2011
Shpërblime të Rindërtimit
Prill 2011


Shpërblime të Rindërtimit

Kur pashë rrënojat nga tërmeti, u trishtova. Por kuptova më pas që Perëndia i do ata që vdiqën siç do edhe të mbijetuarit.

Meqë jetoj në Shangai të Kinës, bashkë me një grup shkollor pata mundësinë të shkoja në Provincën e Siçuanit, në jugperëndim të Kinës, që të ndihmonim në ndërtimin e shtëpive për viktimat e tërmetit që shkretoi atë zonë pak vite më parë. Punuam pa u lodhur, duke vënë tulla, duke përzier llaç, duke shtyrë karroca përplot me tulla e duke duke i kaluar ato dorë më dorë në “rreshtat e montuar” të njerëzve. Aty nga dita e dytë, më dhimbte kurrizi dhe dorezat m’u mbushën me vrima. Sidoqoftë, udhëtimi për mua ishte një përvojë e paharruar dhe ma forcoi dëshminë për vlerën individuale të vetes sime e të çdo personi, njëra nga vlerat e Të Rejave.

Ndërsa punoja shumë çdo ditë, vura re se besimi në vlerën time vetjake rritej. Ndihesha mirë për vetveten ngaqë po bëja punë për të përmirësuar gjendjen e jetesës së njerëzve me më pak fat se unë.

Patëm gjithashtu mundësi që të vizitonim një shkollë të zonës. Kur arritëm, një turmë fëmijësh të vegjël bukuroshë erdhi drejt nesh duke rendur. Kur pashë gjithë këta fëmijë të vegjël të mrekullueshëm, kuptova gjithashtu vlerën e tyre individuale. Janë të gjithë fëmijë të bukur të Perëndisë dhe ndjeva fuqimisht që Perëndia e do dhe e njeh secilin prej tyre.

Afër fundit të udhëtimit patëm rastin të shkonim në një vend pushimesh, ku do të hanim drekën. Mirëpo, kur mbërritëm atje, pamë se ishte shkatërruar nga tërmeti. Ishte gërmadha më e madhe që kisha parë ndonjëherë. Kjo bëri që të më vinte për të qarë. Tavanët dhe muret e ndërtesave qenë shembur, pemët pranë kishin rënë dhe kishte mbeturina rrënojash gjithkund. Një masiv guri qe rrokullisur tatëpjetë malit dhe qe përplasur në anë të ndërtesës, duke shkaktuar shembjen e tavanit dhe të murit. Aty gjendej një këpucë e vetme e shtrirë mbi pragun e një dere.

Ndërsa mendoja për këtë dhe për faktin se qenë vrarë njerëz në këtë katastrofë, mundohesha të kuptoja se si e lejonte Ati Qiellor këtë gjë të ndodhte. A nuk i donte Ai ata? Atëherë mendova përsëri për atë që kishim diskutuar në klasën e Të Rejave dhe, po, e kuptova që Ai i donte ata. Ai e njihte dhe e donte secilin personalisht. Ata që atë ditë vdiqën ishin të gjithë fëmijë të Perëndisë. Fillimisht, të menduarit e kësaj më bëri edhe më të trishtuar. Por pastaj kuptova se këta njerëz ishin në botën e shpirtrave dhe mund të ktheheshin sërish tek Ati Qiellor. Ky mendim më ngushëlloi e më dha një ndjenjë paqeje.

E di që unë jam një fëmijë i Perëndisë, me një vlerë individuale të madhe. Ne jemi të gjithë fëmijë të Atit tonë Qiellor, që na njeh personalisht. Ai na do me një dashuri që është më e thellë e më e fortë se ç’mund të përfytyrojë çdokush nga ne. Ky kuptim u mboll thellë në zemrën time ndërsa punoja e shërbeja mes njerëzve që kishin vuajtur në mënyrë aq të tmerrshme në tërmetin e Siçuanit.

Eshli Dajër (djathtas) ndihmon në rindërtimin e shtëpive për banorët vendas, pas tërmetit të 2008-ës në Siçuan të Kinës.

Fotografi me mirësinë e Ashley Dyer-it