“Duhet të Largohesh nga Ky Vend”
Autori jeton në Antofagasta, Kili.
Pavarësisht nga frika ime për t’u transferuar në Kilin verior me familjen time, shkretëtira doli se ishte toka jonë e premtuar.
Kur lexova në Librin e Mormonit se si Nefi e mbështeste përherë të atin e tij vegimtar, unë arrita në përfundimin se shumica e të rinjve dhe të rejave në Kishë janë ndoshta si Nefi. Por, kur familja ime vendosi që ne duhej të zhvendoseshim në shkretëtirë, unë u ndjeva më shumë si Lamani dhe Lemueli. Nuk doja të largohesha nga shtëpia ime.
Ashtu si Nefi dhe vëllezërit e tij, unë u “lind[a] nga prindër të mirë” (1 Nefi 1:1). Të dy u bashkuan me Kishën kur ishin adoleshentë, dhe nëna ime e priti tim atë kur shërbeu në mision. Ata ishin anëtarë aktiv, të palodhur të Kishës.
Kur isha në shkollë të mesme, ekonomia ra në zonën tonë të Konsepsionit në Kili. Punët u mbyllën dhe im atë filloi të kishte vështirësi për të gjetur punë. Përfundimisht, ai filloi të kërkonte punë jashtë qytetit.
Kërkimi i tij për vend pune e çoi në veri në qytetin e Kalamës, në zonën e minierave të Kilit. Ai është inxhinier ndërtimi dhe gjeti një punë të mirë atje. Por ai ishte vetëm dhe shumë larg. Ne e takonim atë vetëm kur mund ta përballonte financiarisht udhëtimin prej 32‑orësh me autobus për në shtëpi.
Pas disa vitesh gjatë të cilave e takonim tim atë vetëm dy apo tri herë në vit, nëna ime ndjeu se ishte koha për të bërë një ndryshim. Prindërit e mi arritën në përfundimin se pjesa tjetër e familjes sonë kishte nevojë të transferohej në veri.
Ne Kemi Nevojë të Jemi me Babain Tonë
Vëllai im më i vogël nuk e kishte problem transferimin. Dhe motra ime më e madhe, që ishte në kolegj, dha shembullin e mirë për mua.
“Unë do t’i sakrifikoj studimet e mia”, tha ajo. “Ne kemi nevojë të jemi me babain tonë.”
Të gjithë e mbështetën vendimin për t’u transferuar përveç meje. Edhe unë dëshiroja të isha me tim atë, por e kundërshtoja bërjen e ndryshimeve dhe sakrificave vetjake. Unë kisha shokët e mi, e njihja ambientin rreth meje, më pëlqente shumë stili im i jetesës dhe dëshiroja të shkoja në kolegj në Konsepsion. Bëra gjithçka që mund të bëja për ta bindur nënën time që ne nuk duhej të shkonim.
Më në fund, ajo tha: “Bir, yt atë është vetëm. Ai do që të jemi me të. Do të doja ta kuptoje, por ti je tepër i përqendruar te vetja.” Pastaj ajo më siguroi sërish: “Ne do të kemi mundësi atje”.
Në zemrën time e dija se ajo kishte të drejtë – ndonëse nuk isha i bindur në mendje. Nuk kisha një dëshmi të fortë asokohe, por vendosa të lutesha nëse duhej të shkoja me familjen time. Një përgjigje e qartë më erdhi: “Ti duhet të largohesh nga ky vend”. Isha i trishtuar, por u thashë prindërve të mi se do të shkoja.
Ku Janë Pemët?
Konsepsioni është një vend i gjelbëruar me shumë pemë. Aty bien 127 cm reshje në vit. Në Antofagasta, qyteti pranë Kalamës në të cilin po transferoheshim, kishte vetëm 0,25 cm reshje në vit.
Gjëja më tronditëse për mua në lidhje me zhvendosjen ishte udhëtimi aktual. Ndërsa po shkonim udhës sonë drejt veriut me autobus, të vëzhguarit e kalimit nga e gjelbra te kafja ishte pikëlluese. Pyeta veten: “Ku janë pemët? Ku janë lopët në fshat?” Gjithçka që shikoja ishin balta, shkëmbinjtë dhe kodrat.
Me sa duket, Kili verior është një shkretëtirë, kështu që çfarë mund të prisja tjetër? M’u kujtua se si u ndien Lamani dhe Lemueli kur familja e Lehit u largua nga toka e trashëgimisë së tyre dhe udhëtuan për në shkretëtirë.
Kisha shumë frikë kur arritëm në Antofagasta. Çfarë do të ndodhte nëse nuk do të zëja shokë e shoqe? Çfarë do të ndodhte nëse nuk do të mund të përshtatesha me zonën? Çfarë do të ndodhte nëse shpresat e mia për të ardhmen nuk do të bëheshin realitet?
Përfundimisht, nuk duhej të isha shqetësuar. Nëna ime kishte të drejtë për mundësitë që na pritnin – veçanërisht mundësitë shpirtërore.
Përpara transferimit tonë, ungjilli nuk ishte përparësi për mua. Zoti ishte [diku] në sfond. Por në Antofagasta, në jetën time hynë njerëz që më ndihmuan ta shihja bukurinë e ungjillit. Mora ndihmë nga udhëheqës të veçantë të priftërisë. Bëra shokë që mbeten thesar për mua. Jeta ime shpirtërore ndryshoi tërësisht.
Serxho takon shokët e shoqet në institut.
Jam mirënjohës që ia vura veshin nënës sime. Jam mirënjohës që Zoti iu përgjigj lutjes sime. Jam mirënjohës që pata guximin të transferohesha në veri me familjen time.
Këtu në shkretëtirë është vendi ku bëra ndryshimet që më ndihmuan të bëhesha ai që jam sot. Këtu është vendi ku u zotova ta përqafoja ungjillin, të shërbeja në një mision, të martohesha në tempull dhe t’ia përkushtoja jetën time Zotit. Këtu është vendi ku vendosa që nuk doja të isha më sikurse Lamani dhe Lemueli.
Për mua dhe familjen time, shkretëtira doli se ishte toka jonë e premtuar.