2011
Rebecca Swain Williams [Rebeka Suain Uilliams]: ‘Të Qëndrueshëm dhe të Patundur’
Prill 2011


[Rebeka Suain Uilliams]: Të Qëndrueshëm dhe të Patundur

Megjithë armiqësinë e familjes së saj ndaj Kishës, kjo e kthyer e hershme qëndroi besnike dhe e devotshme ndaj punës.

Në qershor 1834 një nënë e re që ishte përballur me përjashtim nga trashëgimia nga babai i saj, shkroi një letër të guximshme dhe prekëse duke treguar bindjen e saj për Rivendosjen. Megjithëse ajo duhej ta kish ditur se perspektiva e ndryshimit të mendjes së saj ishte e errët, Rebeka Suain Uilliams, gjithsesi, qëndroi e fortë megjithë pasojat e pashmangshme. Ajo i tha të atit të saj, Isaakut, se Libri i Mormonit dhe Kisha ishin të vërteta, ashtu siç Profeti Jozef Smith e përshkruante, dhe se ajo pati dëgjuar të Tre Dëshmitarët “të deklaronin në një mbledhje publike se ata panë një Engjëll të Shenjtë të zbriste nga qielli dhe [të sillte] fletët, dhe t’i [linte] ato përpara syve të tyre”1.

Dëshmia e Rebekës është prekëse, jo thjesht për fuqinë që demonstron por gjithashtu, për shkak të dëshmisë së patundur dhe të vullnetit të saj të paepur. Pavarësisht kundërshtimit të babait të saj dhe të faktit se bashkëshorti i saj, Frederik G. Uilliams, u bë i pakënaqur nga Kisha për një kohë, Rebeka kurrë nuk lejoi që besimi i saj të lëkundej. E palodhur dhe këmbëngulëse, Rebeka qëndron si një shembull për ne sot se si mund të qëndrojmë fort përballë sfidave më të mëdha të jetës, edhe kur ata që janë më pranë nesh mund ta kundërshtojnë besimin tonë dhe të mos na pranojnë.

Kthimi në Kishë

E lindur në Pensilvani, SHBA, në 1798, Rebeka Suain ishte më e vogla nga 10 fëmijë.2 Kur ishte rreth nëntë vjeç, familja e saj u transferua në Niagara, pranë kufirit Shtetet e Bashkuara–Kanada. Ata ishin shumë pranë Fort Niagaras, sa që mund të dëgjonin zjarrin e artilerisë kur kështjella u sulmua gjatë luftës së 1812-ës. Edhe si vajzë e re Rebeka tregoi guximin e saj. Një herë, ndërsa udhëtonte e vetme nëpër pyje, ajo u gjend rrugës ballë për ballë me një ari. Duke patur një çadër dielli në dorë, ajo ia hapi e ia mbylli atë disa herë përpara fytyrës së ariut dhe ai u largua me vrap.3

Kur ishte 17 vjeçe, Rebeka kaloi liqenin Ontario për të vizituar motrën e saj në Detroit. Në udhëtim ajo takoi pilotin e gjatë, syzi të anijes, Frederik Granxher Uilliams. Vizitat e tyre të shpeshta shpejt e kthyen dhembshurinë në dashuri dhe të dy u martuan nga fundi i 1815. Uilliamsët lëvizën përreth Uestern Rizërv të Ohajos në SHBA, përpara se të vendoseshin përfundimisht në Kirtland aty nga 1828-a. Bashkëshorti i saj filloi të merrej me mjekësi dhe u bë mjaft i njohur për aftësitë e tij, ndërsa Rebeka mësoi ta ndihmojë me procedurat. Së bashku ata patën katër fëmijë.

Në vjeshtën e 1830-ës, misionarët e parë mormonë arritën në Kirtland. Rebeka i dëgjonte me interes dhe merrte pjesë në të gjitha takimet e misionarëve; ajo madje solli edhe fëmijët e saj. Frederiku mori pjesë aq sa puna me mjekësinë do ta lejonte. Ata të dy do të studionin, diskutonin dhe mësonin së bashku, por Frederiku ishte më pak i sigurt në angazhimin e tij. Ndërkohë Rebeka u bind për vërtetësinë e ungjillit.

Një biograf i familjes më vonë e përshkroi Rebekën të ngjashme me Evën në Kopshtin e Edenit: ajo ishte “e para që pa nevojën” për të hyrë në anëtarësi të plotë në besëlidhjen e ungjillit.4 Ajo u pagëzua në tetor 1830.

Frederiku ende ngurronte. Ndonjëherë ai donte ta linte Kishën, por në fund nuk mundej, sepse ai ndiente tërheqjen tek ai libër i shenjtë i ri, shkrimesh: Libri i Mormonit. Kur Shpirti punoi brenda tij, ai dalloi vërtetësinë e ungjillit dhe ndoqi shembullin e Rebekës duke u pagëzuar.

Shërbim i Përkushtuar

Kur Kisha shpejt u bë qendrore për jetën e Frederikut dhe të Rebekës, ndikimi në familjen e tyre ishte i menjëhershëm. Frederiku u shugurua plak menjëherë pas pagëzimit dhe konfirmimit të tij. Ditën tjetër, ai me entusiazëm pranoi një detyrë për t’u nisur brenda pak javësh për të shërbyer një mision me Oliver Kaudërin. Ata parashikonin se misioni do të zgjaste tri javë; në të vërtetë ai u bë një udhëtim 10-mujor në Misuri. Mungesa e tij e gjatë nga shtëpia ishte e para nga shumë periudha të tilla për Rebekën. Për shkak të përpjekjeve misionare të Frederikut dhe të thirrjes së tij në Presidencën e Parë, ai ishte shpesh larg. Rebeka, si shumë gra mormone të hershme, kaloi muaj të gjatë duke u kujdesur për shtëpinë e tyre dhe duke rritur fëmijët e tyre pa ndihmën e bashkëshortit të saj.

Me gjithë punën, Rebeka vazhdonte të ishte besnike dhe të shërbente me vullnet. Profeti Jozef Smith dhe familja e tij u strehuan në shtëpinë e Uilliamsëve për një kohë, kur Smithët shkuan për herë të parë në Kirtland. Rebeka u tregua besnike ndaj Profetit dhe familjes së tij kur ajo u kujdes për ta gjatë kohërave të vështira. Një herë një turmë erdhi dhe rrethoi shtëpinë duke kërkuar Jozefin. Rebeka e maskoi Jozefin me kapelën dhe pelerinën e saj. Jozefi mundi të largohej nga shtëpia dhe të kalonte përmes turmës i sigurt.

Në mars të 1832-shit, Rebeka përsëri i dha një ndihmë të paçmueshme Profetit kur një turmë shpërtheu në fermën Xhon Xhonson në Hiram të Ohajos dhe sulmoi brutalisht Jozef Smithin dhe Sidni Rigdonin. Pasi e rrahën Sidnin deri në humbje të ndjenjave dhe duke tentuar të hidhnin helm në grykën e Jozefit, turma e leu me zift dhe i vuri pendë Profetit. Kur Ema Smith e pa bashkëshortin e saj mendoi se zifti ishte gjak dhe humbi ndjenjat.5 Rebeka dhe Frederiku e kaluan atë natë duke pastruar ziftin nga trupi i plagosur që rridhte gjak i Jozefit dhe duke u kujdesur për fëmijët e Smithëve. Ndihma e tyre ishte e dobishme, aq sa Jozefi mori forcë për të predikuar mëngjesin tjetër.

Ndarja e Ungjillit me Bindje

Një nga shpresat më të qëndrueshme të Rebekës ishte që familja e saj, babai i saj veçanërisht, do të pranonin ungjillin e rivendosur dhe do të merrnin bekimet e gëzueshme të besimit. Ajo, si Lehi, pati shijuar nga dashuria e Perëndisë dhe donte ta ndante atë me ata që ishin më afër saj (shih 1 Nefi 8:12). Me këtë në mendje, Rebeka me padurim i shkroi familjes së saj rreth kthimit dhe dëshmisë së saj dhe gëzimin e madh që ajo ndiente si anëtare e Kishës.

Gjithsesi, kthimi i Rebekës e tërboi babanë e saj. Në përgjigjen e tij të shkurtër ai kërkonte që ajo ta linte Kishën. Por Rebeka nuk do të lëkundej. Ajo u përgjigj, siç e përshkruan një historian i familjes, se “ajo ishte më e vendosur se kurrë në bindjen e saj për të vërtetën e doktrinave mormone” dhe përfshinte dëshminë e saj të fuqishme.6 Për pikëllimin e saj kjo letër nuk dha rezultatet që ajo pati shpresuar. Babai i saj e kërcënoi që do ta mohonte dhe u betua të ndërpriste çdo komunikim me të nëse ajo nuk do ta linte Kishën.

Përsëri, Rebeka nuk u dorëzua dhe vazhdoi përpjekjet e saj për të ndarë ungjillin. Në 1834 ajo i shkroi një letër tjetër – e vetmja që ekziston – babait të saj, duke zbuluar thellësinë e besimit të saj dhe dhembjen që ndiente që ai nuk pranonte asgjë nga mormonët.

Babai i saj pati lexuar informacione gazetash që sulmonin Kishën, veçanërisht në lidhje me Librin e Mormonit dhe dëshminë e Tri Dëshmitarëve dhe u përpoq t’i ndryshonte mendjen Rebekës mbi këto gjëra.

“Më shkakton dhembje të dëgjoj që mendja jote është aq shumë e turbulluar për Librin e Mormonit”, i shkuante ajo. Duke cituar shkrime të shenjta nga Libri i Mormonit dhe nga zbulesat e reja të Jozef Smithit, Rebeka ndau dëshminë e saj për Librin e Mormonit. Ajo gjithashtu shpjegoi se libri profetizonte për zgjedhjen e tri dëshmitarëve për të. Si fakt, ajo citonte profetin e lashtë Ethër, që tha se: “në gojën e tre dëshmitarëve” e vërteta për librin “do të qëndrojë” (Ethëri 5:4).7

Rebeka pastaj përshkruante se si ajo pati parë vetë të Tre Dëshmitarët—Dejvid Uitmer, Martin Harris dhe Oliver Kaudëri—dhe i kishte dëgjuar ata të dëshmonin se kishin parë një engjëll dhe fletët e arta. Pas mbrojtjes së dëshmive dhe karakterit të tyre, ajo e nxiti babanë e saj ta hetonte më tej punën. Sepse, i shkruante ajo babait të saj, “nëse ti dhe mamaja do t’i njihnit rrethanat ashtu si ne lidhur me këtë punë, unë jam e bindur se ju do ta besonit atë”8.

Duke i bërë jehonë premtimit të Moronit në fund të Librit të Mormonit, Rebeka lutej që familja e saj të mund t’i kërkonte Perëndisë nëse “ne do të ndriçonim mendjet [e tyre] në rrugën e së vërtetës”. Dhe atëherë ajo planifikonte të dërgonte një misionar “të aftë të japë mësim Ungjillin ashtu siç është në Jezus”, që t’i ndihmonte më tej ata.9 Në fund babai i saj nuk do të kishte të bënte asgjë me këtë.

Edhe letrat drejtuar vëllait të saj Xhon – me të cilin Rebeka ishte veçanërisht e afërt – ktheheshin të pahapura. Prapa njërës nga letrat e kthyera, Xhoni shkruante: “Babai më ndalon ta lexoj letrën tënde apo të të shkruaj ty. Lamtumirë dhe Perëndia të bekoftë gjithmonë. Vëllai yt, Xhoni.”10

Gjithsesi, përpjekjet misionare të Rebekës ishin të suksesshme me motrën e saj më të madhe, Sara Suejn Klark. Sara u bashkua me Kishën në Miçigan në 1832-shin. Motrat e Sarës gjithashtu u bashkuan me Kishën dhe ishin besnike gjatë gjithë jetës së tyre.

Besnike deri në Fund

Pavarësisht zemërthyerjes dhe dhembjes që Rebeka ndiente nga zgjedhjet e babait të saj, ajo përsëri e donte atë. Ajo shkruante: “Zemra ime vajton për të afërmit e mi në gjak… unë i lutem Zotit t’ju qetësojë në ditën e fundit me Shpirtin e Shenjtë dhe qofshin ato ditët tuaja më të mira… Unë shpresoj se mendja juaj do të përgatitet lidhur me këtë punë. Jini të sigurt se ne ndihemi të vendosur në këtë kauzë duke ditur se Zoti është në drejtim.”11

Rebeka duhet të luftonte jo vetëm me mosbesimin e babait të saj, por gjithashtu me problemet në angazhimin e bashkëshortit të saj në besim. Gjatë 1837-tës dhe 1838-tës, bashkëshorti i saj, Frederiku, atëherë anëtar i Presidencës së Parë, ishte herë pas here në mosmarrëveshje me udhëheqësit e tjerë të Kishës. Ai madje u largua nga Kisha për një kohë dhe u shkishërua. Sidoqoftë, jo shumë kohë më pas, Frederiku e përuli veten, u ribashkua me Kishën dhe vdiq në anëtarësi të plotë. Ne nuk kemi ndonjë të dhënë për ndjenjat e Rebekës asaj kohe, por ajo nuk do të pendohej për besnikërinë e saj me shenjtorët dhe qëndroi e angazhuar.

Kur thashethemet për mospajtimin e Frederikut shkuan te babai i Rebekës në Nju-Jork, Isaaku shpresonte se Rebeka do ta braktiste besimin gjithashtu. Megjithatë, Rebeka i dërgoi atij një letër që tregonte për besnikërinë e saj të vazhdueshme. Pasi leximit të përgjigjes së saj, Isaaku tundi ngadalë kokën dhe tha: “Asnjë fjalë pendese”12.

Rebeka qëndroi e fortë në mbrojtjen e saj për Jozef Smithin dhe Kishën e rivendosur. Dhe me gjithë sakrificat e shkaktuara nga zgjedhja e Kishës përpara babait të saj, Rebeka vazhdoi ta nderonte atë. Ajo vlerësoi atë që babai i pati mësuar asaj dhe ajo shprehte dashurinë dhe mirënjohjen e saj për të. Ajo e mbyllte letrën e saj të 1834-ës duke shënuar se: “[do të] kujtoj gjithmonë udhëzimin … që unë kam marrë nga Babai im i dashur”13.

Në 1839-ën babai i Rebekës vdiq. Vetëm tre vite më vonë ajo humbi bashkëshortin e saj. Me gjithë këto vështirësi të dhimbshme, besimi dhe kuraja e Rebekës vazhduan. Kur shenjtorët udhëtuan në perëndim të Jutas, ajo udhëtoi me familjen e birit të saj Ezra dhe ngau grupin e qeve të saj. Ajo më vonë mori përsipër një fermë në Mill Krik (Mill Creek). Kur përfundoi Tabernakulli i Solt-Lejkut dhe shenjtorëve iu kërkua të dhuronin gjithçka mundeshin, ajo dha një komplet lugësh të argjendta që të përdoreshin për të bërë tabaka për tryezën e sakramentit. Dhe më në fund në 1860-ën, edhe pse ajo ishte shumë delikate, kur Presidenti Brigam Jang i bëri thirrje familjes së saj të vendoseshin në Kejsh Vallei (Cache Valley) në Juta, ajo me vullnet u transferua edhe një herë – përsëri duke ngarë grupin e vet të qeve.

Rebeka vdiq në Smithfilld të Jutas më 25 shtator 1861. Ajo qëndroi e vërtetë në besimet e saj, njohurinë e saj për të vërtetën dhe atë çka ajo pati përjetuar. Ajo mbeti e “[qëndrueshme] dhe [e palëvizur]” deri në fund (Mosia 5:15).

Shënime

  1. Rebecca Swain Williams drejtuar Isaac Fischer Swain, 4 qershor 1834, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  2. Informacioni biografik vjen nga Nancy Clement Williams, Meet Dr. Frederick Granger Williams … and His Wife Rebecca Swain Williams: Read Their True Story in the First Introduction—after 100 Years (1951); dhe Frederick G. Williams, “Frederick Granger Williams of the First Presidency of the Church,” BYU Studies, volumi 12, nr. 3 (1972): 243–261.

  3. Williams, Meet Dr. Frederick Granger Williams, f. 5.

  4. Williams, Meet Dr. Frederick Granger Williams, f. 55.

  5. History of the Church, 1:263.

  6. Williams, Meet Dr. Frederick Granger Williams, f. 63.

  7. Shih gjithashtu letër e Rebecca Williams e 4 qershorit 1834.

  8. Letër e Rebecca Williams e 4 qershorit 1834.

  9. Letër e Rebecca Williams e 4 qershorit 1834.

  10. Në Williams, Meet Dr. Frederick Granger Williams, f. 63.

  11. Letër e Rebecca Williams e 4 qershorit 1834.

  12. Letër e George Swain, 17 mars 1839, shtypshkrim, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  13. Letër e Rebecca Williamsit e 4 qershorit 1834.

Ilustrime nga Richard Hull