2011
Java e Pashkës
Prill 2011


Java e Pashkës

Ju mund të përgatiteni për Pashkën duke mësuar se çfarë ndodhi gjatë asaj jave para Kryqëzimit dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit. Duke filluar tetë ditë përpara Pashkës, lexoni ngjarjet dhe vargjet e shkrimit të shenjtë të renditura për secilën ditë.

E Shtunë

Një festë e rëndësishme e quajtur Pashkë, ishte vetëm gjashtë ditë më vonë. Shumë njerëz po vinin në Jeruzalem, që të ofronin sakrifica në tempull në atë ditë. Jezusi shkoi në Betani, një fshat afër Jeruzalemit. Atje do të qëndronte pesë net me miqtë e Tij Llazarin, Marien dhe Martën. Maria i vajosi këmbët e Tij me vaj.

Shih Gjoni 12:1–3.

E Diel

Jezusi eci nga Betania në Jeruzalem. Në qytet Ai ngiste një gomar, sikurse thoshte për Të një varg në Dhiatën e Vjetër. Njerëzit e njohën Atë si mbret të tyre, duke thirrur “Hosana” dhe duke shtruar para gomarit gjethe palme, që të mos i ngjitej pluhur Shpëtimtarit. Jezusi vizitoi tempullin dhe më pas u kthye në Betani.

Shih Zakaria 9:9; Mateu 21:1–11; Marku 11:1–11.

E Hënë

Jezusi pa njerëz që blinin dhe shisnin në tempull. Ngaqë donte që tempulli të ishte “shtëpi lutjeje”, Ai i largoi ata. Pastaj Ai shëroi njerëz të cilët ishin të çalë ose të verbër. Priftërinjtë ziliqarë u zemëruan me Të.

Shih Matteu 21:12–17; Marku 11:15–19.

E Martë

Jezusi mësoi njerëzit në tempull dhe në lartësinë atje pranë e cila quhej Mali i Ullijve.

Priftërinjtë thurën komplot për të vrarë Jezusin. Një nga dishepujt e tij, Juda Iskarioti, ra dakord që t’ua dorëzonte Jezusin priftërinjve në këmbim të 30 monedhave të argjendta.

Shih Mateu 25:31–46; 26:14–16.

E Mërkurë

Shkrimet e shenjta nuk thonë se çfarë bëri Jezusi në këtë ditë. Mundet që Ai ta ketë kaluar ditën me dishepujt e Tij. Ju mund të lexonit shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave, një ngjarje që Jezusi ua mësoi dishepujve që t’i ndihmonte të përgatiteshin për Ardhjen e Tij të Dytë.

Shih Mateu 25:1–13.

E Enjte

Dishepujt e Jezusit u përgatitën për drekën e Pashkës. Gjatë ngrënies Jezusi u tha dishepujve se njëri prej tyre do ta tradhëtonte. Më pas, që t’i ndihmonte ta kujtonin Atë, u dha sakramentin për të parën herë. Jezusi shkoi në Kopshtin e Gjetsemanit për të vuajtur mëkatet tona dhe për t’iu lutur Perëndisë. Njerëz me shpata erdhën dhe e kapën Atë. Dishepujt rendën larg të frikësuar.

Shih Mateu 26:17–29, 36–56.

E Premte

Jezusin e çuan para priftit të lartë, Kajafës. Pjetri, dishepull i Jezusit, mohoi se e njihte Atë. Jezusi u mor në pyetje nga guvernatori, Pilati, dhe nga Herodi. Ai u dënua të vdiste në kryq. Jezusi u kryqëzua. Një njeri i pasur i quajtur Jozef e vendos Jezusin në varrin e tij. Nëna e Jezusit, Maria, dhe Maria Magdalena shkuan të shihnin varrin.

Shih Mateu 26:57–72; 27:1–2, 27–37; Lluka 23:44–46, 50–56.

E Shtunë

Trupi i Jezusit qëndron i shtrirë në varr. Një gur i madh iu vu derës përpara. Priftërinjtë e ligj i kërkuan Pilatit të vinte roje jashtë varrit për t’u siguruar që asnjë të mos hynte brenda.

Shih Mateu 27:57–66.

E Diela e Pashkës

Jezusi u ringjall! Ai qe ngritur nga varri. Një engjëll zbriti nga qielli dhe e rrokullisi gurin tej.

Jezusi u tha dishepujve të mësonin e të pagëzonin të tjerët dhe u premtoi të ishte përherë me ta.

Shih Mateu 28.

Fotografi nga Matthew Reier; sipër, nga e majta: Jezusi Shkon drejt Betanisë në Mbrëmje, nga James Tissot; Hyrja Triumfante e Krishtit në Jeruzalem, nga Harry Anderson © IRI; Shërimi i të Verbrit, nga Harry Anderson, me mirësinë e Pacific Press Publishing, Inc., nuk lejohet kopjimi; Zëri nga Qielli, nga James Tissot; detaj nga Pesë nga Ato Ishin të Mençura, nga Walter Rane, me mirësinë e Muzeumit Historik të Kishës; Krishti në Gjetseman, nga Harry Anderson © IRI; detaj nga Kryqëzimi, nga Harry Anderson © IRI; Varrimi i Krishtit, nga Carl Heinrich Bloch, përdoret me lejen e Muzeumit Historik Kombëtar në Frederiksborg të Hilerodit, Danimarkë, nuk lejohet kopjimi; poshtë: Ai Është Ngritur, nga Del Parson