Letër nga një Vëlla i Dashur
Autorja jeton në Jutë SHBA.
Vëllai im më i madh nuk ishte në ditëlindjen time të 16‑të pasi po shërbente në një mision. Sidoqoftë, këshilla që më dërgoi ishte një dhuratë që do ta çmoja përgjithmonë.
Gjashtëmbëdhjetë! Çfarë periudhe e jetës! “Askush nuk duhet ta kalojë këtë i vetëm”, mendova.
Prindërit e mi të urtë ishin të dashur dhe përherë më jepnin këshilla të mira. Motra ime më e madhe sapo ishte martuar dhe ishte transferuar jashtë shtetit tonë. Vëllai im më vogël ishte i përfshirë nga meraket e tij prej 11‑vjeçari. Kisha miq të mrekullueshëm dhe e dija se udhëheqësit e mi të Kishës përkujdeseshin sinqerisht për mua.
Por vëllai im më i madh, Geri, ishte shoku im i ngushtë. I mbaja sytë nga ai për të gjitha gjërat kur isha adoleshente. “Kurdoherë që flas me të, gjërat kanë më shumë kuptim”, i thashë vetes. “Do të doja që ai të ishte këtu pikërisht tani.”
Por nuk ishte. Ai ishte larg në Japoni, duke shërbyer në një mision kohëplotë.
Pavarësisht se më kishte marrë malli për Gerin, unë pata një ditëlindje argëtuese. Nëna bëri për mua mëngjesin tonë tradicional të ditëlindjes dhe mora disa dhurata përpara se të shkoja në shkollë. Atë mbrëmje, unë dhe familja ime dolëm për darkë për pica dhe e mbyllëm me tortën e ditëlindjes. Unë madje e lashë veten të ëndërroja me sy hapur për daljen në takime, ngarjen e makinës dhe gjëra të tjera emocionuese që do t’i bëja si një 16‑vjeçare.
Sidoqoftë, dhurata më e mirë që mora atë ditë ishte një letër me postë. Geri nuk e kishte harruar ditën time tepër të veçantë! Kjo ndodhi përpara kohës së postës elektronike, kështu që për një letër duhej një kohë e gjatë që të shkonte nga Japonia për në Luginën e Keiçit të Jutës në SHBA. U mrekullova që letra e tij mbërriti pikërisht ditën e ditëlindjes sime! Letra ishte e shkruar me dorë, që më bëri edhe më shumë të ndieja se e kisha vëllanë tim të pranishëm me mua ndërsa lexova:
“E dashur Merili:
Epo, po të vjen ditëlindja e madhe, apo jo? Ma merr mendja që kur ta marrësh këtë letër, do të ketë kaluar tanimë. Nuk mund ta besoj – je 16 vjeçe. Më duket sikur kanë kaluar vetëm pak vite nga koha kur e kishe zakon të [vije kapelën tënde të vogël të kuqe prej kauboji].
Qëndro e ëmbël dhe e pastër dhe bëja të ditur përherë kujtdo se Kisha ka shumë domethënie për ty. Nëse e bën atë, nuk do të futesh kurrë në ndonjë situatë ku do të duhet të marrësh një vendim me gjithë presionin e adoleshentëve duke rënduar mbi ty. Shembull: Në shkollën e mesme, të gjithë e dinin se nuk doja të pija alkool apo duhan, asfare, kështu që kurrë nuk më ftonin në një festë ku bëheshin ato gjëra. Miqtë e mi e dinin se nuk e bëja atë. …
Nëse i lë njerëzit t’i njohin standardet e tua, atëherë njerëzit me standardet e tua tërhiqen nga ty. Nuk dua të them që duhet t’i thuash gjithkujt, por veprimet flasin vetë. Shpirti yt është vërtet i ëmbël dhe të shkon vërtet emri që ke. Dhe ke ndjenjë humori të bukur. Gëzuar ‘Të Ëmblën Ditëlindje të 16‑të’!” Fjalia e fundit qe nënvizuar me të kuqe. Asnjë dhuratë tjetër ditëlindjeje nuk mund të kishte qenë më e mirë! E lexova dhe e rilexova pa reshtur, derisa ai u kthye në shtëpi nga Japonia dhe më në fund mund të bisedonim me njëri‑tjetrin ballë për ballë.
Kanë kaluar vite që kur e mora atë letër, por ende e kam atë. Shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë, por jo dashuria për tim vëlla. Sot e mbështet atë jo vetëm si vëllanë dhe mikun tim, por si Plakun Geri E. Stivenson, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Këshilla që i jep ai, si një dëshmitar i veçantë i Krishtit, të gjithë botës është një forcë më e madhe në jetën time, ashtu si letra që më dërgoi në ditëlindjen time të 16‑të.