Shkrimet e Shenjta
Alma 49


Kapitulli 49

Lamanitët pushtues janë të paaftë të marrin qytetet e fortifikuara të Amonihës dhe të Noeut—Amalikia mallkon Perëndinë dhe betohet të pijë gjakun e Moronit—Helamani dhe vëllezërit e tij vazhdojnë të forcojnë Kishën. Rreth 72 para K.

1 Dhe tani ndodhi, në muajin e njëmbëdhjetë të vitit të nëntëmbëdhjetë, në ditën e dhjetë të muajit, ushtritë e Lamanitëve u panë duke ardhur drejt tokës së Amonihës.

2 Dhe vini re, qyteti ishte rindërtuar dhe Moroni kishte vendosur një ushtri në kufi të qytetit dhe ata kishin ngritur bregore me dhe rreth e përqark për t’i mbrojtur nga shigjetat dhe nga gurët e Lamanitëve; pasi vini re, ata luftonin me gurë dhe me shigjeta.

3 Vini re, unë ju pata thënë se qyteti i Amonihës ishte rindërtuar. Unë po ju them, po, se u rindërtua pjesërisht; dhe sepse Lamanitët e patën shkatërruar njëherë për shkak të paudhësisë së popullit, ata kujtonin se do të ishte gjë e lehtë ta bënin përsëri.

4 Por vini re, sa i madh qe zhgënjimi i tyre; pasi vini re, Nefitët kishin gërmuar dheun dhe kishin ngritur me të një bregore rreth e përqark, që ishte kaq e lartë, sa Lamanitët nuk mund të hidhnin me efekt gurët e tyre dhe shigjetat e tyre, as nuk mund të binin mbi ta, veçse nga vendi i hyrjes.

5 Tani, kësaj radhe, kryekapitenët e Lamanitëve u çuditën jashtëzakonisht, për shkak të mençurisë së Nefitëve në përgatitjen e vendeve të tyre të sigurisë.

6 Tani udhëheqësit e Lamanitëve kishin kujtuar, se për shkak të numrit të tyre të madh, po, kujtuan se do të ishin të privilegjuar të vinin mbi ta ashtu siç kishin bërë më parë, po, dhe ishin përgatitur gjithashtu me mburoja dhe me parzmore dhe ishin përgatitur gjithashtu me rroba prej lëkure, po, rroba shumë të trasha, që të mbulonin lakuriqësinë e tyre.

7 Dhe duke qenë të përgatitur në këtë mënyrë, ata pandehnin se do të mposhtnin dhe do të nënshtronin me lehtësi vëllezërit e tyre në zgjedhën e robërisë, ose t’i vrisnin dhe t’i masakronin sipas kënaqësisë së tyre.

8 Por vini re, për çudinë e pabesueshme të tyre, ata qenë përgatitur për ta, në një mënyrë që nuk ishte parë ndonjëherë mes fëmijëve të Lehit. Tani, ata ishin përgatitur për Lamanitët, që të luftonin sipas mënyrës së udhëzimeve të Moronit.

9 Dhe ndodhi që Lamanitët, ose Amalikitët, qenë jashtëzakonisht të mahnitur nga mënyra e përgatitjes së tyre për luftë.

10 Tani, po të kishte ardhur aty mbreti Amalikia, nga vendi i Nefit, në krye të ushtrisë së tij, ndoshta ai do të kishte bërë që Lamanitët të sulmonin Nefitët në qytetin Amoniha; pasi vini re, ai nuk bëhej merak për gjakun e popullit të tij.

11 Por vini re, Amalikia vetë nuk shkoi të luftonte aty. Dhe vini re, kryekapitenët e tij nuk guxonin të sulmonin Nefitët në qytetin e Amonihës, pasi Moroni kishte ndryshuar drejtimin e punëve mes Nefitëve, kaq sa Lamanitët ishin të zhgënjyer në vendet e tyre të tërheqjes dhe nuk mund t’u binin atyre.

12 Prandaj, ata u tërhoqën në vendin e shkretë dhe hoqën kampin e tyre dhe marshuan drejt tokës së Noeut, duke kujtuar se ai do të ishte vendi tjetër më i mirë për ta për t’u rënë Nefitëve.

13 Pasi ata nuk e dinin se Moroni kishte fortifikuar, ose kishte ndërtuar fortifikata sigurimi për çdo qytet, në tërë vendin rreth e përqark; prandaj ata marshuan para për në tokën e Noeut me një vendosmëri të prerë; po, kryekapitenët e tyre dolën përpara dhe u betuan se do ta shkatërronin popullin e atij qyteti.

14 Por vini re, për çudinë e tyre, qyteti i Noeut, që kishte qenë deri atëherë një vend i dobët, ishte bërë tani i fortë me anë të mënyrave të Moronit, po, madje për t’ia kaluar forcës së qytetit të Amonihës.

15 Dhe tani, vini re, kjo ishte zgjuarësia e Moronit; pasi ai kishte menduar se ata do të trembeshin nga qyteti Amoniha; dhe pasi qyteti i Noeut kishte qenë deri atëherë pjesa më e dobët e vendit, prandaj ata do të marshonin në atë drejtim për luftë; dhe kështu ndodhi sipas dëshirave të tij.

16 Dhe vini re, Moroni kishte caktuar Lehin që të ishte kryekapiten i njerëzve të atij qyteti; dhe ishte i njëjti Lehi që luftoi me Lamanitët në luginën në lindje të lumit Sidon.

17 Dhe tani vini re, ndodhi që kur Lamanitët zbuluan se Lehi komandonte qytetin, ata u zhgënjyen përsëri, meqë kishin jashtëzakonisht shumë frikë nga Lehi; por meqë kryekapitenët e tyre kishin bërë betim se do ta sulmonin qytetin, ata sollën aty ushtritë e tyre.

18 Tani vini re, Lamanitët nuk mund të futeshin në fortifikatat e tyre të sigurisë në asnjë mënyrë tjetër, vetëm nëpërmjet hyrjes, për shkak të lartësisë së bregores që ishte ngritur dhe të thellësisë së hendekut që ishte gërmuar rreth e përqark, me përjashtim të hyrjes.

19 Dhe kështu ishin përgatitur Nefitët të shkatërronin të gjithë ata që do të përpiqeshin të ngjiteshin për të hyrë në fortifikatë nga çdo anë tjetër, duke hedhur mbi ta gurë dhe shigjeta.

20 Kështu ishin përgatitur, po, një trup i ushtarëve të tyre më të fortë, me shpatat e tyre dhe me hobetë e tyre, që të goditnin këdo që do të përpiqej të vinte në vendin e tyre të sigurisë nëpërmjet vendit të hyrjes; dhe kështu ishin përgatitur ata të mbronin veten nga Lamanitët.

21 Dhe ndodhi që kapitenët e Lamanitëve sollën ushtritë e tyre para vendit të hyrjes dhe filluan të luftonin me Nefitët, që të futeshin në vendin e tyre të sigurisë; por vini re, ata u detyruan të zmbrapseshin herë pas here, aq sa u vranë me një vrasje të paparë.

22 Tani, kur panë se nuk mund të fitonin fuqi mbi Nefitët nëpërmjet hyrjes, filluan të gërmonin bregoren prej dheu, që të kishin një kalim për tek ushtritë e tyre dhe të kishin kështu mundësi të barabartë për të luftuar; por, vini re, në këto përpjekje ata u fshinë nga gurët dhe nga shigjetat që binin mbi ta; dhe në vend që të mbushnin hendeqet duke hequr dheun nga bregoret, ato u mbushën deri në njëfarë vendi me trupat e të vdekurve dhe të të plagosurve të tyre.

23 Kështu Nefitët kishin gjithë fuqinë kundër armiqve të tyre; dhe kështu Lamanitët u përpoqën të shkatërronin Nefitët, derisa të gjithë kryekapitenët e tyre u vranë; po, dhe më shumë se një mijë Lamanitë u vranë; ndërsa nga ana tjetër, nuk kishte asnjë shpirt të vetëm të Nefitëve që u vra.

24 Pati rreth pesëdhjetë që u plagosën, pasi kishin qenë të zbuluar ndaj shigjetave të Lamanitëve në kalim, por ata qenë të mbrojtur nga mburojat e tyre dhe nga parzmoret e tyre dhe nga përkrenaret e tyre, kaq sa plagët i kishin nëpër këmbë, shumë prej të cilave ishin shumë të rënda.

25 Dhe ndodhi që kur Lamanitët panë se kryekapitenët e tyre u vranë të gjithë, ata ia mbathën për në vendin e shkretë. Dhe ndodhi që ata u kthyen në tokën e Nefit, për të njoftuar mbretin e tyre, Amalikian i cili kishte lindur Nefit, në lidhje me humbjen e tyre të madhe.

26 Dhe ndodhi që ai u zemërua jashtëzakonisht shumë me njerëzit e tij, meqë nuk plotësuan dëshirën e tij mbi Nefitët; ai nuk i nënshtroi në zgjedhën e robërisë.

27 Po, ai ishte jashtëzakonisht i zemëruar dhe mallkoi Perëndinë dhe gjithashtu Moronin duke u betuar me një betim se do të pinte gjakun e tij; dhe kjo, sepse Moroni kishte zbatuar urdhërimet e Perëndisë, duke u përgatitur për sigurinë e popullit të tij.

28 Dhe ndodhi që nga ana tjetër, populli i Nefit falënderoi Zotin, Perëndinë e tyre, për shkak të fuqisë së pashembullt të tij, duke i çliruar ata nga duart e armiqve të tyre.

29 Dhe kështu mbaroi viti i nëntëmbëdhjetë i mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit.

30 Po, dhe pati paqe të vazhdueshme mes tyre dhe begati jashtëzakonisht të madhe në kishë, për shkak të vëmendjes dhe të zellit që ata i vunë fjalës së Perëndisë, që iu njoftua atyre nga Helamani dhe Shibloni dhe Koriantoni, dhe Amoni dhe vëllezërit e tij, po, dhe nga të gjithë ata që ishin shuguruar nga urdhri i shenjtë i Perëndisë, pasi ishin pagëzuar në pendim dhe ishin dërguar të predikonin mes popullit.