2019
“A Do Të Vish në Pagëzimin Tim?”
Korrik 2019


“A Do Të Vish në Pagëzimin Tim?”

Autorët jetojnë në Kent, Angli; dhe në Jutë, SHBA.

Oliveri donte të thërriste që nga maja e çative që ta dëgjonte e gjithë Anglia!

“Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët” (1 Timoteut 4:12).

Pamja
Will You Come to My Baptism

Oliveri mezi po priste që të kalonte java. Java e ardhshme ishte dita e madhe për të cilën kishte pritur që kur ishte katër vjeç. Ai do të pagëzohej.

Oliveri ishte aq i emocionuar për pagëzimin e tij sa donte të thërriste që nga maja e çative që ta dëgjonte e gjithë Anglia! Mezi po priste t’i thoshte shokut të tij, Dilanit, në shkollë.

“Nuk mund ta besoj! Dita ime e pagëzimit më në fund pothuajse mbërriti”, tha Oliveri. “Do të jetë e shkëlqyer!”

“Mendova se vetëm foshnjat pagëzoheshin.” Dilani dukej i hutuar.

“Fëmijët duhet të jenë të paktën tetë vjeç që të pagëzohen në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, tha Oliveri. “Ajo është Kisha ime.”

“Shumë bukur”, tha Dilani.

Befas Oliveri pati një mendim. “A dëshiron të vish në pagëzimin tim?”

“Sigurisht”, tha Dilani. “Por duhet të pyes prindërit e mi së pari.”

“Në rregull!”

Oliveri ishte i emocionuar që Dilani mund të vinte në pagëzimin e tij. Kjo i dha atij një ide tjetër. “Nuk dua t’i tregoj për pagëzimin tim vetëm një shoku. Dua të ftoj sa më shumë njerëz që të mundem!” Oliveri nxitoi për në shtëpi dhe i tregoi të ëmës se kishte një plan.

Të dielën e agjërimit, përpara pagëzimit të tij, Oliveri e filloi planin e tij. Ai dha dëshminë e tij në foltore; pastaj tha: “Unë do të pagëzohem të shtunën tjetër dhe dëshiroj që të gjithë të vini! Ju lutem, a do të ftoni në pagëzimin tim këdo që e njihni që nuk është anëtar ose që nuk vjen në kishë?” Ai u ndie si një misionar. Atij i pëlqeu vërtet ajo ndjenjë!

Gjatë javës tjetër, Oliveri ftoi miq, pjesëtarë të familjes dhe mësues në pagëzimin e tij.

“Do të ishte shumë domethënëse për mua nëse mund të vini!” u tha atyre.

Ndërsa e shtuna afrohej, Oliveri filloi të pyeste veten se sa njerëz do të vinin në të vërtetë. Po sikur të gjithë ata të ishin tepër të zënë ose të mos donin të vinin?

Ai bëri një lutje të shkurtër që të vinin të paktën disa njerëz që ftoi. Pastaj ai pushoi së shqetësuari për atë se kush mund të vinte. Ai e dinte se kishte bërë diçka të mirë thjesht duke i ftuar ata. Për më tepër, gjëja më e rëndësishme e asaj dite ishte që do të pagëzohej.

Kur arriti në kishë ditën e pagëzimit të tij, Oliveri mezi po u besonte syve. Shumë prej miqve të tij ishin aty për ta përkrahur atë. Ai madje pa disa njerëz që as nuk i njihte. Ai përshëndeti me dorë kur hyri Dilani me prindërit e tij.

Kur erdhi çasti për t’u pagëzuar, Oliveri hyri në ujin e ngrohtë. I ati e kapi nga dora, siç ishin ushtruar. Pastaj, ai tha lutjen e shkurtër të pagëzimit dhe e futi Oliverin në ujë. Përpara se ta kuptonte, Oliveri ishte sërish në këmbë – i lagur e duke pikuar ujë dhe me buzën në gaz. Ai e dinte se po ndiqte shembullin e Jezusit.

Pasi Oliveri u ndërrua e veshi rroba të thata, i ati dhe disa burra të tjerë: e konfirmuan atë një anëtar të Kishës dhe i dhanë një bekim të veçantë, ku e ftuan të merrte Frymën e Shenjtë. Paskëtaj, Oliveri pyeti nëse mund të jepte dëshminë e tij.

“Ju falënderoj kaq shumë që erdhët të më përkrahnit në ditën time të veçantë. Kjo do të thotë shumë për mua”, tha Oliveri. “Jam mirënjohës për pagëzimin tim dhe besoj se kjo është Kisha e Krishtit në tokë.”

Paskëtaj, njerëzit u afruan për ta uruar Oliverin.

“Faleminderit që më ftove!” tha Dilani. “Pata një ndjenjë të mirë përbrenda.”

“Të gjithë kanë qenë kaq të mirë!” tha mami i Dilanit. “Jemi ndier shumë të mirëpritur.”

Atë natë, babi u ul te fundi i shtratit të Oliverit. “Çfarë dite e mrekullueshme!” tha babi.

Oliveri pohoi me kokë. “Jam i gëzuar që munda ta ndaja me shokët e mi.”