2011
Trajnimi me Manualet Thekson Punën e Shpëtimit
Prill 2011


Trajnimi me Manualet Thekson Punën e Shpëtimit

Gjatë një trajnimi në mbarë botën në shkurt 2011, anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve i udhëzuan pjesëmarrësit për përdorimin më efikas të manualeve. Mbledhja ishte një vazhdim i trajnimit të udhëheqjes mbarëbotërore në nëntor 2010 ku u prezantuan manualet.

Folësit theksuan si të përdoren manualet në një mënyrë më të frymëzuar, rëndësinë e kuptimit të bazave doktrinore të manualeve të reja, si të zbatohen parimet e përshtatjes së programeve të Kishës, si mund të zbatohen ndryshimet e manualeve për të përmbushur punën e shpëtimit dhe rolin e grave në këshilla.

Në transmetim morën pjesë Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë; Pleqtë Rasëll M. Nelson, Dallin H. Ouks, Riçard G. Skot, Robert D. Hejls, Xhefri R. Holland, Dejvid A. Bednar, Kuentin L. Kuk, D. Tod Kristoferson dhe Nil L. Andersen të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve; Pleqtë Krejg C. Kristensen, Brus D. Porter dhe W. Krejg Zuik të Të Shtatëdhjetëve; dhe presidentët e përgjithshëm të organizatave ndihmëse.

Një Përdorim më i Frymëzuar i Manualeve

Duke e quajtur mbledhjen një “mundësi të dytë për të zbuluar si të përdoret më me efikasitet manuali”, Presidenti Ajring i nxiti udhëheqësit të rrisin aftësinë e tyre për të marrë zbulesë.

“Vetëm me anë të Shpirtit do të dini si ta zbatoni atë që lexoni në manual”, tha ai. “… Mund t’ju duket jo praktike të prisni ose madje të shpresoni për një lumë zbulese që ju nevojitet në shërbimin tuaj të përditshëm. Ai nuk do të vijë pa besim dhe punë të fortë, por ai është i mundshëm.”

Presidenti Ajring premtoi se kur udhëheqësit punojnë dhe luten për të “kuptuar dhe ndjekur fjalët e jetës” që u janë dhënë atyre, Zoti do t’i ndihmojë të japin shërbim dhe udhëheqje përtej fuqive të tyre.

Baza Doktrinore e Manualeve

“Manuali është doktrinor”, tha Plaku Ouks, “dhe ai është më i shkurtër se manuali i mëparshëm, sepse në shumë çështje ai i shmanget deklarimit të rregullave apo dhënies së udhëzimeve. Në vend të kësaj, ai jep parime që udhëheqës të frymëzuar mund t’i zbatojnë … sipas rrethanave të tyre vendore.”

Plaku Bednar dhe Plaku Kristoferson paralajmëruan udhëheqësit që të mos i anashkalojnë kapitujt e parë të Manualit 2 për të vajtur te politikat në kapitujt e mëpasmë. Kapitujt e fillimit paraqesin një bazë doktrinore për kuptimin dhe zbatimin e parimeve dhe të politikave që vijnë më pas.

Plaku Bednar tha se të qenit e manualeve “të bazuar në parime, me më pak zbatime të shpjeguara, është një kërkesë shpirtërisht shumë më e fortë dhe e rreptë për të gjithë ne”.

Parime të Përshtatjes

“Në çështje doktrine, besëlidhjesh dhe politikash të vendosura nga Presidenca e Parë dhe Të Dymbëdhjetët, ne nuk shmangemi nga manuali”, tha Plaku Nelson. “Përshtatshmëria lejohet në disa aktivitete të tjera për t’iu përgjigjur rrethanave vendore.”

Sipas Plakut Porter, kapitulli 17, “Njëtrajtshmëria dhe Përshtatshmëria,” u përfshi për të ndihmuar udhëheqësit vendorë që të ndjekin Shpirtin dhe të përcaktojnë se kur është me vend për të përshtatur programe të caktuara. Kapitulli shpjegon çfarë nuk mund të ndryshohet dhe jep pesë kushte sipas të cilave mund të bëhen përshtatje: rrethana familjare, transport dhe komunikim i kufizuar, kuorume apo klasa të vogla, numër i pamjaftueshëm udhëheqësish dhe kushte sigurie.

“Përshtatje të nevojshme nuk e dobësojnë Kishën; ato e forcojnë atë”, tha Plaku Porter në një bisedë të lexuar nga Plaku W. Krejg Zuik i Të Shtatëdhjetëve. Në bërjen e përshtatjeve të frymëzuara, udhëheqësit lokalë nuk duhet të ndihen sikur po vendosin për më pak nga idealja. “Çdo njësi e Kishës ka qasje te doktrinat, ordinancat, fuqia e priftërisë dhe dhuratat e Shpirtit të nevojshme për shpëtimin dhe ekzaltimin e fëmijëve të Perëndisë”, shkroi Plaku Porter.

Puna e Shpëtimit

Ndryshimet e bëra nëpër gjithë Manualin 2 synojnë të çojnë më tej punën e shpëtimit. Presidenti Ajring tha: “Manuali do të bëhet një thesar për ju kur ta përdorni që t’ju ndihmojë të udhëhiqni të tjerët të zgjedhin rrugën për jetën e përjetshme. Ai është qëllimi i tij.”

Kapitulli 5 konkretisht sjell së bashku nën titullin “Puna e Shpëtimit në Lagje dhe Kunj” një numër çështjesh që më parë trajtoheshin veças, duke përfshirë punën misionare të anëtarëve, mbajtjen e të kthyerve, aktivizimin, punën e tempullit dhe të historisë familjare dhe mësimdhënien e ungjillit.

“Pali tha se në këtë, në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve, të gjitha gjërat do të mblidhen së bashku në një në Krisht”, tha Plaku Bednar (shih Efesianëve 1:10). “Është një punë.”

Për shembull, ato çka më parë konsideroheshin si misione të veçuara të Kishës janë “e njëjta punë në sfera të ndryshme”, tha ai. Puna misionare është të shpallësh ungjillin dhe të ftosh të tjerët të marrin ordinancat e shenjta dhe të bëjnë besëlidhje. Përsosja e shenjtorëve – përfshirë mbajtjen, aktivizimin dhe mësimdhënien – është puna e të ftuarit të njerëzve që të respektojnë ordinancat dhe besëlidhjet. Shëlbimi i të vdekurve nëpërmjet historisë familjare dhe punës në tempull po krijon mundësinë për të marrë ordinanca dhe për të bërë besëlidhje për ata që kanë vdekur.

Plaku Holland tha se në përgjithësi ndryshimet në manuale çojnë në një kuptim që udhëheqësit e kuorumeve dhe të organizatave ndihmëse nuk janë në këshillin e lagjes thjesht për të menduar rreth anëtarëve të kuorumeve dhe organizatave të tyre të ndihmës, por se ata kanë një përgjegjësi të përbashkët për mirëqenien shpirtërore të të gjithë anëtarëve.

Plaku Kuk ndihmoi të sqarohet se si disa nga ndryshimet e politikës në Manualin 2 ndihmojnë në punën e shpëtimit.

Ai theksoi rëndësinë e peshkopëve dhe të këshillave të lagjeve që t’u përgjigjen nevojave për mirëqenie tani që nuk ka më mbledhje për mirëqenie. Ai shpjegoi rolin e rritur të udhëheqësve të Priftërisë Melkizedeke në këshillimin me anëtarët e kuorumit. Ai më tej sqaroi ndryshimet që i lejojnë baballarët, të cilët nuk janë plotësisht të denjë për në tempull, që të marrin pjesë në ordinanca dhe bekime të anëtarëve të familjes në disa rrethana.

“Ne nuk jemi në biznesin e zbatimit të programeve apo të menaxhimit të një organizate”, tha Plaku Bednar. “Kjo është e nevojshme, por nuk është kryesorja. Kjo është puna e shpëtimit. Dhe kur ne fillojmë të mendojmë rreth ordinancave dhe besëlidhjeve, atëherë udhëheqësit e priftërisë do të shtronin me vend pyetjen, cila është ordinanca tjetër që nevojitet në jetën e këtij individi ose kësaj familjeje dhe në cilat mënyra mund të ndihmojmë ne në atë përgatitje?”

Gratë në Këshill

Plaku Skot shprehu shqetësimin se në disa vende, udhëheqësit nuk shfrytëzojnë mundësitë për të përfshirë gra kur këshillohen së bashku. “Kur [gratë] mund të nxiten të marrin pjesë lirisht në mbledhje të këshillit të lagjes, idetë e tyre janë gjithmonë të dobishme dhe frymëzuese”, tha ai.

Udhëheqësit mund ta nxisin pjesëmarrjen duke thirrur motra me emër dhe duke shprehur mirënjohje për kuptimin dhe rekomandimet e ofruara, shpjegoi Plaku Skot.

“Një bekim plotësues që vjen te shtëpitë e udhëheqësve të priftërisë” që ndjekin këto udhëzime është se “këta burra mund të bëhen më vlerësues për rolin e shenjtë të bashkëshorteve të tyre në vetë shtëpitë e tyre”, shtoi ai.

Ai dha mësim mbi rëndësinë e kërkimit të unanimitetit midis anëtarëve të këshillit. Kur ajo ndjenjë ndihet, një udhëheqës mund ta dallojë dhe të ftojë për votim. Në raste kur anëtarët mund të mos jenë unanim, udhëheqësit duhet të kërkojnë këshillë nga secili anëtar i këshillit të lagjes, të shprehin mirënjohje për mendimet e ndara, të marrin një vendim dhe t’u kërkojnë anëtarëve të këshillit mbështetje të bashkuar për atë vendim. Plaku Skot theksoi rëndësinë e konfidencialitetit në çështje të këshillit të lagjes.

Rezultate të Parashikuara

Plaku Nelson e mbylli trajnimin duke shprehur tri shpresa: që thjeshtimi do të lejojë që koha dhe burimet e anëtarëve të përdoren me efekt më të madh, që fuqia e priftërisë do të rritet në çdo mbajtës priftërie për të bekuar çdo individ dhe çdo familje në Kishë dhe që çdo anëtar të mund të ketë një ndjesi më të madhe të përkushtimit dhe të qenies dishepull.

Në punën e shpëtimit, udhëheqësit e priftërisë duhet të shqyrtojnë ordinancat e tjera që i nevojiten një individi, dhe se si të ndihmojnë në atë përgatitje.

Fotografi nga craig dimond, © IRI

Udhëheqësit e Kishës thanë se edhe burrat, edhe gratë duhet të lejohen njësoj dhe lirisht të shprehin idetë e tyre në mbledhjet e udhëheqjes.

FOTOGRAFI NGA CRAIG DIMOND