Seminari
Mësimi 73: Doktrina e Besëlidhje 67


Mësimi 73

Doktrina e Besëlidhje 67

Hyrje

Në nëntor të vitit 1831 një grup pleqsh u mblodh në Hajrëm të Ohajos për një konferencë të veçantë. Një çështje që u diskutua në konferencë, ishte botimi i zbulesave që kishte marrë Profeti Jozef Smith. Gjatë kësaj mbledhjeje Zoti i dha një zbulesë Jozef Smithit dhe e caktoi atë si parathënien e librit të zbulesave që do të botoheshin. Kjo zbulesë tani është seksioni i parë i Doktrinës e Besëlidhjeve. Më vonë në konferencë Zoti dha një zbulesë që tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 67. Në atë zbulesë Zoti iu drejtua vëllezërve që kishin pyetje rreth gjuhës së zbulesave që Ai i kishte dhënë Profetit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 67:1–3

Zoti i dëgjon lutjet tona dhe i njeh zemrat tona

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruani pyetjen vijuese në tabelë: Kur keni ndier që lutjet tuaja janë dëgjuar dhe kanë marrë përgjigje? Në fillim të orës mësimore ftojini studentët t’i përgjigjen pyetjes.

Shpjegoni se në nëntor të vitit 1831 një grup pleqsh, përfshirë Jozef Smithin, u mblodhën për të diskutuar botimin e zbulesave që kishte marrë Profeti. Jozef Smithi u kërkoi pleqve të dëshmonin se zbulesat ishin nga Zoti, por disa prej tyre ngurruan ta bënin këtë. Ky ngurrim çoi në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 67.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 67:1–2 për të kërkuar atë që tha Zoti për lutjen.

  • Në këto vargje, çfarë thotë Zoti rreth vëmendjes së Tij ndaj lutjeve tona? (Edhe pse studentët mund të japin shumë përgjigje të ndryshme, sigurohuni që të përcaktojnë parimin vijues: Zoti i dëgjon lutjet tona dhe i njeh zemrat tona. Shkruajeni këtë parim në tabelë.)

  • Si mund t’ju ndihmojë njohja e këtij parimi që të përmirësoni lutjet tuaja?

Për t’i ndihmuar studentët të ndjejnë rëndësinë e parimit në tabelë, ftojini disa prej tyre që të tregojnë se si e dinë që Ati Qiellor i dëgjon lutjet e tyre dhe i njeh dëshirat e zemrave të tyre. Pasi disa studentë të kenë pasur një mundësi për të treguar, nxitini ata që të luten për të ditur se Perëndia i dëgjon lutjet e tyre dhe i njeh zemrat e tyre.

Ftojeni një student të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 67:3. Vëreni klasën që ta ndjekë duke kërkuar përse disa pleq nuk e morën bekimin që Zoti u kishte ofruar atyre.

Shkruani në tabelë pyetjen që vijon: Në ç’mënyrë frika mund ta bëjë dikë të humbasë bekimet? Kërkojuni studentëve të përgjigjen. Ndërsa ata e diskutojnë këtë pyetje, shkruani në tabelë parimin vijues: Nëse e lejojmë frikën në zemrën tonë, atëherë ne mund t’i humbasim bekimet.

  • Çfarë frike kanë njerëzit që mund t’i ndalojë ata nga marrja e bekimeve? (Shembujt mund të përfshijnë frikën e mospërshtatjes, frikën e bërjes së gabimeve, frikën e ndryshimit të jetës së tyre, frikën e dështimit, frikën e pendimit e kështu me radhë.)

Ftojini studentët të mendojnë rreth frikës që mund t’i ketë ndaluar ata që të veprojnë me besim. Nxitini studentët të kërkojnë ndihmën e Zotit në zëvendësimin e frikës së tyre me besimin.

Doktrina e Besëlidhje 67:4–9

Zoti siguron një mënyrë që pleqtë të fitojnë dëshmi për zbulesat nëpërmjet Jozef Smithit

Shkruani në tabelë pyetjen vijuese: Përse duhet t’i mbështetim udhëheqësit tanë të Kishës edhe pse e dimë se ata janë të papërsosur?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 67. Ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 67:5. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar mënyrën se si u ndien pleqtë rreth zbulesave që do të botoheshin në Librin e Urdhërimeve. (Ju mund të doni t’u kujtoni studentëve se përmbledhja e parë e zbulesave të Jozef Smithit u titullua Libri i Urdhërimeve. Në vitin 1835 libri u botua nën titullin Doktrina e Besëlidhje.)

  • Si u ndien pleqtë rreth zbulesave? (Shumë pleq “dhanë dëshminë solemne” për vërtetësinë e zbulesave. Gjithsesi, ata “patën disa biseda lidhur me gjuhën e përdorur në zbulesat”. Sipas vargut 5, disa pleq menduan se mund të “shprehe[shin] përtej gjuhës së [Jozef Smithit]”.)

Shpjegoni se disa pleq ishin të shqetësuar rreth gjuhës në të cilat ishin shprehur zbulesat. Ata mund të kenë ndier se zbulesat kishin nevojë për redaktim të gjerë që të përgatiteshin për botim, dhe ata mund të kenë pasur frikë nga ajo që armiqtë e Kishës do të bënin me zbulesat kur ato të botoheshin. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 67:4–5. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë përgjigjen e Zotit lidhur me shqetësimet rreth gjuhës së zbulesave.

  • Çfarë pranoi Zoti rreth Jozef Smithit?

Vini në dukje se aftësitë gjuhësore të Jozef Smithit nuk ishin të përsosura. Ai nuk ishte gjithmonë gojëtar kur fliste. Megjithatë, Zoti ia zbulonte atij të vërtetën dhe e lejoi ta shprehte atë sa më mirë të mundej.

  • Përse mund të jetë e dobishme të dini që Zoti ia zbuloi vullnetin e Tij Jozef Smithit edhe pse Ai e dinte se Jozefi nuk ishte i përsosur?

Ftoni katër studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 67:6–9. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë sfidën që Zoti i dha atyre që e kritikuan gjuhën e zbulesave.

  • Çfarë sfide u dha Zoti atyre që menduan se mund ta shprehnin veten e tyre përtej gjuhës së zbulesave?

Pyetini studentët se çfarë kujtojnë nga mësimi i mëparshëm rreth Uilliam E. Mek-Lelinit. Shpjegoni se Uilliami vendosi ta pranonte sfidën e Zotit për të shkruar një zbulesë të krahasueshme me atë që kishte marrë Jozef Smithi. Pastaj ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga historia e Jozef Smithit:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Uilliam E. Mek-Lelini, si njeriu më i mençur, sipas vetëvlerësimit të vet, duke pasur më shumë njohuri se arsye, u orvat të shkruante një urdhërim të ngjashëm si një nga urdhërimet më të vogla të Zotit, por dështoi; është një përgjegjësi e tmerrshme që të shkruash në emër të Zotit. Pleqtë dhe të gjithë të pranishmit që dëshmuan këtë përpjekje të kotë të një njeriu për të imituar gjuhën e Jezu Krishtit, e ripërtërinë besimin e tyre në plotësinë e Ungjillit dhe në të vërtetën e urdhërimeve dhe zbulesave që Zoti i kishte dhënë Kishës nëpërmjet meje; dhe Pleqtë treguan gatishmëri që të dëshmonin për të vërtetat e tyre në gjithë botën” (në History of the Church, 1:226).

Shpjegoni se pas kësaj ngjarjeje disa pleq që ishin të pranishëm nënshkruan një dokument, duke dhënë dëshminë e tyre zyrtare për vërtetësinë e zbulesave në Librin e Urdhërimeve.

  • Si mendoni, përse Jozef Smithi, që kishte arsim formal të kufizuar, mund t’i shkruante këto zbulesa, por Uilliam E. Mek-Lelini, i cili ishte i mirëarsimuar, nuk mund t’i shkruante?

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky rrëfim rreth gjykimit të udhëheqësve tanë për shkak të papërsosmërive të tyre?

Drejtojuni pyetjes në tabelë rreth ndjekjes së udhëheqësve të papërsosur. Ftojini studentët t’i shkruajnë përgjigjet nën pyetjen.

Doktrina e Besëlidhje 67:10–14

Zoti i këshillon ndjekësit e Tij se si të përgatiten për të qëndruar në praninë e Perëndisë

Shkruani në tabelë pyetjen vijuese: Cilat janë disa bekime që mund të vijnë kur ne jemi të duruar me veten tonë dhe të tjerët? Ftojini studentët të përgjigjen.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Në vitet 1960 një profesor i Universitetit të Stanfordit nisi një eksperiment të thjeshtë ku provonte forcën e vullnetit të fëmijëve katërvjeçarë. Ai vendosi para tyre një bonbone të madhe dhe u tha se mund ta hanin menjëherë ose nëse do të prisnin për rreth 15 minuta, ata do të mund të merrnin dy bonbone.

Pastaj ai i la vetëm fëmijët dhe vështroi se çfarë ndodhi pas një pasqyre gjysmë të tejdukshme. Disa nga fëmijët e hëngrën menjëherë bonbonen; disa mundën të prisnin vetëm disa minuta përpara se t’i jepeshin tundimit. Vetëm 30 përqind qenë të aftë të prisnin” (“Vazhdoni me Durim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 56).

  • Si mendoni se mund të lidhen me ne eksperimenti dhe gjetjet e këtij profesori?

  • Çfarë bekimesh keni marrë për shkak se ishit të duruar?

Ftojini studentët të bëjnë një tabelë me dy kolona në fletoren e klasës apo në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Kërkojuni atyre ta emërtojnë kolonën e parë Shpërblimi dhe kolonën e dytë Si ta Marrim Shpërblimin. Ndajeni klasën në dyshe. Vërini studentët të lexojnë me partnerët e tyre Doktrinën e Besëlidhjet 67:10–14 dhe të kërkojnë shpërblimet e premtuara nga Shpëtimtari dhe veprimet e nevojshme për të marrë shpërblimet. Ftojini studentët t’i shënojnë përgjigjet e tyre në kolonat e duhura të tabelës.

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të studiuar dhe diskutuar fragmentin, përdorini pyetjet më poshtë për t’i ndihmuar që t’ia tregojnë gjetjet e tyre klasës.

  • Çfarë shpërblimesh u ofroi Zoti këtyre pleqve?

  • Çfarë duhej të bënin pleqtë me qëllim që t’i merrnin këto shpërblime? (Ndërkohë që studentët përmendin frazën “duroni praninë e Perëndisë”, ju mund të doni të shpjegoni se fjala duroj do të thotë të qëndrosh ose të vazhdosh në një vend të caktuar.)

Shpjegoni se ky fragment gjen zbatim për të gjithë ne. Shkruani në tabelë parimin vijues: Nëse e zhveshim veten nga xhelozia dhe frika, e përulim veten tonë dhe vazhdojmë me durim, ne do të jemi në gjendje të qëndrojmë në praninë e Perëndisë.

  • Si mendoni, përse kemi nevojë të jemi të duruar në përpjekjet tona për të qenë të denjë që të qëndrojmë në praninë e Perëndisë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë gjetjet vijuese nga eksperimenti me bonbone, siç u treguan nga Presidenti Uhtdorf. Kërkojini klasës që të mbajë vesh për atë që mund të mësojmë rreth të bërit të kulluar përpara Perëndisë.

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Ndërsa koha kalonte, [profesori] mbajti kontakt me fëmijët dhe filloi të vinte re një lidhje reciproke interesante: fëmijët që nuk mundën të prisnin patën vështirësi më vonë në jetë dhe patën më tepër probleme me sjelljen, ndërsa ata që pritën, prireshin të ishin më pozitivë dhe të motivuar më mirë, kishin nota e të ardhura më të larta dhe kishin marrëdhënie më të shëndetshme.

… Aftësia për të pritur – për të qenë i duruar – ishte një tipar kyç i karakterit, që mund të parashikonte sukses të mëvonshëm në jetë. …

… Pa durim, ne nuk mund t’i pëlqejmë Perëndisë; nuk mund të bëhemi të përsosur. Vërtet, durimi është një proces pastrimi që përpunon mirëkuptimin, thellon lumturinë, përqendron veprimin dhe ofron shpresë për paqe” (“Vazhdoni me Durim”, f. 56).

  • Çfarë mund të mësojmë nga ky eksperiment rreth bekimeve që vijnë kur jemi të duruar?

Ftojini studentët të përsiatin dhe të luten rreth aspekteve në jetën e tyre, në të cilat ata kanë nevojë të kenë më shumë durim me veten dhe të tjerët. Nxitini ata të vendosin një qëllim që do t’i ndihmojë të bëhen të denjë për të qëndruar në praninë e Perëndisë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 67:3. “Frikë në zemrat tuaja”

Presidenti Tomas S. Monson tha:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Kujtoni që dyshimi dhe besimi nuk mund të ekzistojnë në të njëjtën mendje në të njëjtën kohë, sepse njëri do ta largojë tjetrin. Dëbojeni dyshimin. Kultivoni besimin” (“The Call to Serve”, Ensign, nëntor 2000, f. 49).

Doktrina e Besëlidhje 67:5. “Papërsosmëritë e tij ju i keni ditur”

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se si duhet të përgjigjemi kur i njohim papërsosmëritë te njerëzit përreth nesh:

Pamja
Plaku Nil A. Maksuell

“Njerëzit e papërsosur, në fakt, janë thirrur nga Zoti ynë i përkryer për të ndihmuar në punën e Tij. Zoti u shpalli disa prej bashkëpunëtorëve të Jozef Smithit se Ai e dinte që ata i kishin vënë re papërsosmëritë e vogla të Jozefit. Megjithëkëtë, Zoti më pas dëshmoi se zbulesat e dhëna nëpërmjet Profetit ishin të vërteta! (Shih DeB 67:5, 9.)

Si rrjedhojë, padyshim ne i vëmë re dobësitë e njëri‑tjetrit. Por ne nuk duhet të gëzohemi për to. Le të jemi mirënjohës për hapat e vegjël që ne dhe të tjerët bëjmë, në vend që të gëzohemi për mangësitë. Dhe kur bëhen gabime, le të bëhen udhëzuese, jo shkatërruese.

Unë u gëzohem këtyre rreshtave fisnike nga redaktori profet shumë i aftë, por edhe shumë i përulur, Moroni:

‘Mos më dënoni për papërsosmërinë time dhe as atin tim për shkak të papërsosmërisë së tij, as ata që kanë shkruar para tij; por më mirë jepini falënderime Perëndisëvuri në dukje papërsosmëritë tona, kështu që ju të mësoni dhe të jeni më të urtë sesa qemë ne’. (Mormoni 9:31; shkrimi kursiv i shtuar.)

Nëse i tillë është qëndrimi ynë, ne kemi shumë pak të ngjarë të fyhemi.

Përveç kësaj, nëse zgjedhja është midis ndreqjes së anëtarëve të tjerë të Kishës apo të vetes sonë, a ka vërtet ndonjë pyetje se nga duhet të fillojmë? Çelësi është që t’i kemi sytë tanë të hapura mirë ndaj gabimeve tona dhe të mbyllura pjesërisht ndaj gabimeve të të tjerëve – jo e kundërta! Papërsosmëritë e të tjerëve kurrë nuk na çlirojnë nga nevoja për të punuar me të metat tona” (“A Brother Offended”, Ensign, maj 1982, f. 38–39).