqë kishin jetuar sipas vullnetit të mishit dhe të dëshirave të tyre; meqë nuk i kishin thirrur kurrë Zotit, ndërsa krahët e mëshirës ishin shtrirë drejt tyre; pasi krahët e mëshirës ishin shtrirë drejt tyre dhe ata nuk donin meqë ishin paralajmëruar për paudhësitë e tyre dhe nuk largoheshin prej tyre; dhe u urdhëruan që të pendoheshin dhe prapë ata nuk do të pendoheshin.

13 Dhe tani, a nuk duhet të dridheni dhe të pendoheni për mëkatet tuaja dhe të kujtoni se vetëm në dhe nëpërmjet Krishtit ju mund të shpëtoheni?

14 Prandaj, në qoftë se ju mësoni ligjin e Moisiut, mësoni gjithashtu se është një hije e atyre gjërave që kanë për të ardhur—

15 Mësojuni atyre se shëlbimi vjen nëpërmjet Krishtit, Zotit, që është vetë Ati i Amshuar. Amen.