2019
Gjashtë Hapa për të Fituar një Vend Pune
Korrik 2019


Bekimet e Mbështetjes te Vetja

Gjashtë Hapa për të Fituar një Vend Pune

Autori tani jeton në Juta, SHBA.

Ne nuk mund të jemi të mbështetur materialisht te vetja nëse kemi nevojë për një vend pune dhe nuk e kemi një të tillë. Ja ku janë gjashtë hapa për t’u punësuar.

Pamja
man looking up at ladders

Ilustrimet nga Iker Ayerstaran

Me disa mundësi pune përpara jush, cilët janë hapat e ardhshëm që duhet të merrni për të fituar vendin e punës që është i duhur për ju?

A ju nevojitet punësim apo një vend pune më i mirë? A njihni dikë që ka nevojë? Sfida sot për kaq shumë njerëz që kanë nevojë në mënyrë të dëshpëruar për punësim ose për një vend pune më të mirë, është se ata shpesh nuk janë të sigurt se si ta fitojnë punën që duan. Ata pyetin “A duhet të shkruaj një jetëshkrim, të vetëparaqitem në internet apo t’i bëj të dyja, dhe si t’i bëj?” “Cila është mënyra e duhur për t’iu përgjigjur pyetjeve të tilla si, ‘Cilat janë dobësitë tuaja?’ dhe ‘Pse duhet t’ju marr në punë për këtë pozicion?’”

Ky artikull paraqet një plan të vërtetuar prej gjashtë hapash të asaj që duhet të dini dhe pastaj të asaj që duhet të bëni për të fituar vendin e punës që dëshironi. Këta gjashtë hapa janë bazuar në rezultatet e një pyetësori që bëra mbi praktikat e marrjes në punë të 760 punëdhënësve të cilët po rekrutonin njerëz në Universitetin “Brigam Jang”. Këta hapa u krijuan gjithashtu nga informacionet që mora nga ekspertë të punësimit, dhe nga më shumë se 30 vjet trajnimesh për punësimin dhe rekrutimin që u kam dhënë mijëra njerëzve në mbi 20 vende. Së fundi, unë dhe bashkëshortja ime kohët e fundit shërbyem si misionarë në moshë të caktuar për t’i vënë në zbatim Shërbimet e Mbështetjes te Vetja në të gjithë Evropën. Përvojat tona na e përforcuan idenë se punëkërkuesit kanë nevojë për këtë ndihmë të posaçme. Pavarësisht se ku jetoni në botë, cilat janë aftësitë tuaja në punë ose çfarë pozicioni pune doni të gjeni, këta gjashtë hapa mund t’ju ndihmojnë.

Ky proces për të fituar punën që dëshironi mund të kërkojë diku nga disa ditë në disa javë apo edhe disa muaj. Por lajmi i mirë është se ky proces funksionon. Këta gjashtë hapa mund të ndihmojnë punëkërkuesit e të gjitha niveleve, që futen në njërën nga tre kategoritë: 1) ata që po kërkojnë punën e tyre të parë, 2) ata që dëshirojnë të lëvizin në një punë tjetër ose të ngrihen në pozitë brenda kompanisë apo organizatës së tyre të tanishme dhe 3) ata që dëshirojnë të lëvizin në një pozicion në një organizatë tjetër.

Hapi 1. Përcaktoni vendin specifik të punës që dëshironi tani.

Ju duhet të përcaktoni një punë realiste që mund ta kryeni pikërisht tani, e cila përshtatet me aftësitë tuaja të punës, formimin, arritjet ose arsimimin. Pasi të vendosni, shkruani llojin e punës. Nëse keni nevojë për ndihmë, faqe të ndryshme interneti renditin shumë pozicione dhe përshkrime të ndryshme të vendeve të punës. Për hapin 1, ju nuk keni nevojë të gjeni një vend të lirë pune; thjesht përcaktoni llojin e punës për të cilin jeni i kualifikuar dhe i interesuar.

Dy nga gabimet më të mëdha që bëjnë kandidatët punëkërkues, janë se nuk vendosin mbi një vend specifik pune që ata vërtet e duan, ose që zgjedhin një pozicion për të cilin nuk janë të kualifikuar. Nëse nuk jeni të sigurt se çfarë vendi specifik pune po kërkoni dhe arrini, atëherë ju mund të përfundoni duke mos gjetur fare punë. Thjesht të thoni diçka të tillë si “Thjesht më duhet një punë, çfarëdo lloj pune”, nuk është e dobishme. Po ta thoni këtë, nuk u lini përshtypje të mirë punëmarrësve të ardhshëm dhe i dëmtoni vetë përpjekjet tuaja punëkërkuese. Pra, zgjidhni një vend specifik pune që mund ta bëni tani dhe pastaj përqendrohuni te fitimi i asaj pune.

Hapi 2. Gjeni përshkrimin e punës për vendin e punës që dëshironi.

Sondazhi që kreva me 760 punëdhënës, të cilët rekrutuan njerëz në Universitetin “Brigam Jang” dhe vitet e mia të përvojës së punës në shumë vende, treguan se rekrutuesit dhe administratorët e punësimit pothuajse gjithmonë marrin në konsideratë vetëm kandidatë për një punë specifike, të cilët kanë aftësitë e duhura që lidhen me punën, përvojën, arritjet ose arsimimin për atë punë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për pozicionet e nivelit të mesëm dhe të lartë. Ndërsa i marrin në shqyrtim me kujdes kandidatët, këta rekrutues përdorin një përvijim ose listë, e cila quhet një përshkrim pune, për të kujtuar kërkesat më thelbësore për çdo vend të lirë pune. Personi që merr në punë më pas i krahason të gjithë kandidatët me përshkrimin specifik të atij pozicioni.

Ju duhet të gjeni përshkrimin e punës për vendin e punës që dëshironi. Kjo do t’ju ndihmojë të vendosni a jeni vërtet një kandidat i mirë për atë punë. Kjo gjithashtu do t’ju ndihmojë të vendosni se çfarë të thoni dhe të mos thoni për veten tuaj në jetëshkrimin tuaj, në letrat e motivimit dhe në intervistat me punëdhënësit. Punëdhënësit zakonisht e renditin përshkrimin e punës për secilën prej vendeve të lira të punës në faqen e tyre të internetit, në reklamat e gazetave dhe në faqet e internetit ku kërkohet punë. Punonjësit e tanishëm që e njohin vendin e punës mund të jenë gjithashtu në gjendje t’ju tregojnë rreth përshkrimit dhe kërkesave të vendit të lirë të punës.

Detyra juaj në hapin 2 është që të gjeni kërkesat specifike që renditen në përshkrimin e vendit të punës për punën që dëshironi. Më pas ju do ta përdorni atë informacion kyç në hapat 3–6.

Hapi 3. Përcaktoni aftësitë, përvojat, rezultatet e punës dhe arsimin tuaj që përshtaten me vendin e punës që keni përzgjedhur.

Ky është hapi ku ju përcaktoni aftësitë tuaja vetjake dhe arritjet që kanë të bëjnë me punën, të cilat tregojnë se formimi juaj vërtet përputhet me kërkesat thelbësore të vendit të punës që dëshironi tani, siç përshkruhen në përshkrimin e vendit të punës që gjetët në hapin 2.

Ndërsa e bëni këtë listë të aftësive dhe arritjeve tuaja që lidhen me punën, atëherë ju do të jeni në gjendje ta krahasoni formimin tuaj profesional me kualifikimet kyç që paraqiten në përshkrimin e vendit të punës që gjetët në hapin 2. Nëse lista juaj tregon se aftësitë tuaja përputhen mirë me nevojat e vendit të punës që përzgjodhët në hapin 1, atëherë vazhdoni tani te hapat 4–6. Sidoqoftë, nëse aftësitë dhe arritjet tuaja të renditura në hapin 3 nuk përputhen mirë me përshkrimin e vendit të punës që gjetët në hapin 2, atëherë duhet ta merrni seriozisht në konsideratë që të gjeni një vend tjetër pune për ta synuar në këtë kohë, një punë që përputhet më shumë me aftësitë dhe kapacitetet tuaja të tanishme.

Hapi 4. Shkruani një jetëshkrim të përshtatur sipas nevojës, një ose dy faqe.

Pamja
people writing resumes

Një qëllim kryesor i jetëshkrimit, që quhet edhe curriculum vitae [CV], është të bëni një intervistë me rekrutuesin ose personin që punëson, i cili po kërkon ta plotësojë pozicionin e lirë. Jetëshkrimi juaj e bën këtë duke i treguar shkurtimisht personit që të merr në punë se aftësitë, përvoja, arritjet ose arsimimi juaj që lidhen me punën, i përshtaten asaj që thotë përshkrimi i vendit të punës së punëmarrësit se janë karakteristikat më të rëndësishme të një kandidati ideal për atë vend pune.

Jetëshkrimi që shkruani për çdo vend të lirë pune të ndryshëm të punëmarrësit duhet të përshtatet. Nuk keni nevojë të ndryshoni të njëjtat të dhëna bazë që do t’i përfshini në të gjitha jetëshkrimet tuaja, si për shembull historiku i punësimit tuaj, informacioni i shkollës suaj dhe informacioni juaj aktual i kontaktit. Këto hollësi do të jenë të njëjta në të gjitha jetëshkrimet tuaja. Por nëse bëni kërkesë për një vend pune me më shumë se një punëdhënës, çdo punëdhënës do të ketë një përshkrim disi të ndryshëm ose shumë të ndryshëm të punës për vendin e tyre të punës. Prandaj, duhet të zgjidhni se cilat nga aftësitë dhe arritjet tuaja janë të rëndësishme për secilin përshkrim të vendit të punës. Vendosini ato në jetëshkrimin tuaj si deklarata të përmbledhura që fillojnë me një folje përshkruese, të tilla si “hulumtuar”, “zhvilluar”, “prodhuar”, “administruar” e kështu me radhë.

Për shembull, nëse do të kishit përvojë pune si në shitje dhe në tregtim, dhe keni bërë kërkesë për dy vende pune të ndryshme – njëra që përqendrohet te shitjet dhe tjetra te tregtimi – atëherë do të krijonit dy jetëshkrime, njëra që tregon më shumë për veprimtaritë dhe arritjet tuaja në shitje dhe tjetra që tregon më shumë për arritjet dhe veprimtaritë tuaja në tregtim. (Nëse nuk keni ende shumë përvojë pune, vizitoni faqen lds.org/go/71939 për të mësuar se si ta përdorni përvojën nga shërbimi juaj në Kishë në jetëshkrimin tuaj.)

Hapi 5. Gjeni punëdhënës të cilët po punësojnë tani njerëz për vendin e punës që dëshironi.

Ka gjithmonë disa vende të lira për t’u plotësuar, madje edhe në kohë shumë të vështira. Punonjës dalin në pension, ndryshojnë punë, ngrihen në pozitë, ulen në pozitë ose largohen. Dhe ka përherë disa sipërmarrje që rriten dhe kanë nevojë për më shumë punëtorë. Të gjitha këto situata çojnë drejt asaj që vende pune vihen në dispozicion, të cilat duhet të plotësohen me kandidatë të kualifikuar. Ndonjëherë ka vende pune me pikatore dhe ndonjëherë ka një lumë vendesh pune për t’u plotësuar. Pra, mos u shkurajoni nëse nuk keni gjetur ende një vend pune. Vetëm vazhdoni ta kërkoni atë vend pune për ju.

Shihni faqe të punëdhënësve në internet, faqe interneti për karrierën, reklamat në gazeta dhe burime të tjera për punën që dëshironi. Gjithashtu, një nga mënyrat më të mira për të gjetur vende të lira pune është duke krijuar një rrjet njohjesh – duke u vënë në kontakt me shumë njerëz çdo ditë, të tillë si fqinjë dhe anëtarë të lagjes, duke u treguar atyre punën specifike që po kërkoni dhe duke pyetur a kanë dijeni ata për një vend i tillë të lirë pune, ose a njohin ata dikë që mund të dijë për një vend të tillë të lirë pune. Sigurohuni që t’ua jepni informacionin e kontaktit të gjithë këtyre njerëzve teksa krijoni lidhje çdo ditë.

Hapi 6. Mësoni të bëni intervista të mira para se t’ua dërgoni jetëshkrimet tuaja punëdhënësve.

Pamja
woman at an interview

Para se të filloni t’ua dërgoni jetëshkrimet tuaja të harmonizuara mirë punëdhënësve tuaj të ardhshëm, ju duhet së pari të mësoni të dilni mirë në një intervistë. Shumë njerëz fillojnë të dërgojnë jetëshkrime sa më shpejt që munden, para se të jenë të përgatitur për të dhënë një intervistë të mirë. Problemi këtu është se disa nga këta punëkërkues mund të ftohen menjëherë për një intervistë. Këta kandidatë janë të ngazëllyer, shkojnë në intervistë përpara se të përgatiten ashtu siç duhet, nuk dalin mirë në intervistë dhe prandaj nuk e fitojnë vendin e punës. Pasi e keni bërë këtë, ju nuk mund të ktheheni tek ajo kompani apo ai intervistues dhe të kërkoni një intervistë tjetër, duke thënë se tashmë keni mësuar se si t’iu përgjigjeni saktësisht pyetjeve!

Mënyra se si i përgjigjeni çdo pyetjeje në intervistë është thelbësore për suksesin tuaj në fitimin e vendit të punës që dëshironi. Edhe pse duhet të jeni gjithmonë plotësisht i sinqertë, ka ende mënyra të drejta dhe të gabuara se si t’i përgjigjeni çdo pyetjeje në një intervistë. Juve do t’ju bëhen pyetje si këto:

  • Cilat janë pikat tuaja të forta dhe të dobëta?

  • Çfarë problemi kishit në një punë të mëparshme që do ta trajtonit ndryshe tani?

  • Cilat janë kërkesat tuaja për rrogën?

  • Çfarë do të doni të jeni duke bërë pas pesë vitesh?

Si një kandidat, përgjigjja që i jepni çdo pyetjeje që ju kërkohet duhet të parashikohet dhe të planifikohet më përpara. Edhe një përgjigje e vetme e keqe mund t’ju kushtojë vendin e punës. Përqendrojini përgjigjet tuaja në shembuj të shkurtër nga një deri në dy minuta, të cilët tregojnë se formimi, aftësitë dhe arritjet tuaja përputhen me përshkrimin e tyre për vendin e punës. Bëni një hulumtim për organizatën para intervistës së parë në mënyrë që t’i përshtatni përgjigjet tuaja sipas nevojave të tyre.

Në fund të shumicës së intervistave, ju do të keni mundësinë t’i bëni disa pyetje punëdhënësit. Pyetja juaj më e mirë që mund të bëni është rreth vendit të lirë të punës. “Çfarë duhet të arrihet ose të ndryshohet në këtë vend pune?” Kjo do t’ju ndihmojë në intervistat e ardhshme nëse ju kërkohet të ktheheni. Në përgjithësi, ju mund t’i lini pyetjet tuaja lidhur me qëllimet e organizatës, kulturën e punës, pagën (përveçse nëse pyeteni për të), orët e punës dhe përfitimet për intervistat e ardhshme.

Ju tani i keni gjashtë hapat për ta fituar vendin e punës që dëshironi. Ju nuk mund të jeni të mbështetur materialisht te vetja nëse keni nevojë për një vend pune dhe nuk e keni një të tillë. Nëse keni nevojë të punësoheni, të keni një punë më të mirë, ose njihni dikë që ka nevojë, ju lutemi përdorini ose shpërndajini këto mjete të fuqishme dhe të vërtetuara për kërkim të një vendi pune. Ato funksionojnë! Zoti ju bekoftë në përpjekjet tuaja për të fituar vendin e punës që dëshironi!