Mosia 22
    Footnotes
    Theme

    Kapitulli 22

    Bëhen plane që njerëzit të ikin nga robëria e Lamanitëve—Lamanitët dehen—Njerëzit ikin, kthehen në Zarahemla dhe bëhen nënshtetas të mbretit Mosia. Rreth 121–120 para K.

    1 Dhe tani ndodhi që Amoni dhe mbreti Limhi filluan të këshilloheshin me njerëzit, sesi mund të shpëtonin nga robëria; dhe ata madje bënë që të gjithë njerëzit të mblidheshin së bashku; dhe këtë ata e bënë që të mund të kishin zërin e popullit në lidhje me çështjen.

    2 Dhe ndodhi që ata nuk mund të gjenin udhë tjetër, që të shpëtonin nga robëria, veçse të merrnin me vete gratë dhe fëmijët e tyre dhe grigjat e tyre, dhe kopetë e tyre, dhe çadrat e tyre dhe të niseshin për në vendin e shkretë; meqë Lamanitët ishin kaq shumë, sa ishte e pamundur për njerëzit e Limhit që të luftonin kundër tyre, duke menduar të çliroheshin nga robëria me anë të shpatës.

    3 Tani, ndodhi që Gideoni shkoi dhe qëndroi para mbretit dhe i tha: Tani, O mbret, ti i ke dëgjuar deri tani shumë herë fjalët e mia, kur kemi luftuar kundër vëllezërve tanë, Lamanitëve.

    4 Dhe tani, O mbret, në qoftë se ti nuk më ke konsideruar shërbëtor të padobishëm, ose në qoftë se deri tani ke dëgjuar sadopak fjalët e mia dhe ato të kanë shërbyer ty, po kështu unë dëshiroj që ti të dëgjosh fjalët e mia këtë herë dhe unë do të jem shërbëtori yt dhe do ta çliroj popullin tënd nga robëria.

    5 Dhe mbreti e lejoi atë që të fliste. Dhe Gideoni i tha atij:

    6 Shiko kalimin e pasmë, përmes murit të pasmë, në pjesën e prapme të qytetit. Lamanitët ose rojat e Lamanitëve gjatë natës janë të dehur; prandaj t’u çojmë fjalë të gjithë njerëzve që të mbledhin tok grigjat dhe kopetë e tyre, që të mund t’i çojnë gjatë natës në vendin e shkretë.

    7 Dhe unë do të shkoj, sipas urdhrit tënd, që t’u paguaj Lamanitëve haraçin e fundit të verës dhe ata do të dehen; dhe ne do të kalojmë nëpër kalimin e fshehtë nga e majta e kampit të tyre, kur ata të jenë të dehur dhe në gjumë.

    8 Kështu, ne do të nisemi me gratë tona dhe me fëmijët tanë, me grigjat tona dhe me kopetë tona për në vendin e shkretë; dhe ne do të udhëtojmë përreth tokës së Shilomit.

    9 Dhe ndodhi që mbreti i dëgjoi fjalët e Gideonit.

    10 Dhe mbreti Limhi bëri që populli të mblidhte grigjat tok; dhe ai u dërgoi Lamanitëve haraçin e verës; dhe ai u dërgoi si dhuratë edhe ca verë tjetër; dhe ata pinë pa u përmbajtur nga vera që mbreti Limhi u dërgoi atyre.

    11 Dhe ndodhi që njerëzit e mbretit Limhi u nisën natën për në vendin e shkretë me grigjat e tyre dhe me kopetë e tyre dhe vajtën rreth e rrotull tokës së Shilomit në vendin e shkretë dhe kthyen drejtim drejt tokës së Zarahemlës, të udhëhequr nga Amoni dhe nga vëllezërit e tij.

    12 Dhe ata kishin marrë me vete në vendin e shkretë të gjithë arin dhe argjendin e tyre dhe gjërat e tyre të çmueshme, që ata mund të mbartnin dhe gjithashtu rezervat e tyre dhe ata vazhduan udhëtimin e tyre.

    13 Dhe pasi ishin për shumë ditë në vendin e shkretë, ata arritën në vendin e Zarahemlës dhe u bashkuan me popullin e Mosias dhe u bënë nënshtetas të tij.

    14 Dhe ndodhi që Mosia i priti me gëzim dhe ai gjithashtu mori aanalet e tyre, si edhe banalet që ishin gjetur nga njerëzit e Limhit.

    15 Dhe tani ndodhi që kur Lamanitët zbuluan që njerëzit e Limhit ishin larguar nga vendi gjatë natës, ata dërguan një ushtri në vendin e shkretë për t’i ndjekur ata;

    16 Dhe pasi i ndoqën për dy ditë, ata nuk mundën t’i ndiqnin më gjurmët e tyre; prandaj ata humbën në vendin e shkretë.