2019
Studioni, Lexoni, Rishikoni, Lutuni. Përsëritni.
Korrik 2019


Studioni, Lexoni, Rishikoni, Lutuni. Përsëritini të katër hapat.

Autori jeton në Provincën Kautin, Kili.

Pa një bursë studimi, nuk mund ta përballoja kolegjin.

Pamja
study, read, review, pray

Ilustrimet nga Adam Howling

Në Kili, me qëllim që të shkosh në kolegj, duhet që të bësh një provim pranimi për në universitet. Unë dëshiroja që të studioja për inxhinieri në një universitet që ishte larg nga vendi ku banoja. Do të ishte shumë i shtrenjtë, kështu që qëllimi im ishte që të arrija rezultatin më të lartë të mundshëm në provimin e pranimit në mënyrë që të mund të fitoja një bursë studimi për rezultate të shkëlqyera në provim.

E dija se ku dhe çfarë doja të studioja, dhe e dija se çfarë duhej të bëja që ta bëja të mundur atë. Fillova të përgatitem për provimin. E studiova, e lexova dhe e rishikova materialin, por në provimet përgatitore, prapë nuk po arrija rezultatin që më nevojitej. Iu drejtova Atit tim Qiellor në lutje dhe i kërkova zgjuarsi më të madhe e që ta ndriçonte të kuptuarin tim në mënyrë që të mund ta arrija qëllimin tim. U luta për këtë çdo ditë për një vit të tërë. Ndoqa orë mësimore të veçanta përgatitore te shkolla ime dhe u regjistrova në disa lëndë te një institucion që ishte krijuar për përgatitjen për provimin.

Vazhdova me studimin tim të përditshëm të shkrimeve të shenjta dhe nuk mungova asnjë ditë në seminar. I plotësova të gjitha detyrat e mia të Priftërisë Aarone dhe nuk studiova kurrë të dielave, pavarësisht nga sa e pashpresë ishte situata. E dija që e diela është dita e Zotit dhe dëshiroja ta respektoja atë në mënyrën si më kishin mësuar prindërit e mi. E dija se nuk mund ta lejoja që t’i mohoja vetes bekimet që Ati Qiellor kishte për mua, veçanërisht kur kisha më tepër nevojë për to. Pavarësisht nga e gjitha kjo, nuk po arrija rezultatin që më nevojitej në provimet e mia përgatitore.

Unë dhe familja ime u lutëm e agjëruam, dhe babai më dha një bekim. Me këtë përgatitje shpirtërore dhe përgatitjen tjetër nga ana ime, e bëra provimin. Jo vetëm që mora rezultatin që më nevojitej, por e tejkalova qëllimin tim, duke arritur një nga përqindjet më të larta të mundshme në pjesën e matematikës. Mora bursat e studimit e përfitimet që më nevojiteshin, dhe isha në gjendje të studioja në universitetin që zgjodha.

Që nga koha kur isha i ri, mësova se nëse bëja gjithçka mundesha dhe merresha së pari me përgjegjësitë e mia shpirtërore, atëherë Ati Qiellor do të më bekonte. Gjërat jo përherë mund të zgjidhen në mënyrën se si ne presim, por Perëndia do të kujdeset për ne. E di që të gjitha gjërat janë të mundura vetëm me ndihmën e Tij.