2019
Kapitull 1: Mblidhni një Kompani
Korrik 2019


Kapitulli 1

Mblidhni një Kompani

Mijëra shenjtorë të ditëve të mëvonshme heshtën teksa zëri i Lusi Mek Smithit jehoi nëpër sallën e madhe të mbledhjes në katin e parë të tempullit thuajse të përfunduar të Navusë.

Ishte mëngjesi i 8 tetorit 1845, dita e tretë dhe e fundit e konferencës së vjeshtës të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Duke e ditur se nuk do të kishte edhe shumë mundësi të tjera për t’u folur shenjtorëve – veçanërisht tani që ata kishin në plan të largoheshin nga Navuja për një shtëpi të re tej drejt perëndimit – Lusi foli me një fuqi përtej pafuqisë së trupit të një shtatëdhjetëvjeçareje.

“U bënë tetëmbëdhjetë vjet më njëzet e dy shtatorin e kaluar që kur Jozefi i nxori fletët nga toka”, dëshmoi ajo, “dhe u bënë tetëmbëdhjetë vjet të hënën e shkuar që kur Jozef Smithi, profeti i Zotit –”1

Ajo ndaloi duke kujtuar Jozefin, birin e saj të martirizuar. Shenjtorët e pranishëm në dhomë e dinin tashmë se si një engjëll i Zotit e kishte udhëhequr atë drejt një grupi fletësh të arta të varrosura në një kodër të quajtur Kumorah. Ata e dinin se Jozefi i kishte përkthyer fletët me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë dhe e kishte botuar analin si Libri i Mormonit. Prapëseprapë, sa shenjtorë në sallën e mbledhjes e kishin njohur vërtet atë?

Lusi mund ta mbante mend ende çastin kur Jozefi, në atë kohë vetëm njëzet e një vjeç, i kishte thënë për herë të parë se Perëndia ia kishte mirëbesuar fletët atij. Ajo kishte qenë në ankth gjithë mëngjesin, e frikësuar se ai do të kthehej nga kodra duarbosh, ashtu siç qe kthyer katër vitet e mëparshme. Por kur mbërriti, ai e qetësoi shpejt. “Mos ki merak”, i kishte thënë ai. “Çdo gjë është në rregull.” Ai më pas i la në duar interpretuesit që Zoti ia kishte dhënë për përkthimin e fletëve, të mbështjella në një shami, si provë që ia kishte dalë ta merrte analin.

Në atë kohë kishin qenë vetëm një grusht besimtarësh, shumica prej tyre pjesëtarë të familjes Smith. Tani mbi njëmbëdhjetë mijë shenjtorë nga Amerika e Veriut dhe Europa jetonin në Navu, Ilinois ku Kisha ishte grumbulluar gjashtë vjetët e fundit. Disa prej tyre ishin të rinj në Kishë dhe nuk kishin pasur mundësi ta takonin Jozefin ose vëllanë e tij Hajrëm përpara se një turmë t’i qëllonte me armë e t’i vriste të dy burrat në qershor të vitit 1844.2 Kjo ishte arsyeja pse Lusi dëshironte të fliste për të vdekurin. Ajo donte të dëshmonte për thirrjen profetike të Jozefit dhe rolin e familjes së saj në Rivendosjen e ungjillit përpara se shenjtorët të shkonin larg.

Për më shumë se një muaj, turmat vetëgjykuese po u vinin zjarrin shtëpive dhe sipërmarrjeve të shenjtorëve në ngulimet aty pranë. Duke pasur frikë për jetën e tyre, shumë familje ishin arratisur drejt sigurisë relative në Navu. Por turmat veç sa fuqizoheshin më tepër e bëheshin më të organizuara me kalimin e javëve dhe shpejt, midis tyre dhe shenjtorëve kishin shpërthyer disa përleshje me armë. Shteti dhe qeveritë kombëtare, ndërkohë, nuk bënë asgjë për t’i mbrojtur të drejtat e shenjtorëve.3

Duke besuar se ishte vetëm çështje kohe përpara se turmat të sulmonin Navunë, udhëheqësit e Kishës kishin arritur një marrëveshje për një paqe të brishtë duke rënë dakord që t’i nxirrnin shenjtorët nga vendi deri në pranverë.4

Të udhërrëfyer nga zbulesa hyjnore, Brigam Jangu dhe anëtarët e tjerë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve po planifikonin t’i shpërngulnin shenjtorët më shumë se një mijë e gjashtëqind kilometra drejt perëndimit, përtej Maleve Shkëmbore, mu jashtë kufirit të Shteteve të Bashkuara. Si kuorumi kryesues i Kishës, Të Dymbëdhjetët ua kishin njoftuar këtë vendim shenjtorëve ditën e parë të konferencës së vjeshtës.

“Zoti synon të na udhëheqë drejt një fushe më të gjerë veprimi”, kishte deklaruar apostulli Parli Prat, “ku mund t’i gëzojmë parimet e pastra të lirisë dhe të drejta të barabarta.”5

Lusi e dinte se shenjtorët do ta ndihmonin atë ta bënte këtë rrugëtim po të zgjidhte të nisej. Zbulesat u kishin urdhëruar shenjtorëve të mblidheshin së bashku në një vend dhe Të Dymbëdhjetët qenë të vendosur që ta përmbushnin vullnetin e Zotit. Por Lusi ishte e moshuar dhe besonte se nuk do të jetonte më gjatë. Kur të vdiste, ajo donte të varrosej në Navu pranë Jozefit, Hajrëmit dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes që kishin ndërruar jetë, përfshirë bashkëshortin e saj, Jozef Smith Plakun.

Për më tepër, shumica e pjesëtarëve të gjallë të familjes së saj do të qëndronin në Navu. Djali i vetëm që i kishte mbetur, Uilliami, kishte qenë anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, por nuk e kishte pranuar udhëheqjen e tyre dhe kishte refuzuar të shkonte në perëndim. Edhe tri bijat e saj – Zofronia, Katerina dhe Lusi – do të qëndronin atje. Po ashtu edhe nusja e saj, Ema, e veja e profetit.

Ndërsa Lusi i foli bashkësisë, ajo i nxiti dëgjuesit e saj që të mos brengoseshin për udhëtimin që i priste. “Mos u shkurajoni e të thoni se nuk mund të merrni karro dhe gjëra”, tha ajo. Pavarësisht nga varfëria dhe përndjekja, vetë familja e saj e kishte përmbushur urdhërimin e Zotit për ta botuar Librin e Mormonit. Ajo i nxiti ata t’i dëgjonin udhëheqësit e tyre dhe ta trajtonin mirë njëri‑tjetrin.

“Sikurse thotë Brigami, duhet të jeni që të gjithë të ndershëm ose nuk do të mbërrini atje”, tha ajo. “Nëse jeni qejfprishur, do të keni telashe.”

Lusi foli më shumë rreth familjes së saj, rreth përndjekjes së tmerrshme që kishin vuajtur në Misuri dhe Ilinois dhe sprovave që i prisnin shenjtorët në të ardhmen. “Lutem që Zoti të mund t’i bekojë krerët e Kishës, Vëllanë Brigam e gjithë të tjerët”, tha ajo. “Kur të shkoj në një botë tjetër, dëshiroj t’ju takoj të gjithëve.”6

Në janar të vitit 1846, Brigami shpesh mblidhej me Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve dhe Këshillin e Të Pesëdhjetëve, një organizatë që mbikëqyrte shqetësimet materiale të mbretërisë së Perëndisë në tokë, për të planifikuar mënyrën më të mirë e më të shpejtë për të dalë nga Navuja dhe për të ngritur një vend të ri grumbullimi për shenjtorët. Hibër Kimballi, shoku i tij apostull, rekomandoi që ata të udhëhiqnin një kompani të vogël shenjtorësh drejt perëndimit sa më shpejt të ishte e mundur.

“Mblidhni një kompani që mund ta pajisë vetë veten”, këshilloi ai, “që të jetë gati në çdo çast kur të thirret për të shkuar përpara e të përgatitë një vend për familjet e veta dhe të varfrit.”

“Nëse ka një kompani pararojë që të shkojë e të mbjellë drithë këtë pranverë”, vuri në dukje apostulli Orson Prat, “do të jetë e nevojshme të fillojë deri më 1 shkurt.” Ai pyeste veten a do të ishte gjë më e urtë që të vendoseshin diku më pranë, gjë e cila do t’u lejonte atyre t’i mbillnin më shpejt drithërat.

Brigamit nuk i pëlqeu ajo ide. Zoti tashmë i kishte drejtuar shenjtorët që të vendoseshin pranë Liqenit të Madh të Kripur [Great Salt Lake]. Liqeni qe pjesë e Pellgut të Madh, një krahinë e madhe në formë kupe e rrethuar nga malet. Shumica e pellgut qe tokë e thatë shkretëtire dhe [ishte] sfiduese ta kultivoje, duke e bërë atë të padëshirueshme për shumë amerikanë që shpërnguleshin në perëndim.

“Nëse futemi midis maleve drejt vendit që po marrim në shqyrtim”, arsyetoi Brigami, “asnjë komb nuk do të na ketë zili.” Brigami e kuptonte se në krahinë tashmë banonin popuj vendës. Prapëseprapë ai kishte shpresën se shenjtorët do të ishin në gjendje të vendoseshin paqësisht mes tyre.7

Shënime

  1. Historian’s Office, General Church Minutes, 8 tetor 1845; “Conference Minutes”, Times and Seasons, 1 nëntor 1845, 6:1013–1014. Një raport i plotë i predikimit të Lusit në konferencën e tetorit të vitit 1845, me shënime shpjeguese, është në dispozicion te Reeder and Holbrook, At the Pulpit, f. 21–26. Tema: Lucy Mack Smith

  2. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 5, [7]; Shenjtorët, vëllimi 1, kapitujt 4 dhe 44; Black, “How Large Was the Population of Nauvoo?” f. 92–93. Tema: Deaths of Joseph and Hyrum Smith

  3. Solomon Hancock and Alanson Ripley to Brigham Young, 11 shtator 1845, Brigham Young Office Files, CHL; “Mobbing Again in Hancock!” dhe “Proclamation”, Nauvoo Neighbor, 10 shtator 1845, [2]; Gates, Journal, vëllimi i 2‑të, 13 shtator 1845; Glines, Reminiscences and Diary, 12 shtator 1845; “The Crisis” dhe “The War”, Warsaw Signal, 17 shtator 1845, [2]; “The Mormon War”, American Penny Magazine, 11 tetor 1845, f. 570–571; Jacob B. Backenstos to Brigham Young, 18 shtator 1845, Brigham Young Office Files, CHL; Orson Spencer to Thomas Ford, 23 tetor 1845; Thomas Ford to George Miller, 30 tetor 1845, Brigham Young History Documents, CHL; shih edhe Leonard, Nauvoo, f. 525–542.

  4. To the Anti-Mormon Citizens of Hancock and Surrounding Counties (Warsaw, IL: 4 tetor 1845), Chicago Historical Society, Collection of Manuscripts about Mormons, CHL; shih edhe Leonard, Nauvoo, f. 536–542.

  5. Council of Fifty, “Record”, 9 shtator 1845, në JSP, CFM:471–472; “Conference Minutes”, Times and Seasons, 1 nëntor 1845, 6:1008–1011.

  6. Doktrina e Besëlidhje 29:8 (Revelation, shtator 1830–A, te josephsmithpapers.org); Doktrina e Besëlidhje 125:2 (Revelation, circa Early Mar. 1841, te josephsmithpapers.org); Historian’s Office, General Church Minutes, 8 tetor 1845; “Conference Minutes”, Times and Seasons, 1 nëntor 1845, 6:1013–1014.

  7. Council of Fifty, “Record”, 11 janar 1846, në JSP, CFM:514, 515, 518. Tema: Council of Fifty