2011
Ndërmjetësi Jezu Krishti
Prill 2011


Ndërmjetësi Jezu Krishti

Nga Parimet e Ungjillit (06195), seksioni “Shlyerja Bën të Mundur për Ata Që Kanë Besim te Krishti që të Shpëtohen nga Mëkatet e Tyre”, paragrafët 6–32.

Jezu Krishti, Ndërmjetësi ynë, paguan çmimin që ne nuk jemi në gjendje ta paguajmë, në mënyrë që të rikthehemi për të jetuar me Atin tonë Qiellor.

Pamja
President Boyd K. Packer

Më lejoni t’ju tregoj një histori – një shëmbëlltyrë.

Na ishte një herë një burrë që dëshironte diçka me gjithë zemër. Ajo dukej më e rëndësishme se çdo gjë tjetër në jetë. Për ta realizuar dëshirën e tij, ai hyri në [mori përsipër] një borxh shumë të madh.

E kishin paralajmëruar të mos hynte në një borxh aq të madh dhe veçanërisht e kishin paralajmëruar për huadhënësin e tij. Por për të dukej kaq e rëndësishme të bënte atë që donte dhe të kishte atë që donte pikërisht në atë çast. Ishte i sigurt se mund ta paguante më vonë.

Kështu nënshkroi një kontratë. Do ta paguante borxhin me kalimin e kohës. Nuk u shqetësua shumë për këtë, sepse afati i pagesës dukej shumë larg. E kishte marrë atë që donte tani dhe kjo dukej të ishte më e rëndësishme.

Huadhënësi ishte gjithmonë diku aty në mendjen e tij dhe herë pas herë ai bëri disa pagesa simbolike [të vogla] duke menduar se në një farë mënyre dita kur të bëheshin llogaritë në të vërtetë nuk do tëvinte kurrë.

Drejtësia apo Mëshira?

Por siç ndodh gjithmonë, dita erdhi dhe kontrata skadoi. Borxhi nuk ishte paguar plotësisht. Huadhënësi u shfaq dhe i kërkoi pagesën e plotë.

Vetëm atëherë ai e kuptoi se huadhënësi i tij jo vetëm kishte fuqinë të konfiskonte [t’ia hiqte] çdo gjë që ai kishte, por edhe fuqinë për ta hedhur atë vetë në burg.

“Nuk mund të të paguaj, sepse nuk kam mundësi”, pranoi ai.

“Atëherë”, tha huadhënësi, “do ta zbatojmë kontratën, do të marrim çdo gjë që ke dhe ti do të shkosh në burg. Ti e pranove këtë. Ishte zgjedhja jote. Nënshkrove kontratën dhe tani ajo duhet zbatuar.”

“A nuk mund ta shtysh afatin e pagesës, ose të ma falësh borxhin?” lypi borxhliu. “Bëj të mundur që në një farë mënyre të mbaj atë që është e imja dhe të mos shkoj në burg. Sigurisht, ti beson në mëshirë, apo jo? A nuk do të tregosh mëshirë?”

Huadhënësi u përgjigj: “Mëshira është gjithmonë tepër e njëanëshme. Do të të shërbente vetëm ty. Nëse unë tregoj mëshirë, nuk do të marr atë që më takon. Unë kërkoj vetëm drejtësi. A beson ti në drejtësi?”

“‘Unë besoja në drejtësi kur e nënshkrova kontratën”, tha borxhliu. “Ajo ishte në anën time në atë kohë, sepse mendova se do të më mbronte. Në atë kohë nuk kisha nevojë për mëshirë, as nuk mendova se do të kisha nevojë ndonjëherë.”

“Është drejtësia që kërkon nga ty ta paguash borxhin ose të vuash dënimin”, iu përgjigj huadhënësi. “Ky është ligji. Ti e ke pranuar dhe kështu duhet të jetë. Mëshira nuk mund ta grabisë drejtësinë.”

Ja ku ishin: njëri duke ushtruar drejtësi, tjetri duke u lutur për mëshirë. Asnjëri nuk mund të triumfonte [të fitonte] përveçse në kurriz të tjetrit.

“Po të mos ma falësh borxhin, s’do të ketë mëshirë”, u lut borxhliu.

“Po të ta fal, nuk do të ketë drejtësi”, ishte përgjigjja.

Me sa dukej ishte e pamundur të zbatoheshin të dy ligjet. Ato janë dy ideale të përjetshme që duket se e kundërshtojnë njëri-tjetrin. A nuk ekziston një mënyrë që drejtësia të përmbushet dhe po kështu edhe mëshira?

Ka një mënyrë! Ligji i drejtësisë mund të kënaqet plotësisht dhe mëshira mund të jepet plotësisht – por kërkon dikë tjetër. Dhe kështu ndodhi këtë herë.

Ndërmjetësi i Tij

Borxhliu kishte një mik. Ai e ndihmoi. Ai e njihte mirë borxhliun. Mendoi se ishte marrëzi që e kishte ngatërruar veten në një situatë të tillë. E megjithatë, ai donte ta ndihmonte mikun e tij, sepse e donte. Ai u fut mes tyre, u drejtua nga huadhënësi dhe bëri ofertën e tij: “Do ta paguaj unë borxhin nëse e liron borxhliun nga kontrata e tij, që të mund të mbajë pronat dhe të mos shkojë në burg”.

Ndërsa huadhënësi po mendohej për ofertën, ndërmjetësi shtoi: “Ti kërkove drejtësi. E megjithëse ai nuk mund të të paguajë, do të paguaj unë. Çdo gjë do të jetë në rregull për ty dhe nuk mund të kërkosh më tepër. Nuk do të ishte e drejtë.”

Dhe kështu huadhënësi pranoi.

Më pas ndërmejtësi u kthye nga borxhliu. “Nëse paguaj borxhin tënd, a do të më pranosh mua si huadhënësin tënd?”

“Oh, po, po”, thirri borxhliu. “Ti më shpëtove nga burgu dhe tregove mëshirë për mua.”

“Atëherë”, tha mirëbërësi [dikush që ndihmon], “ti do të ma paguash mua borxhin dhe unë do të caktoj kushtet. Nuk do të jetë e lehtë, por do të jetë e mundur. Unë do të siguroj një mënyrë. Nuk ka përse të shkosh në burg.”

Dhe kështu huadhënësin e paguan deri në qindarkën e fundit. Drejtësia i ishte zbatuar. Kontrata nuk ishte shkelur.Nga ana tjetër, borxhliut iu dha mëshira. Të dy ligjet u përmbushën. Meqenëse kishte një ndërmjetës, drejtësia mori pjesën e saj të plotë dhe mëshira u përmbush plotësisht.

Ndërmjetësi Ynë

Secili nga ne jeton mbi një lloj huaje shpirtërore, një borxhi. Një ditë llogaria do të mbyllet, një ujdi do të kërkohet. Sado me shkujdesje që ne mund ta shohim tani, kur të vijë ajo ditë dhe konfiskimi të jetë i shpejtë [i afërt], do të vështrojmë rrotull në agoni të papushuar, për dikë, këdo, që të na ndihmojë.

Dhe, sipas ligjit të përjetshëm, mëshira nuk mund të jepet përveçse të jetë dikush që është i gatshëm e i aftë të marrë përsipër borxhin tonë dhe të paguajë çmimin e të rregullojë kushtet për shëlbimin tonë.

Përveç në pastë një ndërmjetës, përveç nëse kemi një mik, tërë pesha e drejtësisë duhet të bjerë mbi ne. Pagesa e plotë për çdo shkelje, sado e vogël apo sado e thellë, do të kërkohet [merret] nga ne deri në një.

Por dijeni këtë: E vërteta, e vërteta e lavdishme, shpall se ka një Ndërmjetës të tillë. “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri” (1 Timoteut 2:5). Nëpërmjet Tij mëshira mund t’i jepet plotësisht secilit nga ne, pa cenuar ligjin e përjetshëm të drejtësisë.

Dhënia e mëshirës nuk do të jetë e vetvetishme. Do të jetë përmes besëlidhjes me Të. Do të jetë mbi kushtet e Tij, kushtet e Tij bujare, të cilat përfshijnë, si një element absolutisht të domosdoshëm, pagëzimin me zhytje për heqjen e mëkateve.

I gjithë njerëzimi mund të mbrohet nëpërmjet ligjit të drejtësisë dhe, njëherazi, secilit nga ne, individualisht, mund t’i jepet bekimi shëlbues dhe shërues i mëshirës.

Ilustrim nga Dan Burr