Seminari
Mësimi 46: Doktrina e Besëlidhje 41


Mësimi 46

Doktrina e Besëlidhje 41

Hyrje

Në dhjetor të vitit 1830 Zoti i urdhëroi shenjtorët të lëvizin për në Ohajo, ku ata do ta merrnin ligjin e Tij (shih DeB 37:3; 38:32). Liman Kopli, një anëtar i Kishës në Ohajo, kishte ofruar t’i siguronte me shtëpi dhe ushqime Jozef Smithin e Sidni Rigdonin dhe familjet e tyre (shih hyrja e seksionit, DeB 41 [botimi anglisht 2013]). Jozef Smithi e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 41 në 4 shkurt 1831, pak kohë pasi mbërriti në Ohajo. Në këtë zbulesë Zoti i udhëzoi Profetin dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës që të luteshin për ta marrë ligjin e Tij. Përveç kësaj, Ai qartësoi se ku duhej të jetonin Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni, dhe e thirri Eduard Partrixhin që të ishte peshkopi i parë i Kishës.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 41:1–6

Zoti jep mësim se dishepujt e vërtetë do ta zbatojnë ligjin e Tij

Ftojini studentët të marrin parasysh atë që do të thotë të kënaqen ose të gjejnë gëzim në bërjen e diçkaje.

  • Për çfarë kënaqeni ose çfarë ju pëlqen të bëni?

  • Çfarë mendoni se kënaqet Zoti të bëjë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 41:1. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë se çfarë kënaqet të bëjë Zoti.

  • Çfarë thotë Zoti se Ai kënaqet të bëjë? (Ta bekojë popullin e Tij “me bekimin më të madh të të gjitha bekimeve”.)

Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë thënien e paplotë vijuese: Zoti kënaqet të na bekojë kur …

  • Sipas vargut 1, çfarë duhet të bëjmë me qëllim që t’i marrim bekimet që Zoti dëshiron të na i japë? (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se shprehja vini vesh do të thotë të dëgjoni me vëmendje dhe të bindeni. Duke përdorur përgjigjet e studentëve, plotësoni parimin në tabelë: Zoti kënaqet të na bekojë kur e dëgjojmë Atë dhe i bindemi Atij. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët që t’i shenjojnë në shkrimet e tyre të shenjta fjalët ose frazat që ua mësojnë këtë parim.)

Nxitini studentët të përsiatin nëse kanë përjetuar ndonjëherë gëzim si rrjedhim i bërjes së diçkaje për dikë tjetër. Ftojini një ose dy studentë të tregojnë për përvojat e tyre.

  • Çfarë do të thotë për ju që të dini se Zoti kënaqet për t’ju bekuar kur ia vini veshin Atij?

Kujtojini studentët se Zoti i kishte urdhëruar shenjtorët të mblidheshin në Ohajo. Disa nga shenjtorët që lëvizën për në Ohajo, e bënë këtë duke sakrifikuar. Ata i shitën pronat e tyre me humbje ose thjesht i lanë shtëpitë dhe pronat e tyre të pashitura dhe shkuan në Ohajo në bindje të urdhrit të Zotit, të dhënë nëpërmjet Profetit të Tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin vijues rreth Lusi Mek Smithit (nënës së Profetit Jozef Smith) dhe një grupi të anëtarëve të Kishës që ajo i udhëhoqi drejt Ohajos. Kërkojini klasës të dëgjojë për një shembull se si Zoti i bekoi shenjtorët kur ata ia vunë veshin urdhrit të Tij për të lëvizur për në Ohajo:

Lusi Mek Smithi udhëhoqi një grup prej 80 anëtarësh të Kishës nga Fajeti në Nju-Jork drejt Ohajos. Teksa udhëtuan me anije nëpër kanalin Kejuga dhe Seneka drejt Bafalos në Nju-Jork, Lusi i kujtoi shenjtorët se ata po udhëtonin për shkak të urdhërimit të Zotit, sikurse Lehi i lashtësisë kur u largua nga Jerusalemi. Ajo i këshilloi shenjtorët se, në qoftë se do të ishin besnikë, ata i “kishin të njëjtat arsye për t’i pritur bekimet e Perëndisë” (shih History of Joseph Smith by His Mother, bot. Preston Nibley [1958], 195–196; Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [Church Educational System manual, 2003], f. 91).

Kur mbërritën në Bafalo, ata mësuan se porti ishte bllokuar nga akulli, duke i penguar anijet që të vinin e të shkonin. “Pas disa ditësh të ankthshme në Bafallo, një numër fëmijësh u sëmurën dhe shumë nga grupi ishin të uritur dhe të shkurajuar. Ata u lejuan të hynin në kuvertën e një anijeje, i vendosën gjërat e tyre në kuvertë dhe gjetën strehim të përkohshëm për gratë dhe fëmijët deri të nesërmen herët në mëngjes. Kur u kthyen përsëri në anije, Lusi e bindi grupin ende mërmëritës që t’i kërkonin Zotit ta thyente akullin gjashtë metra të thellë, që e bllokonte portin” (Church History in the Fulness of Times Student Manual, f. 92).

Lusi e nxiti grupin e saj që të kishin besim te Perëndia dhe premtoi se, në qoftë se ata do të bashkoheshin në lutje dhe do t’i kërkonin Perëndisë ta thyente akullin që e bllokonte portin, kjo gjë do të bëhej. Lusi përshkroi atë që ndodhi më pas: “Në atë çast një zhurmë u dëgjua, si bubullimë shpërthyese. Kapiteni bërtiti: ‘Çdo njeri në vendin e tij’. Akulli u nda, duke lënë me vështirësi një shteg për anijen dhe kaq të ngushtë sa që, teksa anija kalonte përmes, kovat e rrotave hidraulike u shkëputën me zhurmë. … Ne sapo kishim kaluar përmes shtegut kur akulli u mbyll sërish së bashku” (shih History of Joseph Smith by His Mother, f. 197–205).

  • Si treguan këta shenjtorë besim te Zoti në këtë gjendje të vështirë? Si tregon kjo gjendje se Zoti është i vetëdijshëm për ne dhe do të na ndihmojë t’i kapërcejmë sfidat?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 41:2–4. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar udhëzimet që Zoti ua dha pleqve të Kishës.

  • Çfarë i urdhëroi Zoti të bënin pleqtë e Kishës? (Ai i urdhëroi të mblidheshin që të binin dakord për fjalën, të luteshin me besim, ta merrnin ligjin dhe të siguronin që ligji i Tij të zbatohej nga anëtarët e Kishës.)

  • Sipas vargut 3, cili ishte qëllimi i ligjit që duhej ta merrnin pleqtë?

  • Si mund të kishte qenë marrja e ligjit të Zotit një bekim për shenjtorët në Ohajo?

Vini në dukje se “ligji” të cilit i drejtohet Zoti, është ligji i shënuar te Doktrina e Besëlidhje 42, ligji i Zotit dhënë Kishës. Shpjegojuni studentëve se ata do ta studiojnë këtë ligj me hollësi në disa mësime pasardhëse.

Për t’i përgatitur studentët të përcaktojnë një të vërtetë të rëndësishme te Doktrina e Besëlidhje 41:5, shkruani në tabelë fjalët vijuese: Besimtar dhe Dishepull.

  • Në çfarë mënyrash janë të njëjta këto dy koncepte? Në çfarë mënyrash mund të jenë ato të ndryshme?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 41:5. Ftojeni klasën ta ndjekë duke kërkuar atë që tha Shpëtimtari rreth dishepujve të Tij.

  • Sipas këtij vargu, cila është një karakteristikë e dishepujve të Shpëtimtarit? (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët ose frazat që ua mësojnë parimin vijues: Dishepujt e Jezu Krishtit i marrin ligjet e Tij dhe u binden atyre.)

  • Përse është e rëndësishme që dishepujt e Jezu Krishtit vërtet t’i zbatojnë urdhërimet dhe jo thjesht të kenë dijeni për to?

Për t’i ndihmuar studentët ta zbatojnë këtë parim, ftojini të rishikojnë secili më vete standardet në broshurën Për Forcën e Rinisë. Kërkojuni atyre të zgjedhin një standard dhe të shkruajnë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta atë që do të dëshironin të bënin për ta jetuar atë standard pak më mirë. (Sigurojini studentët se kjo është një veprimtari vetjake dhe atyre nuk do t’iu kërkohet t’ua tregojnë përgjigjet e tyre të tjerëve.)

Doktrina e Besëlidhje 41:7–8

Zoti i udhëzon shenjtorët të ndërtojnë një shtëpi ku Profeti mund të jetojë dhe përkthejë

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 41:7–8 duke shpjeguar se Zoti i udhëzoi shenjtorët të siguronin një shtëpi në të cilën Profeti dhe familja e tij mund të jetonin dhe Jozefi mund të vazhdonte punën e tij për përkthimin e Biblës. Zoti gjithashtu dha udhëzim të shkurtër për Sidni Rigdonin.

Doktrina e Besëlidhje 41:9–12

Zoti e thërret Eduard Partrixhin që të jetë peshkopi i parë i Kishës

Ftojini studentët të përfytyrojnë se lagjja e tyre ka nevojë për një peshkop të ri. Ftojini studentët të lexojnë secili më vete Doktrinën e Besëlidhjet 41:9–10 duke kërkuar atë që përfshihet në thirrjen e një peshkopi.

  • Sipas këtij vargu, çfarë përfshihet në thirrjen e një peshkopi të ri? (Peshkopët thirren nga Perëndia, mbështeten nga zëri i anëtarëve dhe shugurohen me anë të autoritetit të duhur. Ju mund të doni ta shkruani këtë doktrinë në tabelë. Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se sot peshkopët e lagjeve nuk urdhërohen ta shpenzojnë të gjithë kohën e tyre “në punët e kishës”, sikurse Zoti e thirri të bënte Eduard Partrixhin.)

  • Çfarë do të thotë “të caktohen me anë të zërit të kishës”? (Do të thotë që anëtarët e Kishës janë zotuar për mbështetjen e tyre ose e mbështetin njeriun që është thirrur nga Perëndia.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 41:11. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar vetitë që kishte Eduard Partrixhi, të cilat do ta ndihmonin atë në thirrjen e tij.

  • Çfarë vetish pati Eduard Partrixhi që mund ta kishin ndihmuar atë në thirrjen e tij? (Ndërkohë që studentët përgjigjen, ju mund të keni nevojë të shpjegoni se të kesh mashtrim do të thotë të jesh mashtrues ose hipokrit. Si rrjedhim, të mos kesh “mashtrim” do të thotë të jesh i ndershëm dhe i sinqertë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 41:12. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar paralajmërimin që Zoti dha në përfundim të kësaj zbulese.

  • Çfarë mendoni se do të thotë të bëjmë kujdes se si i mbajmë fjalët e Zotit? (Ju mund të doni të shpjegoni se për Jozef Smithin dhe të tjerët, ky ishte një urdhër për t’i ruajtur shkrimet e shenjta.) Si lidhet kjo me atë që kemi mësuar rreth dishepujve të Jezu Krishtit?

Pamja
Plaku Nil A. Maksuell

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Çdo ditë ne vendosim nivelin e të qenit dishepuj” (“My Servant Joseph”, Ensign, maj 1992, f. 39).

Ftojini studentët të tregojnë se si të vërtetat që mësuan në këtë mësim, mund t’i ndihmojnë ata që të jenë dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Jozef Smithi mbërrin në Kirtland

Nga fundi i janarit të vitit 1831, Jozef dhe Ema Smithi u larguan nga Nju-Jorku për të udhëtuar rreth 480 kilometra me sajë drejt Kirtlandit në Ohajo. Kur Jozefi dhe Ema mbërritën në Kirtland, ata ndaluan përpara dyqanit Gilbert dhe Uitni:

“[Jozefi] duke i ngjitur plot energji shkallët, hyri në dyqan dhe u drejtua atje ku po qëndronte në këmbë ortaku më i ri. ‘Njull K. Uitni! Ti je burri!’ thirri ai, duke i zgjatur dorën përzemërsisht, si një të njohuri të vjetër e të afërm. ‘Ju keni epërsi ndaj meje’, u përgjigj [Njull K. Uitni], ndërsa e shtrëngoi mekanikisht dorën e zgjatur: ‘Unë nuk mund t’ju thërras me emër, siç më keni thirrur ju’. ‘Unë jam Jozefi, Profeti’, tha i panjohuri duke buzëqeshur. ‘Ti je lutur që të vij këtu, tani çfarë dëshiron prej meje?’” (History of the Church, 1:145–146).

Jozefi shpjegoi se ai kishte marrë më përpara një zbulesë, në të cilën Njulli po lutej që ai të shkonte në Kirtland. Familja Uitni i mirëpritën Jozef dhe Ema Smithin dhe Jozefi dhe Ema jetuan me ta për ca kohë. (Shih History of the Church, 1:146; shih edhe Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [Church Educational System manual, 2003], f. 90–91.)

Doktrina e Besëlidhje 41:11. “Zemra e tij është e pastër”

Gatishmëria e Eduard Partrixhit për ta “lë[në] tregëtinë e tij” (DeB 41:9) dhe për ta shpenzuar kohën e tij në ngritjen e Kishës, vërtetohet nga tregimi vijues:

“Bija e Partrixhit më vonë kujtoi se, pasi u diktua kjo zbulesë, babai i saj e shiti pronën e tij dhe ‘mori veçse pak’ nga veprimet e shitjes. Ajo shtoi: ‘Rruga e babait tim për t’u bashkuar me fenë mormone dhe sakrifikimi i pronës së tij bënë që miqtë e tij në botë ta mendonin atë si të çmendur. Ata nuk mund ta kuptonin se çfarë kishte te feja që ta bënte një njeri të hiqte dorë nga të gjitha konsideratat e botës për atë [fe]” (Documents, Vëllimi 1: korrik 1828–qershor 1831, vëll. 1 i serisë së Dokumenteve të The Joseph Smith Papers [2013], f. 244).

Eduard Partrixhi dhe Sidni Rigdoni kishin udhëtuar drejt Nju‑Jorkut për t’u takuar me Profetin Jozef Smith. “Sipas Fajllo Dibëllit, Partrixhi shkoi edhe në emër të të tjerëve. [Fajllo Dibëllit] iu tha nga një fqinj: ‘Kemi dërguar një burrë në shtetin e Nju‑Jorkut që të zbulonte të vërtetën e kësaj pune dhe ai është një burrë që nuk do të gënjejë’. [Dibble, “Philo Dibble’s Narrative”, f. 77.]” (Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [Church Educational System manual, 2003], f. 82). Jozefi e përshkroi Eduardin si “një model mëshire dhe një nga njerëzit e mëdhenj të Zotit” (në History of the Church, 1:128).