Seminari
Mësimi 119: Doktrina e Besëlidhje 111


Mësimi 119

Doktrina e Besëlidhje 111

Hyrje

Në vitin 1836, Kisha ishte zhytur në borxhe. Profeti Jozef Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës udhëtuan për në Salem të Masaçusetsit, ku ata shpresuan që të ishin në gjendje të siguronin para për të paguar borxhet e Kishës. Më 6 gusht 1836, Jozef Smithi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 111, në të cilën Zoti e siguroi atë rreth shqetësimeve lidhur me borxhin dhe mirëqenien e Sionit. Zoti gjithashtu i dha Profetit udhëzime lidhur me qëndrimin e udhëheqësve të Kishës në Salem.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 111

Zoti jep siguri dhe udhëzime për Jozef Smithin dhe udhëheqës të tjerë të Kishës

Fillojeni orën mësimore duke u kërkuar studentëve që të shkruajnë një përgjigje për pyetjen vijuese në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Cilat janë disa gjëra që sjellin stres ose ankth në jetën tuaj?

Ju mund të doni t’i ftoni disa studentë që të flasin për mendimet e tyre me klasën. (Kujtojuni studentëve që disa mendime dhe përvoja janë tepër vetjake për t’u treguar.)

Shpjegoni se në verën e vitit 1836, Jozef Smithi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës po kalonin shqetësime lidhur me financat e Kishës. Në vitet e mëparshme, Kisha kishte grumbulluar një sasi të madhe borxhi ngaqë udhëheqësit e Kishës i ishin bindur urdhrit të Zotit për të ndërtuar tempullin e Kirtlandit, për të blerë toka në Ohajo e Misuri dhe për të financuar Kampin e Sionit. Kisha kishte nevojë edhe për fonde që të blinte tokë për shenjtorët në Misuri, të cilët qenë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Në vitin 1834, Zoti e kishte udhëzuar Jozef Smithin dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës “t’i paguani[n] të gjitha borxhet [e tyre]” (DeB 104:78). Sidoqoftë, përpjekjet e tyre për t’i paguar këto borxhe ishte penguar nga humbja e bizneseve fitimprurëse në Misuri. Kështu, udhëheqësit e Kishës nuk kishin fonde të mjaftueshme për të përballuar kërkesat e kreditorëve të Kishës.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 104:80. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti premtoi të bënte për t’i ndihmuar udhëheqësit e Kishës me problemet e borxheve të tyre. Ftojini studentët të raportojnë atë që zbulojnë.

Shpjegoni se në vitin 1836, një anëtar i Kishës i quajtur Uilliam Bërxhis mbërriti në Kirtland të Ohajos dhe u tregoi udhëheqësve të Kishës rreth një sasie të madhe parash që gjendeshin në Salem të Masaçusetsit. Ai tha se paratë gjendeshin në qilarin e një shtëpie dhe se ai qe i vetmi njeri i gjallë që e dinte vendndodhjen e parave.

Vërini në dijeni studentët se Jozef Smithi, Sidni Rigdoni, Oliver Kaudëri dhe Hajrëm Smithi u nisën nga Kirtlandi më 25 korrik 1836, për t’u takuar me kreditorët e Kishës në Nju-Jork. Pas disa ditësh në Nju-Jork, grupi udhëtoi për në Salem. Vëllai Bërxhis i takoi ata atje, por ai tha se qyteti kishte ndryshuar kaq shumë që nga hera e fundit që kishte qenë atje, saqë ai nuk ishte në gjendje ta gjente shtëpinë që kishte paratë. Vëllai Bërxhis u largua menjëherë pas kësaj.

Pamja
hartë, verilindja e Shteteve të Bashkuara
  • Si mendoni se do të ishit ndier ju pasi të udhëtonit për në Salem me shpresën për të gjetur mjetet për ta paguar borxhin e Kishës dhe të mos e gjenit atë që shpresonit? Çfarë do të kishit bërë?

Shpjegoni që udhëheqësit e Kishës kaluan disa kohë duke kërkuar shtëpinë që thuhej se kishte paratë. Më 6 gusht 1836, ndërsa ishin ende në Salem, Jozef Smithi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 111.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 111:1. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se si u ndie Zoti rreth udhëtimit të këtyre njerëzve për në Salem. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të doni të shpjegoni se fjala marrëzi mund të përkufizohet si “një veprim i dobët ose i pakuptimtë, jo shumë i rrezikshëm; një veprim që nuk është në përputhje me parimet e arsyes ose me rregullat e zakonshme të maturisë” [Noah Webster, An American Dictionary of the English Language, faksimile të botimit të parë (1828; ribot., 1967), “Folly”].)

  • Përse udhëtimi për në Salem mund të konsiderohej një marrëzi?

Vërini në dijeni studentët se megjithëse kërkimi për para në Salem kishte qenë i pasuksesshëm, Zoti tregoi se ky udhëtim mund të ishte ende i dobishëm për mbretërinë e Tij. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 111:2. Vëreni klasën të kërkojë atë që Zoti tha se Ai kishte në qytetin e Salemit.

  • Çfarë tha Zoti se kishte në qytetin e Salemit? (Shumë thesare dhe shumë njerëz.)

  • Kur Zoti tha se Ai do t’i mblidhte njerëzit që kishte në Salem? (Në kohën e duhur.)

Vërini në dijeni studentët se Jozef Smithi dhe ata që ishin me të, kaluan disa javë në Salem dhe predikuan ungjillin gjatë qëndrimit të tyre. Pesë vite më vonë, Erastus Snou u thirr në një mision në Salem, ku ai organizoi një degë prej 120 anëtarësh (shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 170–171).

  • Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Jozef Smithit në Salem dhe mësimet e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 111:1–2? (Studentët mund të japin një larmi përgjigjesh të mira. Si pjesë të diskutimit të tyre, shkruajeni në tabelë parimin vijues: Zoti mund të nxjerrë të mirën nga përpjekjet tona të sinqerta.)

  • Në çfarë mënyrash mund ta nxjerrë Zoti të mirën nga përpjekjet tona, edhe nëse ato janë fillimisht të drejtuara gabim? (Një përgjigje e mundshme është se Ai mund të na ndihmojë të mësojmë nga përvojat tona.)

  • Në ç’mënyrë ndikon te ju dijenia se Zoti mund të nxjerrë të mirën nga përpjekjet tuaja të sinqerta?

Shpjegoni se Zoti i dha udhëzime Jozef Smithit dhe shokëve të tij për t’i ndihmuar të bënin të mira ndërsa ishin në Salem. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 111:5–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë çfarë donte Zoti që Jozef Smithi dhe shokët e tij të bënin.

  • Si i ngushëlloi Zoti Jozef Smithin dhe shokët e tij lidhur me borxhet e Kishës dhe gjendjen e Sionit?

  • Sipas vargut 8, si do ta dinin Jozef Smithi dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës se ku të qëndronin gjatë pjesës tjetër të vizitës së tyre në Salem?

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga udhëzimi i Zotit në vargun 8? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë parimin vijues: Ne mund ta marrim udhërrëfimin e Zotit nëpërmjet paqes dhe fuqisë së Shpirtit të Tij.)

  • Si mund t’ju ndihmojë ky parim të përballoni shqetësime dhe sfida?

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 111:9–10 dhe të kërkojnë detyrën shtesë që Zoti e udhëzoi Jozef Smithin dhe shokët e tij të bënin ndërsa ishin në Salem. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që mësojnë.

Vërini në dijeni studentët se Jozef Smithi dhe burrat e tjerë ndoqën këshillën e Zotit për të “kërk[uar] me zell lidhur me banorët më të lashtë dhe themeluesit e … qyteti[t]” (DeB 111:9). Ndërsa ishin në Salem, ata vizituan vende historike. Nga këto vizita ata mësuan se disa banorë të Salemit në Masaçusets dhe të zonës përreth Nju-Inglandit ishin përndjekur dhe vrarë si pasojë e mostolerancës dhe fanatizmit fetar. (Shih History of the Church, 2:464–265.) Këto ngjarje e çuan Jozef Smithin të shkruante në historinë e tij, “Kur do të ndalojë njeriu së luftuari me njeriun, dhe të zhvatë [ose të marrë] prej tij të drejtat e shenjta të adhurimit të Perëndisë së tij ashtu siç ia thotë ndërgjegjja e vet?” (në History of the Church, 2:465). Më vonë, Profeti ritheksoi rëndësinë e lejimit të të gjithë njerëzve që ta ushtrojnë të drejtën e lirisë fetare (shih Nenet e Besimit 1:11). Megjithëse Jozef Smithi dhe shokët e tij nuk i morën paratë që kishin menduar se mund t’i gjenin në Salem, ata morën thesare të tjera nga ky udhëtim, duke përfshirë thesare njohurie.

Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 111:11. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar këshillën përmbyllëse të Zotit në këtë zbulesë. Shpjegoni se fjala urdhëroj siç përdoret në vargun 11 do të thotë të rregullosh.

  • Si do ta rishprehnit këshillën e Zotit në vargun 11? (Megjithëse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, sigurohuni që ata e kuptojnë parimin vijues: Nëse jemi të zgjuar dhe e shmangim mëkatin, atëherë Zoti do t’i rregullojë të gjitha gjërat për të mirën tonë. Ju mund të doni të shpjegoni që edhe kur njerëzit e drejtë përjetojnë sprova, Zoti mund “t’i urdhërojë [këto] gjëra për të mirën [e tyre]”.)

  • Cilat janë disa zgjedhje të mençura që ne mund të bëjmë? (Studentët mund të sugjerojnë një larmi përgjigjesh, duke përfshirë përpjekjen për t’iu bindur urdhërimeve.)

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë që Zoti “do t’i urdhëroj[ë] të gjitha gjërat për të mirën t[onë]”?

  • Kur keni parë një shembull të këtij parimi?

Ftojini studentët t’i rishikojnë përgjigjet e tyre të shkruara për pyetjet që bëtë në fillim të orës mësimore. Kërkojuni atyre të marrin parasysh atë që kanë mësuar nga studimi i tyre i Doktrinës e Besëlidhjeve 111, që mund t’i ndihmojë ata me sfidat që hasin. Ftojini ata t’i shkruajnë mendimet e tyre në fletoret e tyre të klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

Përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj për parimet mbi të cilat keni diskutuar. Nxitini studentët të veprojnë sipas këtyre parimeve.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 111:9. “Këtë vend mund ta fitoni me anë të pagesës”

Pasi Jozef Smithi dhe shokët e tij mbërritën në Salem të Masaçusetsit, ata morën me qira një shtëpi. Kjo nuk qe shtëpia që me sa duket kishte para në qilar. Ishte kjo shtëpi e marrë me qira që Zoti iu referua kur Ai tha: “Këtë vend mund ta fitoni me anë të pagesës” (DeB 111:9).