Seminari
Mësimi 22: Doktrina e Besëlidhje 18:1–16


Mësimi 22

Doktrina e Besëlidhje 18:1–16

Hyrje

Jozef Smithi mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 18 për veten e tij, Oliver Kaudërin dhe Dejvid Uitmerin në qershor 1829, pak pasi Pjetri, Jakobi dhe Gjoni u dhanë Priftërinë Melkizedeke Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit. Në fillimi të zbulesës, Zoti i dha mësim Oliver Kaudërit rreth ngritjes së Kishës. Më pas Ai i thirri Oliver Kaudërin dhe Dejvid Uitmerin të predikonin pendim.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 18:1–5

Zoti jep mësim se si të ngrihet Kisha e Tij

Vizatojeni figurën shoqëruese në tabelë përpara orës mësimore.

Pamja
skema e ngritjes së kishës

Merreni parasysh leximin e informacionit vijues ose dhënien e informacionit të ngjashëm rreth një tërmeti që mund të ketë ndodhur kohët e fundit ose më afër vendit ku jetoni:

Më 17 tetor 1989, në orën 17:04, një tërmet me masën 6.9 ballë të shkallës Rihter goditi San-Françiskon në Kaliforni, zonë e Shteteve të Bashkuara. Mijëra ndërtesa u dëmtuan ose u shkatërruan. Themelet e shumë ndërtesave u krisën, të cilat bënë që ndërtesat të shpalleshin të pasigurta.

  • Çfarë shqetësimesh do të kishit po të jetonit në një shtëpi me një themel të dobët?

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 18 shënon zbulesën e Zotit për Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin në lidhje me mënyrën se si ta ngrinin Kishën e Tij mbi një themel të sigurt. Në fillim të kësaj zbulese, Zoti iu referua gjërave që kishte shkruar Oliver Kaudëri, duke nënkuptuar fjalët e Librit të Mormonit që Oliveri i kishte shënuar ndërsa vepronte si shkrues për Profetin Jozef Smith. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 18:1–4. Vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si gjërat e shkruara në Librin e Mormonit do të ndihmonin në ngritjen e Kishës.

  • Çfarë tha Zoti se ishte në Librin e Mormonit? Si mund të ndihmojnë mësimet në Librin e Mormonit për ngritjen e Kishës?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 18:5. Kërkojini klasës të përcaktojë atë që premtoi Shpëtimtari nëse do ta ngrinim Kishën e Tij mbi themelin e ungjillit të Tij.

  • Sipas vargut 5, mbi çfarë duhet të ngrihet Kisha e vërtetë? (Përgjigjet e studentëve duhet të pasqyrojnë doktrinën vijuese: Kisha e vërtetë ngrihet mbi Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij.)

  • Çfarë na premton Zoti kur e ngremë Kishën e Tij mbi themelin e ungjillit të Tij?

Doktrina e Besëlidhje 18:6–16

Zoti i thërret Oliver Kaudërin dhe Dejvid Uitmerin të predikojnë pendim

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 18:6. Vëreni klasën ta ndjekë duke kërkuar mënyrën se si e përshkruan Zoti botën në të cilën jetojmë. Pasi studentët të raportojnë atë që kanë gjetur, ftojini të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 18:9 që të mësojnë atë që urdhëroi Zoti në përgjigje të ligësisë në rritje në botë.

  • Cila ishte përgjigjja e Zotit ndaj rritjes së ligësisë në botë? (Ai thirri shërbëtorë që të predikonin pendim.)

Vini në dukje se Zoti i thirri Oliver Kaudërin dhe Dejvid Uitmerin të predikonin pendim, ashtu siç e kishte thirrur të bënte Palin, Apostullin e lashtë. Ndërkohë që Oliveri dhe Dejvidi nuk u thirrën të ishin anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ata do të kishin role në krijimin e këtij kuorumi në ditët e mëvonshme. Shpjegoni se studentët do të mësojnë më shumë për rolin e Oliver Kaudërit dhe të Dejvid Uitmerit në mësimin e ardhshëm.

Për t’i ndihmuar studentët që të përgatiten për të studiuar mësimet e Zotit rreth vlerës së shpirtrave, paraqitni disa sende që ju mendoni se kanë vlerë për studentët tuaj. Pyetini se sa do të paguanin për çdo send. Shpjegoni se një mënyrë për të përcaktuar vlerën e një sendi është të zbulosh se sa njerëzit do të ishin të gatshëm të paguanin për të. Dikush mund të pretendojë që një send i veçantë ka vlerën e një sasie të caktuar parash, por ky çmim është i saktë vetëm nëse një person tjetër është i gatshëm të paguajë atë sasi parash për sendin.

Lexoni me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 18:10. Ftojini studentët ta përdorin këtë varg për të shpjeguar vlerën e tyre në sytë e Perëndisë. Studentët mund të sugjerojnë një larmi parimesh, por sigurohuni të theksoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë.

  • Si mendoni, përse jeni me vlerë kaq të madhe për Perëndinë?

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Perëndia ju sheh jo vetëm si një qenie të vdekshme në një planet të vogël që jeton për një stinë të shkurtër – Ai ju sheh ju si fëmijën e Tij. Ai ju sheh ju si qenia që jeni të aftë dhe të projektuar që të bëheni. Ai dëshiron që ta dini se ju keni rëndësi për Të” (“Ju Keni Rëndësi për Të”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 22).

Kujtojuni studentëve veprimtarinë në të cilën ju treguat se vlera e një sendi bazohet në atë që dikush është i gatshëm të paguajë për të. Ftojeni një student të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 18:11–12. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përcaktojë atë që Shpëtimtari ishte i gatshëm të paguante për ne.

  • Çfarë çmimi pagoi Shpëtimtari për shpirtin tonë? (Ju mund të doni t’u kujtoni studentëve se në këto vargje, fraza “të gjithë njerëzit” u drejtohet të gjithë njerëzve.)

  • Si mund të tregojmë mirënjohje për sakrificën që Shpëtimtari ka bërë për ne? (Megjithëse përgjigje të ndryshme janë të sakta, theksoni se një nga mënyrat më të mira që ne mund të tregojmë mirënjohje, është duke u penduar.)

Shkruani në tabelë thënien vijuese: Vlera ime është kaq e madhe sa Jezu Krishti vuajti dhe vdiq që unë të mund të pendohem.

Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë të vërtetë në fletoret e klasës ose në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.

  • Si mund të ndikojë kjo e vërtetë në mënyrën se si e shikoni veten tuaj?

  • Si mund të ndikojë kjo e vërtetë në mënyrën se si ju i trajtoni njerëzit e tjerë?

Dëshmoni për dashurinë e Shpëtimtarit dhe gatishmërinë për të vdekur për secilin prej nesh.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 18:13.

  • Si mendoni, përse Zoti ndjen gëzim të madh kur ne pendohemi?

  • Nëse dikush beson se vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë, atëherë çfarë mund t’i shtyjë bindja e tyre të bëjnë? (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: t’i trajtojnë të tjerët me respekt, t’u shërbejnë të tjerëve ose të përgatiten për të shërbyer në një mision.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 18:14 që të mësojnë atë që Zoti i thirri Oliver Kaudërin dhe Dejvid Uitmerin të bënin.

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “shpall[ësh] pendim”?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë frazë, lexoni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Të shpallësh pendim thjesht do të thotë t’i ndihmosh njerëzit të kthehen te Perëndia” (“Preparing for Your Spiritual Destiny” [fjalim i mbledhjes rreth vatrës së SAK-ut, 10 janar 2010], f. 7, speeches.byu.edu).

  • Cilat janë disa mënyra se si mund t’i ndihmojmë të tjerët të pendohen?

Ftojini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 18:15–16 për të mësuar atë që përjetojnë individët kur ndihmojnë dikë që të vijë te Jezu Krishti.

  • Çfarë bekimesh u vijnë atyre që i ndihmojnë të tjerët të vijnë te Jezu Krishti? (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të doni ta shkruani në tabelë parimin vijues: Nëse i ndihmojmë të tjerët të pendohen dhe të vijnë te Zoti, ne do të ndiejmë gëzim me ta në mbretërinë e Perëndisë.)

  • Përse mendoni se do të ndieni gëzim nëse i sillni të tjerët te Jezu Krishti?

Ftojini studentët të tregojnë një përvojë në të cilën ose ata ose dikush që ata e njohin, ndien gëzim ngaqë ndihmuan dikë t’i afrohej më shumë Zotit. Ju mund të doni të tregoni një përvojë tuajën.

Ftojini studentët të shkruajnë një gjë që mund ta bëjnë për të ndihmuar në punën e shpëtimit të shpirtrave. Kërkojuni atyre të marrin parasysh njerëz të veçantë që mund të ndihmojnë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Doktrina e Besëlidhje 18:5. “Shkëmbi im”

Doktrina e Besëlidhje 18:5 thotë se Kisha e Zotit duhet të ngrihet “mbi themelin e ungjillit tim dhe të shkëmbit tim”. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta e përkufizon shkëmbin si “në mënyrë figurative, Jezu Krishti dhe ungjilli i tij janë një themel dhe mbështetje e fortë (DeB 11:24; 33:12–13). Shkëmbi mund t’i drejtohet edhe zbulesës, me anë të së cilës Perëndia ia bën të njohur ungjillin e tij njeriut (Mateu 16:15–18)” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shkëmb”, scriptures.lds.org).

Doktrina e Besëlidhje 18:10. “Vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë”

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dha mësim:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Çdo person që takojmë është VIP [njeri shumë i rëndësishëm] për Atin tonë Qiellor. Pasi ta kemi kuptuar këtë, mund të fillojmë të kuptojmë se si duhet t’i trajtojmë bashkëqeniet tona.

Një grua, që kishte kaluar vite mundimesh dhe hidhërimesh, tha mes lotëve të saj: ‘Kam arritur të kuptoj se jam si një kartmonedhë e vjetër 20-dollarëshe – e zhubrosur, e grisur, e pistë, e shpërdoruar dhe me shenja. Por përsëri jam një kartmonedhë 20-dollarëshe. Unë vlej diçka. Edhe pse mund të mos dukem si shumë dhe megjithëse më kanë dëmtuar e përdorur, përsëri unë vlej plot 20 dollarë’” (“Ju Jeni Duart e Mia”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 69).

Doktrina e Besëlidhje 18:15–16. “Dhe nëse është që ju duhet të punoni”

Historitë e mëposhtme ilustrojnë përpjekjet e Presidentit Tomas S. Monson, për të sjellë shpirtra te Shpëtimtari:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Përgjegjësitë e mia si peshkop qenë të shumta e të ndryshme dhe unë u përpoqa me të gjitha aftësitë e mia që të bëja gjithçka që më kërkohej. Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara qenë të përfshira në një … luftë. Për shkak se shumë nga anëtarët tanë po shërbenin në shërbimin ushtarak, një detyrë erdhi nga selia e Kishës për të gjithë peshkopët, që t’i siguronin çdo ushtaraku një abonim për Church News dhe Improvement Era, në atë kohë gazeta të Kishës. Veç kësaj, secilit peshkop iu kërkua të shkruante një letër personale mujore për secilin ushtarak nga lagjja e tij. Lagjja jonë kishte 23 burra që po shërbenin në ushtri. Kuorumet e priftërisë, me përpjekje, siguruan fonde për abonimet në botime. E pranova punën, madje detyrën, për të shkruar 23 letra personale çdo muaj. Pas gjithë atyre viteve, ende i kam kopjet e shumë prej letrave dhe përgjigjeve të marra. Kur i rilexoj këto letra, është e lehtë që të më dalin lot. Është gëzim të mësosh sërish për premtimin e një ushtari për të jetuar ungjillin, vendimin e një marinari për të qëndruar besnik bashkë me familjen e vet.

Një mbrëmje, ia dorëzova një motre në lagje grumbullin me 23 letra për muajin e fundit. Detyra e saj ishte të merrej me postimin dhe të mirëmbante listën e adresave që ndryshonte vazhdimisht. Ajo i hodhi një shikim një zarfi dhe, me buzëqeshje, pyeti: ‘Peshkop, a nuk shkurajoheni ndonjëherë? Ja dhe një letër tjetër për Vëllanë Brisën. Kjo është letra e 17-të që i keni dërguar pa një përgjigje’.

Unë iu përgjigja: ‘E po, ndoshta ky do të jetë muaji që do të më shkruajë’. Siç përfundoi, ai ishte muaji. Për herë të parë, ai iu përgjigj letrës sime. Përgjigjja e tij është një kujtim i dashur, një thesar. Ai po shërbente tepër larg, në një vend të thellë, të izoluar, i përmallur për shtëpinë, i vetëm. Ai shkroi: ‘I dashur Peshkop, unë nuk jam i mirë në të shkruar’. (Mund t’ia kisha thënë atë shumë muaj më parë.) Letra e tij vijoi: ‘Faleminderit për Church News dhe gazetat, por mbi të gjitha faleminderit për letrat personale. Kam hapur një faqe të re në jetën time. Jam shuguruar prift në Priftërinë Aarone. Zemra ime është plot me emocione. Jam një njeri i lumtur.’

Vëllai Brisën nuk ishte më i lumtur sesa ishte peshkopi i tij. Kam mësuar si ta zbatoj në jetën time fjalën e urtë: ‘Bë[ni] detyrën [tuaj]; kjo është më e mira; lërja Zotit të tjerat’. (Henry Wadsworth Longfellow, “The Legend Beautiful”, në The Complete Poetical Works of Longfellow [1893], f. 258).

Vite më vonë, ndërsa isha i pranishëm në Kunjin e Kotonudit në Solt-Lejk, kur Xhejms E. Faust shërbente si president i tij, e rrëfeva këtë histori në përpjekje për t’i nxitur njerëzit t’u kushtonin më tepër vëmendje ushtarakëve tanë. Pas mbledhjes, një i ri i pashëm doli përpara. Ma kapi dorën dhe tha: ‘Peshkop Monson, a më mban mend?’

Befas e kuptova se kush ishte. Thirra, ‘Vëllai Brajsën! Si jeni? Çfarë po bëni në Kishë?’

Me ngrohtësi e krenari të dukshme, ai u përgjigj: ‘Jam mirë. Shërbej në presidencën e kuorumit tim të pleqve. Faleminderit sërish për interesimin tuaj për mua dhe letrat personale që më dërguat dhe që i çmoj.’

Vëllezër, bota [ka] nevojë për ndihmën tonë” (“Të Gatshëm dhe të Denjë për të Shërbyer”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 68–69).

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Kur shërbeja si peshkop, një të diel në mëngjes vura re se një prej priftërinjve tanë mungonte në mbledhjen e priftërisë. E lashë kuorumin nën kujdesin e këshilluesit dhe shkova për vizitë në shtëpinë e Riçardit. E ëma më tha se ai po punonte në garazhin në rrugën Uest Tempëll.

I dhashë makinës për te garazhi në kërkim të Riçardit dhe pashë kudo, por nuk munda ta gjej. Papritur, pata një ndjenjë se duhej të shikoja poshtë në kanalin e vjetër ku riparoheshin makinat që ndodhej në anë të stacionit. Në errësirë mund të dalloja dy sy xixëllues. Atëherë e dëgjova Riçardin të thoshte: ‘Më gjete, Peshkop! Po ngjitem’. Pas asaj dite ai rrallë mungonte në një mbledhje priftërie.

Familja e tij u shpërngul në një kunj të afërt. Koha kaloi dhe më telefonuan për të më njoftuar se Riçardi ishte thirrur për të shërbyer një mision në Meksikë, dhe unë isha ftuar nga familja që të flisja në dëshminë e tij të lamtumirës. Në mbledhje, kur foli Riçardi, ai përmendi se çasti vendimtar në këmbënguljen e tij për të shërbyer në mision erdhi një mëngjes të diele – jo në kishë, por kur vështroi nga thellësia e kanalit të errët ku riparoheshin makinat dhe gjeti dorën e shtrirë të presidentit të kuorumit të tij.

Gjatë viteve, Riçardi ka mbajtur lidhje me mua, duke më treguar për dëshminë e tij, familjen e tij dhe për shërbimin e tij besnik në Kishë, përfshirë thirrjen e tij si peshkop” (“They Will Come”, Ensign, maj 1997, f. 46).