2011
‘E Gjitha Kjo Më Bekon’
Prill 2011


Shërbimi në Kishë

“E Gjitha Kjo Më Bekon”

Nëse është e shtunë, ju do ta gjeni Elvira Gualjarelon duke punuar me vrull në kuzhinën e shtëpisë së saj në Puerto-Madrin, që gjendet në brigjet e Nuevo-Gulfit të Argjentinës, në provincën jugore të Çubutit.

Ajo mat miell dhe ujë dhe pastaj zgjatet për përbërësit e tjerë. Ajo flet pak kur punon, veprimet flasin më fort se fjalët e saj. Në fund të fundit, ajo është në punën e Zotit.

“Unë ndihem mirë, sepse e di që po bëj diçka të mirë”, thotë Motra Gualjarelo ndërsa përzien përbërësit. Ajo mendon për Shpëtimtarin kur punon, e lumtur nga mendimi se rezultati i shërbimit të saj do të ndihmojë anëtarë të tjerë të Kishës që ta kujtojnë Atë.

Motra Gualjarelo, 82 vjeçe, kënaqet me shërbimin si mësuese vizitore, ndihmon për të drejtuar muzikën në lagjen e saj dhe përgatit bukë për ta përdorur në ordinancën e sakramentit – një thirrje që ajo e ka lartësuar për afërsisht 10 vite. Ajo përgatit nga fillimi i javës një çyrek buke për vete, por të shtunave ajo veçon kohë që të përgatisë bukë “posaçërisht për Kishën”, thotë ajo. “I them vetes: ‘Unë duhet ta përgatis bukën dhe unë duhet të shkoj në kishë’. Nuk dua të dështoj.”

Kur e lejon shëndeti, ajo gjithashtu shkon në tempull – duke kryer një udhëtim 20-orësh me autobus çdo vit në veri për në Tempullin e Buenos-Ajresit në Argjentinë.

“Motra Gualjarelo është gjithmonë e lumtur të shërbejë në çdo mënyrë që mundet”, thotë peshkopi i saj, Hezús Santos Gumiel. “Anëtarët e lagjes e dinë se mund të mbështeten tek ajo. Me gjithë moshën e saj, ajo është besnike për përgatitjen e bukës çdo të shtunë dhe për ardhjen në kishë çdo të diel. Ajo është një shembull i mirë.”

Motra Gualjarelo i takoi misionarët kohëplotë në 1962 në Mar-del-Plata në jug të Buenos-Ajresit, kur punonte në një pension ku jetonin ata. Kur i njohu ata që po trokisnin nëpër dyer 15 vite më vonë, pasi ishte transferuar në Puerto-Madrin, ajo dëgjoi diskutimet, u pagëzua dhe filloi jetën e saj të shërbimit në Kishë.

Sot ajo jeton më vete, por nuk ndihet e vetmuar. Ajo ka shkrimet e saj të shenjta, familjen e saj të lagjes dhe bashkëbisedon shpesh me Atin e saj Qiellor nëpërmjet lutjes. Për më tepër, ajo gëzon shoqërimin e Shpirtit, të cilin Zoti ua ka premtuar atyre që i shërbejnë Atij duke u shërbyer të tjerëve.1

“E gjitha kjo më bekon”, thotë Motra Gualjarelo me një buzëqeshje. “Kisha na vë në punë dhe kjo më bën të lumtur. Kam gjetur gjithmonë gëzim në shërbimin për Atin tonë në Qiell.”

Elvira Gualjarelo

Në krye: fotografi nga Michael R. Morris