2011
Gjithmonë Kujtojeni Atë
Prill 2011


Gjithmonë Kujtojeni Atë

Nga një bisedë mbajtur në Universitetin Brigam Jang – Ajdaho më 27 janar 2009. Për ta dëgjuar bisedën në anglisht, vizitoni web.byui.edu/devotionalsandspeeches/default.aspx.

Kur e kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin, ne mund “të bëjmë gëzueshëm të gjitha gjërat që varen nga ne”, të bindur se fuqia dhe dashuria e Tij për ne, do të na shoqërojnë deri në fund.

Pamja
Elder D. Todd Christofferson

Lutjet e sakramentit pohojnë se një nga qëllimet kryesore të sakramentit, siç është krijuar nga Zoti Jezu Krisht, është që ne të mundemi “gjithmonë ta [kujtojmë] atë” (DeB 20:77, 79). Kujtimi i Shpëtimtarit qartazi përfshin kujtimin e Shlyerjes së Tij, që përfaqësohet simbolikisht nga buka dhe uji si emblema të vuajtjes dhe vdekjes së Tij. Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë atë që Ai bëri për ne, sepse pa Shlyerjen dhe Ringjalljen e Tij, jeta nuk do të kishte kuptim. Me Shlyerjen dhe Ringjalljen e Tij, gjithsesi, jeta jonë ka mundësira të përjetshme dhe hyjnore.

Unë dëshiroj të shtjelloj tri aspekte të asaj se çfarë do të thotë që “gjithmonë ta kujtojnë atë”: së pari, kërkimi për të njohur dhe ndjekur vullnetin e Tij; së dyti, njohja dhe pranimi i detyrimit tonë për përgjegjësi para Krishtit për çdo mendim, fjalë dhe veprim; dhe së treti, të jetuarit me besim dhe pa frikë se ne mund të vështrojmë gjithmonë te Shpëtimtari për ndihmën që na nevojitet.

1. Kërkoni të njihni dhe të ndiqni vullnetin e Krishtit njësoj siç Ai kërkoi vullnetin e Atit.

Bekimi sakramental i bukës na angazhon ne të jemi me vullnet të marrim përsipër emrin e Birit “dhe gjithmonë ta [kujtojmë] atë e të [zbatojmë] urdhërimet që ai [na] ka dhënë [neve]” (DeB 20:77). Do të ishte gjithashtu e përshtatshme që të lexoni këtë besëlidhje si “gjithmonë ta [kujtojmë] Atë për të, [zbatuar] urdhërimet e Tij”. Kjo është mënyra se si Ai e kujtoi gjithmonë Atin. Siç Ai tha: “Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj atë që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar” (Gjoni 5:30).

Jezusi arriti unitet të përsosur me Atin duke e nënshtruar Veten, edhe trupin edhe shpirtin, ndaj vullnetit të Atit. Duke iu referuar Atit të Tij, Jezusi tha: “Bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë” (Gjoni 8:29). Për shkak se ishte vullneti i Atit, Jezusi iu nënshtrua edhe vdekjes: “Vullneti i Birit duke u shkrirë në vullnetin e Atit” (Mosia 15:7). Fokusimi i Tij tek Ati është një nga arsyet kryesore pse shërbesa e Jezusit pati një qartësi dhe forcë të atillë.

Në të njëjtën mënyrë, ju dhe unë mund ta vendosim Krishtin në qendër të jetës sonë dhe të bëhemi një me Të siç është Ai një me Atin (shih Gjoni 17:20–23). Ne mund të fillojmë duke hequr gjithçka nga jeta jonë dhe pastaj ta rindërtojmë jetën tonë me gjërat më të rëndësishme në fillim me Shpëtimtarin në qendër. Ne duhet së pari të vendosim në vend gjërat që e bëjnë të mundur që ne gjithmonë ta kujtojmë Atë – lutje dhe studim të shpeshtë të shkrimeve të shenjta, studim të kujdesshëm të mësimeve apostolike, përgatitje të përjavshme për të marrë pjesë denjësisht në sakrament, në adhurimin e së dielës dhe në shënimin dhe kujtimin e asaj çka Shpirti dhe përvoja na mësojnë neve rreth të qenit dishepull.

Gjëra të tjera mund t’ju vijnë ndër mend që ju përshtaten veçanërisht juve në këtë kohë të jetës suaj. Kur sigurojmë kohën dhe mjetet e duhura për këto gjëra në përqendrimin e jetës sonë në Krisht, ne mund të fillojmë të shtojmë përgjegjësi të tjera dhe gjëra me vlerë, të tilla si arsimi dhe përgjegjësitë familjare. Në këtë mënyrë thelbësorja nuk do të shtyhet jashtë jetës sonë nga e mira e zakonshme dhe gjërat me më pak vlerë do të marrin një përparësi më të vogël ose do të hiqen tërësisht.

Unë e pranoj që përputhja e vullnetit tonë me atë të Jezu Krishtit, siç Ai përputhi vullnetin e Tij me atë të Atit, është diçka që nuk arrihet lehtë. Presidenti Brigam Jang (1801–1877) foli me mirëkuptim për sfidën tonë kur tha:

“Pas gjithçkaje që është thënë dhe bërë, pasi ai e ka udhëhequr këtë popull kaq gjatë, a nuk e dalloni se ka një mungesë të besimit në Perëndinë tonë? A mund ta dalloni atë në veten tuaj? Ju mund të pyesni, ‘[Vëlla] Brigam, a e dalloni ju atë në veten tuaj?’ Po, unë mund të shoh se unë ende kam mungesë besimi, në njëfarë shkalle, tek ai të cilit i besoj. – Pse? Sepse unë nuk kam fuqinë, si rrjedhim i asaj që rënia ka sjellë mbi mua. …

… Diçka ngrihet brenda meje, ndonjëherë[,] që dukshëm heq një vijë ndarëse midis qëllimit tim dhe qëllimit të Atit tim në qiell; diçka që i bën qëllimin tim dhe qëllimin e Atit tim në qiell jo plotësisht të njëjtë.

“Unë e di se ne duhet të ndiejmë dhe të kuptojmë, sa më shumë të jetë e mundur, aq sa natyra e rënë do të na lejojë ne, aq sa ne të mund të fitojmë besim dhe të kuptojmë veten, që interesi i atij Perëndie të cilit ne i shërbejmë është interesi ynë dhe që ne nuk kemi tjetër, as në kohë as në përjetësi.”1

Edhe pse mund të mos jetë e lehtë, ne mundemi që vazhdimisht të shkojmë përpara me besim në Zot. Unë mund të vërtetoj se me kohë dëshira dhe aftësia jonë për të kujtuar dhe ndjekur gjithmonë Shpëtimtarin do të rritet. Ne duhet të punojmë me durim për këtë qëllim dhe të lutemi gjithmonë për mprehtësinë dhe ndihmën hyjnore që na nevojitet. Nefi na këshilloi: “Unë po ju them se ju duhet të luteni gjithmonë dhe mos u jepni; se ju nuk duhet të kryeni asnjë gjë ndaj Zotit pa iu lutur më parë Atit në emër të Krishtit, që ai të shenjtërojë kryerjen tënde ndaj teje, që kryerja jote mund të jetë për mirëqenien e shpirtit tënd” (2 Nefi 32:9).

Unë dëshmova një shembull të thjeshtë për këtë lloj lutjeje kur Plaku Dallin H. Ouks i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe unë, ishim caktuar të drejtonim një intervistë me videokonferencë të një çifti në një vend tjetër. Pak përpara se të shkonim në studio, unë pashë edhe një herë informacionin që patëm mbledhur rreth çiftit dhe unë ndjeva se isha i përgatitur për intervistën. Pak minuta përpara kohës së caktuar, unë pashë Plakun Ouks të ulur vetëm me kokë të përkulur. Në një çast ai e ngriti kokën dhe tha: “Unë sapo po mbaroja lutjen time duke u përgatitur për këtë intervistë. Ne do të kemi nevojë për dhuratën e mprehtësisë.” Ai nuk e pati shpërfillur përgatitjen më të rëndësishme, një lutje për të shenjtëruar punën tonë për të mirën tonë dhe lavdinë e Zotit.

2. Përgatituni të mbani përgjegjësi para Krishtit për çdo mendim, fjalë dhe veprim.

Shkrimet e shenjta e bëjnë të qartë se do të ketë një ditë të madhe të gjykimit kur Zoti do të qëndrojë për të gjykuar kombet (shih 3 Nefi 27:16) dhe kur çdo gju do të përkulet dhe çdo gjuhë do të pranojë se Ai është Krishti (shih Romakëve 14:11; Mosia 27:31; DeB 76:110). Natyra vetjake dhe shtrirja e atij gjykimi janë përshkruar nga Alma në Librin e Mormonit:

“Pasi fjalët tona do të na dënojnë, po, të gjitha veprat tona do të na dënojnë; ne nuk do të gjendemi pa njollë; dhe mendimet tona do të na dënojnë gjithashtu; dhe në këtë gjendje të tmerrshme ne nuk do të guxojmë të shikojmë drejt Perëndisë tonë; dhe ne do të ishim shumë të gëzuar po të mund të urdhëronim shkëmbinjtë dhe malet të binin mbi ne që të na fshihnin nga prania e tij.

Por, kjo nuk mund të jetë; ne duhet të vijmë dhe të qëndrojmë para tij, në lavdinë e tij dhe në pushtetin e tij dhe në fuqinë, madhështinë dhe sundimin e tij dhe të pranojmë me turpin tonë të përjetshëm se të gjitha gjykimet e tij janë të drejta; se ai është i drejtë në të gjitha veprat e tij dhe se ai është i mëshirshëm me fëmijët e njerëzve dhe se ai ka gjithë fuqinë të shpëtojë çdo njeri që beson në emrin e tij dhe sjell fryt që i përshtatet pendimit” (Alma 12:14–15).

Kur Shpëtimtari e përkufizoi ungjillin e Tij, ky gjykim ishte qendror për të. Ai tha:

“Vini re, unë ju kam dhënë ungjillin tim dhe ky është ungjilli që ju kam dhënë—se unë erdha në botë për të bërë vullnetin e Atit tim, sepse Ati im më dërgoi.

Dhe, Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq; dhe pasi u ngrita në kryq, që t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë, që ashtu si unë u ngrita nga njerëzit, ashtu dhe njerëzit të ngrihen nga Ati, që të qëndrojnë para meje për t’u gjykuar për veprat e tyre, qofshin ato të mira ose qofshin ato të liga—

Dhe për këtë shkak unë jam ngritur; prandaj, sipas fuqisë së Atit, unë do t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë, që ata të gjykohen sipas veprave të tyre” (3 Nefi 27:13–15).

Të qenit “ngritur mbi kryq” është, sigurisht, një mënyrë simbolike për t’iu referuar Shlyerjes së Jezu Krishtit me të cilën Ai plotësoi kërkesat që drejtësia mund të ketë mbi secilin prej nesh. Me fjalë të tjera, me anë të vuajtjes dhe vdekjes së Tij në Gjetseman dhe në Golgota, Ai pagoi gjithçka që drejtësia mund të kërkonte nga ne për mëkatet tona. Ai për këtë arsye qëndron në vendin e drejtësisë dhe është përfaqësuesi i drejtësisë. Në të njëjtën mënyrë siç Perëndia është dashuri, Perëndia është gjithashtu drejtësi. Borxhet dhe detyrimet tona tani i detyrohen Jezu Krishtit. Ai, për këtë arsye, ka të drejtën të na gjykojë ne.

Ai gjykim, deklaron Ai, bazohet në veprat tona. “Lajmi i mirë” i veçantë i ungjillit të Tij është se Ai ofron dhuratën e faljes të kushtëzuar me pendimin tonë. Prandaj, nëse veprat tona përfshijnë veprat e pendimit, Ai i fal mëkatet dhe gabimet tona. Nëse ne hedhim poshtë dhuratën e faljes, duke kundërshtuar të pendohemi, atëherë ndëshkimet e drejtësisë që Ai tani përfaqëson, vendosen. Ai tha: “Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen; Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë” (DeB 19:16–17).

Prandaj, ta kujtojmë gjithmonë Atë, do të thotë që ne gjithmonë të kujtojmë se asgjë nuk i fshihet Atij. Nuk ka asnjë pjesë të jetës sonë, qoftë veprim, fjalë, apo madje mendim, që mund të fshihet nga dijenia e Atit dhe e Birit. Asnjë mashtrim në një provë, asnjë rast vjedhje në dyqan, asnjë fantazi apo kënaqje epshore apo privilegj dhe asnjë gënjeshtër nuk shpëton, kalon, fshihet apo harrohet. Çfarëdo gjëje “me të cilën fshihemi” në jetë ose arrijmë ta fshehim nga njerëzit e tjerë, ne përsëri duhet të përballemi kur dita e pashmangshme vjen që na ngre përpara Jezu Krishtit, Perëndisë së drejtësisë së pastër dhe të përsosur.

Ky realitet më ka ndihmuar të nxitem në kohëra të ndryshme, qoftë në pendesë apo të shmang krejtësisht një mëkat. Në një rast në lidhje me një shitje shtëpie, kishte një gabim në dokumentat dhe unë e pashë veten në një pozitë ku, ligjërisht, më takonte të merrja më shumë para nga blerësi. Agjenti im i pasurisë së patundshme më pyeti nëse doja t’i mbaja paratë përderisa ishte e drejta ime ta bëja këtë. Unë mendova rreth përballjes me Zotin, përfaqësuesin e drejtësisë, dhe duke u përpjekur të shpjegoj se unë pata një të drejtë ligjore të përfitoj nga blerësi dhe gabimi i tij. Nuk mund ta imagjinoja veten shumë bindës, veçanërisht gjersa ndoshta do të gjendesha duke kërkuar njëkohësisht mëshirë për veten. Unë e dija se nuk mund të jetoja me veten, nëse do të isha aq i pandershëm sa t’i mbaja paratë. Iu përgjigja agjentit se do të qëndronim te marrëveshja ashtu si e kuptuam të gjithë fillimisht. Për mua ia vlen shumë më tepër se çfarëdo shume parash, që ta di se nuk kam asgjë për t’u penduar në atë transaksion.

Në rininë time një herë shfaqa një pakujdesi që i shkaktoi një plagë të vogël njërit prej vëllezërve të mi. Unë nuk tregova për budallallëkun tim atëherë dhe askush nuk dinte rreth rolit tim në atë çështje. Vite më vonë, unë po lutesha që Perëndia të më zbulonte çdo gjë në jetën time që duhej korrigjuar në mënyrë që unë të mund të jem më i pranueshëm përpara Tij dhe kjo ngjarje më erdhi në mend. Unë e pata harruar, por Shpirti më pëshpëriti se kjo ishte një shkelje e pa zgjidhur që unë duhej ta tregoja. Unë e thirra vëllanë, u shpjegova, dhe i kërkova të më falte, gjë që ai e bëri menjëherë dhe bujarisht. Sikleti dhe keqardhja ime do të kishin qenë më të vogla, nëse unë do të kisha kërkuar falje kur ndodhi aksidenti.

Ishte interesante dhe kuptimplote për mua që Zoti nuk kishte harruar rreth asaj ngjarjeje të së kaluarës së largët edhe pse unë e kisha harruar. Mëkatet nuk kujdesen vet për veten apo thjesht të fashiten. Mëkatet nuk mund “të fshihen nën rrogoz” në kuptimin e përjetshëm të gjërave. Ato duhet të trajtohen dhe gjëja e mrekullueshme është se në saj të hirit shlyes së Shpëtimtarit, ato mund të trajtohen me një mënyrë shumë më të lumtur dhe më pak të dhimbshme, sesa duke kënaqur vetë drejtpërdrejt drejtësinë e cënuar.

Ne duhet gjithashtu të marrim zemër kur mendojmë për një gjykim ku asgjë nuk shpëton, sepse kjo do të thotë gjithashtu se asnjë akt bindjeje, asnjë mirësi dhe asnjë vepër e mirë sado e vogël nuk harrohet ndonjëherë dhe asnjë bekim përkatës mund të mbahet pa dhënë.

3. Mos u druani të vështroni te Shpëtimtari për ndihmë.

Në ditët e para të Rivendosjes, Jezusi i këshilloi dhe i qetësoi Jozef Smithin dhe Oliver Kaudrin, që po punonin për të përkthyer Librin e Mormonit dhe që shpejt do t’u jepej priftëria. Jozefi ishte 23 vjeç atë kohë dhe Oliveri ishte 22. Përndjekja dhe pengesa të tjera ishin të shpeshta nëse jo të përhershme. Në këto kushte, në prill 1829, Zoti u tha këto fjalë atyre:

“Mos ki frikë, tufë e vogël; bëni mirë; le të bashkohen toka e ferri kundër jush, sepse, nëse ju ndërtoheni mbi shkëmbin tim, ato s’mund të triumfojnë.

Vini re, unë nuk ju dënoj; shkoni në rrugët tuaja dhe mos mëkatoni më; kryeni me maturi punën që ju kam urdhëruar.

Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë.

Vini re plagët që tejshpuan ijën time dhe gjithashtu shenjat e gozhdëve në duart dhe këmbët e mia; jini besnikë, zbatoni urdhërimet e mia dhe ju do të trashëgoni mbretërinë e qiellit. Amen” (DeB 6:34–37).

Të vështruarit te Shpëtimtari në çdo mendim është, sigurisht, një mënyrë tjetër e të thënit “gjithnjë ta kujtojmë atë”. Ndërsa veprojmë, nuk duhet të kemi dyshim apo frikë. Shpëtimtari i kujtoi Jozefin dhe Oliverin, ashtu siç Ai na kujton ne që nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Atij i është dhënë e gjithë fuqia në qiell e në tokë (shih Mateu 28:18) dhe ka edhe aftësinë, edhe vullnetin të na mbrojë ne dhe t’u shërbejë nevojave tona. Ne kemi nevojë vetëm të jemi besnikë dhe ne mund të mbështetemi pa dyshim në Të.

Përpara zbulesës qetësuese dhënë Jozefit dhe Oliverit, Profeti duroi një përjetim therës, të dhimbshëm, që i mësoi atij të shohë te Shpëtimtari dhe të mos trembet nga opinionet, presionet dhe kërcënimet e njerëzve.

Në qershor 1828 Jozefi i lejoi Martin Harrisit të merrte 116 faqet e para në dorëshkrim të Librit të Mormonit nga Harmoni e Pensilvanisë, për t’ua treguar anëtarëve të familjes në Palmira të Nju-Jorkut. Pasi Martini nuk u kthye siç ishte premtuar, një Jozef në ankth udhëtoi me karrocë poste te shtëpia e prindërve të tij në Mançester-Taunship të Nju-Jorkut. Profeti menjëherë lajmëroi Martinin. Kur Martini arriti, ai tha se nuk e kishte dorëshkrimin dhe as nuk dinte ku gjendej.

Jozefi thirri: “Oh! Perëndia im, Perëndia im… Gjithçka ka humbur, ka humbur. Si do t’ia bëj? Unë kam mëkatuar. Jam unë që tundova zemërimin e Perëndisë duke i kërkuar për atë që nuk pata të drejtë ta kërkoj… Për çfarë qortimi nuk jam i denjë nga engjëlli i Më të Lartit?”

Ditën tjetër Profeti u kthye në Harmoni. Kur mbërriti atje, ai tha: “Unë fillova ta përul veten në lutje të fuqishme përpara Zotit … që nëse do të qe e mundur të mund të merrja mëshirë në duart e tij dhe të falesha për gjithçka pata bërë që ishte në kundërshtim me vullnetin e tij”2.

Pasi e qortoi Jozefin për trembje nga njeriu më shumë se nga Perëndia, Zoti i tha atij:

“Vër re, ti je Jozef-i dhe u zgjodhe të bëje veprën e Zotit, por për shkak të shkeljes, nëse nuk je i kujdesshëm, ti do të biesh.

Por kujto, Perëndia është i mëshirshëm; si rrjedhim, pendohu për atë që ke bërë, e cila është në kundërshtim me urdhërimin që unë të dhashë dhe ende je i zgjedhur e përsëri je i thirrur për veprën” (DeB 3:9–10).

“Për një kohë, Zoti ia mori Urimin e Thumimin dhe fletët nga Jozefi. Por këto gjëra shpejt iu dhanë përsëri atij. ‘Engjëlli u gëzua kur ai m’i dha përsëri Urimin e Thumimin’, kujtonte Profeti, ‘dhe tha se Perëndia ishte i kënaqur me besnikërinë dhe përulësinë time dhe më donte mua për pendimin dhe zellin në lutje, ku unë e pata kryer detyrën time aq mirë sa të … isha i aftë të hyj në punën e përkthimit përsëri.’ Kur Jozefi përparoi në punën e madhe që kishte përpara, ai ishte tashmë i fuqizuar nga ndjesitë e ëmbla të marrjes së faljes nga Zoti dhe nga një vendosmëri e ripërtëritur për të bërë vullnetin e Tij.”3

Vendosmëria e Profetit që të mbështetej në Perëndi dhe të mos trembej nga ajo që mund të bënin njerëzit u ngulit pas kësaj përvoje. Jeta e tij paskëtaj ishte një shembull ndriçues i asaj çka do të thotë të kujtosh Krishtin duke u mbështetur në fuqinë dhe mëshirën e Tij. Jozefi e shprehu këtë arsyetim gjatë burgosjes së tij tepër të vështirë dhe sfiduese në Liberti të Misurit, me këto fjalë:

“Ju e dini, vëllezër, që një anije shumë e madhe ka shumë përfitim nga një timon shumë i vogël në kohën e një stuhie, duke u mbajtur në mënyrë të sigurtë ndaj erës dhe valëve.

Si rrjedhim, vëllezër shumë të dashur, le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet” (DeB 123:16–17).

Me pak fjalë “gjithmonë ta kujtojmë atë” do të thotë që ne nuk e jetojmë jetën në frikë. Ne e dimë se sfidat, zhgënjimet dhe hidhërimet do të vijnë te secili prej nesh në mënyra të ndryshme, por ne dimë gjithashtu se në fund, në sajë të Avokatit tonë hyjnor, të gjitha gjërat mund të bëhen që të veprojnë së bashku për të mirën tonë (shih DeB 90:24; 98:3). Është besimi i shprehur aq thjeshtë nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) kur ai do të thoshte: “Gjërat do të zgjidhen”4. Kur ne gjithmonë e kujtojmë Shpëtimtarin, ne mund “të bëjmë gëzueshëm të gjitha gjërat që varen nga ne”, të bindur se fuqia dhe dashuria e Tij për ne do të na shoqërojnë deri në fund.

E kujtofshim gjthmonë Atë – “që të mund të [kemi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]” (DeB 20:77). Unë jap dëshminë time për fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Unë jap dëshmi për realitetin e Zotit që jeton, i ringjallur. Unë jap dëshmi për dashurinë e pafund dhe vetjake të Atit dhe të Birit për secilin prej nesh dhe unë lutem që ne të jetojmë me kujtesën e përhershme për atë dashuri në të gjitha shprehjet e saj.

Shënime

  1. Brigham Young, “Discourse”, Deseret News, 10 shtator 1856, f. 212.

  2. ShihTeachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 69, 71.

  3. Teachings: Joseph Smith, f. 71.

  4. Në Jeffrey R. Holland, “President Gordon B. Hinckley: Stalwart and Brave He Stands”, Liahona, qershor 1995 botim special, f. 6.

Paqe Unë ju Lë Juve, nga Walter Rane, me mirësinë e Muzeut të Historisë së Kishës; Bukë e Thyer, nga Walter Rane

KRISHTI NË GJETSEMANI nga heinrich hofmann, ME MIRËSINË E c. harrison conroy co.

Ardhja e Dytë, nga Harry Anderson. © IRI

Ai Vajosi Sytë e Njeriut të Verbër, nga Walter Rane, me mirësi të Muzeut të Historisë së Kishës