Seminari
Mësimi i Studimit në Shtëpi: Doktrina e Besëlidhje 106–108; 137 (Njësia 23)


Mësimi i Studimit në Shtëpi

Doktrina e Besëlidhje 106–108; 137 (Njësia 23)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhja e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja vijuese e ngjarjeve, doktrinave dhe parimeve për të cilat studentët mësuan ndërsa studiuan Doktrina e Besëlidhje 106–108; 137 (njësia 23), nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që ju jepni përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë teksa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (Doktrina e Besëlidhje 106; 107:1–20)

Duke studiuar këshillën e Zotit dhënë Uoren Kaudërit te Doktrina e Besëlidhje 106, studentët mësuan që nëse e përulim veten tonë përpara Zotit, atëherë Ai do të ketë mëshirë për ne, do të na lartësojë dhe do të na japë hir e siguri. Studentët gjithashtu filluan studimin e tyre të Doktrinës e Besëlidhjeve 107, që është një zbulesë mbi priftërinë. Nga ky seksion ata mësuan se Priftëria Melkizedeke është sipas urdhrit të Birit të Perëndisë. Ata gjithashtu studiuan detyrat dhe përgjegjësitë e ndryshme të Priftërisë Melkizedeke dhe asaj Aarone.

Dita 2 (Doktrina e Besëlidhje 107:21–38)

Teksa studentët e vazhduan studimin e tyre të Doktrinës e Besëlidhjeve 107, ata mësuan rreth përgjegjësive të kuorumeve kryesuese të Kishës: të Presidencës së Parë, Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve. Ata gjithashtu mësuan se vendimet e këtyre kuorumeve kryesues merren njëzëri dhe në drejtësi.

Dita 3 (Doktrina e Besëlidhje 107:39–100; 108)

Nga Doktrina e Besëlidhje 107, studentët mësuan se patriarkët thirren me anë të zbulesës dhe shugurohen nën drejtimin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe se etërit që mbajnë Priftërinë Melkizedeke kanë autoritet për t’i bekuar fëmijët e tyre. Studentët gjithashtu studiuan fjalët e Zotit drejtuar Liman Shermanit, të shënuara te Doktrina e Besëlidhje 108. Ata zbuluan se kur i bindemi zërit të Zotit, ne e ftojmë faljen e Tij, e cila u sjell prehje shpirtrave tanë.

Dita 4 (Doktrina e Besëlidhje 137)

Në këtë mësim, studentët mësuan rreth vegimit të Profetit Jozef Smith për mbretërinë çelestiale dhe njerëzit që pa atje. Mësimi theksoi parimet vijuese: Të gjithë njerëzit që vdesin pa një njohuri të ungjillit, që do ta kishin pranuar atë me gjithë zemër, do të trashëgojnë mbretërinë çelestiale; Zoti do të na gjykojë sipas veprave tona dhe dëshirave të zemrës sonë; dhe të gjithë fëmijët që vdesin përpara se të bëhen të përgjegjshëm, do të shpëtohen në mbretërinë çelestiale.

Hyrje

Në detyrat e tyre javore, studentëve nuk iu kërkua të studionin me hollësi Doktrinën e Besëlidhjet 107:60–100. Ky mësim do t’ua japë atë mundësi. Ai mund t’i ndihmojë ata të njihen më mirë me detyrat e priftërisë dhe të kuptojnë më mirë detyrat e tyre si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit. Studentët gjithashtu do të mësojnë nga këshilla që iu dha Liman Shermanit, e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 108.

Gjatë studimit të detyrave të priftërisë në këtë mësim, është e rëndësishme t’i ndihmoni studentët të kuptojnë se ndërkohë që burrat i përmbushin këto detyra të ndryshme si mbajtës të priftërisë, bekimet e priftërisë janë në dispozicion për çdo njeri. Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Fuqia e priftërisë është fuqia që përdor Perëndia për t’i bekuar të gjithë fëmijët e Tij, meshkuj e femra. Disa nga shprehjet tona të shkurtuara, si ‘gruaja dhe priftëria’, përçojnë një ide të gabuar. Burrat nuk janë ‘priftëria’. Mbledhja e priftërisë është një mbledhje për ata që e mbajnë dhe e ushtrojnë priftërinë. Bekimet e priftërisë, të tilla si pagëzimi, marrja e Frymës së Shenjtë, dhurimi [indaumenti] i tempullit dhe martesa e përjetshme, janë në dispozicion si të burrave ashtu edhe të grave. Autoriteti i priftërisë funksionon në familje dhe në Kishë, sipas parimeve që ka themeluar Zoti” (“Priesthood Authority in the Family and the Church”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 25–26). Burrat dhe gratë kanë role njësoj të rëndësishme në familje dhe në Kishë (shih “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Ensign, nëntor 2010, f. 129).

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 107:60–100

Zoti zbulon detyrat e presidentëve të kuorumeve të priftërisë

Si një rishikim të shkurtër, shkruani në tabelë titujt Priftëria Melkizedeke dhe Priftëria Aarone. Ftojini studentët që t’i renditin detyrat e priftërisë nën titujt e duhur. Kërkojini një studenti që të shkruajë një detyrë të priftërisë dhe më pas t’ia kalojë shkumësin ose shkruesin një studenti tjetër, duke e vazhduar këtë proces derisa studentët t’i kenë renditur të gjitha detyrat e priftërisë. Nxitini studentët ta ndihmojnë njëri-tjetrin sipas nevojës. (Detyrat e Priftërisë Melkizedeke janë plak, prift i lartë, patriark, I Shtatëdhjetë dhe Apostull. Detyrat e Priftërisë Aarone janë dhjak, mësues, prift dhe peshkop.)

  • Çfarë është një kuorum priftërie? (Një grup i organizuar vëllezërish që mbajnë të njëjtën detyrë të priftërisë.)

Ftojeni një student të vijë në tabelë dhe të qarkojë detyrat e priftërisë që janë të organizuara në kuorume. Nxiteni klasën që të ndihmojë sipas nevojës. (Detyrat vijuese kanë kuorume: Apostull, I Shtatëdhjetë, prift i lartë, plak, prift, mësues dhe dhjak. Ju mund të doni të shpjegoni se çdo kunj ka një kuorum të priftërinjve të lartë, me presidentin e kunjit si presidenti i kuorumit. Në çdo lagje, priftërinjtë e lartë organizohen në një grup të priftërinjve të lartë.)

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 107:60–63, 85–89, 93–94. Ftojeni klasën t’i ndjekë dhe të përcaktojë atë që kanë të përbashkët kuorumet e përmendura në këto vargje.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë kanë të përbashkët këto kuorume të priftërisë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata përcaktojnë të vërtetën vijuese: Një president caktohet që të kryesojë dhe të drejtojë punën e çdo kuorumi të priftërisë.)

  • Sipas vargjeve 87–88, në ç’mënyrë një kuorum i priftërinjve është i ndryshëm nga kuorumet e dhjakëve dhe të mësuesve? (Peshkopi i lagjes kryeson mbi kuorumin e priftërinjve. Ai gjithashtu kryeson mbi të gjithë mbajtësit e Priftërisë Aarone në lagje. Në një degë, presidenti i degës vepron si presidenti i kuorumit të priftërinjve.)

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që secili kuorum i priftërisë të ketë një president? Si mund t’i ndihmojë presidenti i kuorumit anëtarët e kuorumit të tij?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 107:65–66. Ftojeni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë udhëheqësin e Kishës që kryeson mbi të gjithë mbajtësit e priftërisë. Ftojini studentët të raportojnë atë që gjejnë. Sigurohuni që studentët të kuptojnë se këto vargje i drejtohen Presidentit të Kishës.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 107:67, 91–92. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar fjalë dhe fraza që përshkruajnë autoritetin dhe përgjegjësitë e Presidentit të Kishës.

  • Nisur nga ajo që mësoni te këto vargje, si do t’i përmblidhnit autoritetin dhe përgjegjësitë e Presidentit të Kishës? (Megjithëse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Presidenti i Kishës mban autoritetin për të administruar të gjitha ordinancat dhe bekimet, dhe kryeson mbi të gjithë Kishën. Ftojeni një student ta shkruajë në tabelë këtë parim.)

Ju mund të doni të sqaroni më tej disa nga termat në vargun 92 me përkufizimet vijuese nga Plaku Xhon A. Uidsou, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhon A. Uidsou

“Një profet është një mësues i së vërtetës së njohur; një shikues është një perceptues i së vërtetës së fshehur, një zbulues është një mbartës i së vërtetës së re. Në kuptimin më të gjerë, ai që përdoret më gjerë, titulli profet, i përfshin titujt e tjerë” (Evidences and Reconciliations, përsht. G. Homer Durham, 3 vëll. në 1 [1960], f. 258).

Paraqitni një fotografi të Presidentit të tanishëm të Kishës.

  • Cilat janë disa nga mënyrat se si jeni bekuar për shkak të autoritetit të priftërisë të mbajtur nga Presidenti i Kishës?

Vërini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 107:99–100.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë duhet të bëjmë ne që të qëndrojmë të denjë përpara Zotit? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Për të qëndruar të denjë përpara Zotit, ne duhet të mësojmë detyrën tonë dhe të veprojmë me gjithë zell për ta përmbushur atë.)

Edhe pse këto vargje fillimisht iu drejtuan mbajtësve të priftërisë, parimi që ato japin mësim zbatohet për të gjithë anëtarët e Kishës.

Ndajini studentët në dyshe. Ftojini ata të diskutojnë për pyetjet vijuese. Lexojini pyetjet një e nga një ose shkruajini ato në tabelë.

  • Si jeni bekuar nga shërbimi i një anëtari të Kishës, që e ka përmbushur me zell detyrën e tij ose të saj?

  • Çfarë jeni duke bërë për ta mësuar detyrën tuaj dhe për të vepruar gjithë zell që ta përmbushni atë?

Jepuni studentëve mundësinë që të dëshmojnë për rëndësinë e kryerjes së detyrës sonë në Kishë dhe në familjet tona.

Doktrina e Besëlidhje 108:4–8

Zoti i jep Liman Shermanit këshillë dhe premtime

Kujtojuni studentëve se Doktrina e Besëlidhje 108 përmban një zbulesë të vullnetit të Zotit për Liman Shermanin, i cili i qe drejtuar Profetit Jozef Smith dhe kërkoi të dinte më shumë lidhur me detyrën e tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 108:7–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar udhëzimet që Zoti i dha Limanit. Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se porositë janë këshilla ose nxitje.

  • Në çfarë mënyre donte Zoti që Liman Shermani t’i forconte vëllezërit e tij?

Kërkojuni studentëve të përcaktojnë një parim nga udhëzimi i Zotit drejtuar Limanit te vargjet 7–8. Ata mund të përcaktojnë një llojshmëri parimesh, duke përfshirë sa vijon: Ne duhet t’i forcojmë të tjerët në të gjitha bisedat dhe veprimet tona. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Si mund t’i forconi njerëzit përreth jush në bashkëbisedimet tuaja?

  • Si mund t’i forconi njerëzit përreth jush me anë të veprimeve tuaja?

Kërkojuni studentëve të përshkruajnë një përvojë që e kanë pasur kur dikush i forcoi ata duke bërë një nga veprimet e renditura te Doktrina e Besëlidhje 108. Merreni parasysh të tregoni një përvojë nga vetja juaj. Ftojini studentët të mendojnë për një person që ata mund ta forcojnë sot dhe një veprim të veçantë që do të ndërmarrin për ta bërë këtë.

Njësia Tjetër (Doktrina e Besëlidhje 109–112)

Për t’i ndihmuar studentët që të përgatiten për të studiuar Doktrinën e Besëlidhjet 109–112, ftojini ata të marrin në shqyrtim sa vijon: Përse janë tempujt të rëndësishëm? A keni marrë pjesë ndonjëherë në një përkushtim tempulli? Shpjegoni se në njësinë tjetër, ata do të mësojnë rreth përkushtimit të Tempullit të Kirtlandit. Ata do të mësojnë më shumë rreth asaj që ndodhi, kush u shfaq atje dhe mënyrës se si ajo që u zbulua atje mund t’i bekojë ata dhe familjet e tyre përgjithmonë.