Seminari
Mësimi 139: Doktrina e Besëlidhje 132:3–33


Mësimi 139

Doktrina e Besëlidhje 132:3–33

Hyrje

Doktrina e Besëlidhje 132 përmban një zbulesë rreth besëlidhjes së re dhe të përjetshme të martesës. Edhe pse kjo zbulesë u shënua më 12 korrik 1843, disa nga të vërtetat në zbulesë njiheshin dhe u dhanë mësim nga Profeti Jozef Smith që prej vitit 1831. Zbulesa do të diskutohet në dy mësime. Ky mësim diskuton për kushtet e besëlidhjes së re dhe të përjetshme të martesës dhe premtimet që u shtrihen atyre që e nderojnë atë. Mësimi pasues do të diskutojë për parimin e martesës me shumë gra.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 132:3–18

Zoti parashtron kushtet e besëlidhjes së re dhe të përjetshme

Shënim: Doktrina e Besëlidhje 132:1–2 trajtohet në mësimin 140 si pjesë e një diskutimi rreth martesës me shumë gra.

Përpara orës mësimore, shkruani pyetjet vijuese në tabelë:

Përse është e rëndësishme për ju martesa e përjetshme?

Çfarë do të bëni, duke filluar që sot, që të përgatiteni për të hyrë në tempull dhe për t’u martuar për kohën dhe gjithë përjetësinë?

Çfarë bekimesh mund t’u vijnë në këtë jetë atyre që i binden ligjit të Perëndisë për t’u vulosur në tempull?

Ftojini studentët që t’i përsiatin këto pyetje ndërsa studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 132 sot.

Filloni duke bërë pyetjen vijuese:

  • Çfarë është besëlidhja e re dhe e përjetshme?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë domethënien e frazës “besëlidhja e re dhe e përjetshme”, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith:

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

“Tani ka një përkufizim tepër të qartë lidhur me besëlidhjen e re dhe të përjetshme. Ajo është gjithçka – plotësia e ungjillit. Pra, martesa e kryer siç duhet, pagëzimi, shugurimi në priftëri, gjithçka tjetër – çdo marrëveshje, çdo detyrim, çdo kryerje që i përket ungjillit të Jezu Krishtit, që vuloset nga Shpirti i Shenjtë i premtimit, sipas ligjit të tij të dhënë këtu, është një pjesë e besëlidhjes së re dhe të përjetshme” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 1:158; shkronjat kursive të hequra).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 132:3–5, duke kërkuar rezultatin e mohimit të besëlidhjes së re dhe të përjetshme, e cila përfshin besëlidhjen e martesës çelestiale.

  • Cili është rezultati i mohimit të besëlidhjes së re dhe të përjetshme? (Ndërkohë që studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të doni të shpjegoni se fjala i mallkuar do të thotë që një njeri ndalohet në përparimin e tij ose të saj të përjetshëm.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 132:6. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të kërkojë bekimin që u premton Zoti atyre që janë besnikë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme.

  • Sipas vargut 6, çfarë marrim nëse jemi besnikë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme? (Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të doni të vini në dukje ndryshimin midis të qenit të mallkuar apo të ndaluar prej përparimit dhe marrjes së “plotësi[së së] lavdisë [së Zotit]”.)

Vini në dukje se njerëzit shpesh bëjnë kontrata, ose marrëveshje, me njëri-tjetrin. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 132:7. Caktojeni gjysmën e klasës të kërkojnë se çfarë u ndodh kontratave të bëra nga njerëzit kur ata vdesin. Ftojeni gjysmën tjetër të përcaktojë dy kushte për besëlidhjet që ato të jenë lidhëse pasi ne vdesim.

  • Çfarë u ndodh kontratave të bëra nga njerëzit? (Ato përfundojnë me vdekjen.)

  • Sipas vargut 7, cilat janë dy gjëra që duhet të ndodhin me qëllim që besëlidhjet të bëhen lidhëse pasi vdesim? (Ato duhet të bëhen nëpërmjet autoritetit të priftërisë dhe duhet të jenë “lidhur e vulosur me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit”.)

Shpjegoni se “Fryma e Shenjtë është Shpirti i Shenjtë i Premtimit. … Shpirti i Shenjtë i Premtimit i dëshmon Atit se ordinancat shpëtuese janë kryer siç duhet dhe se besëlidhjet që i shoqërojnë ato, janë mbajtur” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpirt i Shenjtë i Premtimit”, f. 185; ose scriptures.lds.org). Më pas ftojini studentët ta rilexojnë vargun 7 dhe ta përmbledhin atë në një thënie të doktrinës. Shkruajeni përgjigjen e tyre në tabelë. Për shembull, ju mund të shkruani diçka të ngjashme me sa vijon: Në qoftë se një besëlidhje nuk bëhet nëpërmjet autoritetit të duhur të priftërisë dhe nuk vuloset me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, ajo do të përfundojë me vdekjen.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më tej këtë doktrinë, kërkojuni atyre ta shprehin atë përsëri në një mënyrë pozitive. Shkruajeni përgjigjen e tyre në tabelë. Për shembull, ju mund të shkruani diçka të ngjashme me sa vijon: Kur një besëlidhje bëhet nëpërmjet autoritetit të duhur të priftërisë dhe vuloset me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, ajo do të zgjatë përgjithmonë.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 132:8–14 duke shpjeguar se Zoti vazhdoi të parashtronte kushtet e ligjeve dhe të ordinancave të Tij. Ai shpalli se gjithçka që Ai vendos, do të qëndrojë përgjithmonë, por se gjithçka tjetër përfundimisht do të shkatërrohet.

Ftojini katër studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 132:15–18. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar dy mënyra të ndryshme se si një burrë e një grua mund të hyjnë në një martesë së bashku. Pastaj lexoni me zë të lartë shembujt vijues. Pas çdo shembulli, pyetini studentët se cilat të vërteta që mësuan te Doktrina e Besëlidhje 132:15–18 gjejnë zbatim në atë situatë.

Shembulli 1: Një burrë e një grua bien në dashuri, e mbajnë ligjin e dëlirësisë dhe martohen të lumtur nga një udhëheqës i qeverisë vendore. Ata nuk vulosen në tempull. Ceremonia e tyre e martesës përfshin fjalët “derisa vdekja t’ju ndajë”. Disa vite më pas, bashkëshorti vdes në një aksident. Cilat të vërteta të dhëna mësim te Doktrina e Besëlidhje 132:15–17, gjejnë zbatim? (Bashkëshorti dhe bashkëshortja nuk janë më të martuar.)

Shembulli 2: Një burrë e një grua martohen. Ata i premtojnë njëri-tjetrit se gjithmonë do ta duan njëri-tjetrin dhe se gjithmonë do të jenë së bashku, por nuk vulosen në tempull. Ata besojnë se për shkak të dashurisë së tyre, Perëndia do t’i lejojë që të jenë së bashku përgjithmonë. Cilat të vërteta të dhëna mësim te Doktrina e Besëlidhje 132:18 gjejnë zbatim? (Martesa e tyre nuk do të vazhdojë pasi të vdesin.)

Doktrina e Besëlidhje 132:19–33

Zoti u premton bekime atyre që i binden ligjit të martesës çelestiale

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përvojën vijuese të treguar nga Plaku Enrike R. Falabela, i Të Shtatëdhjetëve. Kërkojini klasës të dëgjojë për atë që i trishtoi Plakun e Motrën Falabela dhe për atë që i bëri të lumtur.

Pamja
Plaku Enrike R. Falabela

“Kur u ktheva nga misioni im, takova një të re të bukur. … Ajo më robëroi që nga çasti i parë që e pashë.

Bashkëshortja ime kishte vënë synimin që të martohej në tempull edhe pse, në atë kohë, tempulli më i afërt kërkonte një udhëtim prej më shumë se 6.400 km.

Ceremonia e martesës sonë civile ishte edhe e lumtur edhe e trishtuar, sepse u martuam me një datë skadence. Punonjësi shqiptoi fjalët: ‘Dhe tani ju deklaroj burrë e grua’, por menjëherë pas kësaj, ai tha: ‘derisa vdekja t’ju ndajë’.

Kështu që, me sakrificë, kursyem sa për të blerë një biletë vetëm vajtjeje deri në Tempullin e Mesës në Arizonë.

Në tempull, ndërsa ishim të gjunjëzuar tek altari, një shërbestar i autorizuar shqiptoi fjalët që doja shumë të dëgjoja, të cilat na shpallën burrë e grua për kohën dhe gjithë përjetësinë” (“Shtëpia: Shkolla e Jetës”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 102).

  • Përse çifti Falabela nuk ishte i kënaqur me martesën e tyre civile?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 132:19–21. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar bekimet që u premton Zoti atyre që janë të vërtetë ndaj besëlidhjes së re dhe të përjetshme të martesës. Ngaqë ky fragment është i gjatë dhe disi i vështirë për t’u kuptuar, ju mund të keni nevojë të ndaloni disa herë që të jepni shpjegime dhe që t’iu përgjigjeni pyetjeve. Informacioni i mëposhtëm mund t’ju ndihmojnë:

Fjala duroni do të thotë të pranoni ose të vazhdoni, kështu që shprehjet “duroni [në] besëlidhjen time” (vargu 19) dhe “duroni ligjin tim” (vargu 21) do të thonë të mbeteni të vërtetë ndaj besëlidhjes dhe ligjit të Zotit.

Vargu 19 përmban premtimin se, në qoftë se një burrë dhe një grua martohen me anë të “besëlidhjes së re dhe të përjetshme” dhe “ajo iu vuloset me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit”, atëherë ata “do të vi[jnë] në ringjalljen e parë; dhe … trashëgo[jnë] frone, mbretëri, principata dhe fuqi”, për aq kohë sa të “duro[jnë në] besëlidhjen time dhe nuk bë[jnë] asnjë vrasje me anë të së cilës të derdh[in] gjak të pafajshëm”. (Shih edhe DeB 132:27.)

Shprehjet “vazhdimësi e farës përherë e përgjithmonë” (vargu 19) dhe “vazhdojnë” (vargu 20) i referohen premtimit se familjet tona dhe pasardhësit tanë mund të vazhdojnë për gjithë përjetësinë.

Shkruani Në qoftë se atëherë në tabelë. Ftojini studentët të plotësojnë vendet bosh për të përmbledhur premtimet e dhëna te Doktrina e Besëlidhje 132:19–21. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë. Ata mund të përcaktojnë parime të tilla si më poshtë:

Në qoftë se një burrë dhe një grua durojnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës, atëherë ata do të marrin ekzaltim dhe lavdi.

Në qoftë se një burrë dhe një grua durojnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës, atëherë ata do të kenë një rritje të përjetshme të pasardhësve.

Në qoftë se një burrë dhe një grua durojnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës, atëherë martesa e tyre do të jetë e vlefshme gjatë gjithë përjetësisë.

Në qoftë se një burrë dhe një grua durojnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës, atëherë ata do të bëhen si Perëndia.

Lexoni shembullin vijues:

Shembulli 3: Një i ri dhe një e re vulosen në një tempull të shenjtë me anë të autoritetit të priftërisë. Ata që të dy jetojnë me besnikëri dhe i mbajnë besëlidhjet e tyre. Cilat të vërteta të dhëna mësim te Doktrina e Besëlidhje 132:19–21, gjejnë zbatim pasi ata të vdesin? (Martesa e tyre do të vazhdojë përgjithmonë. Ata do të bëhen si Ati i tyre në Qiell dhe do të bekohen me lavdi, ekzaltim dhe familje të përjetshme.)

  • Çfarë mendoni se duhet të bëjnë një bashkëshort e një bashkëshorte që të durojnë në besëlidhjen e martesës? (Përgjigjet mund të përfshijnë ta ndjekin fjalën e Perëndisë, të jenë të bindur ndaj gjithë ordinancave të shpëtimit, të jenë të virtytshëm dhe të denjë, ta duan njëri-tjetrin, të punojnë së bashku për të qenë prindër të mirë, t’i rritin fëmijët me dashuri e drejtësi dhe të shkojnë në tempull së bashku rregullisht.)

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 132:22–25, duke i kushtuar vëmendje të veçantë përshkrimit të Zotit për “port[ën]” dhe “udh[ën]” që çojnë drejt ekzaltimit. Përpara se të lexojnë, shpjegoni se fjala e ngushtuarvargun 22 do të thotë e ngushtë ose përcaktuese, që nuk lejon endje jashtë rrugës.

  • Në çfarë mënyrash përfytyrimi i një porte të madhe dhe një udhe të gjerë përfaqëson mendimet e tanishme në shoqëri rreth marrëdhënieve të çifteve dhe martesës? Si janë këto mendime në kundërshtim me besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës?

  • Sipas vargut 22 dhe 25, përse shumë njerëz nuk ia dalin që të hyjnë në udhën e ngushtë që çon drejt ekzaltimit? (Ata nuk e pranojnë Jezu Krishtin, nuk arrijnë ta njohin Atë ose nuk durojnë në ligjin e Tij.)

  • Sipas vargjeve 21–24, çfarë duhet të bëjmë që të marrim jetë të përjetshme? (Përmblidhini përgjigjet e studentëve duke shkruar parimin vijues në tabelë: Që të marrim ekzaltim dhe jetë të përjetshme, ne duhet t’i njohim Atin Qiellor e Jezu Krishtin, të bëhemi si Ata dhe të durojmë në ligjin e Tyre.)

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 132:29–33 duke shpjeguar se Abrahami ishte besnik dhe i bindur ndaj ligjit të Zotit për martesën e përjetshme dhe se ai mori premtimin e rritjes së përjetshme në pasardhës.

Dëshmoni se, duke i ndjekur ligjet e Perëndisë, ne mund të jetojmë me Të dhe të fitojmë jetë të përjetshme.

Drejtojuni pyetjeve që i shkruat në tabelë përpara orës mësimore. Ftojini studentët që t’u përgjigjen këtyre pyetjeve në fletoret e klasës apo në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Pas një kohe të mjaftueshme, ju gjithashtu mund të doni të ftoni një ose dy studentë të ndajnë ndjenjat e tyre me të gjithë klasën.

Përfundoni duke treguar një fotografi të familjes tuaj. Tregoni ndjenjat dhe dëshminë tuaj për bekimet e martesës së përjetshme. Nxitini studentët që të përgatiten tani për të shkuar në tempull dhe për t’u martuar për përjetësi. Jepni dëshminë tuaj për bekimet e premtuara te Doktrina e Besëlidhje 132 dhe për gëzimin që vjen nga përgatitja për martesën në tempull.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 132:5. Martesa u “ngrit që përpara krijimit të botës”

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi të vërtetat që vijojnë rreth martesës dhe familjes:

Pamja
Plaku Rasëll M. Nelson

“Toka u krijua dhe kjo Kishë u rivendos në mënyrë që familjet të mund të krijohen, vulosen dhe ekzaltohen përjetësisht. …

… Një martesë në tempull nuk është vetëm midis burrit dhe gruas; ajo përfshin një bashkëpjesëmarrje me Perëndinë.

… Kur një familje është vulosur në tempull, ajo familje mund të bëhet aq e përjetshme sa dhe vetë mbretëria e Perëndisë” (“Martesa Çelestiale”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 93).

Plaku Nelson gjithashtu dha mësim:

Pamja
Plaku Rasëll M. Nelson

“Martesa sjell mundësi më të mëdha për lumturi sesa sjell ndonjë marrëdhënie tjetër njerëzore. …

Martesa është fonderia për rendin shoqëror, burimi i virtytit dhe themeli i ekzaltimit të përjetshëm” (“Nurturing Marriage”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 36).

Doktrina e Besëlidhje 132:7. Shpirti i Shenjtë i Premtimit

Presidenti Jozef Filding Smith shpalli:

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

Shpirti i Shenjtë i Premtimit është Fryma e Shenjtë që i vë vulën e miratimit çdo ordinance: pagëzimit, konfirmimit, shugurimit, martesës. Premtimi është që bekimet do të merren nëpërmjet besnikërisë.

Nëse një njeri e dhunon një besëlidhje, qoftë atë të pagëzimit, shugurimit, martesës apo diçka tjetër, Shpirti e tërheq vulën e miratimit dhe bekimet nuk do të merren.

Çdo ordinancë vuloset me një premtim të një shpërblimi të bazuar te besnikëria. Shpirti i Shenjtë e tërheq vulën e miratimit atje ku besëlidhjet thyhen [shih DeB 76:52–53; 132:7]” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 1:45).

Doktrina e Besëlidhje 132:19–20. “Atëherë do të jenë ata perëndi … ngaqë vazhdojnë”

Plaku Parli P. Prat, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi rreth mënyrës se si jeta e tij ndryshoi kur ai mori një kuptueshmëri të doktrinës së martesës së përjetshme:

Pamja
Parli P. Prat

“Ishte Jozef Smithi që më mësoi se si t’i vlerësoja marrëdhëniet e dashura midis babait e nënës, burrit e gruas; midis vëllait e motrës, birit e bijës.

Ishte prej tij që mësova se bashkëshortja e gjirit tim mund të më sigurohej për kohën dhe gjithë përjetësinë; dhe se dashamirësitë dhe dhembshuritë e dëlira që na bënin të dashur për njëri-tjetrin, rridhnin prej burimit të dashurisë hyjnore të përjetshme. Ishte prej tij që mësova se ne mund t’i forconim këto dhembshuri dhe të rriteshim e të zhvilloheshim në to për tërë përjetësinë; ndërsa përfundimi i bashkimit tonë të pafundmë do të ishin pasardhës aq të shumtë sa yjet e qiellit ose rëra në bregdet.

Ishte prej tij që mësova dinjitetin e vërtetë dhe fatin e një biri të Perëndisë, të veshur me një priftëri të përjetshme, si një patriark dhe sovran i pasardhësve të panumërt të tij. Ishte prej tij që mësova se dinjiteti më i lartë i të qenit grua ishte që të qëndronte si mbretëreshë e priftëreshë për bashkëshortin e saj dhe të mbretëronte përherë e përgjithmonë si nëna mbretëreshë e pasardhësve të saj të shumtë dhe ende në rritje.

Kisha dashuruar më parë, por nuk e dija përse. Por tani u dashurova – me një kthjelltësi – një intensitet të një ndjenje të lartësuar, të ekzaltuar, që do ta ngrinte shpirtin tim prej gjërave kalimtare të këtij rruzulli të mjerë dhe do ta zgjeronte atë si oqeanin. E ndjeva se Perëndia ishte me të vërtetë Ati im qiellor; se Jezusi ishte vëllai im dhe se bashkëshortja e gjirit tim ishte një shoqëruese e pavdekshme, e përjetshme; një engjëll shërbestar plot mirësi, që më ishte dhënë për të më ngushëlluar, dhe një kurorë lavdie përherë e përgjithmonë. Me pak fjalë, tani mund të dashuroja me shpirt dhe me kuptueshmëri gjithashtu.

… Jozef Smithi … ngriti një cep të velit dhe më [dha] një grimcë të vetme vështrimi brenda përjetësisë” (Autobiography of Parley P. Pratt, bot. Parley P. Pratt Jr. [1938], f. 297–298).

Në vitin 1916, Presidenti Jozef F. Smith, këshilltarët e tij në Presidencën e Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve shpallën:

“Për aq sa shkallët e përparimit dhe të arritjes së përjetshme janë bërë të njohura nëpërmjet zbulesës hyjnore, ne duhet të kuptojmë se vetëm qenie të ringjallura e të përlëvduara mund të bëhen prindër të pasardhësve shpirtërorë. Vetëm shpirtra të tillë të ekzaltuar kanë arritur pjekurinë në udhën e caktuar të jetës së përjetshme; dhe shpirtrat që u kanë lindur atyre në botët e përjetshme do të kalojnë në kohën e duhur nëpërmjet disa fazave ose gjendjeve me anë të të cilave prindërit e përlëvduar kanë fituar ekzaltimin” (“The Father and the Son: A Doctrinal Exposition by the First Presidency and the Quorum of the Twelve Apostles”, cituar në Ensign, prill 2002, f. 18).

Doktrina e Besëlidhje 132:22–25. Çfarë është “vazhdimësi[a e] jetëve” dhe “vdekjeve”?

Plaku Brus R. Mek-Konki dha mësim:

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

“Ata që fitojnë jetë të përjetshme (ekzaltim), fitojnë edhe jetë të përjetshme, që do të thotë në ringjallje ata kanë ‘rritje’ të përjetshme, ‘një vazhdimësi të farës’, një ‘vazhdimësi të jetëve’. Prejardhja e tyre shpirtërore do të ‘vazhdo[jë], po aq [e] panumëruesh[me] sa edhe yjet; ose, nëse do të mund të numëroje rërën në bregdet, ata nuk do të mund t’i numëroje dot’. (DeB 131:1–4; 132:19–25, 30, 55.)” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 238; shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual, bot. 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 330).

Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi:

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

“Termi ‘vdekjeve’ i përmendur këtu [te Doktrina e Besëlidhje 132:25] i referohet dëbimit të atyre që nuk e pranojnë këtë besëlidhje të përjetshme të martesës dhe, si rrjedhim, atyre iu mohohet fuqia e ekzaltimit dhe e vazhdimësisë së pasardhësve. Të mohuarit e pasardhësve dhe të organizimit të familjes çon drejt ‘vdekjeve’ ose mbarimit të rritjes në jetën që vjen” (Church History and Modern Revelation, 2 vëll. [1953], 2:360; shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual, f. 330).