Portrete Besimi
Iona Uikaira
Kaikohe, Zelandë e Re
Megjithëse përballet me sfida si një oficere burgu, Iona gjen forcë dhe qëndron e qetë nëpërmjet besimit te Jezu Krishti.
Christina Smith, fotografe
Kam punuar si oficere burgu prej shtatë vjetësh. Punova në burgun e grave një vit; më pas u transferova në një burg vetëm për burra ku kam punuar gjashtë vitet e kaluara.
Një nga historitë prekëse nga koha ime si oficere burgu është kur e pashë një nënë të ribashkohej me fëmijët e saj. Nuk i kishte parë fëmijët e saj për katër ose pesë vjet. Në sytë e fëmijëve mund të shihje lot dhe lëndim nga vitet e të qenit larg njëri‑tjetrit. Ribashkimi ishte prekës, por kur je oficere burgu, nuk duhet t’i shfaqësh emocionet. E pata shumë të vështirë. Faktikisht m’u desh të vështroja diku tjetër që ta mbaja dhe ta mblidhja veten. Duke qenë vetë nënë, nuk mund ta përfytyroja që të isha larg fëmijëve të mi për vite të tëra dhe të mos isha në gjendje t’i shihja ata, të bisedoja me ta ose madje të mos u tregoja se si ndihesha.
Kur je oficere burgu, duhet të jesh e fortë. Duhet të jesh në gjendje ta mbrosh veten tënde dhe të marrësh kontrollin. Ndonjëherë mund të krijohen grindje, kështu që duhet të jesh e vendosur kur komunikon me të tjerët. Veçanërisht kur flet me të burgosur dhe qetëson situata sfiduese dhe ndonjëherë të dhunshme. Kjo mund t’i bëjë disa njerëz të mendojnë se jam një person i fortë dhe i vështirë, por nuk jam kështu gjatë gjithë kohës.
Në punë ndiej sikur jam e rrethuar nga bota, por kur largohem nga puna dhe jam në shtëpi ose në kishë, ndihem ndryshe për shkak të shpirtit që ndiej. Një nga gëzimet e të jetuarit të ungjillit është se nuk ke pse të jesh nga bota. Je në botë, por nuk ke pse të jesh me pjesën tjetër të botës.
Gjithmonë më pëlqen shumë kur vijnë të dielat sepse kam mundësi të jem në kishë dhe të marr ushqim shpirtëror dhe të kujtoj Zotin dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Më pëlqen shumë fakti që jam në gjendje ta kem këtë. I gëzohem shërbimit në Kishë dhe të gjitha gjërave që ka ungjilli për të na ndihmuar ne.
Një herë e një kohë, unë isha nga bota dhe mora mësime tepër të vështira. Jam kaq mirënjohëse që tani jam plotësisht aktive me të dyja këmbët në ungjillin e Jezu Krishtit. Shpesh uroj që të gjithë njerëzit në punë do të ishin në gjendje ta ndienin gëzimin që ndiej unë si anëtare e Kishës.
Kam zbuluar se kur njerëzit në mjedisin e punës e dinë se ti je një anëtar/e i/e Kishës, ata do të kenë respekt për ty dhe Kishën kur shohin se ti nuk i ul standardet e tua për shkak të mjedisit ku je. Ja pse është e rëndësishme për mua që të përpiqem të jem një shembull i mirë i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme.
Në çdo situatë, mendoj: “Si do donte Shpëtimtari që të sillesha?” ose “Si do të donte Ai që ta përballoja këtë gjë?” Nga të gjitha përvojat e mia, përpiqem të sigurohem se veprimet e mia pasqyrojnë atë që do të bënte Shpëtimtari. Kjo më ndihmon të jem më e arsyeshme dhe shumë më e qetë, madje në gjithë kaosin e një mjedisi të vështirë pune.
Jam mirënjohëse për Shpëtimtarin dhe Atin tim Qiellor, për sfidat dhe sprovat që kam qenë në gjendje të kapërcej nëpërmjet pasjes së besimit në Ta dhe duke u besuar Atyre. Sa herë që kam kaluar sprova dhe kam bërë një lutje, gjithmonë kam ndier paqe në zemrën time. E di se nuk mund të jetoj pa Ta. Gjithmonë e pranoj dorën e Tyre në gjithçka që bëj.