2019
Misionarë që Ktheheni Herët: Ju nuk Jeni Vetëm
Shënimet në Fund të Faqeve

Hide Footnotes

Tematika

Të Rinjtë në Moshë Madhore

Misionarë që Ktheheni Herët: Ju nuk Jeni Vetëm

Autorja, e cila është nga Franca, po frekuenton shkollën në Jutë, SHBA.

Të rinj në moshë madhore tregojnë se si gjetën domethënie dhe paqe, pasi u kthyen në shtëpi herët nga misionet e tyre dhe se si edhe ju mund ta bëni këtë.

Vietnamese YSA walking to Womens Broadcast

Fotografi nga Tiffany Myloan Tong

Ushtria e misionarëve kohëplotë që po përpiqen fort ta përmbushin detyrën e tyre për t’i “ftuar të tjerët të vijnë te Krishti”1 u sjell “shpresë të madhe dhe shumë gëzim” (Alma 56:17) shumë njerëzve. Ata misionarë, ashtu si djemtë luftëtarë në Librin e Mormonit, luftojnë çdo ditë me “fuqi kaq të mrekullueshme; dhe me fuqi kaq të madhe” (Alma 56:56).

Por edhe mes 2 060 djemve luftëtarë, kishte ende 200 prej tyre të cilëve u ra “të fikët për shkak të humbjes së gjakut” (Alma 57:25). A i bëri kjo më pak të guximshëm? Më pak të fortë? Më pak trima? Më pak të denjë se të tjerët? Aspak.

Po kështu, ju misionarë që u kthyet në shtëpi herët për arsye shëndetësore mendore ose fizike nuk jeni më pak të guximshëm, më pak të fortë, më pak trima ose më pak të denjë. Qëndrueshmëria juaj gjatë sprovave tuaja është – dhe duhet të jetë – mahnitëse. Ai ju ka ruajtur – ndoshta jeni plagosur rëndë, por ju ka ruajtur. Plagët tuaja, qofshin ato fizike, mendore apo shpirtërore, kërkojnë përkujdesje tani (shih Alma 57:28). Për ata që janë kthyer në shtëpi për arsye që kanë të bëjnë me denjësinë, pendimi do të jetë një pjesë jetike e shërimit tuaj.

Teksa përshtateni me të qenit në shtëpi, sigurohuni që t’i jepni kohë vetes për t’u shëruar dhe mos harroni të keni gjithmonë besim te Perëndia (shih Alma 57:27). Ai na ka kujtuar: “Kur i jap një urdhërim ndonjërit prej bijve [ose bijave] të njerëzve për të bërë një punë në emrin tim” – për shembull, që të shërbejnë në një mision – “dhe ata bij [e bija] të njerëzve punojnë me gjithë fuqinë e tyre dhe me gjithçka kanë për ta kryer atë punë dhe nuk e pushojnë zellin e tyre, dhe armiqtë e tyre” – në disa raste, sëmundjet tona fizike ose mendore apo lëndime të tjera – “vijnë mbi ta dhe i pengojnë nga kryerja e asaj pune, vini re, mua nuk më duhet më ta kërkoj atë punë nga duart e tyre … por t’i pranoj ofertat e tyre” (Doktrina e Besëlidhje 124:49).

Çfarëdo plagësh që keni pësuar – ose ju janë rihapur – në betejë, për aq kohë sa shërbyet denjësisht ose u penduat plotësisht, kontributi juaj qe i nevojshëm dhe u pranua nga Zoti.

Kuala Lumpur, Selangor, Malaysia: Asian businessman walking outdoors

Fotografitë nga Getty Images

Leximi i historive të mëposhtme mund t’ju ndihmojë të gjeni shërim në faktin se nuk jeni vetëm dhe se, po ta tregoni historinë tuaj, mund të ndihmoni të tjerë.

Kuptojeni Që Shpëtimtari e Ka Ndier Dhembjen Tuaj

Rrugës me avion për në misionin tim, imagjinoja se si do të ishte kthimi im në shtëpi. Përshëndetjet do të shpërthenin, familja dhe miqtë e mi do të më përqafonin, dhe do ta jetoja pjesën tjetër të jetës sime në paqe, duke shijuar çdo bekim që do të vinte nga të qenit një misionar i kthyer me nder.

Njëmbëdhjetë muaj më vonë, rrugës me avion për në shtëpi, çdo çast u kalua me një ankth të dhembshëm për atë që shtrihej përpara. Familja ime po priste, dhe ndonëse ata më përgëzuan e më përqafuan, sakaq, isha i vetëm me asnjë ide për të ardhmen time.

Shpëtimtari i pa ditët e mia të errëta. Ai e dinte se si u ndjeva kur qëndrova në shtrat për tri javë duke qarë dhe duke fjetur për ta shmangur realitetin. Ai e dinte se do të më nevojitej forca e Tij ngaqë askush tjetër përreth meje nuk mund të më kuptonte ose madje të shfaqte ndjeshmëri për atë që po kaloja unë. Por Ai e bëri. Nuk do të mund t’i kisha mbijetuar misionit tim apo kthimit në shtëpi herët pa Atë.

Ali Boaza, Kuinsland, Australi

Jini të Gatshëm ta Ndiqni Vullnetin e Zotit

Gjithçka po shkonte mirë në misionin tim. Pata përvoja të pabesueshme që do të mbeten përgjithmonë në zemrën time. Megjithatë, pas tetë muajsh, fillova të kisha probleme shëndetësore. Pas shumë agjërimesh dhe lutjesh, më dërguan në shtëpi. Isha i dërrmuar. Mendoja se çdo gjë ishte faji im. Ndalova së lexuari shkrimet e mia të shenjta dhe së luturi shpesh. Pyesja veten a kisha bërë gjithçka që mundesha për të qëndruar.

Por kuptova se po sprovohesha për të parë nëse do të qëndroja besnik ndaj Zotit. Ishte e vështirë, por i mirëbesova Atij dhe u ktheva në terrenin e misionit, ku edhe një herë pata përvoja të mrekullueshme.

Më pas, problemet e mia shëndetësore u rikthyen. Por këtë herë isha më i gatshëm për ta ndjekur vullnetin e Atit Qiellor. Kështu që u ktheva në shtëpi për herë të dytë. Ishte e vështirë, por e di se mund të mësoj nga çdo gjë që kalova.

Edhe pse nuk shërbeva për 24 muaj, e di se kam shërbyer një mision të nderuar. E di se koha që i shërbeva Zotit ishte me vlerë për mua dhe për njerëzit që ndihmova. I jam mirënjohës Shpëtimtarit tim për Shlyerjen e Tij të pafundme. Ai e di secilën prej sfidave tona. Dhe nëse mbështetemi tek Ai me gjithë siguri, nuk do të jemi kurrë të vetmuar.

Filipe Hofman, Gojas, Brazil

Mos e Shpërdoroni Kohën Duke Pyetur Përse

Mendimi i ardhjes herët në shtëpi ishte dërrmues. Sapo këshilltari ma sugjeroi, ndjeva një përzierje shumë të ndërlikuar emocionesh: Turp. Lehtësim. Faj. Paqe. Hidhërim. Të gjitha njëkohësisht.

E di që Perëndia po më mbështeste sepse në njëfarë mënyre e kalova atë javë të parë në shtëpi. Dhe pastaj kalova një javë tjetër. Dhe një tjetër. Derisa më në fund isha në gjendje të ndihesha sërish vetvetja. Babai im ishte mbështetja ime më e madhe dhe me të vërtetë më mori nën krahët e tij mbrojtës. Ai gjithmonë donte të fliste dhe të kalonte kohë me mua. Jo me kureshtjen për të ditur se çfarë “shkoi keq”, por thjesht për të parë se si po ia kaloja.

Kur im atë ndërroi jetë në një aksident kur po ngjitej në shkëmbinj disa muaj më vonë, e dija pa asnjë lloj dyshimi se Perëndia ka një plan për mua. Mundësia që të isha me tim atë muajt e fundit të jetës së tij, e forcoi dëshminë time për planin e shpëtimit. Ende nuk i kuptoj të gjitha arsyet përse m’u desh të kthehesha në shtëpi në kohën kur erdha, por kam mësuar gjithashtu që, nëse kalon shumë kohë duke e pyetur veten përse, atëherë nuk i sheh dot mrekullitë mahnitëse që Perëndia të jep çdo ditë.

Kristen Uatabe, Ohajo, SHBA

Përshtatini Pritshmëritë Tuaja

Kur isha tepër e sëmurë për ta vazhduar misionin tim, e dija se Perëndia donte që unë të shkoja në shtëpi, por kjo ishte komplet e kundërta e asaj që doja unë. Isha gjithashtu e pikëlluar nga humbja e papritur e shëndetit tim, gjë e cila më vonë u vërtetua se ishte fillimi i një gjendje kronike invaliditeti.

Ndërsa po përshtatesha me sëmundjen time, ndjeva se e kisha humbur qëllimin tim. Më nevojitej kaq shumë ndihmë dhe mendova se nuk kisha asgjë për të dhënë. Por e dija se duhej të vazhdoja ta ushtroja besimin tim, kështu që vazhdova të studioja, të lutesha dhe të përpiqesha për ta ndjekur Shpirtin. Një ditë, teksa po studioja Dhiatën e Re, ndesha një pikturë të Xhejms Tisotit, të titulluar Jezusi i Urdhëron Apostujt të Pushojnë. Ky përshkrim i Markut 6:30–31 më zbuti menjëherë. Kur e pashë Krishtin duke u kujdesur për shërbëtorët e Tij që po pushonin, kuptova se sa shumë i donte Ai ata. Dhe mua.

Jesus Commanding His Disciples to Rest

Përfundimisht, mësova se pritshmëritë që kisha për veten time nuk ishin të njëjtat pritshmëri që Perëndia kishte për mua. Në disa mënyra, pritshmëritë e Tij ishin më sfiduese nga ana personale, por ishin shumë më të përshtatura me nevojat e mia. Jam kaq shumë mirënjohëse për mënyrën se si Ai më mëson që ta pranoj më plotësisht ndihmën e Tij dhe dashurinë e Tij të përsosur. Besimi i Tij tek unë më jep shpresën që më nevojitet për të shkuar përpara.

Sabrina Maksuell, Juta, SHBA

Qëndroni në Shtegun e Ungjillit

U ktheva në shtëpi herët nga Misioni i Kebusë Lindore në Filipine. Idetë “po sikur” dhe mospërputhja me “modelin e misionarit të kthyer” e vështirësuan përshtatjen. Meqë shërbeva në atdheun tim, më mundonte mendimi se e kisha zhgënjyer degën time dhe njohurinë se nuk i kisha plotësuar pritshmëritë e tyre. Krahasimi i vetes sime me misionarët e kthyer “sipas rregullit” më bëri ta shoh veten time si më pak të denjë ose si një të dëbuar.

Përfundimisht, Zoti më mësoi se një mision është vetëm një nga mënyrat e shumta për t’i shërbyer Atij. Nuk ka rëndësi se ku apo sa gjatë shërbeni, por mënyra se si shërbeni. Ai më mësoi të jem e përulur dhe të qëndroj në shtegun e ungjillit edhe nëse gjërat vështirësohen dhe nuk bëhen në mënyrën time.

Xhasper Gapuz, Filipine

Shihni tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti

U thirra për të shërbyer në Misionin Uellington të Zelandës së Re. Kur mora vesh se duhej të shkoja në shtëpi herët, m’u duk sikur kisha zhgënjyer Atin Qiellor dhe prindërit e mi.

Kam mësuar kaq shumë nga misioni im dhe nga kjo situatë. Kurrë nuk më ishte dashur të mbështetesha tek Ati Qiellor dhe Shlyerja e Shpëtimtarit ashtu siç bëra kur u ktheva në shtëpi më herët. M’u desh t’i mirëbesoja Perëndisë dhe të pranoja gjithçka që Ai donte që unë ta kaloja e ta mësoja. Nuk mund ta mohoj fuqinë e Shlyerjes dhe mënyrën si kam arritur me të vërtetë ta di se Jezu Krishti është Shpëtimtari im. Kam mësuar se Perëndia më përul dhe më mëson nëpërmjet dobësive të mia dhe kohërave të vështira.

Pavarësisht se ku jam, ose nëse kam një distinktiv mbi kraharorin tim, unë jam ende një dishepulle e Jezu Krishtit. E di se Zoti ende më do dhe është me mua, dhe Ai dëshiron që unë të vazhdoj t’u shërbej të tjerëve. Edhe pse jam në shtëpi, e di që nuk jam një dështake sepse Ai më ka ndihmuar të bëhem një person më i mirë nëpërmjet kësaj përvoje.

Natasha Krisanalome, Tajlandë

Forcojeni Marrëdhënien tuaj me Shpëtimtarin

Pata privilegjin të shërbej në misionin tim në Enkërixh, Alaska, SHBA. Ishte pikëlluese të kthehesha në shtëpi herët për shkak të ndërlikimeve nga ndrydhja e të dy kyçeve dhe shputave. Sigurisht që nuk ishte e lehtë, por pata përvoja të shumta të cilat më dhanë mësime të çmuara për jetën. Mësova se Ati Qiellor ka një qëllim për gjithçka që ndodh në jetën tonë. Gjithashtu mësova se si t’i kaloj sprovat me një këndvështrim më të mirë. Marrëdhënia ime me Shpëtimtarin u bë më e fortë nga sa kishte qenë ndonjëherë, ngaqë mësova se sa e zbatueshme është fuqia shëruese e Shlyerjes së Tij.

Ati Qiellor me të vërtetë më ndihmoi gjatë kësaj kohe të vështirë. Edhe pse ndonjëherë ende has vështirësi, e di që Ati Qiellor i ka gjërat në kontroll dhe që Ai e di se çfarë më nevojitet në jetën time, më shumë se sa e di unë.

Amber Bangerter, Juta, SHBA

Dijeni se Puna Misionare Vazhdon Kudo që të Jeni

Shërbeva në Misionin e Budapestit në Hungari. Kur u ktheva në shtëpi herët, ishte e vështirë, sepse të gjithë shokët e mi të misionit ishin ende në misionin e tyre dhe më merrte malli të isha misionar. Kisha gjithashtu frikë se anëtarë të tjerë të Kishës do të më gjykonin, por fatmirësisht, gjithsecili më trajtoi me dashuri dhe e kuptoi situatën time.

Me kalimin e kohës, u ndjeva më mirë. Në revistën Liahona lexova një artikull rreth misionarëve që kthehen herët, i cili më ndihmoi të ndihem më mirë ngaqë kuptova se nuk isha më i vetmi (shih Destini Jarbro, “Në Shtëpi më Herët nga sa e Kisha në Plan”, Liahona, janar 2018, f. 44–47). Mora gjithashtu zemër nga ajo që tha tetoja ime: “Puna misionare vazhdon kudo që të jemi”.

Lukas Ludvig Saito, San‑Paolo, Brazil

Rrethojeni Veten me Mirësi

Kurrë nuk mendova se do të kthehesha herët në shtëpi nga misioni im, dhe isha i turpëruar dhe i shqetësuar që do të përballesha me të gjithë. Megjithëse ishte një nga çastet më të vështira në jetën time, unë gjithashtu u rrita nga përvoja. Më formoi duke më bërë një njeri më të mirë.

U ktheva në shtëpi për të kaluar përmes një procesi pendimi. Disa nga zgjedhjet që kisha bërë para misionit tim nuk ishin në përputhje me mësimet dhe urdhërimet e ungjillit. Për shkak të turpit dhe dëshirës sime për ta mbajtur qëndrimin tim në Kishë, unë nuk e kalova paraprakisht procesin e pendimit me peshkopin tim. Por brenda muajve të parë, ndjeva nevojën të kthehesha në shtëpi për t’u penduar që të mund të shërbeja me nder e integritet.

Gjërat që me të vërtetë më dhanë zemër kur u ktheva në shtëpi, ishin pjesëmarrja në veprimtari frymëzuese shpirtërore, përfshirë mbledhjet e Kishës, projektet e shërbimit, dhe tempullin, kur isha në gjendje të hyja. Sidoqoftë, ajo që më ndihmoi më shumë, ishin njerëzit rreth meje – familja, disa miq, madje edhe njerëz që nuk i kisha takuar kurrë më parë, që më treguan dashuri e mirësi.

Në përgjithësi, me ndihmën e Zotit dhe të shembujve si të Krishtit rreth meje, unë isha në gjendje të kthehesha në Florida për ta përfunduar misionin tim. Shpresa ime është që ne të gjithë do të përpiqemi fort të jemi si Krishti ndaj të tjerëve, pavarësisht a janë kthyer në shtëpi herët apo thjesht janë në nevojë.

Kaigen Stjuart, Jutë, SHBA

Mbështetuni te Shpëtimtari

Thirrja e misionit më ra në Misionin e Lusakës në Zambia. Një nga gjërat më të vështira të kthimit në shtëpi herët ishte që anëtarët nuk i kuptonin misionarët që ktheheshin herët.

Kur u ktheva, m’u desh të shtrohesha në spital për tri javë dhe asnjë anëtar i kishës nuk mori në telefon ose nuk më vizitoi. Të vetmit njerëz që erdhën ishin udhëheqësi i grupit dhe misionarët për të më administruar sakramentin çdo të diel – dhe kjo ishte vetëm ngaqë ua kisha kërkuar. Ndihma e anëtarëve mund të kishte qenë vërtet e dobishme për ta ndërtuar forcën dhe besimin tim te Jezu Krishti gjatë atyre javëve të para në shtëpi, por m’u desh ta bëja e vetme.

Zoti vazhdon të më mësojë çdo ditë rreth arsyes përse jam në shtëpi më herët nga sa pritej, edhe pse ndonjëherë është e vështirë ta kuptoj. Tani e kuptoj që kthimi herët në shtëpi më lejoi të gjeja babanë dhe familjen e tij dhe të ndërtoja një marrëdhënie me ta. Më lejoi të zbuloj se kam një çrregullim që vazhdon të jetë pjesë e jetës sime. Dhe kam mësuar se cilat janë pikat e mia të forta dhe të dobëta – për shembull, si të them “jo”. Më parë, ishte shumë e vështirë për mua t’i thoja “jo” ndonjë gjëje apo dikujt. Isha përherë e gatshme të bëja gjëra dhe t’i vija të tjerët të parët, pavarësisht se sa e lodhur apo e zënë isha – gjë e cila nuk është e gabuar, por për shkak të kësaj sprove, kam mësuar se ndonjëherë duhet ta vendos veten time të parën.

Vazhdoj të zbuloj ende gjëra të reja rreth Zotit dhe arsyes përse m’u desh të kthehesha në shtëpi herët. Por shumë bekime kanë ardhur rrugës dhe unë mbështetem çdo ditë te Zoti. Edhe pse ndonjëherë është e vështirë dhe njerëzit nuk e kuptojnë gjithmonë, e di se Shpëtimtari e kupton këtë. Dhe vazhdoj të mbështetem tek Ai dhe Shlyerja e Tij e pafundme.

Lindi Çibase, Gauteng, Afrika e Jugut

Premtimi që gjendet në letrën tuaj të thirrjes misionare, që ju bë kur vendosët të bënit një hap përpara në këtë punë, do të përmbushet: “Zoti do t’ju shpërblejë për mirësinë e jetës suaj”. Me vëmendje dhe kujdes, plagët tuaja mund të shërohen dhe të bëhen një mjet që ju të jeni në gjendje t’i ndihmoni të tjerët të vijnë te Krishti. Kjo është, në fund të fundit, detyra e misionarëve.