Shkrimet e Shenjta
2 Nefi 28


Kapitulli 28

Shumë kisha të rreme do të ngrihen në ditën e fundit—Ato do të mësojnë doktrina të rreme, të kota dhe të marra—Braktisja nga feja do të shtohet për shkak të mësuesve të rremë—Djalli do të tërbohet në zemrat e njerëzve—Ai do t’u mësojë njerëzve të gjitha llojet e doktrinave të rreme. Rreth 559–545 para K.

1 Dhe tani, vini re, vëllezërit e mi, unë ju kam folur sipas asaj që Shpirti më ka detyruar; prandaj unë e di se ato duhet të ndodhin me siguri.

2 Dhe gjërat që do të shkruhen nga libri do të jenë me vlerë të madhe për fëmijët e njerëzve dhe veçanërisht për farën tonë që është një mbetje e shtëpisë së Izraelit.

3 Pasi do të ndodhë në atë ditë që kishat që janë ngritur, dhe jo për Zotin, kur njëra do t’i thotë tjetrës: Shiko, unë, unë jam e Zotit; dhe të tjerat do të thonë: Unë, unë jam e Zotit dhe kështu do të thotë çdonjëri që do të ketë themeluar kisha, por jo për Zotin—

4 Dhe ato do të grinden me njëra-tjetrën; dhe priftërinjtë e tyre do të grinden me njëri-tjetrin dhe ata do t’i mësojnë të tjerët me diturinë e tyre dhe do të mohojnë Frymën e Shenjtë, që jep fuqi shprehëse.

5 Dhe ata do të mohojnë fuqinë e Perëndisë, të Shenjtin e Izraelit; dhe ata do t’u thonë njerëzve: Na dëgjoni dhe i vini veshin parimit tonë; pasi vini re, nuk ka Perëndi sot, pasi Zoti dhe Shëlbuesi e ka bërë punën e tij dhe ai ua ka dhënë fuqinë e tij njerëzve.

6 Vini re, dëgjoni parimin tim; nëse ata thonë se një mrekulli është bërë nga dora e Zotit, mos e besoni; pasi në këto ditë, ai nuk është një Perëndi i mrekullive; ai e ka bërë punën e tij.

7 Po, dhe do të ketë shumë që do të thonë: Hani, pini dhe dëfrehuni, pasi nesër ne vdesim; dhe gjithçka do të shkojë për ne.

8 Dhe do të ketë gjithashtu shumë që do të thonë: Hani, pini dhe dëfrehuni; megjithatë, kini frikë Perëndinë—ai do të na justifikojë në bërjen e një mëkati të vogël; po, gënjeni pak, përfitoni nga ndonjë për shkak të fjalëve të tij, hapini gropën fqinjit; nuk ka gjë të keqe në këtë; dhe bëjini të gjitha këto gjëra, pasi nesër ne vdesim dhe në qoftë se jemi fajtorë, Perëndia do të na qëllojë pak me kamxhik dhe në fund ne do të shpëtohemi në mbretërinë e Perëndisë.

9 Po, dhe do të ketë shumë që do të mësojnë sipas kësaj mënyre doktrina të rreme dhe të kota dhe marra, dhe do të fryhen në zemrat e tyre dhe ata do të përpiqen t’i fshehin thellë planet e tyre nga Zoti; dhe punët e tyre do të jenë në errësirë.

10 Dhe gjaku i shenjtorëve do të thërrasë nga toka kundër tyre.

11 Po, ata të gjithë kanë humbur udhën; ata janë korruptuar.

12 Për shkak të kryelartësisë dhe për shkak të mësuesve të rremë dhe doktrinave të rreme, kishat e tyre janë bërë të korruptuara dhe arrogante; për shkak të kryelartësisë së tyre ata fryhen.

13 Grabitin varfërit për shkak të vendeve të tyre të shenjta të pasura, grabitin të varfërit, për shkak të veshjeve të tyre të çmueshme; dhe persekutojnë të bindurit dhe të varfërit në zemër, sepse janë të fryrë nga krenaria.

14 Mbajnë qafën drejt dhe kokën lart; po, dhe për shkak të kryelartësisë dhe ligësisë dhe neverive, dhe lavirësive, që të gjithë kanë dalë nga udha e drejtë me përjashtim të disave që janë pasuesit e përulur të Krishtit; megjithatë ata udhëhiqen në një mënyrë, që në shumë raste gabojnë, sepse ata janë mësuar nga parimet e njerëzve.

15 O urtët dhe të mësuarit dhe të pasurit që janë të fryrë në krenarinë e zemrave të tyre dhe të gjithë ata që predikojnë doktrina të rreme dhe të gjithë ata që bëjnë lavirësi dhe çoroditin udhën e drejtë të Zotit, mjerë, mjerë, mjerë ata, thotë Zoti, Perëndia i Plotfuqishëm, pasi ata do të hidhen në ferr!

16 Mjerë ata që nuk e pranojnë të drejtin për një hiçasgjë dhe shajnë kundër asaj që është e mirë dhe thonë se ajo nuk ka vlerë! Pasi do të vijë dita që Zoti Perëndi do të vizitojë papritmas banorët e tokës; dhe atë ditë që ata do të jenë plotësisht të mbushur në paudhësi, ata do të mbarojnë.

17 Por vini re, nëse banorët e tokës do të pendohen për ligësitë dhe neveritë e tyre, ata nuk do të shkatërrohen, thotë Zoti i Ushtrive.

18 Por vini re se kisha e madhe dhe e neveritshme, lavirja e të gjithë tokës, duhet shembet përdhe dhe e madhe do të jetë rënia e saj.

19 Pasi mbretëria e djallit duhet të lëkundet dhe ata që i përkasin asaj duhet të shtyhen në pendim, përndryshe djalli do t’i kapë ata me zinxhirët e tij të përjetshëm dhe ata do të shtyhen në zemërim dhe do të mbarojnë;

20 Pasi vini re, në atë ditë ai do të tërbohet në zemrat e fëmijëve të njerëzve dhe do t’i nxitë në zemërim kundër asaj që është e mirë.

21 Dhe të tjerë ai do t’i paqësojë dhe do t’i përkundë në siguri trupore, që ata do të thonë: Gjithçka është mirë në Sion; po, Sioni lulëzon, gjithçka është mirë—dhe kështu djalli gënjen shpirtrat e tyre dhe ai i çon me kujdes poshtë në ferr.

22 Dhe vini re, të tjerët ai i lajkaton dhe u thotë se nuk ka ferr; dhe ai u thotë atyre: Unë nuk jam djall, pasi nuk ka asnjë—dhe kështu ai pëshpërit në veshët e tyre, derisa i kap ata me zinxhirët e tij të tmerrshëm, prej të cilëve nuk ka çlirim.

23 Po, ata janë kapur me vdekje dhe ferr; dhe vdekja dhe ferri, dhe djalli dhe të gjithë ata që janë kapur prej tyre, duhet të qëndrojnë para fronit të Perëndisë dhe të gjykohen sipas veprave të tyre, prej nga ku ata duhet të shkojnë në vendin e përgatitur për ta, madje një liqen i zjarrit dhe i squfurit, që është mundim i pafund.

24 Prandaj, mjerë ai që është i shkujdesur në Sion!

25 Mjerë ai që thërret: Gjithçka është mirë!

26 Po, mjerë ai që dëgjon parimet e njerëzve dhe mohon fuqinë e Perëndisë dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë!

27 Po, mjerë ai që thotë: Ne kemi marrë dhe ne nuk kemi nevojë për më tepër!

28 Dhe më në fund, mjerë të gjithë ata që dridhen dhe janë të zemëruar për shkak të së vërtetës së Perëndisë! Pasi vini re, ai që është ndërtuar mbi shkëmb, e pranon atë me gëzim; dhe ai që është ndërtuar mbi një themel rëre, dridhet nga frika se mund të bjerë.

29 Mjerë ai që do të thotë: Ne e kemi marrë fjalën e Perëndisë dhe ne nuk kemi nevojë për më tepër nga fjala e Perëndisë, pasi ne kemi mjaft!

30 Pasi vini re, kështu thotë Zoti Perëndi: Unë do t’u jap fëmijëve të njerëzve rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje; dhe të bekuar janë ata që dëgjojnë parimet e mia dhe që i vënë veshin këshillës sime, pasi ata do të mësojnë urtësi; pasi atij që merr, unë do t’i jap shumë; dhe nga ata që do të thonë: Ne kemi mjaft, nga ata do të merret madje edhe ajo që kanë.

31 Mallkuar është ai që e vendos besimin e tij te njeriu, ose që e bën prej mishi krahun e tij, ose që do të dëgjojë parimet e njerëzve, me përjashtim në qoftë se parimet e tyre do të jepen nga fuqia e Frymës së Shenjtë.

32 Mjerë Johebrenjtë, thotë Zoti Perëndia i Ushtrive! Pasi megjithëse unë do të zgjat krahun drejt tyre nga dita në ditë, ata do të më mohojnë; megjithatë, unë do të jem i mëshirshëm ndaj tyre, thotë Zoti Perëndi, nëse ata do të pendohen dhe do të vijnë tek unë; pasi krahu im është i shtrirë gjithë ditën e ditës, thotë Zoti, Perëndia i Ushtrive.