2019
Përkrahja e Misionarëve të Kthyer që Vijnë Herët në Shtëpi
Korrik 2019


Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë në Moshë Madhore

Përkrahja e Misionarëve të Kthyer që Vijnë Herët në Shtëpi

Këshilla për të nxitur shërim midis misionarëve/eve që kthehen në shtëpi më herët nga sa pritej.

Një nga historitë më interesante nga Libri i Mormonit është ajo e 200 luftëtarëve të Helamanit, të cilët u plagosën në betejë (shih Alma 57:25). Mendoj se ka ngjashmëri të qarta midis atyre 200 luftëtarëve dhe misionarëve/eve të sotëm/me që për një sërë arsyesh, kthehen në shtëpi më herët nga sa pritej.

Edhe pse të 200 luftëtarët u larguan nga shtëpitë e tyre me qëllimet më të guximshme, ata e gjetën veten të detyruar të largoheshin nga fusha e betejës. Do të shpresoja që ata ta shihnin veten si të guximshëm, pasi kishin dhënë gjithçka të tyren, por hamendësoj se ata përjetuan dyshime te vetja si dhe e vunë në dyshim arsyen përse ata nuk kishin qenë aq të mbrojtur sa bashkëmoshatarët e tyre.

Ashtu si luftëtarët e Helamanit, misionarët/et që kthehen para kohe nga misionet e tyre, shpesh nuk e marrin parasysh faktin se dolën vullnetarë dhe shkuan në “betejë” duke e dhënë në mënyrë heroike gjithçka të tyren. Ata u përgatitën për misionet e tyre dhe u mbushën me besim të madh dhe dëshirë për t’i shërbyer Zotit. Kur ata “plagosen” (duke u përballur, për shembull, me probleme të shëndetit fizik ose mendor apo madje me shkelje), ata shpesh përqendrohen tek ajo që nuk arritën dhe ndihen të zhgënjyer, të turpëruar ose të shkurajuar. Ata mund ta vënë në dyshim frymëzimin që i drejtoi për të shërbyer. Këta/o misionarë/e të kthyer/a mund të shqetësohen për mënyrën se si njerëzit e tjerë i shohin ata ose madje për mënyrën se si Zoti i sheh ata. Ata mund të ndihen sikur kanë dështuar ose nuk janë të pranuar dhe madje mund ta gjykojnë veten negativisht.

Misionarët/et që kthehen në shtëpi më herët nga sa planifikohej, kanë nevojë për përpjekjet e bashkuara të familjes, miqve, udhëheqësve dhe anëtarëve të lagjes për t’i ndihmuar ata “të shërohen”. Këtu janë disa këshilla si për misionarët/et e kthyer/a edhe për pjesëtarët e familjes, udhëheqësit e Kishës, miqtë dhe anëtarët e lagjes së tyre.

Për Njerëzit e Dashur: 6 Gjëra që Mund të Bëni për t’i Ndihmuar Misionarët/et e Kthyer/a që të Shërohen

  1. Ndihmoni me dashuri për ta ngushëlluar, qetësuar dhe për t’u kujdesur për çdo misionar/e të kthyer dhe familjen e tij ose të saj ashtu siç do të bënit për një luftëtar që plagoset në betejë. Falënderojini ata për shërbimin që kryen, duke i nxitur të përqendrohen tek ajo që bënë, jo tek ajo që nuk bënë.

  2. Referojuni atij ose asaj si një “misionar/e i/e kthyer” dhe jo si një “misionar/e i/e kthyer më herët” ose “misionar/e i/e liruar më herët nga thirrja”. Fjalët e ndjeshme mund të ndihmojnë për shërimin dhe rigjenerimin e nevojshëm.

  3. Dëgjojini ata me qëllim që ta dalloni mënyrën se si mund të ndihmoni më së miri.

  4. Përkrahini prindërit e tyre. Kjo mund të jetë një nga gjërat më vendimtare që ndikon në procesin e shërimit të misionarit/es. Jini të kujdesshëm që të mos i shpërfillni nevojat emocionale të prindit të një misionari/eje të kthyer.

  5. Kërkoni këshillim profesional nëse është i nevojshëm. Profesionistët e shëndetit mendor mund t’i ndihmojnë misionarët/et e kthyer/a të përshtaten me jetën në shtëpi dhe t’i kthehen jetës normale. Atje ku janë në dispozicion, LDS Family Services [Shërbimet për Familjet SHDM] ofrojnë deri në gjashtë sesione këshillimi falas sipas kërkesës për misionarët/et e kthyer më herët.

  6. Kërkoni drejtim shpirtëror. Asnjëherë mos e nënvleftësoni fuqinë e lutjes. Lutuni për drejtim për mënyrën se si mund t’i përkrahni më mirë ata dhe t’i përmbushni nevojat e tyre.

Për Misionarët/et e Kthyer/a: 5 të Vërteta për t’u Mbajtur Mend ndërsa Shëroheni

  1. Perëndia ju do. Të gjithë ne përjetojmë kundërshti në kohë të ndryshme në udhëtimin tonë në vdekshmëri. Besimi te Jezu Krishti nuk është një vaksinë kundër kundërshtive – është një parim që mund t’ju ndihmojë teksa i kaloni ato. Për shkak të sakrificës së Tij shlyese, Krishti ka fuqinë jo vetëm të na pastrojë nga mëkati por edhe të sigurojë lehtësim, kuptueshmëri, shërim dhe përkrahje. (Shih bisedën e Plakun Xhefri R. Holland të konferencës së përgjithshme, “Si një Vazo e Thyer”.)

  2. Shkrimet e shenjta na tregojnë për shërimin. Perëndia flet nëpërmjet Frymës së Shenjtë dhe një nga mënyrat se si mund ta dëgjojmë Frymën e Shenjtë është nëpërmjet studimit të sinqertë dhe vënies në zbatim të shkrimeve të shenjta. Lexoni për luftëtarët e Helamanit dhe të tjerë që u plagosën në udhëtimin e tyre përgjatë jetës, për të gjetur kuptueshmëri. Kërkoni shembuj të tjerë të mënyrës se si Ati Qiellor u dha shërbesë dhe i ndihmoi të shërohen ata që kërkuan ta ndjekin Atë në të kaluarën.

  3. Shërbimi ju ndihmon të shëroheni. Perëndia dëshiron që të jeni të “përfshi[rë] me zell” në kauza të mira (shih Doktrina e Besëlidhje 58:27) sepse kjo është ajo që do t’ju ndihmojë të shëroheni. Vështroni jashtë vetes dhe lutuni për mundësi që t’u shërbeni të tjerëve.

  4. Lutja mund t’jua hapë sytë. Shprehini mirënjohje Atit Qiellor. Ai dëshiron t’ju ndihmojë të shëroheni. Kërkojini Atij t’ju forcojë dhe t’jua hapë sytë ndaj gjërave që Ai po bën tashmë për t’ju bekuar e shëruar dhe gjithashtu për forcë që të shihni jashtë vetes për t’i bekuar të tjerët.

  5. Të tjerët mund të mos e kuptojnë. Jo çdo njeri do ta kuptojë situatën tuaj dhe mund të thotë gjëra nga padituria. Por mos lejoni që kjo t’ju ulë moralisht! Përqendrohuni te shprehja e mirënjohjes ndaj atyre që ju forcojnë dhe lutuni për ndihmë për t’i falur të tjerët nëse nuk e kuptojnë plotësisht situatën tuaj.