Seminari
Mësimi 124: Doktrina e Besëlidhje 117–118


Mësimi 124

Doktrina e Besëlidhje 117–118

Hyrje

Më 8 korrik 1838, në Far-Uest të Misurit, Profeti Jozef Smith mori katër zbulesat e shënuara te Doktrina e Besëlidhje 117–120. Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 117, Zoti e urdhëroi Njull K. Uitnin dhe Uilliam Marksin që t’i rregullonin me të shpejtë punët e tyre në Kirtland dhe të bashkoheshin me shenjtorët besnikë që po mblidheshin në Far-Uest. Zoti gjithashtu tha se Oliver Granxheri duhej të shërbente si një përfaqësues i Presidencës së Parë që të shiste pronësitë e Kishës dhe t’i rregullonte punët e biznesit të Jozef Smithit. Në zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 118, Zoti thirri Apostuj të rinj që të zinin vendet e atyre që ishin larguar nga Kisha, dhe i thirri të gjithë anëtarët e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve për të shërbyer në misione në Britaninë e Madhe.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 117:1–11

Zoti i urdhëron Uilliam Marksin dhe Njull K. Uitnin t’i rregullojnë punët e tyre me të shpejtë dhe të largohen nga Kirtlandi

Kërkojuni studentëve të renditin arsye përse dikush mund të jetë ngurrues që t’i bindet një urdhërimi të Zotit. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë.

Ftojini studentët t’i hedhin një sy të shpejtë Doktrinës e Besëlidhjeve 117:1 dhe të përcaktojnë se kujt iu dha kjo zbulesë. Shpjegoni se Njull K. Uitni ishte peshkopi në Kirtland. Ai ishte një pronar i suksesshëm biznesi dhe përkushtoi shumë nga pasuria e tij për Kishën. Uilliam Marksi u thirr të shërbente si veprues për Peshkopin Uitni më 17 shtator 1837. Ai ishte pronari i një biznesi për shitjen e librave.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 117:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar atë që Zoti i udhëzoi këta burra që të bënin. (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala qëndrojnë do të thotë të rrini diku.)

  • Çfarë i urdhëroi Zoti që të bënin, Njull K. Uitnin dhe Uilliam Marksin? (Ai i urdhëroi t’i rregullonin punët e tyre me të shpejtë dhe të largoheshin nga Kirtlandi. Ata duhej ta bënin këtë udhëtim përpara se Zoti të dërgonte dëborë në atë zonë. Me fjalë të tjera, ata do të duhej të largoheshin brenda një periudhe prej gati katër muajsh.)

Kujtojini studentët që më 26 prill 1838, Zoti i kishte urdhëruar shenjtorët të mblidheshin në Far-Uest të Misurit dhe në vende të tjera (shih DeB 115:17–18). Më 6 korrik 1838, një grup i njohur si Kampi i Kirtlandit, i përbërë prej më shumë se 500 shenjtorësh nga zona e Kirtlandit, u nis për në Misuri (shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 178–179).

Vini në dukje se, ndërsa i lexojmë fjalët e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 117:4–5, ne shohim se Peshkopi Uitni dhe Uilliam Marksi ishin tepër të shqetësuar rreth pronave të Kishës në Kirtland. Për shkak të thirrjeve të tyre si peshkop dhe veprues për peshkopin, ata ishin kujdestarë mbi këto prona. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë vargun 4 dhe kërkojini klasës të dëgjojë për pyetjen e Zotit në këtë varg.

Shkruajeni sa vijon në tabelë: Çfarë është pronë e imja?

  • Çfarë mendoni se do të thotë kjo?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë domethënien e pyetjes së Zotit në vargun 4, ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 117:5–8. Vëreni klasën të kërkojë arsyet përse Zoti do të thoshte: “Çfarë është pronë e imja?” (Ju mund të doni të shpjegoni se fraza “fushat e Olaha Shinehahit” i referohet zonës përreth Adam-ondi-Ahmanit në Misuri.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “lakmoni … një copëz dhe të lini pas dore çështjet më me peshë”? (DeB 117:8). Si ishin pronat në Kirtland një “copëz” në krahasim me bekimet që Zoti mund t’ua jepte Peshkopit Uitni dhe Presidentit Marks? (Pasi studentët të diskutojnë mbi këto pyetje, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Lakmia për gjëra tokësore mund të na shkaktojë të lëmë pas dore çështje më me peshë.)

Kërkojuni studentëve të përsiatin se si ata mund t’u kushtojnë më shumë vëmendje gjërave që janë më të rëndësishmet në jetën e tyre.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 117:10 duke shpjeguar se Zoti e thirri Uilliam Marksin të vazhdonte shërbimin si një udhëheqës i Kishës kur ai mbërriti në Far-Uest. Zoti gjithashtu tha se, nëse Presidenti Marks do të ishte “besnik në pak gjëra”, ai më së fundi do të “bëhe[j] sundimtar në shumë” gjëra (shih edhe Mateu 25:23).

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 117:11 dhe bëjeni klasën të kërkojë qortimin që Zoti ia dha Njull K. Uitnit. Pasi studenti ta lexojë këtë varg, shpjegoni se nikolaitët ishin një sekt fetar i lashtë. Ata thoshin se ishin të krishterë, por u larguan prej parimeve të ungjillit për të ndjekur praktika të botës (shih Doctrine and Covenants Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 290).

  • Nëse Njull K. Uitni kishte vendosur të përqendrohej te pronësia në Kirtland, në vend që të mblidhej me shenjtorët, si mund të ishin veprimet e tij të ngjashme me veprimet e nikolaitëve?

Shpjegoni se për shkak të largimit të tyre të vonuar nga Kirtlandi dhe përndjekjeve në Misuri, Uilliam Marksi dhe Njull K. Uitni nuk qenë në gjendje të mblidheshin me shenjtorët në Far-Uest. Megjithatë, ata e ndoqën këshillën e Zotit dhe qëndruan besnikë, dhe më vonë ata u mblodhën me shenjtorët në Navu të Ilinoisit, ku Uilliam Marksi shërbeu si president kunji dhe Njull K. Uitni shërbeu si peshkop.

Doktrina e Besëlidhje 117:12–16

Zoti cakton Oliver Granxherin që të përfaqësojë Presidencën e Parë në marrëdhëniet tregtare në Kirtland

Ftojini studentët të renditin në tabelë thirrjet ose detyrat e ndryshme të Kishës që mund të marrin.

Shpjegoni se Zoti e urdhëroi një burrë të quajtur Oliver Granxher, që të largohej nga Far-Uesti dhe të kthehej në Kirtland që të “përpiqe[j] me dëshirë për shëlbimin e Presidencisë së Parë të Kishës sime” (DeB 117:13). Kjo detyrë përfshiu shitjen e pronave të Kishës dhe rregullimin e punëve të biznesit të Jozef Smithit. Kjo do të kërkonte që Oliver Granxheri, i cili ishte pothuajse i verbër, të bënte sakrifica. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 117:12–15, duke kërkuar bekimet që Zoti tha se do t’i merrte Oliver Granxheri, kur ta përmbushte këtë detyrë.

  • Çfarë bekimesh do të merrte Oliver Granxheri?

  • Si ndihej Zoti rreth sakrificave që do të bënte Oliver Granxheri? (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se thënia që “sakrifica e tij do të jetë më e shenjtë sesa suksesi i tij”, tregon që Zoti kujdesej më shumë rreth sakrificës së Oliverit sesa parave që Oliveri mund të fitonte teksa e përmbushte detyrën e tij. Shkruajeni në tabelë parimin vijues: Sakrificat që bëjmë në shërbim të Zotit, janë të shenjta për Të.)

Drejtojuni thirrjeve dhe detyrave që i keni shkruar në tabelë. Pyetini studentët se çfarë sakrificash mund të kërkojnë ato thirrje dhe detyra.

  • Përse është e rëndësishme të bëjmë gjithçka mundemi për ta përmbushur një detyrë ose një thirrje?

Shpjegoni se Oliver Granxheri vdiq në Kirtland më 25 gusht 1841. Në atë kohë, ai ende po vepronte si përfaqësues i Presidencës së Parë në punët e biznesit të tyre. Edhe pse nuk qe tërësisht i suksesshëm në rregullimin e punëve të biznesit të Kishës, ai punoi që ta ruante integritetin dhe emrin e mirë të Kishës. Ai ishte i vërtetë ndaj Zotit dhe Profetit Jozef Smith.

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Çfarë bëri Oliver Granxheri që emri i tij duhet të mbahet në kujtesë të shenjtë? Jo shumë, në të vërtetë. Nuk ishte aq shumë ajo çfarë bëri, sesa ajo çfarë njeriu ishte ai. …

Zoti nuk priste që Oliveri të ishte i përsosur, ndoshta madje as që t’ia dilte mbanë. …

Ne s’mund të presim që gjithmonë t’ia dalim mbanë, por duhet të përpiqemi të bëjmë më të mirën që mundemi” (“The Least of These”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 86; [Konferenca e Përgjithshme, tetor 2004, “Më të Voglit prej Këtyre”, f. 127]).

  • Si mendoni, përse sakrificat tona janë të shenjta për Zotin, edhe kur ne nuk ndihemi tërësisht të suksesshëm në përpjekjet tona?

Doktrina e Besëlidhje 118

Zoti cakton Apostuj të rinj dhe i thërret të gjithë Apostujt që të shërbejnë në një mision

Shpjegoni se më 8 korrik 1838, Zoti thirri katër Apostuj të rinj që të zëvendësonin Luk Xhonsonin, Liman E. Xhonsonin, Uilliam E. Mek-Lelinin dhe Xhon F. Bojtonin, të cilët e kishin braktisur Kishën. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 118:3, duke kërkuar atë çfarë Zoti donte që të bënin Apostujt.

  • Çfarë i urdhëroi Zoti të bënin Apostujt?

  • Cilat fjalë dhe fraza në vargun 3 përshkruajnë mënyrën se si Zoti donte që Apostujt ta predikonin ungjillin?

Shkruajeni sa vijon në tabelë: Nëse predikojmë ungjillin sipas mënyrës së Zotit, …

  • Bazuar në vargun 3, cilat janë dy mënyrat se si ne mund ta plotësojmë këtë thënie? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimet vijuese: Nëse e predikojmë ungjillin sipas mënyrës së Zotit, Ai do të sigurojë për familjet tona. Nëse e predikojmë ungjillin sipas mënyrës së Zotit, Ai do t’i përgatitë të tjerët që ta pranojnë mesazhin e Tij.)

Ju mund të doni t’i ftoni studentët të tregojnë se si janë bekuar ata nëpërmjet shërbimit misionar të një vëllai ose motre apo të një anëtari tjetër të familjes.

Përmblidheni Doktrinën e Besëlidhjet 118:4–5 duke shpjeguar se Zoti i thirri anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve për të “shkuar përtej ujërave të mëdha” (oqeanit Atlantik) që të predikonin ungjillin e Tij, duke e filluar misionin e tyre tek vendi i tempullit në Far-Uest. Ata do të shërbenin në Britaninë e Madhe.

  • Sipas vargut 5, kur duhej të largoheshin Apostujt për misionin e tyre? Nga duhej të largoheshin ata?

Shpjegoni se në muajt që e pasuan këtë zbulesë, përndjekja u rrit në Misuri. Më së fundi, shenjtorët u dëbuan nga ai shtet. Këto kushte e bënë të rrezikshme për Të Dymbëdhjetët që ta përmbushnin urdhrin e Zotit për t’u takuar në Far-Uest. Shumë misurianë u mburrën haptazi se ata do ta pengonin përmbushjen e zbulesës. Por Të Dymbëdhjetët ishin të vendosur që t’i bindeshin urdhrit të Zotit. Në mëngjesin e 26 prillit 1839, Pleqtë Brigam Jang, Hibër C. Kimball dhe Orson Prat, së bashku me Pleqtë Xhon E. Pejxh dhe Xhon Tejlor, të cilët ishin shuguruar kohët e fundit si Apostuj (shih DeB 118:6), shkuan në Far-Uest tek vendi i tempullit. (Jo të gjithë anëtarët besnikë të kuorumit mundën të ishin atje. Për shembull, Plaku Parli P. Prat ishte arrestuar dhe burgosur nën akuza të rreme.) Ata rifilluan hedhjen e themelit të tempullit (shih DeB 115:11) duke vendosur një gur të madh pranë qoshes juglindore të vendit. Ata gjithashtu shuguruan Apostuj të rinj, Pleqtë Uillford Udraf (shih DeB 118:6) dhe Xhorxh A. Smith, për të zënë vendet e lëna bosh në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve. Pasi i kishin përmbushur udhëzimet e Zotit, ata u larguan, pa u diktuar nga ata që kishin planifikuar t’i ndalonin. Uillard Riçardsi, i cili përmendet te Doktrina e Besëlidhje 118:6, u shugurua Apostull rreth një vit më pas, më 14 prill 1840. (Për një rrëfim më të plotë të kësaj përvoje, shih Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff [2004], f. 139–141.)

Mbylleni duke dëshmuar për parimet që janë diskutuar në mësimin e sotëm.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 117:11. Banda e nikolaitëve

Fjala nikolaitëve gjendet te Zbulesa 2:6, 15. Disa studiues besojnë se nikolaitët u përpoqën të sillnin praktika idhujtare në kishën e hershme të krishterë. Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi se nikolaitët ishin “anëtarë të Kishës që po përpiqeshin ta ruanin qëndrimin e tyre në kishë, ndërkohë që vazhdonin të jetonin sipas mënyrës së botës. … Cilatdo që ishin veprimet dhe doktrinat e tyre të veçanta, [ky] emërtim përcaktor ka arritur që të përdoret për të treguar ata që i duan emrat e tyre në analet e Kishës, por nuk duan t’ia përkushtojnë vetveten kauzës së ungjillit me qëllim të plotë të zemrës” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1966–1973], 3:446; shih edhe Doctrine and Covenants Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2001], f. 290).

Doktrina e Besëlidhje 117:16. Këmbyesit e parave

Përpara se Jozef Smithi të largohej nga Kirtlandi, një grup braktisësish e kishin marrë nën kontroll tempullin. Zoti iu referua këtyre njerëzve si “këmbyesit e parave”, të ngjashëm me ata që e kishin ndotur vendin përreth tempullit në Jerusalem (shih Mateu 21:12–13). Edhe pasi kjo ndodhi, Zoti donte që shërbëtorët e Tij “në tokën e Kirtland-it” ta kujtonin shenjtërinë e tempullit.

Doktrina e Besëlidhje 118. Përmbushja e urdhrit për misionarët që të niseshin nga Far-Uesti

“Në orët e para të mëngjesit [më 26 prill 1839, pasi Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve u takua tek vendi i tempullit në Far-Uest], Teodor Tërli, një nga shenjtorët që kishte qenë në Far-Uest me Të Dymbëdhjetët, shkoi në shtëpinë e braktisësit Isak Rasëll për t’i thënë lamtumirën. Rasëlli u mahnit që shoku i tij ishte në Far-Uest me anëtarët e Të Dymbëdhjetëve dhe mbeti pa fjalë kur mësoi se profecia u përmbush” (Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2003], f. 226).