2011
Jezu Krishti Shleu për Mëkatet Tona
Prill 2011


Çfarë Besojmë Ne

Jezu Krishti Shleu për Mëkatet Tona

Një nga arsyet pse jemi këtu në tokë, është që të mësojmë t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë. Përveç Jezu Krishtit, i cili jetoi një jetë të përkryer, çdo njeri që ka jetuar në tokë ka mëkatuar (shih Romakëve 3:23; 1 Gjoni 1:8). Mëkat është kur i shkelim me dashje urdhërimet e Perëndisë dhe të gjitha mëkatet kanë një dënim që u bashkëngjitet atyre. Kur mëkatojmë, drejtësia kërkon që të vuajmë dënimin (shih Alma 42:16–22).

Së fundi, pasoja e cilitdo mëkat është ndarja nga Perëndia (shih 1 Nefi 10:21). Kjo ndarje është kaq e rreptë, saqë ne nuk mund ta ndreqim vetë atë.

Për ta kapërcyer këtë ndarje, Ati ynë Qiellor siguroi një mënyrë që Biri i Tij i Vetëmlindur, Jezu Krishti, të merrte mbi Vete barrën e mëkateve tona, duke e bërë të mundur që ne të bëhemi shpirtërisht të pastër dhe të ribashkohemi me Të. Ky është plani i mëshirës.

Shpëtimtari dha mësim: “Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen; por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë” (DeB 19:16–17).

Si pjesë e Shlyerjes së Tij, Jezusi vuajti për mëkatet tona në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryqin e Kalvarit. Duke u penduar për mëkatet tona, ne mund ta sjellim në jetën tonë fuqinë e Shlyerjes së Tij.

Jezu Krishti, që shleu me gatishmëri për mëkatet tona, tha:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë” (Mateu 11:28–30).

Shlyerja gjithashtu siguron bekimet e mëposhtme:

  1. Ringjallje për të gjithë ata që linden në tokë (shih Alma 11:42–45).

  2. Jetë të përjetshme në prani të Perëndisë për të gjithë fëmijët që vdesin para se të arrijnë në moshën e përgjegjshmërisë, mosha tetë vjeç (shih Mosia 3:16; 15:24–25; Moroni 8:8–12).

  3. Aftësi për të gjetur paqe në kohë sprovash, sepse Jezusi i mori mbi Vete dhembjet dhe sëmundjet tona (shih Gjoni 14:27; Alma 7:11–12).

  4. Ndreqje ndaj të drejtëve për padrejtësitë e kësaj jete (shih Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 52).

“Jezu Krishti, si Biri i Vetëmlindur i Perëndisë dhe i vetmi person i pamëkat që jetoi në këtë tokë, ishte i vetmi njeri i aftë për të bërë një shlyerje për gjithë njerëzimin” (Bible Dictionary, “Atonement”).

O Ati Im, nga Simon Dewey; Jezu Krishti Viziton Kontinentin Amerikan, nga John Scott © IRI; ilustrim me foto të një foshnjeje © Getty Images; ilustrimet e tjera me foto nga Christina Smith