2011
Pendohu, Kthehu te Zoti dhe Shërohu
Prill 2011


Ne Flasim për Krishtin

Pendohu, Kthehu te Zoti dhe Shërohu

“Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato” (DeB 58:42).

Kohët e fundit, një grua e mirë e besnike që njoh, u plagos keqas në një aksident me makinë. Ndër dëmtimet e saj qenë disa brinjë të thyera dhe vertebra të thyera. Një pjesë e riaftësimit të saj kërkoi që ajo të mbante një shtrënguese në shpinë e qafë që të mos mundte t’i lëvizte ato. Shtrënguesja dukej shumë e parehatshme. Por qe e domosdoshme. Ajo siguronte kushtin nëpërmjet të cilit shpina dhe qafa e saj mund të shëroheshin.

Pendimi është si ajo shtrënguese. Kur mëkatojmë, ne e dëmtojmë shpirtin tonë dhe nevojitet trajtim hyjnor që të shërohet sërish. Pendimi siguron kushtin që e lejon Shpëtimtarin, nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes, që të na shërojë (shih 3 Nefi 9:13). Nëse një pjesë e pendimit nuk është e rehatshme – ashtu si një shtrënguese në një shpinë të thyer – ne gjithsesi duhet të pendohemi.

Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, na mësoi: “Pendimi i vërtetë na rikthen të bëjmë atë që është e drejtë. Për t’u penduar vërtet, ne duhet të njohim mëkatet tona dhe të na vfarë ndërgjegjja, apo të ndiejmë dhimbje të perëndishme dhe t’ia tregojmë këto mëkate Perëndisë. Nëse mëkatet tona janë serioze, ne duhet gjithashtu t’ia tregojmë ato udhëheqësit të autorizuar të priftërisë. Ne kemi nevojë t’i kërkojmë Perëndisë falje dhe të bëjmë gjithçka mundemi që të korrigjojmë çdo dëm që mund të kenë shkaktuar veprimet tona. Pendesa do të thotë një ndryshim i mendjes dhe i zemrës – ne ndalemi së bëri gjëra që janë të gabuara dhe fillojmë të bëjmë gjëra që janë të drejta. Kjo sjell një qëndrim të ri ndaj Perëndisë, ndaj vetes dhe ndaj jetës në përgjithësi.”1

Kur e plotësojmë me sukses procesin e pendimit, rezultati është shërim, lehtësim dhe lumturi. Doroti J. R. Uajt shkroi:

Merrni parasysh lotët që bien jashtë,

Por që pastrojnë shpirtrat tanë brenda.2

Zoti lutet me këmbëngulje, dashuri dhe bindje që të pendohemi, sepse Ai dëshiron të na shërojë. Ai vuajti në trupin dhe shpirtin e Tij që të paguante çmimin për mëkatet tona, nëse ne pendohemi. Ai shpjegon:

“Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen;

Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë;

Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt – dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem –

Megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve.

Si rrjedhim, unë të urdhëroj përsëri të pendohesh” (DeB 19:16–20).

U pendofshim ne tani, u kthefshim te Zoti dhe u shërofshim.

Shënime

  1. Diter F. Uhtdorf, “Pikë Kthimi të Sigurt”, Liahona, maj 2007, f. 100.

  2. Dorothy J. R. White, “Repentance”, Ensign, korrik 1996, f. 27.

Biri plangprishës u kthye përulshëm tek ati i tij dhe tha: “O atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt” (Lluka 15:21). I ati e mirëpriti në shtëpi. Po ashtu na mirëpret Ati Qiellor kur pendohemi.

Kthimi i Birit Plangprishës, nga James Tissot