2011
Kurorë Gjembash, Kurorë Fitoreje
Prill 2011


Derisa të Takohemi Sërish

Kurorë Gjembash, Kurorë Fitoreje

Kurora me gjemba është bërë për mua një simbol i vetëdijes së Shpëtimtarit për të gjitha dhembjet tona të fshehura – dhe e aftësisë së Tij për t’i shëruar.

Muaji gusht në Tokën e Shenjtë. Përreth nesh rrënojat e Kapernaumit shiheshin të shformuara nga i nxehti i pasdites. Ishte magjepsës vendi ku ndodheshe, por udhërrëfyesi ynë dhe një gjinkallë aty pranë kishin zukatur që të dy për një interval kohe dhe mendja ime filloi të endej.

U përmenda papritur kur udhërrëfyesi drejtoi gishtin nga pema që na bënte hije dhe tha pa fjalë përgatitore: “E quajnë ‘pema e kurorës me gjemba’”. Vështrova lart tek degët e mbuluara me gjethe. Ku ishin gjembat? Duke u zgjatur, me shumë kujdes tërhoqa më pranë një degë të vogël.

Aty, mes gjetheve të brishta, pashë gjembat. Të holla e të gjelbra, tepër të mprehta, dhe të gjata sa gishti im i madh, ata nuk mund të shiheshin nga më shumë se një metër larg. Por, kushdo që vihej në prekje me një nga ato degëza plot gjethe, me siguri që do të ndiente dhimbje.

Mendova për pikturat e shumta që kisha parë, ku Shpëtimtari qëndron përpara një trupi gjykues qesëndisës, me mantelin e purpurtë e me një kurorë gjembaçësh të thatë të përdredhur. Sakaq më vajti mendja se një skllav apo ushtar i ngarkuar për të bërë atë kurorë, mund të parapëlqente të punonte me degë të gjelbra të përkulshme, si ato të pemës aty sipër – jo me degëza të thyeshme e të thata. Mund të thuash më shumë që qëllimi i kurorës nuk ishte thjesht të shkaktonte dhimbje, por të tallte e të përqeshte.

Në botën e lashtë një kurorë a gërshetim i gjelbër me gjethe – zakonisht prej gjethesh dafine aromatike – shpeshherë u jepej fitimtarëve të garave apo të betejave. Gërshetime dafinash stolisnin figurat e mbretërve dhe të perandorëve. Ndoshta kurora mizore e mëshuar deri te vetulla e Shpëtimtarit, ishte e gjelbër e me gjethe në një nënkuptim tepër përçmues të atij nderimi të lashtë. Thjesht një hamendje, jo një çështje doktrinore. Por, për mua, përfytyrimi i saj kështu, sjell më qartë në qendër të vëmendjes një aspekt të Shlyerjes: Shpëtimtari është i vetëdijshëm për pikëllimet tona dhe Ai është i aftë të na shërojë.

Manteli i vënë mbi Të, ishte simbol tallës ndaj rangut mbretëror. Ai mbulonte të vrarat dhe të prerat e fshikullimit që Ai sapo kishte vuajtur. Në të njëjtën mënyrë, një kurorë gjembore me gjethe, do të dukej si të ishte lakore fitimtari, por nuk do ta fshihte vërtet dhimbjen që ajo shkaktonte.

Shumë e shumë prej nesh mbartin lëndime të padukshme. Himni të mëson që “brenda zemrës së heshtur është trishtimi i fshehur që syri s’mund ta shohë” (“Lord, I Would Follow Thee”, Hymns, nr. 220). Por Shpëtimtari e sheh. Ai e njeh mirë vuajtjen vetjake. E gjithë shërbesa e Tij u jetua në parashikim të Shlyerjes dhe të Ringjalljes. E përsëri, ata që Ai i mësoi e i bekoi dhe i shëroi, nuk e dinin. Madje vetë dishepujt e Tij vazhdonin të ishin pa këtë vetëdije.

Shpëtimtari sheh përtej “manteleve” dhe “kurorave” që ua maskojnë të tjerëve trishtimet tona. Duke qenë se ka vuajtur “dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji”, Ai është plot mëshirë dhe di si të na ndihmojë kur ne i lëmë ngarkesat tona të rënda te këmbët e Tij (shih Alma 7:11–12). Është i Tiji balsami që mundet të shërojë madje plagë të thella e të fshehura. Dhe kurora që Ai na zgjat neve, është vërtet e fitimtarit.

Krishti me Kurorën e Gjembave, nga Carl Heinrich Bloch, përdorur me lejen e Muzeumit Historik Kombëtar të Frederiksborgut në Hillerod të Danimarkës, nuk lejohet kopjimi