2019
Të Bësh një Jetëshkrim pa Pasur Shumë Përvojë
Korrik 2019


Vetëm në Format Elektronik

Të Bësh një Jetëshkrim pa Pasur Shumë Përvojë

Nuk keni shumë [përvoja] për të vënë në jetëshkrimin tuaj? Mendoni për thirrjet tuaja në Kishë!

Disa pjesë bazë që shpesh shfaqen në jetëshkrime janë “Përvoja e Punës”, “Përvoja Vullnetare”, “Arsimimi” dhe “Aftësitë”. Ndonëse është një listë e shkurtër, të ndihesh sikur nuk ke shumë përvojë në këto fusha, mund të jetë frikësuese. Por mos u dëshpëroni. Mund të keni më shumë përvojë nga sa mendoni – veçanërisht duke qenë se thirrjet tuaja në Kishë mund t’ju japin përvojë të çmuar. Ne i përmbushim dhe përpiqemi t’i lartësojmë thirrjet tona në Kishë nga dashuria për Zotin dhe dëshira për t’i ndihmuar fëmijët e Tij, por aftësitë që fitojmë duke e bërë këtë, mund të na ndihmojnë që gjithashtu të dallohemi nga të tjerët në tregun e punës.

Renditja e Detyrave dhe Shpeshtësia

Çfarëdo thirrjeje që të keni pasur në Kishë, gjasa është se ka arritje dhe aftësi që i keni mësuar, të cilat mund t’i përfshini në jetëshkrimin tuaj. Bëni një listë të detyrave që kryet në çdo thirrje dhe shkruani se sa shpesh i kryet këto detyra dhe sa njerëz u përfshinë në to.

Pohimet e Arritjeve

Pastaj, krijoni “pohimet e arritjeve”. Këto janë pohime të shkurtra prapëseprapë përshkruese për gjërat që arritët gjatë thirrjes suaj. Ato shfaqen në jetëshkrimin tuaj në një listë me pika poshtë çdo përvoje.

Fillojeni çdo pohim me një “folje veprimi” – folje të forta të tilla si mbikëqyra, përmirësova, dhashë mësim etj.

Shembuj

Ka pohime arritjesh në bazë të llojeve të caktuara të thirrjeve dhe përfshijnë detyrat, shpeshtësinë dhe numra që shpesh lidhen me thirrjet:

  • Nëse ishit një mësues/e:

    • Përgatitët një mësim çdo javë duke studiuar manuale e shkrime të shenjta dhe duke mbledhur burime dhe përvoja vetjake

      • Për shpeshtësinë, renditni se sa shpesh e kryet detyrën – çdo javë, dy herë në muaj etj.

    • I dhatë mësim një klase prej gjashtë personash të moshave 14 deri në 16 vjeç çdo javë për 50 minuta.

      • Madhësia e klasës dhe e dëgjuesve do të varen nga thirrja juaj.

  • Nëse ishit në një presidencë:

    • Krijuat dhe arritët qëllime mujore dhe afatgjata për grupin.

    • U përkujdesët për mirëqenien e 30 anëtarëve në organizatë.

    • Trajnuat udhëheqës dhe mësues në detyrat e tyre.

    • Planifikuat dhe organizuat veprimtari mujore për 26 njerëz.

    • Krijuat dhe ndoqët një buxhet mujor.

  • Nëse ishit një drejtues/e muzike:

    • Organizuat një program muzikor javor.

    • Planifikuat numra të veçantë muzikorë të interpretuar nga anëtarët e bashkësisë.

    • Planifikuat programet muzikore rreth festave zyrtare dhe ngjarjeve.

  • Nëse shërbyet në një mision:

    • Vendosët dhe arritët qëllimet javore dhe afatgjata për mësimdhënien dhe ato për përmirësimin vetjak.

    • U dhatë mësim mesatarisht 16 individëve dhe grupeve çdo javë mbi mënyrën se si ta përmirësojnë jetën e tyre nëpërmjet zbatimit dhe studimit vetjak.

    • Nëse ishit një trajnues/e: Trajnuat dhe këshilluat misionarë/e të rinj/eja për të dhënë mësim dhe për t’u përshtatur me programin e rreptë.

    • Nëse ishit një motër trajnuese, udhëheqës/e distrikti ose zone në mision: Përgjegjës/e për nxitjen, vlerësimin, raportimin e përparimit të 14 misionarëve/eve dhe kujdesin ndaj tyre.

    • Nëse ishit në një vend të huaj: Jetova në [vendi i huaj] për [kohëzgjatja] dhe i zgjerova njohuritë e mia për kulturën e tyre.

    • Nëse folët një gjuhë të huaj, vini një shënim që u përfshitë në të folurin e asaj gjuhe dhe për kohëzgjatjen.

    • Këta shembuj janë mjaft të përgjithshëm, por sa më specifikë të jeni për atë që ju keni arritur dhe sa më të përshtatura me punën, aq më mirë.

Krijimi i Jetëshkrimit Tuaj

Shtojeni në jetëshkrim listën tuaj të thirrjeve dhe pohimet përkatëse të arritjeve. Për t’ju ndihmuar që thirrjet të përputhen me jetëshkrimin tuaj, do t’ju duhet ta përshtatni jetëshkrimin tuaj me përshkrimin e punës për të cilën po bëni kërkesë.

Përshkrimet e punës thuajse gjithmonë kanë fjalë kyç në to. Këto fjalë kyç janë gjëra të veçanta që kompania po kërkon te një person që do punësojë, dhe ju do të doni të siguroheni që t’i përdorni këto fjalë kyç në jetëshkrimin tuaj. Ju gjithashtu do të doni të paraqitni ato thirrje që përputhen më shumë me përshkrimin e punës. Nëse po bëni kërkesë për të qenë ndihmës/e i/e dikujt, nxirrini në pah thirrjet që përfshijnë aftësitë organizative, ose nëse po bëni kërkesë për të qenë mësues/e zëvendësues/e, renditini thirrjet që përfshijnë mësimdhënien.

Këshilla të Tjera

  • Renditini thirrjet tuaja poshtë pjesës “Përvoja Vullnetare” vetjake.

  • Renditeni organizatën si “Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”.

  • Renditeni emrin e thirrjes si titullin e punës suaj.

  • Përdorni më shumë fjalë dhe fraza universale si bashkësi në vend të fjalëve lagje ose degë dhe veprimtari javore për të rinjtë e të rejat në vend të fjalëve Aktivitete të Përbashkëta.

  • Përshkruajini organizatat që njerëzit mund të mos i njohin.

    • Për shembull, përshkruajeni Shoqatën e Ndihmës si një organizatë ndërkombëtare grash. Ju mund t’i referoheni Shoqatës së Ndihmës së lagjes ose degës suaj si një grup vendor ose degë e organizatës.

Ju gjithashtu mund t’i zbatoni parimet e lartpërmendura për të përcaktuar aftësitë dhe përvojat nga puna vullnetare, punët dhe veprimtaritë e tjera që keni kryer. Është e rëndësishme të tregoni një sërë përvojash të ndryshme që gjejnë zbatim për pozicionin që dëshironi të fitoni. Ndaj, së bashku me thirrjet tuaja në Kishë, përpiquni të përfshini sa më shumë përvoja të përshtatshme që mundeni në jetëshkrimin tuaj. Edhe nëse mund të mos ta kuptoni menjëherë, ju keni shumë për të dhënë, ndaj mos e nënvlerësoni veten!

Shtyp në Letër