2011
Fuqia Pastruese e Gjetsemanit
Prill 2011


Klasikët e Ungjillit

Fuqia Pastruese e Gjetsemanit

Brus R. Mek-Konki lindi më 29 korrik 1915, në Miçigan të SHBA-së. Ai u mbështet në Këshillin e Parë të Të Shtatëdhjetëve më 6 tetor 1946 dhe u shugurua Apostull më 12 tetor 1972. Vdiq më 19 prill 1985 në Solt-Lejk-Siti të Jutas. Kjo fjalë u mbajt në konferencën e përgjithshme më 6 prill 1985.

Pamja
Elder Bruce R. McConkie

Unë ndiej, dhe duket se Shpirti pajtohet me këtë, se doktrina më e rëndësishmja që mund të shpall, dhe dëshmia më e fuqishmja që mund të jap, është për sakrificën shlyese të Zotit Jezu Krisht.

Shlyerja e Tij është ngjarja më e jashtëzakonshmja që ka ndodhur ndonjëherë ose që do të ndodhë, që nga agimi i Krijimit nëpër të gjitha epokat e një përjetësie të pafund.

Ajo është veprimi më i lartë i mirësisë dhe hirit që vetëm një perëndi mund ta kryejë. Nëpërmjet saj, të gjithë termat dhe kushtet e planit të përjetshëm të shpëtimit të Atit bëhen vepruese.

Nëpërmjet saj realizohen pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut. Nëpërmjet saj, të gjithë njerëzit shpëtohen nga vdekja, ferri, djalli dhe mundimi i pafund.

Dhe nëpërmjet saj, të gjithë ata që besojnë dhe i binden ungjillit të lavdishëm të Perëndisë, të gjithë ata që janë të vërtetë e besnikë dhe që mposhtin botën, të gjithë ata që vuajnë për Krishtin dhe fjalën e Tij, të gjithë ata që ndëshkohen dhe fshikullohen në çështjen e Atij të cilit i përkasim – të gjithë do të bëhen si Krijuesi i tyre dhe do të ulen me Të në fronin e Tij, dhe do të mbretërojnë me Të përgjithmonë në lavdi të përhershme.

Duke folur për këto gjëra të mahnitshme, unë do të përdor vetë fjalët e mia, edhe pse ju mund të mendoni se janë fjalë të shkrimit të shenjtë, fjalë të thëna nga apostuj dhe profetë të tjerë.

E vërtetë është se ato janë shpallur më parë nga të tjerë, por tani ato janë të miat, sepse Shpirti i Shenjtë i Perëndisë më ka dhënë dëshmi se ato janë të vërteta dhe tani është sikur Zoti të m’i ketë zbuluar ato mua në fillim. Në këtë mënyrë, unë e kam dëgjuar zërin e Tij dhe e di fjalën e Tij.

Në Kopshtin e Gjetsemanit

Dy mijë vite më parë, jashtë mureve të Jeruzalemit, ishte një kopsht i këndshëm, Gjetsemani quhej, ku Jezusi dhe shokët e Tij të ngushtë e kishin zakon të tërhiqeshin për meditim dhe lutje.

Atje Jezusi u mësoi dishepujve të Tij doktrinat e mbretërisë dhe të gjithë ata komunikuan me Atë që është Ati i ne të gjithëve, në shërbesën e të cilit ishin angazhuar dhe në punën e të cilit shërbenin.

Ky vend i shenjtë, si Edeni ku banoi Adami, si Sinai prej nga Jehovai dha ligjet e Tij, si Kalvari ku Biri i Perëndisë dha jetën e Tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve, ky terren i shenjtë është vendi ku Biri i pamëkat i Atit të Përjetshëm mori mbi Vete mëkatet e të gjithë njerëzve nëse pendohen.

Ne nuk e dimë, ne nuk mund ta tregojmë, asnjë mendje e vdekshme nuk mund ta konceptojë rëndësinë e plotë të asaj që bëri Krishti në Gjetsemani.

Ne e dimë se Ai nxori pika të mëdha gjaku nga çdo por kur zbrazi llumin e asaj kupe të hidhur që Ati i Tij ia kishte dhënë Atij.

Ne e dimë që Ai vuajti, si në trup dhe në shpirt, më shumë sesa është e mundur të vuajë njeriu, përveçse në vdekje.

Ne e dimë që në një farë mënyre, të pakuptueshme për ne, vuajtja e Tij plotësoi kërkesat e drejtësisë, shpagoi shpirtrat e penduar nga dhembjet dhe dënimet e mëkatit dhe e bëri të disponueshme mëshirën për ata që besojnë në emrin e Tij të shenjtë.

Ne e dimë se Ai u shtri i kapitur përtokë kur dhembjet dhe agonia e një barre të pafund e bëri Atë të dridhej dhe të dëshironte që të mos e pinte kupën e hidhur.

Ne e dimë se një engjëll erdhi nga oborret e lavdisë për ta forcuar Atë në provën e Tij të rëndë dhe ne supozojmë se qe Mikaeli i fuqishëm, që ra përpara që njeriu i vdekshëm të mund të jetë.

Për aq me përafërsi sa mund të gjykojmë ne, kjo agoni e pafundme – kjo vuajtje e pashoq – vazhdoi për rreth tre a katër orë.

Arrestimi, Gjyqi dhe Fshikullimi i Tij

Pas kësaj – trupi i Tij pastaj përdridhej dhe po i ikte forca – Ai u përball me Judën dhe djaj të tjerë të mishëruar, disa nga vetë sinedri; dhe e larguan me një litar të lidhur rreth qafës, si një kriminel të zakonshëm, që të gjykohej nga kryekriminelët, që si judenj qëndronin në fronin e Aaronit dhe si romakë përdornin pushtetin e Cezarit.

Ata e çuan atë tek Ana, te Kajafa, te Pilati, te Herodi dhe përsëri tek Pilati. Atë e akuzuan, e mallkuan dhe e goditën. Pështyma e tyre e ndyrë rrëshkiti në fytyrën e Tij, ndërsa goditje të liga e dobësuan më tej trupin e Tij plot dhembje.

Me kallama zemërimi ata e goditën vazhdimisht në shpinën e Tij. Gjaku i shkau në fytyrë kur një kurorë me gjëmba i shpoi ballin e Tij fërgëllues.

Por mbi të gjitha, Atë e fshikulluan, e fshikulluan me 40 kamxhikë pa një, e fshikulluan me një kamxhik me shumë rripa në fijet prej lëkure të të cilit ishin qepur kocka të mprehta dhe metale prerës.

Shumë vdiqën vetëm nga fshikullimi, por Ai u ngrit nga vuajtjet e fshikullimit, që të mund të vdiste me një vdekje poshtëruese mbi kryqin mizor të Kalvarit.

Pastaj Ai mbarti vetë kryqin e Tij, derisa u rrëzua nga pesha e dhembja dhe agonia në rritje e gjithë kësaj.

Në Kryq

Së fundi, në një kodër të quajtur Kalvar – përsëri, ishte jashtë mureve të Jeruzalemit – ndërsa dishepujt e pafuqishëm e vështruan dhe e ndien agoninë e pranëvdekjes në vetë trupat e tyre, ushtarët romakë e vunë Atë mbi kryq.

Me çekiçë të mëdhenj ata kaluan gozhdë prej hekuri nëpër këmbët dhe duart, dhe kyçet e Tij. Vërtet Ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona dhe u shtyp për paudhësitë tona.

Atëherë u ngrit kryqi që të gjithë të mund të shihnin dhe të çuditeshin, dhe të mallkonin, dhe të talleshin. Këtë bënë ata, me vrer të ligë, për tre orë nga ora 9:00 deri në mesditë.

Pastaj qiejt u nxinë. Errësira e mbuloi tokën për hapësirën e tre orëve, siç bëri mes nefitëve. Pati një stuhi të fuqishme, sikur vetë Perëndia i natyrës të ishte në agoni.

Dhe vërtet Ai qe, sepse ndërsa Ai ishte i varur në kryq për tre orë të tjera, nga mesdita deri në 3:00 pas dite, u përsëritën gjithë agonia e pafundme dhe dhembjet e pamëshirshme të Gjetsemanit.

Dhe, së fundi, kur agonia shlyese e kishte marrë taksën e saj – kur fitorja u fitua, kur Biri i Perëndisë e kishte përmbushur vullnetin e Atit të Tij në të gjitha gjërat – atëherë Ai tha: “U krye!” (Gjoni 19:30) dhe me dashje dha frymën.

Në Botën e Shpirtrave

Kur paqja dhe ngushëllimi i një vdekje të mëshirshme e liruan Atë nga dhembjet dhe hidhërimet e vdekshmërisë, Ai hyri në parajsën e Perëndisë.

Kur e bëri shpirtin e Tij një ofertë për mëkatin, Ai u përgatit të shihte farën e Tij, sipas fjalës mesianike.

Këta, që përbëheshin nga të gjithë profetët e shenjtë dhe shenjtorët besnikë nga kohë të kaluara; këta, që përfshinin të gjithë ata që kishin marrë mbi vete emrin e Tij dhe që, duke qenë të lindur shpirtërisht nga Ai, ishin bërë bijtë e Tij dhe bijat e Tij, madje ashtu siç është me ne; të gjithë këta ishin mbledhur në botën shpirtërore, atje, që të shihnin fytyrën e Tij dhe që të dëgjonin zërin e Tij.

Pas rreth 38 ose 40 orësh – tre ditë siç e masnin kohën judenjtë – Zoti ynë i bekuar erdhi në varrin e Arimateas, ku ishte vendosur nga Nikodemi dhe Jozefi nga Arimatea trupi i tij pjesërisht i balsamosur.

Ringjallja e Tij

Pastaj, në një mënyrë të pakuptueshme prej nesh, Ai mori atë trup që nuk kishte parë ende prishje dhe u ngrit në atë pavdekshmëri të lavdishme që e bëri Atë ashtu si Atin e Tij të ringjallur.

Ai pastaj mori gjithë fuqinë në qiell dhe mbi tokë, mori ekzaltim të përjetshëm, iu shfaq Maria Magdalenës dhe shumë të tjerëve dhe u ngjit në qiell, që të ulej atje në anën e djathtë të Perëndisë, Atit të Plotfuqishëm, dhe që të mbretëronte përgjithmonë në lavdi të përjetshme.

Ngritja e Tij nga vdekja në ditën e tretë, kurorëzoi Shlyerjen. Përsëri, në një mënyrë të pakuptueshme prej nesh, pasojat e Ringjalljes së Tij kaluan mbi të gjithë njerëzit që të gjithë do të ngrihen nga varri.

Ashtu si Adami solli vdekje, kështu Krishti solli jetë; ashtu si Adami është ati i vdekshmërisë, kështu Krishti është ati i pavdekësisë.

Dhe pa që të dyja, vdekshmërinë dhe pavdekësinë, njeriu nuk mund të punojë për shpëtimin e tij dhe të ngjitet në ato lartësi përtej qiejve, ku perënditë dhe engjëjt banojnë përgjithmonë në lavdi të përjetshme.

Një Dituri e Shlyerjes

Tani, Shlyerja e Krishtit është doktrina më qendrorja dhe themelorja e ungjillit dhe është më pak e kuptuara nga të gjithë të vërtetat tona të zbuluara.

Shumë nga ne kanë një dituri sipërfaqësore dhe mbështeten tek Zoti dhe mirësia e Tij që të na kalojë përmes sprovave dhe rreziqeve të jetës.

Por nëse ne duhet të kemi besim si Enoku dhe Elija, ne duhet të besojmë atë që ata besuan, të dimë atë që ata dinin dhe të jetojmë ashtu si ata jetuan.

Më lejoni t’ju ftoj të bashkoheni me mua për të fituar një dituri të shëndoshë e të sigurt për Shlyerjen.

Ne duhet t’i hedhim mënjanë filozofitë e njerëzve dhe urtësinë e të urtëve dhe t’ia vëmë veshin atij Shpirti që na është dhënë që të na udhëheqë në të gjithë të vërtetën.

Ne duhet të kërkojmë në shkrimet e shenjta, t’i pranojmë ato si mendja dhe vullneti, dhe zëri i Zotit, dhe vetë fuqia e Perëndisë për shpëtim.

Kur ne lexojmë, meditojmë dhe lutemi, do të na vijë në mendjen tonë një pamje e të tre kopshteve të Perëndisë – Kopshti i Edenit, Kopshti i Gjetsemanit dhe Kopshti i Varrit të Zbrazët, ku Jezusi iu shfaq Maria Magdalenës.

Krijimi, Rënia dhe Shlyerja

Në Eden ne do të shohim të gjitha gjërat e krijuara në një gjendje të parajsës – pa vdekje, pa lindje, pa përvoja provuese.

Ne do të arrijmë të dimë se një krijim i tillë, tani i panjohur për njeriun, ishte mënyra e vetme për të siguruar Rënien.

Ne do të shohim pastaj Adamin dhe Evën, burrin e parë dhe gruan e parë, që të zbresin nga gjendja e tyre e pavdekshmërisë dhe lavdia e parajsës, për t’u bërë mishi i parë i vdekshëm në tokë.

Vdekshmëria, që përfshin lindjen dhe vdekjen, do të hyjë në botë. Dhe për shkak të shkeljes, një gjendje provuese me sprova dhe testim do të fillojë.

Pastaj në Gjetsemani, ne do të shohim Birin e Perëndisë të shpengojë njeriun nga vdekja e përkohshme dhe shpirtërore që erdhën tek ne për shkak të Rënies.

Dhe së fundi, përpara një varri të zbrazët, ne do të arrijmë të dimë se Krishti, Zoti ynë, ka shpërthyer lidhjet e vdekjes dhe qëndron përgjithmonë triumfues mbi varrin.

Kështu, Krijimi është ati i Rënies; dhe me anë të Rënies erdhën vdekshmëria dhe vdekja; dhe me anë të Krishtit erdhi pavdekësia dhe jeta e përjetshme.

Nëse nuk do të kishte Rënie të Adamit, me anë të së cilës erdhi vdekja, nuk do të mund të kishte Shlyerje të Krishtit, me anë të së cilës vjen jeta.

Gjaku i Tij Shlyes

Dhe tani, në lidhje me këtë Shlyerje të përsosur, të shkruar nga derdhja e gjakut të Perëndisë – unë dëshmoj se ndodhi në Gjetsemani dhe në Golgota, dhe në lidhje me Jezu Krishtin, unë dëshmoj se Ai është Biri i Perëndisë së gjallë dhe u kryqëzua për mëkatet e botës. Ai është Zoti ynë, Perëndia ynë dhe Mbreti ynë. Këtë unë e di vetë, pavarësisht nga cilido person tjetër.

Unë jam një nga dëshmitarët e Tij dhe në një ditë të ardhshme, unë do të ndiej shenjat e gozhdëve në duart e Tij e në këmbët e Tij dhe do t’i lag këmbët e Tij me lotët e mi.

Por nuk do ta di më mirë atëherë nga sa e di tani, se Ai është Biri i Perëndisë së Plotfuqishëm, se Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë dhe se shpëtimi vjen në dhe nëpërmjet gjakut të Tij shlyes dhe në asnjë mënyrë tjetër.

Dhëntë Perëndia që ne të gjithë të mund të ecim në dritë, ashtu si Perëndia Ati ynë është në dritë, kështu që, sipas premtimeve, gjaku i Jezu Krishtit, Birit të Tij, do të na pastrojë nga çdo mëkat.

Detaj nga MOS U BËFTË VULLNETI IM, POR YTI nga harry anderson © pacific press publishing

Detaj nga Thomai Dyshues, nga Carl Heinrich Bloch, përdoret me lejen e National Historic Museum të Frederiksborg në Hillerød të Danimarkës