2019
Si Mund t’i Mbështetim Udhëheqësit Tanë?
Korrik 2019


Si Mund t’i Mbështetim Udhëheqësit Tanë?

Pamja
family watching conference and sustaining leaders

Në ditët plot lot pas një zjarri që shkatërroi lagje të tëra në qarkun Sonoma të Kalifornisë në tetor 2017, Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, udhëtoi drejt komuniteteve të prekura për të qenë me shenjtorët e ditëve të mëvonshme.

Ai ishte në një mision shërbese. Ai dhe Motra Melani Rasband i ngushëlluan anëtarët e prekur nga zjarri, në shtëpitë e tyre të mbledhjeve dhe në anë të shtëpive të tyre të djegura.

Dhe kudo ku shkoi, anëtarët dolën përpara për t’ia shtrënguar duart. Ishte një gjest vlerësimi. Ata e falënderuan Apostullin për mbështetjen e tij. Por çdo shtrëngim duarsh kumtonte një ndjenjë të përbashkët: “Unë të mbështet ty”.

Një Veprim Besimi

Mbështetja është një veprim i shenjtë që e lidh anëtarësinë e Kishës me udhëheqësit e Kishës, thotë Plaku Geri E. Stivenson. Me më shumë se 16 milionë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, relativisht pak anëtarë të Kishës do të flasin ndonjëherë ballë për ballë me një Apostull ose do të shtrëngojnë dorën e një Apostulli. Por çdo anëtar ka mundësinë të bëjë një lidhje vetjake me këta dhe udhëheqës/e të tjerë/a të Kishës nëpërmjet votës së tij apo të saj formale mbështetëse dhe veprimeve të përditshme mbështetëse, thotë Presidenti M. Rasëll Ballard, Presidenti Veprues i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.

“Ne mbështetim me krahun tonë të ngritur lart, por gjithashtu me zemrat tona dhe veprimet tona”, thotë Plaku Gerit W. Gong. “I mbështetim udhëheqësit e Kishës në të njëjtën mënyrë siç e mbështetim njëri‑tjetrin. E dimë se jemi të lidhur me një besëlidhje.”

Lutja për Apostujt mbetet një element i çmuar i mbështetjes, thotë Plaku Ulises Soares. “Jemi njerëz të zakonshëm dhe Zoti na ka thirrur për diçka që është mbi kapacitetin tonë. Por ne ndiejmë se mund ta arrijmë atë kapacitet ngaqë njerëzit po luten për ne.”

Besimi i paraprin mbështetjes dhe vazhdon pas saj, shton Plaku Soares. “Duke i mbështetur Apostujt, ju po e ndihmoni Shpëtimtarin të kryejë punën e Tij. Besimi juaj e ndihmon Zotin të kryejë atë që Ai komunikon nëpërmjet profetëve dhe zbuluesve të Tij.”

“Më pëlqen shumë pamja kur krahët e djathtë ngrihen lart në formë katrore dhe kuptimi që ka”, thotë Plaku Xhefri R. Holland. Për Apostujt, të qenit të mbështetur nga anëtarët e Kishës është shpirtërisht e ngjashme me marrjen e ushqimit që të jep jetë, shton ai. “Çdo zë ka vlerë dhe çdo dorë ndihmëtare do të mirëpritet. Askush nuk ka pse të shërbejë vetëm në Kishë, cilado qoftë thirrja jonë.”

Një Praktikë e Kahershme

Mbështetja e Apostujve është një praktikë e ditëve të mëvonshme që daton që nga Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit. Prej ditës së parë, shenjtorët e hershëm u ftuan që të miratonin thirrjen e udhëheqësve të Kishës dhe t’i mbështetnin në atë thirrje.

Më 6 prill 1830, Jozef Smithi dhe pasuesit e tij të sapopagëzuar, u mblodhën në një shtëpi të vogël prej druri në fermën që i përkiste Piter Uitmer Plakut, në Fajet, në kontenë Seneka të Nju‑Jorkut.

Jozefi u ngrit në këmbë dhe i pyeti ata që merrnin pjesë, a e dëshironin organizimin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Duke ushtruar parimin e miratimit të përbashkët, anëtarët e rinj i ngritën duart e tyre lart dhe e miratuan duke votuar unanimisht. Pas kësaj, miratuan t’i pranonin Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin si mësuesit dhe këshilltarët e tyre shpirtërorë.

“Anëtarësimi në Kishë është një çështje shumë vetjake”, thotë Plaku Holland. “Çdo individ ka vlerë. Kjo është arsyeja përse ne funksionojmë mbi parimin e miratimit të përbashkët. Ne duam që secili të ketë zë, ta shprehë vetveten dhe të jetë i bashkuar për të ecur përpara.”

Një Veprim që na Lartëson të Gjithëve

Kur e pranojnë thirrjen për apostullim, anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve “janë të detyruar” të ndjekin vullnetin e Zotit, thotë Plaku Dejll G. Renland. Duke zgjedhur t’i mbështetin Të Dymbëdhjetët, anëtarët shfaqin mirëbesimin e tyre në zotimin e secilit Apostull që t’i bindet Shpëtimtarit.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme që ia japin votën e tyre mbështetëse një Apostulli individual, po mbështetin njëkohësisht Kuorumin e fuqizuar, thotë Plaku Kuentin L. Kuk.

Ai votim i shenjtë i lartëson dhe i bekon Apostujt – por i lartëson edhe mbështetësit, shton Plaku Kuk. “Ai i fuqizon e i bekon ata, dhe u jep udhërrëfim.”

Kjo do të thotë që, ashtu si anëtarët e ndikuar thellësisht nga zjarret në Santa-Rosa i ofruan përkrahje të qëndrueshme Plakut Rasband, anëtarët në mbarë botën mund të lartësohen madje teksa lartësojnë çdo anëtar të Të Dymbëdhjetëve.