Shkrimet e Shenjta
Alma 41


Kapitulli 41

Në Ringjallje njerëzit vijnë në një gjendje lumturie të pafund, ose mjerimi të pafund—Ligësia nuk qe kurrë lumturi—Njerëzit e mishit janë pa Perëndi në botë—Çdo njeri merr përsëri në rivendosje karakteristikat dhe vetitë e fituara në vdekshmëri. Rreth 74 para K.

1 Dhe tani, biri im, kam për të thënë diçka në lidhje me rivendosjen, për të cilën është folur; pasi vër re, disa i kanë shtrembëruar shkrimet e shenjta dhe kanë shkuar në udhë të gabuar për shkak të kësaj gjëje. Dhe unë po e shoh se mendja jote është shqetësuar gjithashtu në lidhje me këtë gjë. Por vër re, unë do të ta shpjegoj.

2 Unë të them, biri im, se plani i rivendosjes është në përputhje me drejtësinë e Perëndisë; pasi është e nevojshme që të gjitha gjërat duhet të rivendosen në rendin e tyre të përshtatshëm. Vër re, është e nevojshme dhe e drejtë, sipas fuqisë dhe ringjalljes së Krishtit, që shpirti i njeriut t’i ribashkohet trupit të tij dhe se çdo pjesë e trupit duhet t’i rivendoset vetvetes.

3 Dhe është në përputhje me drejtësinë e Perëndisë që njerëzit të gjykohen sipas punëve të tyre; dhe në qoftë se punët e tyre ishin të mira në këtë jetë dhe dëshirat e zemrave të tyre ishin të mira, që ata duhet të rivendosen gjithashtu në ditën e fundit në atë që është e mirë.

4 Dhe në qoftë se punët e tyre janë të liga, ato do t’u rivendosen atyre për të keq. Prandaj, të gjitha gjërat do të rivendosen në vendin e tyre të përshtatshëm, çdo gjë në formën e saj natyrale—vdekshmëria ngrihet në pavdekshmëri, korrupsioni në pakorrupsion—të ngritur në lumturi të pafund për të trashëguar mbretërinë e Perëndisë, ose në mjerim të pafund për të trashëguar mbretërinë e djallit, njëri në një anë, tjetri në anën tjetër—

5 Njëri i ngritur në lumturi sipas dëshirave të tij për lumturi, ose në të mirë sipas dëshirave të tij për të mirë; dhe tjetri në ligësi sipas dëshirave të tij për të liga; pasi, sikurse ai ka dëshiruar të bëjë keq tërë ditën e ditës, ashtu madje, do të ketë ai shpërblimin e tij të së keqes, kur të vijë nata.

6 Dhe kështu është nga ana tjetër. Në qoftë se ai është penduar për mëkatet e tij dhe dëshiron drejtësi deri në fund të ditëve të tij, kështu madje ai do të shpërblehet me drejtësi.

7 Këta janë ata që janë shëlbuar nga Zoti; po, këta janë ata që janë nxjerrë dhe janë çliruar nga ajo natë e pafund errësire; dhe kështu, ata qëndrojnë ose bien; pasi vër re, ata janë gjykatësit e vetvetes si të bëjnë mirë, ashtu dhe të bëjnë keq.

8 Tani, dekretet e Perëndisë janë pandryshueshme; prandaj, udha është përgatitur që gjithësecili që do, të mund të ecë në të dhe të shpëtohet.

9 Dhe tani vër re, biri im, mos rreziko të fyesh edhe një herë Perëndinë tënd në këto pika doktrine mbi të cilat ke rrezikuar deri tani të bësh mëkat.

10 Mos mendo, meqenëse është folur për rivendosje, që ti do të rikthehesh nga mëkati në lumturi. Vër re, unë të them se ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi.

11 Dhe tani, biri im, të gjithë njerëzit që janë në një gjendje të natyrshme, ose do të thoja në një gjendje të mishit, janë në vrerin e hidhësisë dhe në prangat e paudhësisë; ata janë pa Perëndi në botë dhe kanë vajtur në udhën e kundërt nga ajo e natyrës së Perëndisë; prandaj ata janë në një gjendje të kundërt nga natyra e lumturisë.

12 Dhe tani vër re, a është kuptimi i fjalës rivendosje, që të merret një gjë e një gjendjeje të natyrshme dhe të vendoset në një gjendje të panatyrshme, ose që të vendoset në një gjendje kundër natyrës së saj?

13 O, biri im, s’është ky rasti; por kuptimi i fjalës rivendosje është që të kthehet përsëri e liga tek e liga, ose mishi te mishi, ose djallëzia te djallëzia—e mira për atë që është e mirë, e drejta për atë që është e drejtë, drejtësia për atë që ka drejtësi, mëshira për atë që është i mëshirshëm.

14 Prandaj, biri im, shiko të jesh i mëshirshëm ndaj vëllezërve të tu, vepro me drejtësi, gjyko drejt dhe bëj të mira vazhdimisht; dhe në qoftë se ti i bën të gjitha këto gjëra, atëherë do të marrësh shpërblimin tënd; po, do të të rivendoset përsëri mëshira, do të të rivendoset përsëri drejtësia; do të të rivendoset përsëri një gjykim i drejtë; dhe do të shpërblehesh përsëri me të mirën.

15 Pasi ajo që ti dërgon jashtë, do të të rikthehet përsëri dhe do të të rivendoset; prandaj fjala rivendosje dënon në mënyrë më të plotë mëkatarin dhe nuk e justifikon fare atë.