Seminari
Mësimi 113: Doktrina e Besëlidhje 107:39–100


Mësimi 113

Doktrina e Besëlidhje 107:39–100

Hyrje

Ky është mësimi i fundit nga tre mësimet që shqyrtojnë zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 107. Zbulesa u shënua në vitin 1835, por “analet historike pohojnë se shumica e vargjeve 60 deri në 100 përfshijnë një zbulesë të dhënë nëpërmjet Jozef Smithit më 11 nëntor 1831” (hyrja te DeB 107). Vargjet e shqyrtuara në këtë mësim përmbajnë fjalët e Zotit rreth praktikës së lashtë të dhënies së Priftërisë Melkizedeke nga ati te biri. Ato gjithashtu japin udhëzim lidhur me detyrat e udhëheqësve të ndryshëm të priftërisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 107:39–57

Zoti zbulon se Priftëria Melkizedeke në lashtësi u kalua nga ati te biri

Përpara fillimit të orës mësimore, shkruajeni në tabelë pyetjen vijuese: Cilat janë disa rrethana që ju i hasni aktualisht, ose do t’i hasni së shpejti, në të cilat ju mund të përfitoni nga marrja e udhëheqjes apo e ngushëllimit nga Ati juaj Qiellor?

Në fillim të mësimit, kërkojuni studentëve të përsiatin për këtë pyetje. Ftojini disa studentë që të tregojnë përgjigjet e tyre. Ndërsa studentët fillojnë diskutimin e sotëm të Doktrinës e Besëlidhjeve 107:39–100, nxitini ata të kërkojnë parime në këto vargje që mund t’i ndihmojnë të marrin udhëheqje dhe ngushëllim nga Ati i tyre Qiellor.

Kujtojuni studentëve se në mësimin e mëparshëm ata mësuan rreth Presidencës së Parë, Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe të Shtatëdhjetëve. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 107:39 dhe vëreni klasën të kërkojë një nga detyrat e Të Dymbëdhjetëve. Shpjegoni se shprehja shërbestarë ungjilltarë i referohet atyre që mbajnë detyrën e patriarkut në Priftërinë Melkizedeke (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ungjilltar”, [f. 199], scriptures.lds.org; Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Evangelist” [“Ungjilltar”]).

  • Sipas vargut 39, si caktohen patriarkët në thirrjet e tyre? (Ndërsa studentët përgjigjen, ndihmojini të kuptojnë të vërtetën vijuese: Patriarkët thirren me anë të zbulesës dhe shugurohen nën drejtimin e Dymbëdhjetë Apostujve.)

Kërkojuni studentëve të shpjegojnë përgjegjësinë e atyre që mbajnë detyrën e patriarkut. (Patriarkët u japin anëtarëve të denjë të Kishës bekime të veçanta priftërie, që quhen bekime patriarkale.) Përveç kësaj, pyetni nëse ndokush mund t’i kujtojë klasës se çfarë është një bekim patriarkal. (Një bekim patriarkal përmban këshillat e Zotit për një individ dhe shpall linjën e prejardhjes së atij personi në shtëpinë e Izraelit. Shih Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], “Bekimet Patriarkale”, f. 16–18.)

Ju mund të doni t’i ftoni studentët të cilët e kanë marrë bekimin patriarkal, që të japin dëshmitë e tyre rreth shërbimit të patriarkëve të kunjit. (Paralajmërojini studentët se bekimet patriarkale janë të shenjta e vetjake dhe se përgjithësisht ato nuk duhet t’u tregohen njerëzve të tjerë përveç pjesëtarëve të ngushtë të familjes.) Jepni dëshminë tuaj për bekimet e marrjes së bekimit patriarkal dhe studimit të këshillave që ai jep.

Shpjegoni se fjala patriark i referohet edhe etërve në familje. Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Rendi i priftërisë për të cilin flitet në shkrimet e shenjta ndonjëherë përmendet si rendi patriarkal, sepse kalonte nga ati te biri” (“What I Hope You Will Teach Your Children about the Temple”, Ensign, gusht 1985, f. 9).

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 107:40 dhe vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si u dha Priftëria Melkizedeke në lashtësi. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë.

Vini në dukje se te Doktrina e Besëlidhje 107:41–57, ne lexojmë për disa gjëra që bëri Adami si një patriark i drejtë. Ftojini studentët që t’i hedhin një sy të shpejtë në heshtje vargjeve 41–50 dhe të përcaktojnë një model – dy gjëra që Adami i bëri në mënyrë të përsëritur ndërsa kryesonte mbi familjen e tij.

  • Cilat janë dy veprimet që përsëriti Adami ndërsa kryesonte mbi familjen e tij? (Ai i shuguroi pasardhësit e tij të denjë meshkuj në detyra të priftërisë dhe i bekoi ata.)

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 107:53 dhe kërkojini klasës të përcaktojë se kë bekoi Adami përveç pasardhësve të tij të denjë meshkuj. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. (Sigurohuni që ata e kuptojnë se Adami i bekoi të gjithë pasardhësit e tij të drejtë, përfshirë bijat.)

  • Në ç’mënyrë shembulli i Adamit mund të shërbejë si një model për etërit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Etërit që mbajnë Priftërinë Melkizedeke, kanë autoritetin për t’i bekuar fëmijët e tyre.)

  • Përveç shugurimit të një biri në priftëri, në cilin rast një baba mund t’i japë një bekim priftërie një biri ose një bije? (Përgjigjet mund të përfshijnë që etërit mund të administrojnë bekime priftërie në raste sëmundjesh dhe të japin udhëzim e ngushëllim.)

Shpjegoni se përveç bekimit të fëmijëve të tyre, mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mund t’u japin bekime pjesëtarëve të tjerë të familjes dhe të tjerëve që i kërkojnë ato. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Shtëpitë pa priftëri duhet të mbikëqyren dhe të shërbehen nga kuorumet e priftërisë. Në këtë mënyrë, asnjë bekim nuk do të mungojë në çdo shtëpi brenda Kishës” (“Fuqia e Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 9).

Kërkojuni studentëve që të mendojnë për rastet kur ata kanë përfituar nga marrja e bekimeve të priftërisë nga etërit e tyre ose nga mbajtës të tjerë të Priftërisë Melkizedeke. Nëse nuk e kanë pasur mundësinë që të marrin një bekim priftërie, ftojini ata të përsiatin mënyrën se si mund të përfitojnë nga kërkimi i një bekimi të tillë. Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat dhe mendimet e tyre.

Drejtojuni pyetjes që shkruat në tabelë përpara orës mësimore. Jepni dëshminë tuaj se studentët mund të kërkojnë udhëheqje dhe ngushëllim nga Ati Qiellor nëpërmjet bekimeve patriarkale dhe nëpërmjet bekimeve të priftërisë të administruara nga etërit e tyre ose nga mbajtës të tjerë të Priftërisë Melkizedeke.

Doktrina e Besëlidhje 107:58–100

Zoti zbulon detyrat e presidentëve të kuorumeve të priftërisë

Si një rishikim të shkurtër, shkruajini në tabelë titujt Priftëria Melkizedeke dhe Priftëria Aarone. Ftojini studentët që t’i renditin detyrat e priftërisë nën titujt e duhur. Kërkojini një studenti që të shkruajë një detyrë të priftërisë dhe më pas t’ia kalojë shkumësin ose shkruesin një studenti tjetër, duke e vazhduar këtë proces derisa studentët të kenë renditur të gjitha detyrat e priftërisë. Nxitini studentët ta ndihmojnë njëri-tjetrin sipas nevojës. (Detyrat e Priftërisë Melkizedeke janë plak, prift i lartë, patriark, I Shtatëdhjetë dhe Apostull. Detyrat e Priftërisë Aarone janë dhjak, mësues, prift dhe peshkop.)

  • Çfarë është një kuorum i priftërisë? (Një grup i organizuar vëllezërish që mbajnë të njëjtën detyrë të priftërisë.)

Ftojeni një student të vijë te tabela dhe të rrethojë detyrat e priftërisë që janë të organizuara në kuorume. Nxiteni klasën që të ndihmojë sipas nevojës. (Detyrat vijuese kanë kuorume: Apostull, I Shtatëdhjetë, prift i lartë, plak, prift, mësues dhe dhjak. Ju mund të doni të shpjegoni se çdo kunj ka një kuorum të priftërinjve të lartë, me presidentin e kunjit si presidenti i kuorumit. Në çdo lagje, priftërinjtë e lartë organizohen në një grup të priftërinjve të lartë.)

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 107:60–63, 85–89, 93–94. Ftojeni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë atë që kanë të përbashkët kuorumet e përmendura në këto vargje.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë kanë të përbashkët këto kuorume të priftërisë? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Një president caktohet që të kryesojë dhe të drejtojë punën e çdo kuorumi të priftërisë.)

  • Sipas vargjeve 87–88, në ç’mënyrë një kuorum i priftërinjve është i ndryshëm nga kuorumet e dhjakëve dhe të mësuesve? (Peshkopi i lagjes kryeson mbi kuorumin e priftërinjve. Ai gjithashtu kryeson mbi të gjithë mbajtësit e Priftërisë Aarone në lagje. Në një degë, presidenti i degës vepron si presidenti i kuorumit të priftërinjve.)

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që secili kuorum i priftërisë të ketë një president? Në ç’mënyrë presidenti i një kuorumi priftërie mund t’i ndihmojë anëtarët e kuorumit të tij?

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 107:68–84 duke shpjeguar se këto vargje japin udhëzim lidhur me detyrën e peshkopit dhe rolin e këshillave të Kishës.

Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhje 107:65–66 dhe ftojeni klasën që të përcaktojë udhëheqësin e Kishës që kryeson mbi të gjithë mbajtësit e priftërisë. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë. Sigurohuni që ata e kuptojnë se këto vargje i referohen Presidentit të Kishës.

Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 107:67, 91–92 dhe ftojeni klasën të kërkojë fjalë dhe fraza që përshkruajnë autoritetin dhe përgjegjësitë e Presidentit të Kishës.

  • Bazuar në këto vargje, si do t’i përmblidhnit autoritetin dhe përgjegjësitë e Presidentit të Kishës? (Ndonëse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Presidenti i Kishës mban autoritetin për të administruar të gjitha ordinancat e bekimet dhe kryeson mbi të gjithë Kishën. Ju mund të doni ta ftoni një student që ta shkruajë këtë të vërtetë në tabelë.)

Paraqitni një fotografi të Presidentit të tanishëm të Kishës.

  • Cilat janë disa nga mënyrat se si jeni bekuar për shkak të autoritetit të priftërisë të mbajtur nga Presidenti i Kishës?

Vini në dukje se disa anëtarë të Kishës mund të ndiejnë se thirrjet apo përgjegjësitë e tyre në Kishë janë të parëndësishme. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli. Shpjegoni se Presidenti Hinkli u tha këtë [gjë] të gjithë anëtarëve të Kishës.

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Detyrimi juaj është po aq serioz në fushën tuaj të përgjegjësisë, sa është edhe detyrimi im në fushën time. Asnjë thirrje në këtë kishë nuk është e vogël ose me pasoja të pakta. Të gjithë ne, gjatë kryerjes së detyrës sonë prekim jetën e të tjerëve” (“This Is the Work of the Master”, Ensign, maj 1995, f. 71).

  • Çfarë mendoni se do të thotë se “asnjë thirrje në këtë kishë nuk është e vogël ose me pasoja të pakta”?

  • Çfarë ju mëson thënia e Presidentit Hinkli rreth përgjegjësive tuaja në Kishë?

Kërkojuni studentëve ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 107:99–100 dhe të përsiatin se si lidhet thënia e Presidentit Hinkli me këto vargje.

  • Sipas vargjeve 99–100, çfarë duhet të bëjmë ne që të qëndrojmë të denjë përpara Zotit? (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Për të qëndruar të denjë përpara Zotit, ne duhet të mësojmë detyrën tonë dhe të veprojmë me gjithë zell për ta përmbushur atë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta.)

Megjithëse këto vargje fillimisht iu drejtuan mbajtësve të priftërisë, parimi që ato na mësojnë zbatohet për të gjithë anëtarët e Kishës.

Ndajini studentët në dyshe. Ftojini ata të diskutojnë për pyetjet vijuese. Lexojini pyetjet njëra pas tjetrës ose shkruajini në tabelë.

  • Si jeni bekuar nga shërbimi i një anëtari të Kishës, që e ka përmbushur me zell detyrën e tij ose të saj?

  • Çfarë jeni duke bërë për ta mësuar detyrën tuaj dhe për të vepruar gjithë zell që ta përmbushni atë?

Jepuni studentëve mundësinë që të dëshmojnë për rëndësinë e kryerjes së detyrës sonë në Kishë dhe në familjet tona. Ftojini ata që të vendosin një synim për t’i përmbushur me zell detyrat e tyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 107:40–57. Adami i shuguroi bijtë e nipat e tij dhe i bekoi pasardhësit e tij

Presidenti Ezra Taft Benson shkroi për rëndësinë që t’u kërkojmë etërve të japin bekime priftërie:

Pamja
Presidenti Ezra Taft Benson

“Pak kohë më parë, një i ri erdhi në zyrën time për një bekim. Ai kishte probleme – jo probleme morale, por … ai ishte i pështjelluar; ai qe në ankth dhe ishte i shqetësuar. Dhe kështu ne folëm për pak minuta dhe unë i thashë: ‘A i keni kërkuar ndonjëherë babait tuaj një bekim?’ ‘O’, tha ai, ‘Nuk e di nëse babai do ta bënte një gjë të tillë. Ai nuk është shumë aktiv.’ I thashë: ‘Po ai është babai yt’. ‘Po.’ ‘A e mban ai priftërinë?’ ‘Po, ai është një plak joaktiv.’ I thashë: ‘A e doni atë?’ Dhe ai tha: ‘Po, e dua. Ai është njeri i mirë; ai është i mirë me familjen, i mirë me fëmijët.’ Unë thashë: ‘A bëni ndonjëherë lutje familjare?’ Ai tha: ‘Ka kaluar një kohë e gjatë qëkur kemi bërë lutje familjare.’ Unë thashë: ‘Dakord, a do të jeni i gatshëm të shkoni në shtëpi e të kërkoni një mundësi dhe ta pyesni babain tuaj nëse ai do t’ju japë një bekim? Dhe nëse nuk funksionon, kthehuni dhe unë do të jem i lumtur t’ju ndihmoj.’

Kështu ai u largua dhe u kthye pas afro tre ditësh. ‘Vëllai Benson, kjo ka qenë gjëja më e bukur që ka ndodhur në shtëpinë tonë’, tha ai. ‘Nëna dhe fëmijët u ulën atje, vëllezërit dhe motrat e mia më të vogla, dhe nëna fshinte lotët nga sytë e saj. Ajo e shprehu mirënjohjen e saj më vonë. Babai më dha një bekim të bukur.’ Ai shtoi: ‘Mund ta dalloja që i buroi nga zemra.’

Ka shumë baballarë që do të kënaqeshin t’u jepnin bekime fëmijëve të tyre, nëse do të kishin pak nxitje. Si patriarkë të familjeve të tyre, kjo është një nga detyrimet dhe detyrat, përgjegjësitë dhe natyrisht mundësitë e tyre” (God, Family, Country: Our Three Great Loyalties [1974], f. 184).

Doktrina e Besëlidhje 107:99. “Çdo njeri duhet ta mësojë detyrën e tij”

Presidenti Tomas S. Monson dha mësim:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Më pëlqen dhe e dua fort fjalën fisnike detyrë dhe gjithçka që ajo të lë të kuptosh. …

Thirrja e detyrës i erdhi Adamit, Noeut, Abrahamit, Moisiut, Samuelit, Davidit. Ajo i erdhi Profetit Jozef Smith dhe secilit prej pasuesve të tij. Thirrja e detyrës i erdhi djaloshit Nefi kur u udhëzua nga Zoti, përmes atit të tij, Lehit, për t’u kthyer në Jerusalem me vëllezërit e tij që të merrte fletët prej tunxhi nga Labani. Vëllezërit e Nefit mërmëritën, duke thënë se ishte një gjë e vështirë ajo që u ishte kërkuar atyre. Cila ishte përgjigjja e Nefit? Ai tha: ‘Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron’ [1 Nefi 3:7].

Kur e njëjta thirrje t’ju vijë ju dhe mua, cila do të jetë përgjigjja jonë? A do të mërmëritim, sikurse veproi Lamani dhe Lemueli dhe të themi: ‘Kjo është një gjë e vështirë që na kërkohet’? [1 Nefi 3:5]. Apo, bashkë me Nefin, ne do të shpallim individualisht: ‘Unë do të shkoj. Unë do të bëj’? A do të jemi të gatshëm të shërbejmë dhe të bindemi? …

Ndërkohë që përmbushim detyrat tona dhe ushtrojmë priftërinë tonë, ne do të gjejmë gëzim të vërtetë. Ne do të përjetojmë kënaqësinë e plotësimit të detyrave tona” (“Të Gatshëm dhe të Denjë për të Shërbyer”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 66–67).