2019
Kur të Mbajturit Fort Bëhet e Dhimbshme
Korrik 2019


Kur të Mbajturit Fort Bëhet e Dhimbshme

Xhef Borders

Uashington, SHBA

Një ditë përvëluese korriku, e ndihmova kunatin tim të ndërtonte një mur mbajtës. Në këtë projekt përfundimisht u përballa me rrënjët e një peme qershie që ishte në lulëzim e sipër.

“E lehtë”, mendova.

Mblodha mjetet e duhura dhe gërmova rreth rrënjëve që të krijoja hapësirë për të punuar. Pastaj kapa një sharrë dhe, pa e menduar dy herë, vazhdova të punoja duke prerë rrënjët. Rrënjët më të vogla u prenë lehtë, por kur kalova te rrënjët më të mëdha, shpejt kuptova se nuk do të ishte aq e lehtë me to. Një rrënjë në veçanti ishte e vështirë.

Duke shtrënguar dhëmbët, isha i vendosur për ta prerë atë rrënjë. Teksa e shtrëngoja më fort sharrën, djersa më pikonte teposhtë qafës nga dielli përcëllues. Sharra u drodh derisa i gjithë trupi im u trondit. Ndjeva që dora e djathtë – ajo që shtrëngonte këmbëzën e sharrës – filloi të më digjte nga dhimbja. E shpërfilla dhimbjen dhe vazhdova ta mbaj.

Më në fund, sharra e preu rrënjën. E lëshova këmbëzën dhe ndjeva kënaqësinë e ëmbël të fitores. Megjithatë, kur e hoqa dorezën, vura re se më ishte hequr një copë e vogël lëkure nga dora.

Teksa mendova për këtë përvojë, kuptova se të mbajturit te sharra ishte, në njëfarë mënyre, si të mbahesha fort te shufra e hekurt. Na është thënë të mbahemi fort te shufra e hekurt teksa ecim në jetë. Por vetëm se po mbahemi fort pas saj nuk do të thotë se nuk do të përjetojmë çaste dhimbjeje. Kur e shtrëngova sharrën, lëndova dorën. Në mënyrë të ngjashme, ne do të kalojmë nëpër sprova e mundime teksa vazhdimisht mbahemi fort te shufra e hekurt.

Ati Qiellor e dinte se udhëtimi i kthimit për tek Ai do të ishte i mbushur me rreziqe. Kjo është arsyeja pse Ai na ka dhënë shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve për të na ndihmuar. Ndërsa mbahemi te këto gjëra gjatë sprovave dhe mundimeve tona në vdekshmëri, një ditë ne do të kthehemi në praninë e Tij.

Kur të kthehemi tek Ai, ne do të jemi në gjendje ta ulim vështrimin te duart tona, të cilat u mbajtën fort pas shufrës së hekurt, ndonjëherë pavarësisht nga dhimbja apo vështirësia. Dhe do ta dimë se me ndihmën e Atit Qiellor dhe nëpërmjet fuqisë shlyese të Jezu Krishtit, ne u mbajtëm fort, pavarësisht nga pengesat që hasëm.