2010–2019
Thesaret Shpirtërore
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


Thesaret Shpirtërore

Ndërkohë që ushtroni besim te Zoti dhe te fuqia e priftërisë së Tij, do të rritet aftësia juaj për t’u mbështetur te ky thesar shpirtëror që Zoti e ka vënë në dispozicionin tuaj.

Faleminderit për atë muzikë të mrekullueshme. Teksa ne të gjithë qëndruam në këmbë për të kënduar atë himn ndërmjetës, “T’Falemi, Per’ndi, për Profetin”, më erdhën dy mendime gjithëpushtuese. Një mendim është për Profetin Jozef Smith, profetin e kësaj periudhe ungjillore. Dashuria dhe admirimi im për të rritet për çdo ditë që kalon. Mendimi i dytë më erdhi kur vështrova nga bashkëshortja ime, bijat, mbesat dhe stërmbesat e mia. Ndjeva se do të më pëlqente të shpallja që secila prej jush jeni pjesë e familjes sime.

Disa muaj më parë, në fund të një sesioni të dhurimit [indaumentit] në tempull, i thashë bashkëshortes sime, Uendit: “Shpresoj që motrat i kuptojnë thesaret shpirtërore që janë për to në tempull”. Motra, shpesh e gjej veten duke menduar për ju, përfshirë dy muaj më parë kur Uendi dhe unë vizituam Harmoninë në Pensilvani.

Pamja
Rivendosja e Priftërisë Aarone

Ky ishte udhëtimi ynë i dytë atje. Që të dyja herët u prekëm thellësisht kur ecëm në atë tokë të shenjtë. Ishte pranë Harmonisë që Gjon Pagëzori iu shfaq Jozef Smithit dhe rivendosi Priftërinë Aarone.

Pamja
Rivendosja e Priftërisë Melkizedeke

Ishte atje që Apostujt Pjetër, Jakob dhe Gjon u shfaqën për të rivendosur Priftërinë Melkizedeke.

Ishte në Harmoni që Ema Hejl Smithi shërbeu si shkruesja e parë e bashkëshortit të saj, ndërkohë që Profeti përkthente Librin e Mormonit.

Ishte gjithashtu në Harmoni që Jozefi mori një zbulesë që shfaqi vullnetin e Zotit për Emën. Zoti e udhëzoi Emën që t’i sqaronte shkrimet e shenjta, të këshillonte Kishën, të merrte Frymën e Shenjtë dhe ta kalonte kohën e saj duke “[mësuar] … shum[ë]”. Ai gjithashtu e këshilloi Emën që t’i “[linte] mënjanë gjërat e kësaj bote dhe të kërko[nte] gjërat e një më të mire” dhe të mbahej fort pas besëlidhjeve të saj me Perëndinë. Zoti e përfundoi udhëzimin e Tij me këto fjalë detyruese: “Ky është zëri im për të gjithë”1.

Gjithçka që ndodhi në këtë zonë, ka rrjedhoja shumë të rëndësishme për jetën tuaj. Rivendosja e priftërisë, së bashku me këshillën e Zotit për Emën, mund ta udhërrëfejnë e ta bekojnë secilën prej jush. Dëshiroj fuqishëm që ju të kuptoni se rivendosja e priftërisë është po aq domethënëse për ju si grua sa ç’është për cilindo burrë. Për shkak se Priftëria Melkizedeke është rivendosur, gratë si edhe burrat që i mbajnë besëlidhjet, kanë të drejtë të përdorin “të gjitha bekime[t] shpirtërore të kishës”2 ose, mund të themi, të gjitha thesaret shpirtërore që Zoti i ka për fëmijët e Tij.

Çdo grua e çdo burrë që bën besëlidhje me Perëndinë dhe i mban ato besëlidhje, dhe që merr pjesë me denjësi në ordinancat e priftërisë, ka të drejtë përdorimi të drejtpërdrejtë të fuqisë së Perëndisë. Ata që e marrin dhurimin në shtëpinë e Zotit, marrin një dhuratë të fuqisë së priftërisë së Perëndisë në saje të besëlidhjes së tyre, së bashku me një dhuratë të njohurisë për të ditur se si të mbështeten tek ajo fuqi.

Qiejt janë thjesht po aq të hapur për gratë që e kanë marrë dhurimin me fuqinë e Perëndisë që rrjedh prej besëlidhjeve të tyre të priftërisë, sa janë të hapur për burrat që mbajnë priftërinë. Unë lutem që kjo e vërtetë do të shënohet në secilën prej zemrave tuaja, sepse besoj se ajo do ta ndryshojë jetën tuaj. Motra, ju keni të drejtën të mbështeteni lirisht te fuqia e Shpëtimtarit për ta ndihmuar familjen tuaj dhe njerëzit e tjerë që i doni.

Tani, ju mund t’i thoni vetes: “Kjo duket e mrekullueshme, por si ta bëj atë? Si mund të marr nga fuqia e Shpëtimtarit në jetën time?”

Nuk do ta gjeni këtë proces të shpjeguar në ndonjë manual. Fryma e Shenjtë do të jetë kujdestari juaj vetjak, ndërkohë që kërkoni të kuptoni se çfarë do të donte Zoti që ju të dini e të bëni. Ky proces nuk është as i shpejtë dhe as i lehtë, por është gjallërues nga ana shpirtërore. Çfarë mund të jetë më emocionuese sesa të punosh me Shpirtin për të kuptuar fuqinë e Perëndisë – fuqinë e priftërisë?

Ajo që mund t’ju them, është se e drejta e përdorimit të fuqisë së Perëndisë në jetën tuaj kërkon të njëjtat gjëra që Zoti e udhëzoi Emën dhe secilën prej jush të bëjë.

Pra, ju ftoj që ta studioni me lutje seksionin 25 te Doktrina e Besëlidhje dhe të zbuloni atë që Fryma e Shenjtë do t’ju mësojë juve. Përpjekja juaj shpirtërore, vetjake do t’ju sjellë gëzim teksa e merrni, kuptoni dhe përdorni fuqinë e cila ju është dhuruar.

Një pjesë e kësaj përpjekjeje do të kërkojë që ju të lini mënjanë shumë gjëra të kësaj bote. Nganjëherë flasim pothuajse të shkujdesur rreth largimit nga bota me grindjen, tundimet e përhapura gjerësisht dhe filozofitë e saj të rreme. Por në të vërtetë që ta bëni këtë gjë, kërkon që ju ta shqyrtoni jetën tuaj me përpikëri të madhe dhe rregullisht. Kur e bëni këtë, Fryma e Shenjtë do t’ju nxitë për atë që nuk është më e nevojshme, që nuk është më e denjë për kohën dhe energjinë tuaj.

Kur e largoni përqendrimin tuaj nga shpërqendrimet e botës, disa gjëra që ju duken të rëndësishme tani, do të kenë përparësi më të vogël. Do t’ju nevojitet t’u thoni jo disa gjërave, edhe pse mund të duken të padëmshme. Teksa e filloni dhe e vazhdoni këtë proces të përkushtimit të jetës suaj ndaj Zotit, i cili zgjat gjatë gjithë jetës suaj, do t’ju mahnitin ndryshimet në perspektivën, ndjenjat dhe forcën tuaj shpirtërore.

Tani, një këshillë paralajmëruese. Ka nga ata që do ta nënvleftësonin aftësinë tuaj për t’i bërë thirrje fuqisë së Perëndisë. Ka disa njerëz që do t’ju bënin të dyshonit te vetja juaj dhe ta zvogëlonin shumë aftësinë tuaj të shkëlqyer shpirtërore si një grua e drejtë.

Patjetër, kundërshtari nuk do që ju ta kuptoni besëlidhjen që bëtë kur u pagëzuat ose dhurimin domethënës të diturisë dhe fuqisë që keni marrë ose do të merrni në tempull – në shtëpinë e Zotit. Dhe Satani sigurisht nuk dëshiron që ju të kuptoni se çdo herë që shërbeni dhe adhuroni denjësisht në tempull, ju largoheni të armatosura me fuqinë e Perëndisë dhe me engjëjt e Tij që “ngarkohen me përgjegjësi për” ju.3

Satani dhe ithtarët e tij vazhdimisht do të sajojnë pengesa përgjatë udhës që të mos ju lejojnë të kuptoni dhuratat shpirtërore me të cilat jeni bekuar dhe mund të bekoheni. Për fat të keq, disa pengesa mund të jenë si rrjedhojë e sjelljes së gabuar të dikujt tjetër. Pikëllohem kur mendoj që ndonjëra prej jush është ndier e pavlerësuar ose që një udhëheqës priftërie nuk e ka besuar atë, ose është keqtrajtuar apo tradhtuar nga një bashkëshort, baba ose nga dikush që mendonte se e kishte mik. Ndiej hidhërim të thellë që ndonjëra prej jush është ndier e mënjanuar, e parespektuar ose e gjykuar gabim. Fyerje të tilla nuk kanë vend në mbretërinë e Perëndisë.

Anasjelltas, më ngrohet zemra kur mësoj për udhëheqës priftërie të cilët me zell kërkojnë pjesëmarrjen e grave në këshillat e lagjeve dhe të kunjeve. Frymëzohem nga çdo bashkëshort i cili tregon se përgjegjësia e tij më e rëndësishme e priftërisë është që të kujdeset për bashkëshorten e tij.4 E lavdëroj atë burrë i cili e respekton thellësisht aftësinë e bashkëshortes së tij për të marrë zbulesë dhe e çmon atë si një partnere të barabartë në martesën e tyre.

Kur një burrë e kupton madhështinë dhe fuqinë e një gruaje të drejtë, kërkuese, shenjtore të ditëve të mëvonshme që e ka marrë dhurimin në tempull, a është çudi që ai e ndien se duhet të ngrihet në këmbë kur ajo hyn në dhomë?

Që nga zanafilla e kohës, gratë janë bekuar me një busull të pashoqe morale – aftësinë për të dalluar të drejtën nga e gabuara. Kjo dhuratë forcohet tek ato që bëjnë e mbajnë besëlidhje. Dhe pakësohet tek ato që me dëshirë i shpërfillin urdhërimet e Perëndisë.

Me të shpejtë shtoj se nuk i shfajësoj burrat në asnjë mënyrë nga kërkesa e Perëndisë për ta që gjithashtu të bëjnë dallimin midis së drejtës dhe së gabuarës. Por motrat e mia të dashura, aftësia juaj për ta dalluar të vërtetën nga gabimi, për të qenë ruajtëset e moralshmërisë në shoqëri, është jetike në këto ditë të mëvonshme. Dhe ne varemi nga ju që t’u mësoni të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë. Më lejoni të jem shumë i qartë për këtë: nëse bota e humbet drejtësinë morale të grave të saj, bota nuk do të përmirësohet kurrë.

Ne, shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk jemi prej botës; ne jemi prej Izraelit besëlidhës. Ne jemi thirrur që të përgatitim një popull për Ardhjen e Dytë të Zotit.

Tani, më lejoni të qartësoj disa pika shtesë lidhur me gratë dhe priftërinë. Kur veçoheni për të shërbyer në një thirrje nën drejtimin e dikujt që mban çelësat e priftërisë – të tillë si peshkopi ose presidenti juaj i kunjit – juve ju jepet autoritet priftëror që të funksiononi në atë thirrje.

Në mënyrë të ngjashme, në tempullin e shenjtë ju autorizoheni që të kryeni dhe të kryesoni në ordinanca priftërie çdo herë që e frekuentoni atë. Dhurimi juaj në tempull ju përgatit që ta bëni këtë gjë.

Nëse e keni marrë dhurimin, por nuk jeni të martuara me një burrë që mban priftërinë, dhe dikush ju thotë: “Më vjen keq që nuk e keni priftërinë në shtëpinë tuaj”, ju lutem, kuptojeni se ajo thënie është e pasaktë. Ju mund të mos keni një mbajtës të priftërisë në shtëpinë tuaj, por ju keni marrë dhe keni bërë besëlidhje të shenjta me Perëndinë në tempullin e Tij. Nga ato besëlidhje rrjedh një dhurim i fuqisë së priftërisë së Tij mbi ju. Dhe mbani mend, nëse bashkëshorti juaj do të vdesë, ju do të kryesoni në shtëpinë tuaj.

Si një grua e drejtë shenjtore e ditëve të mëvonshme që e ka marrë dhurimin, ju flisni dhe jepni mësim me fuqi dhe autoritet nga Perëndia. Qoftë nëpërmjet nxitjes ose bashkëbisedimit, ne kemi nevojë për zërin tuaj që jep mësim doktrinën e Krishtit. Ne kemi nevojë për idetë tuaja në këshillat e familjeve, të lagjeve dhe kunjeve. Pjesëmarrja juaj është thelbësore dhe kurrë dekorative!

Motrat e mia të dashura, fuqia juaj do të rritet kur u shërbeni të tjerëve. Lutjet, agjërimi, koha e shpenzuar me shkrimet e shenjta, shërbimi në tempull dhe puna për historinë tuaj familjare do t’i hapin qiejt për ju.

Ju nxit që t’i studioni me lutje të gjitha të vërtetat që mund të gjeni rreth fuqisë së priftërisë. Mund ta filloni te Doktrina e Besëlidhje me seksionet 84 dhe 107. Këto seksione do t’ju udhëheqin drejt fragmenteve të tjera. Shkrimet e shenjta dhe mësimet nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit modernë janë të mbushura me këto të vërteta. Ndërkohë që rritet të kuptuarit tuaj dhe ndërkohë që ushtroni besim te Zoti dhe fuqia e priftërisë së Tij, do të rritet aftësia juaj për t’u mbështetur te ky thesar shpirtëror që Zoti e ka vënë në dispozicion. Teksa e bëni këtë gjë, ju do ta gjeni veten më të aftë për të ndihmuar që të krijoni familje të përjetshme që janë të bashkuara, të vulosura në tempullin e Zotit dhe plot dashuri për Atin tonë Qiellor dhe për Jezu Krishtin.

Të gjitha përpjekjet tona për t’i dhënë shërbesë njëri‑tjetrit, për të shpallur ungjillin, për t’i përsosur shenjtorët dhe për t’i shëlbuar të vdekurit puqen në tempull. Tani kemi 166 tempuj anembanë botës dhe më shumë do të ndërtohen.

Siç e dini, Tempulli i Solt‑Lejkut, Sheshi i Tempullit dhe sheshi fqinj pranë Ndërtesës së Zyrave të Kishës do të rimodelohen në një projekt që do të fillojë në mbarim të këtij viti. Ky tempull i shenjtë duhet të ruhet dhe të përgatitet për të frymëzuar brezat e ardhshëm, sikurse ka ndikuar te ne në këtë brez.

Teksa Kisha rritet, më shumë tempuj do të ndërtohen kështu që më shumë familje të mund të kenë mundësinë për ta marrë atë bekim, më të madhin e të gjitha bekimeve, bekimin e jetës së përjetshme.5 Ne e mbajmë një tempull si strukturën më të shenjtë në Kishë. Sa herë që njoftohen plane për të ndërtuar një tempull të ri, ai bëhet një pjesë e rëndësishme e historisë sonë. Siç e kemi diskutuar këtu sonte, ju motra jeni jetike për punën e tempullit dhe tempulli është vendi ku ju do të merrni thesaret tuaja më të larta shpirtërore.

Ju lutem të dëgjoni me kujdes dhe nderim pasi tani do të shpall plane për ndërtimin e tetë tempujve të rinj. Nëse lajmëroj për një tempull në një vend që është domethënës për ju, sugjeroj që ju thjesht ta ulni kokën plot lutje, me mirënjohje në zemrën tuaj. Ne kemi kënaqësinë të njoftojmë plane për ndërtimin e tempujve në vendndodhjet në vijim: Fritaun, Sierra‑Leone; Orem, Jutë; Port‑Moresbi, Papua në Guinenë e Re; Bentonvill, Arkanzas; Bakolod, Filipine; MekAllën, Teksas; Koban, Guatemalë; dhe Tejllërsvill, Jutë. Faleminderit, motra të dashura. E vlerësojmë thellësisht pranimin nga ana juaj të këtyre planeve dhe përgjigjen tuaj plot nderim.

Tani, në mbyllje, dëshiroj të lë një bekim mbi ju, që ju të mund ta kuptoni fuqinë e priftërisë që ju është dhuruar, dhe që ju do ta shtoni atë fuqi duke e ushtruar besimin tuaj te Zoti dhe te fuqia e Tij.

Motra të dashura, me respekt dhe mirënjohje të thellë, unë shpreh dashurinë time për ju. Përulësisht, unë shpall se Perëndia jeton! Jezusi është Krishti. Kjo është Kisha e Tij. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.