2011
Lundrimi Drejt Ishujve Marshall
Prill 2011


Lundrimi Drejt IISHUJVE Marshall

Kur lundrojmë nëpër cekëtinat shkëmbore të jetës, secili prej nesh përfiton nga drejtimi i anëtarëve besnikë që të na ndihmojnë të bëjmë rrugën tonë të kthimit në shtëpinë tonë qiellore.

Marinarët e lashtë udhëtonin nëpër dete të drejtuar nga pozicioni i diellit, hënës dhe i yjeve. Natën ata i mbanin fort sytë përqendruar tek Ylli i Veriut, pozicioni i tij fiks që siguronte një spirancë qiellore për marinarët, duke i ndihmuar ata të lundronin në kursin e vërtetë të destinacionit të tyre.

Në Ishujt Marshall të Oqeanit Paqësor, marinarët zbuluan një teknikë tjetër. Atje, modelet e valëve, apo të dallgëve të oqeanit, lëvizin midis atoleve dhe ishujve në një model të qëndrueshëm. Një marinar i trajnuar mirë mund të udhëtojë me qindra kilometra duke ndjekur një rrjetë të ndërlikuar dallgësh, – secila si një rrugë me një drejtim – nga një ishull apo atol te tjetri. Ata që dinë ku janë dallgët dhe për ku lëvizin ato, mund të drejtojnë udhëtarë të tjerë me siguri për te destinacioni i tyre.

Për anëtarë të Kishës, Jezu Krishti është shembulli ynë i përsosur, drita e vërtetë e të cilit na drejton ne. Ligjet dhe ordinancat e tij, ashtu si dallgët e oqeanit, mund të na çojnë ne të sigurt në shtëpinë tonë qiellore. Përsëri për të gjithë ne, ka të tjerë, shërbimi dhe mbështetja e të cilëve vepron në bashkërendim me rolin e timonierit Mjeshtër. Në historitë që vijojnë, tre anëtarë marshallas tregojnë sesi të tjerë i ndihmuan ata të lundrojnë në cekëtinat shkëmbore dhe stuhitë e jetës për t’i drejtuar ata te Krishti.

Ndikimi i një Gruaje të Drejtë

Hirobo Obeketang mbështetet në kolltukun e tij dhe buzëqesh. Ai dhe bashkëshortja e tij, Linda, sapo kanë mbaruar mbajtjen e një mbrëmjeje familjare në shtëpi me katër nga fëmijët e tyre dhe me motrat misionare. Ata gjithashtu i mikpritën misionaret me një drekë peshku, të plotë me sy dhe bisht – një traditë në Majuro, kryeqyteti i Ishujve Marshall. Kur Hirobo përshkruan jetën e tij, ai shpreh sa mirënjohës është për Kishën, ungjillin dhe familjen e tij, veçanërisht për bashkëshorten e tij.

Është qershor 2009. Një ditë më parë u krijua Kunji i Majuros në Ishujt Marshall dhe Hirobo u thirr të shërbente si sekretari i parë ekzekutiv i kunjit. Hirobo, siç e përshkruan atë presidenti i ri i kunjit Arlington Tibon, “është shumë, shumë i fortë,” një nga udhëheqësit më besnikë të ishullit.

Por Hirobo është i pari që tregon se deri kohët e fundit nuk ishte kështu. Në fakt, ai i jep merita bashkëshortes së tij të jetë e forta – ajo që bëri ndryshimin në jetën e tij. Ai shpjegon: “Unë u pagëzova kur isha tetë vjeç, por kur isha 16, unë u bëra më pak aktiv.”

Pak vite më vonë ai dhe Linda filluan të jetonin së bashku, edhe pse nuk ishin të martuar. Linda nuk ishte anëtare e Kishës. Në 2000-ën, pak pasi Linda mësoi se Hirobo pati qenë pagëzuar si fëmijë, ajo u interesua për Kishën dhe filloi të takohet me motrat misionare.

“Ajo studioi për dy vite dhe vendosi që të pagëzohej,” kujton Hirobo. “Ne duhej të martoheshim së pari, por unë nuk isha i interesuar të martohesha. Unë isha i turbullt; unë isha vërtet në tundimet e botës. Unë nuk e kuptoja rëndësinë e familjes dhe unë nuk kujdesesha apo dëgjoja vërtet askënd.”

Linda, edhe pse e pa pagëzuar, i rriti fëmijët e tyre në Kishë. Çdo vit ajo i kërkonte Hirobos të martohej me të që ajo të mund të pagëzohej; çdo herë ai thoshte jo. Gjatë viteve dy nga vajzat e tyre u pagëzuan, por Hirobo nuk mori pjesë në pagëzimet e tyre.

Pastaj, në 2006-ën, djali i tyre nëntëvjeçar, Takao, vdiq nga një krizë dhe temperaturë e lartë. Rreth 300 anëtarë nga distrikti i Majuros erdhën në funeral për të mbështetur familjen.

“Mbështetja e tyre ishte vërtet një gjë e madhe për mua,” thotë Hirobo. “Unë fillova të mendoj se Perëndia ndoshta po më tregonte diçka.”

Filloi të mendonte rreth mënyrës se si ai ishte shkaku që bashkëshortja e tij nuk mund të pagëzohej, madje edhe pse ai ishte anëtar i Kishës. “Ajo po bëhej gjithnjë dhe më e fortë. Ajo ishte vërtet duke më frymëzuar,” kujton ai.

“Kështu unë u ula dhe mendova rreth asaj që unë isha në gjysmën e rrugës së jetës sime. Unë pyeta veten: ‘A do të vazhdoj të bëj atë që po bëj? A kam shans të punoj për Perëndinë gjatë gjysmës së dytë të jetës sime?’ Unë fillova të lutem dhe të mendoj rreth kthimit në kishë për të filluar që të punoj për Perëndinë.”

Hirobo filloi të studionte me misionarët dhe të mësonte përsëri doktrinën. Presidenti Nelson Blik (N. Bleak) i Misionit të Majuros në Ishujt Marshall u miqësua me të, siç bënë edhe anëtarë të tjerë, përfshi presidentin e distriktit Arlington Tibon. Së fundi, Hirobo u angazhua të rikthehej dhe punën tjetër ai e dinte, ai merrte pjesë jo thjesht në mbledhjen e sakramentit, por gjithashtu në shkollën e së dielës dhe në mbledhjen e priftërisë. Më në fund, Hirobo e mblodhi mendjen.

“Kur unë erdha përsëri, thashë: ‘Kjo është. Kjo është ajo që do të bëj.’ Dhe ajo e ndryshoi jetën time tërësisht.”

Hirobo dhe Linda u martuan më 30 gusht 2008. Ai shpejt mori priftërinë Aarone dhe pagëzoi bashkëshorten e tij. Dy muaj më vonë Hirobo mori priftërinë Melkizedeke dhe u thirr si sekretar ekzekutiv i distriktit.

Hirobo vështron bashkëshorten e tij dhe buzëqesh. “Ajo nuk mund ta besojë se isha unë ai që e pagëzoi,” thotë ai. “Përfytyro – asaj iu deshën tetë vite, nga 2000 deri në 2008. Ajo është e mahnitshme.”

Shembulli i një Babai të Drejtë

Ndonjëherë udhërrëfyesi ynë, si marinar, punon ngushtësisht me ne, duke na mësuar çka duhet të dimë që të mund ta drejtojmë me sukses jetën. Në shumë raste marinari e përmbush këtë duke dhënë shembullin për ne që ta ndjekim. I tillë ishte rasti me babanë e Patricia Horiukit, Frankun.

Pas takimit me misionarët, Franku filloi t’i ftonte ata rregullisht për darkë. Shpejt ai filloi të merrte mësimet. Por askush tjetër në familjen e tij nuk donte të kishte të bënte me Kishën. “Kur ne shihnim misionarët që vinin,” thotë Patrisha, “ne do të largoheshim të gjithë – unë dhe vëllezërit dhe motrat e mia më të vogla.”

Pastaj Franku u pagëzua në korrik 2007 nga presidenti i misionit, Nelson Blik. Ishte një moment përcaktues për Patrishan dhe vëllezërit dhe motrat e saj.

“Unë pashë babanë tim të ndryshojë,” thotë ajo. “Unë e dija se nëse ungjilli mund të prekte zemrën e babait tim, ai mund të prekte timen dhe të ndryshonte jetën time. Kështu unë vendosa të studioj me motrat misionare dhe ato më ftuan të studioj Librin e Mormonit dhe Biblën. Vëllai im dhe unë patëm patur një përplasje përpara kësaj dhe unë nuk e pata falur kurrë atë. Pastaj unë lexova në shkrimet e shenjta se nëse ju falni të tjerët, Perëndia do t’ju falë ju.” (Shih 3 Nefi 13:14–15.)

Patrisha kuptoi se ajo duhej ta falte vëllanë e saj me qëllim që të fillonte ta ndryshonte jetën e saj, të ishte e pastër dhe të kishte paqe. Kështu veproi ajo.

“Pasi unë hodha tej qëndrimet e mia të këqija dhe u ndryshova në njeri tjetër që mbante urdhërimet, isha aq e emocionuar. Unë e dija se duhej të pagëzohesha që të mund të jem në Kishën e vërtetë,” thotë ajo. “Kisha më vuri në vijën e drejtë. Ajo më shkëputi nga ndikimet e këqija. Ajo më mësoi të respektoj prindërit e mi, të qëndroj në shkollë dhe të vazhdoj në vijën e drejtë.”

Ndikimi i një Gruaje të Drejtë

Lidia Kaminaga, si Hirobo Obeketangu, lindi në Kishë por u bë më pak aktive gjatë viteve të saj të dhjeta. Por historia e udhëtimit të saj të kthimit është sa e mrekullueshme aq edhe eveçantë.

Dhe bashkëshorti i saj, Kaminaga Kaminaga, që të dy u rritën në Kishë. “Unë kurrë nuk pata ndonjë dyshim rreth mësimeve të Kishës,” thotë Kaminaga. “Unë gjithmonë i kam besuar ato.”

Por jeta erdhi ndryshe për Lidian. Kur ishte në klasën e katërt, thotë ajo: “Unë isha e vetmja mormone në shkollën time dhe ndihesha e lënë jashtë. Unë bëja atë që bënin miqtë e mi. Unë i vendosa përparësitë gabim.”

Prindërit e Lidias e dërguan atë në Provo, Juta, ShBA, që të jetonte me familjen, duke shpresuar se ndikimi i tyre mund ta frymëzonte Lidian që të jetonte ungjillin. Edhe pse ajo mësoi gjëra që e ndihmuan më vonë në jetë, në atë kohë ajo nuk ishte e interesuar në aktivitetin e Kishës.

Lidia u kthye në Ishujt Marshall në janar të 2002-shit, vetëm një muaj pasi Kaminaga u kthye nga shërbimi i një misioni në Japoni. Ata u takuan shpejt pas kësaj. Edhe pse Lidia nuk po jetonte sipas standardeve të Kishës, Kaminaga vazhdoi të vinte te shtëpia e saj duke u justifikuar se donte të vizitonte nipin e saj, Geri Zakiusin.

Më në fund, Kaminaga e ndau mendjen për të folur me prindërit e saj që të dilnin në takime – në aktivitete të shëndetshme, të pastra – me Lidian. Edhe pse ata fillimisht u përpoqën t’ia ndryshonin mendjen, Kaminaga thotë se ai “më në fund u tha atyre, ‘Ka ende një shans për të që të ndryshojë.’ Kur unë thashë këtë, e gjithë ndjesia në dhomë ndryshoi. Babai i saj thirri dhe tha: ‘Unë gjithmonë e kam dashur atë të kthehet në Kishë. Ti mund të përpiqesh.’”

Në fillim Lidia nuk e mori seriozisht Kaminagën. Në fund të fundit, ai ishte një misionar i kthyer i mbajtur mirë dhe ajo nuk kishte qenë aktive.

“Por ai shihte diçka që unë nuk e shihja”, shpjegon Lidia. Gjersa nuk po takohej me askënd, ajo ra dakord të dilte me të. “Ai më riktheu mua. Duke qenë mikesha e tij, unë duhej t’i vendosja standardet e mia në rregull. Ai më kujtoi për besëlidhjet e mia të bëra në pagëzim. Ai më kujtoi mua për të gjitha gjërat që vërtet më mungonin shumë, si leximi i shkrimeve të shenjta dhe mbrëmja familjare në shtëpi. Kaminaga dhe unë bëmë projekte shërbimi së bashku. Leximi i Librit të Mormonit. Ne shkuam në takime shpirtërore rreth vatrës. Ai më tregoi si të jetoj ndryshe. Shkuarja në kishë nuk ishte thjesht mbledhja e sakramentit, por gjithashtu shkolla e së dielës dhe Shoqata e Ndihmës gjithashtu.”

Ndërsa ata kalonin kohë së bashku në takime që ishin të shëndetshme dhe lartësuese, jeta e Lidias filloi të ndryshojë dhe dëshmia e saj u rrit. Ajo ende duhej të zgjidhte disa mëkate, gjithsesi.

“Ishte e vështirë të riktheheshe”, pranon ajo. “Pendesa nuk është e lehtë, por unë kam një dëshmi pendese vërtet të fortë. Në një mori mënyrash, takimet tona ishin mbi njohjen e njëri-tjetrit më shumë dhe rreth rikthimit tim në kishë, për t’i parë gjërat ndryshe.”

“Është fjala për marrëdhënie”, shton Kaminaga.

Lidia dhe Kaminaga u martuan më 28 nëntor 2002. Një vit më vonë ata u vulosën në Tempullin e Laie të Havait dhe ndoqën Universitetin Brigam Jang – në Havai. Tani ata jetojnë në Ishujt Marshall me tre fëmijët e tyre. Lidia shërben si mësuese e shkollës së të dielës në lagje për të rinjtë dhe të rejat dhe Kaminaga shërben si president i të rinjve.

Siç dëshmojnë Hirobo, Patrisha dhe Lidia, kur ne ushtrojmë durim dhe këmbëngulje dhe kërkojmë bekimet e Zotit, shumë gjëra janë të mundura. Ata që ndjekin Shpëtimtarin dhe mbajnë vesh nxitjet e Frymës së Shenjtë munden, si marinari i lashtë që kthente udhëtarët në shtëpi, të bëjnë gjithë ndryshimin në jetën e një njeriu tjetër.

Lart majtas: Hirobo Obeketang (tregohet gjithashtu me familjen e tij në faqet e mëparshme) punon si menaxher hoteli. Poshtë: Patrisha Horiuki ishte udhëheqëse për konferencën e parë të të rinjve në moshë madhore të Ishujve Marshall në qershor 2009 (poshtë djathtas).

“Unë kam një dëshmi të fortë për pendimin”, thotë Lidia Kaminaga, që është këtu me bashkëshortin e saj, Kaminaga dhe me vajzën e tyre, Uellisa.

Foto nga Joshua J. Perkey, përveç siç është shënuar; foto të anijes me vela © Getty Images