Kapitulli 4
Lehi këshillon dhe bekon pasardhësit e tij—Ai vdes dhe varroset—Nefi lavdërohet në mirësinë e Perëndisë—Nefi vë besimin e tij te Zoti, përgjithnjë. Rreth 588–570 para K.
1 Dhe tani, unë Nefi, do të flas në lidhje me profecitë për të cilat ati im ka folur dhe që kanë të bëjnë me Jozefin, i cili u çua në Egjipt.
2 Pasi, vini re, ai profetizoi me të vërtetë për të gjithë farën e tij. Dhe nga profecitë që ai shkroi, nuk ka shumë që janë më të rëndësishme. Dhe ai profetizoi për ne dhe për brezat tanë të ardhshëm; dhe ato janë shkruar në fletët prej tunxhi.
3 Kështu që, pasi ati im mbaroi së foluri në lidhje me profecitë e Jozefit, ai thirri fëmijët e Lamanit, bijtë e tij dhe bijat e tij dhe u tha atyre: Vini re, bijtë e mi dhe bijat e mia, që jeni bijtë e bijat e të parëlindurit tim, do të doja që ju t’u vini veshin fjalëve të mia.
4 Pasi Zoti Perëndi ka thënë që: Për aq sa ju do të zbatoni urdhërimet e mia, ju do të begatoheni në tokë; dhe për aq sa ju nuk do të zbatoni urdhërimet e mia, ju do të flakeni nga prania ime.
5 Por, vini re, bijtë e mi dhe bijat e mija, unë nuk mund të vete në varr pa lënë një bekim mbi ju; pasi vini re unë e di se, në qoftë se do të rriteni sipas udhës që duhet të ndiqni, ju nuk do të largoheni prej saj.
6 Kështu që, nëse ju jeni mallkuar, vini re, unë lë bekimin tim mbi ju, që mallkimi mund të hiqet prej jush dhe të bjerë mbi kokat e prindërve tuaj.
7 Kështu që, për shkak të bekimit tim, Zoti Perëndi nuk do të lejojë që ju të mbaroni; prandaj, ai do të jetë i mëshirshëm ndaj jush dhe ndaj farës suaj, përgjithnjë.
8 Dhe ndodhi që, pasi ati im mbaroi së foluri bijve dhe bijave të Lamanit, ai bëri që bijtë dhe bijat e Lemuelit të silleshin para tij.
9 Dhe ai u foli atyre, duke thënë: Vini re, bijtë e mi dhe bijat e mia që jeni bijtë dhe bijat e birit tim të dytë; vini re, unë po ju lë të njëjtin bekim që unë u lashë bijve dhe bijave të Lamanit; prandaj ju nuk do të shkatërroheni krejtësisht; por, në fund fara juaj do të jetë e bekuar.
10 Dhe ndodhi që pasi ati im mbaroi së foluri ndaj tyre, vini re, ai u foli bijve të Ishmaelit, po, dhe madje, të gjithë pjesëtarëve të familjes së tij.
11 Dhe pasi ai mbaroi së foluri ndaj tyre, ai i foli Samit, duke thënë: I bekuar qofsh ti dhe fara jote; pasi ti do të trashëgosh tokën si vëllai yt Nefi. Dhe fara jote do të numërohet me farën e tij; dhe ti madje do të jesh si vëllai yt dhe fara jote si fara e tij; dhe ti do të jesh i bekuar në të gjitha ditët e tua.
12 Dhe ndodhi që pasi ati im, Lehi, u foli të gjithë pjesëtarëve të shtëpisë së tij, sipas ndjenjave të zemrës së tij dhe Shpirtit të Perëndisë që ishte në të, ai u bë i vjetër. Dhe ndodhi që ai vdiq dhe u varros.
13 Dhe ndodhi që jo shumë ditë pas vdekjes së tij, Lamani dhe Lemueli dhe të bijtë e Ishmaelit u zemëruan me mua për shkak të qortimeve të Zotit.
14 Pasi unë, Nefi, isha i detyruar t’u flisja atyre, sipas fjalës së tij; pasi unë u fola shumë gjëra atyre, sikurse bëri ati im para vdekjes së tij; shumë nga këto thënie janë shkruar në fletët e mija të tjera, pasi një pjesë më historike është shkruar mbi fletët e mija të tjera.
15 Dhe mbi këto unë shkruaj gjërat e shpirtit tim dhe shumë nga shkrimet e shenjta, që janë të gdhendura mbi fletët prej tunxhi. Sepse shpirti im kënaqet pa masë në shkrimet e shenjta dhe zemra ime i mediton ato dhe i shkruan ato për mësimin dhe përfitimin e fëmijëve të mi.
16 Vini re, shpirti im kënaqet pa masë në gjërat e Zotit; dhe zemra ime mediton vazhdimisht mbi gjërat që unë kam parë dhe dëgjuar.
17 Por, me gjithë mirësinë e madhe të Zotit, që më tregon mua veprat e tij të mëdha dhe të mrekullueshme, zemra ime bërtet: O, ç’njeri i mjerë që jam! Po, zemra ime brengoset për shkak të mishit tim; shpirti im pikëllohet për shkak të paudhësive të mia.
18 Unë jam i rrethuar për shkak të tundimeve dhe mëkateve, të cilat më ngacmojnë me kaq lehtësi.
19 Dhe kur unë dua të gëzohem, zemra ime rënkon për shkak të mëkateve të mia; megjithatë, unë e di në cilin kam besuar.
20 Perëndia im ka qenë mbështetja ime; ai më ka nxjerrë prej vuajtjeve të mia në vendin e shkretë; dhe ai më ka ruajtur mbi ujërat e thellësisë së madhe.
21 Ai më ka mbushur me dashurinë e tij deri në tretjen e mishit tim.
22 Ai i ka ngatërruar armiqtë e mi duke i bërë që të dridhen para meje.
23 Vini re, ai ka dëgjuar thirrjen time ditën dhe ai më ka dhënë njohuri nëpërmjet vegimeve në kohën e natës.
24 Dhe ditën unë jam bërë i guximshëm në lutje të fuqishme para tij; po, zërin tim e kam ngritur lart në qiell; dhe engjëj zbritën dhe më shërbyen.
25 Dhe mbi krahët e Shpirtit të tij trupi im u dërgua mbi male jashtëzakonisht të larta. Dhe sytë e mi kanë parë gjëra të mëdha, po, madje tepër të mëdha për njeriun; prandaj u urdhërova që unë nuk duhet t’i shkruaj ato.
26 O, atëherë, në qoftë se unë kam parë gjëra kaq të mëdha, në qoftë se Zoti në denjimin e tij ndaj fëmijëve të njerëzve, i ka vizituar njerëzit me kaq shumë mëshirë, përse duhet zemra ime të qajë dhe shpirti të qëndrojë në luginën e hidhërimit dhe mishi im të tretet, dhe fuqia ime të pakësohet për shkak të hidhërimeve të mia?
27 Dhe pse duhet t’i dorëzohem mëkatit, për shkak të mishit tim? Po, pse duhet t’u hap udhë tundimeve, që i ligu të ketë vend në zemrën time, të shkatërrojë paqen time dhe të hidhërojë shpirtin tim? Pse jam unë i zemëruar për shkak të armikut tim?
28 Zgjohu, shpirti im! Mos bjer më në mëkat. Gëzohu, O zemra ime dhe mos lër më vend për armikun e shpirtit tim!
29 Mos u zemëro përsëri për shkak të armiqve të mi. Mos e dobëso fuqinë time për shkak të hidhërimeve të mia!
30 Gëzohu, O zemra ime dhe thirri Zotit dhe thuaj: O Zot, unë do të të lavdëroj përgjithnjë; po, shpirti im do të gëzohet në ty, Perëndia im dhe shkëmbi i shpëtimit tim!
31 O Zot, a do ta shëlbesh shpirtin tim? A do të më shpëtosh nga duart e armiqve të mi? A do të më bësh që unë të dridhem që në shfaqjen e mëkatit?
32 Qofshin dyert e ferrit të mbyllura përherë para meje, se zemra ime është e thyer dhe shpirti im është penduar! O Zot, mos i mbyll dyert e drejtësisë tënde para meje, që unë të mund të eci në shtegun e luginës së ulët, që unë të mund të jem i përpiktë në udhën e thjeshtë!
33 O Zot, a do të më mbulosh me rrobën e drejtësisë tënde! O Zot, a do të bësh një udhë për largimin tim para armiqve të mi! A do ta bësh shtegun të drejtë para meje! Nuk do të vësh ndonjë pengesë në udhën time—por që ti do ta pastrosh udhën time para meje dhe të mos e pengosh udhën time, por udhët e armiqve të mi.
34 O Zot, unë kam besuar te ti dhe unë do të besoj te ti përgjithmonë. Unë nuk do ta vë besimin tim në krahun prej mishi; pasi unë e di se i mallkuar është ai që vë besimin e tij në krahun prej mishi. Po, i mallkuar është ai që vë besimin e tij te njeriu ose e bën mish krahun e tij.
35 Po, unë e di se Perëndia do t’i japë me zemërgjerësi atij që kërkon. Po, Perëndia im do të më japë, në qoftë se unë nuk kërkoj pa të drejtë; prandaj unë do ta ngre zërin tim drejt teje; po, unë do të thërras te ti, Perëndia im, shkëmbi i drejtësisë sime. Vini re, zëri im do të ngrihet gjithnjë te ti, shkëmbi im dhe Perëndia im i përjetshëm. Amen.